Teatri Kombëtar i Salvadorit në San Salvador – një ndërtesë impozante më shumë se një shekull e vjetër me tis të renesancës franceze – ka jehuar shqip me koncertin “Harmonia e miqësisë” me tenorin Rame Lahaj. Rrëfimi për bukuritë e historinë e Kosovës, po aty, është shpalosur nëpërmjet fotografive të Arben Llapashticës. Një ngjarje si kjo, ka edhe peshë historike. Është e para e tillë e organizuar në këtë shtet e imazhet që vijnë prej atje, si post-festum tri ditë pasi është mbajtur, japin ndjesinë e një nate me karakter të diplomacisë kulturore
Skena kulturore e artistike e Kosovës ka pasur përherë potencial për të triumfuar përtej dallimeve. Ka qenë formë e diplomacisë nëpër botë. Në radhë ka qenë Salvadori i largët ku është prezantuar kënga shqipe nga tenori i skenave botërore, Rame Lahaj. Peizazhet e Kosovës bashkë me historinë nëpërmjet imazheve të fotografit Arben Llapashtica e avancojnë rrëfimin për vendin, e krejt këto bashkë kanë shënuar dekadën e parë të marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Salvadorit.
Teatri Kombëtar i Salvadorit në San Salvador – një ndërtesë impozante më shumë se një shekull e vjetër me tis të renesancës franceze – ka jehuar shqip me koncertin “Harmonia e miqësisë” të martën mbrëma me tenorin Lahaj. Imazhet e emocionet prej atje, janë përcjellë si një post-festum nëpërmjet përfaqësive diplomatike që mbulojnë edhe këtë shtet në Amerikën Qendrore.
I shoqëruar nga Orkestra Simfonike Shtetërore, Lahaj ka shpalosur program artistik ku janë përfshirë edhe këngë shqipe. Kjo ka qenë forma më reprezentuese e shtetit, ku zëri e talenti i artistëve tejkalojnë barriera dhe depërtojnë pa kompromise.
Ngjarjet janë organizuar nga Ambasada e Kosovës në Panama në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Salvadorit.

Ambasadorja Heroina Telaku në fjalimin e saj me rastin e këtij aktiviteti ka thënë se edhe pse të dyja vendet janë shumë larg gjeografikisht, sipas saj, viteve të fundit dy shtetet kanë thelluar e intensifikuar marrëdhëniet dhe se ndajnë të njëjtat vlera në shumë fusha. Se ato e vlerësojnë lart lirinë dhe sigurinë e tyre.
“Ashtu si në rastin e El Salvadorit, rruga jonë drejt paqes nuk ishte e lehtë. Liria dhe paqja ishin vetëm një iluzion për mua për 17 vjetët e para të jetës sime. Jetonim nën një regjim që donte të na fshinte nga faqja e dheut. Por ne zgjodhëm të rezistojmë dhe të këmbëngulim për të fituar të drejtat dhe lirinë tonë”, ka thënë ambasadorja Telaku.
Rrëfimi i saj personal në skenën e institucionit të lartë kulturor në këtë shtet, është pasqyra e prezantimi i fatit të familjeve shqiptare në Kosovë. Ka folur për sistemin e arsimit në rrethana të jashtëzakonshme nën okupim e për tragjedinë e Kosovës nga lufta e fundit.
“Kur isha 7 vjeçe na ndaluan të mësojmë në gjuhën tonë në shkolla, kështu që filluam sistemin tonë paralel të arsimit dhe unë ndoqa mësimet në një shtëpi private. Pasi e kalova tërë jetën time në një regjim të tipit aparteid, ky regjim vendosi të përshkallëzohej në një luftë brutale me synimin për ta mbajtur Kosovën si territor, por pa popullin e saj. Kur u dëbova me dhunë nga shtëpia ime nga ky regjim, në moshën 15-vjeçare, unë dhe familja ime u bëmë refugjatë. Dhe me gjithë atë që ndodhi, unë dhe familja ime u konsideruam me fat, pasi vetëm shtëpia jonë u dogj dhe asnjë anëtar i familjes sime nuk u vra, u përdhunua apo u masakrua, siç ishte fati i shumë familjeve në Kosovë”, është shprehur Telaku.

Duke folur me shifra, ka thënë se Kosova ka paguar çmim të lartë për lirinë e saj me “15 mijë njerëz të vrarë dhe masakruar, rreth 20 mijë gra dhe burra të përdhunuar seksualisht dhe më shumë se një mijë e 500 njerëz ende të zhdukur”.
Ka thënë se liria për shumë vjet ishte veç iluzion dhe se ajo nuk do të ishte arritur pa miq e aleatë.
“Më vjen mirë që Salvadori është një nga këta miq që e ka përkrahur Kosovën që në fillim dhe vazhdon ta mbështesë edhe sot e kësaj dite. Sot marrëdhëniet tona janë shumë më të thella dhe më kuptimplote, pasi ato bazohen në vlerat tona të përbashkëta dhe premtoj të vazhdoj të punoj fort për t’i thelluar edhe më tej këto marrëdhënie”, ka thënë ambasadorja Heroina Telaku e cila është edhe ambasadore jorezidente në El Salvador që nga tetori i vitit të kaluar.
Derisa ka treguar që kjo është ngjarja e parë që Kosova ka organizuar në Salvador, ka prezantuar ekspozitën e fotografit Arben Llapashtica me imazhet e vendit.
“Ky është eventi i parë që Kosova ka organizuar në Salvador dhe jam shumë e lumtur që mund të sjellë një pjesë të vogël të Kosovës sime të bukur në Salvador përmes këtij koncerti dhe fotove madhështore të fotografit tonë, Arben Llapashtica, të cilat mund të i shihni pikërisht jashtë kësaj salle”, ka thënë ajo.

Trashëgimia kulturore e vendit shpaloset me fotografi të monumenteve të shkrepura nga fotografi i njohur, Arben Llapashtica. Aty janë edhe kupolat e Bibliotekës së Kosovës si një prej monumenteve ikonë të kryeqytetit. Bazuar në pamjet e publikuara në rrjete sociale, nëpërmjet ekspozitës shihet se vuajtjet e popullit dokumentohen tërthorazi nëpërmjet fotografive të ekspozitave kushtuar viktimave të luftës.
Shenja e gëzimit të shtetit dhe të së ardhmes së tij vjen nga fotografia e një fëmije tek e mban flamurin e Kosovës. Janë edhe bukuritë e vendit nëpërmjet peizazheve të natyrës e të kryeqytetit. Krejt ato janë të ekspozuara në Teatrin Kombëtar të San Salvadorit.
“...bukuritë e Kosovës u prezantuan para publikut të El Salvadorit. Këto imazhe mahnitëse shërbyen si një dritare në historinë dhe peizazhet e vendit tonë”, shkruhet në komunikatën e Ambasadës së Kosovës në Panama.
Koncerti “Harmonia e miqësisë” me interpretimin e tenorit Rame Lahaj dhe ekspozimi i fotografive të Arben Llapashticës janë vlerësuar si forcim i marrëdhënieve bilaterale përmes artit, kulturës dhe vlerave të përbashkëta.
