Kulturë

“Rrugëtimi drejt lirisë” me fotografitë e Alban Bujarit

Afrim Vitia ishte prapa fotoreporterit të “Kohës Ditore”, Alban Bujari, derisa ai po ia dokumentonte botës masakrat e kryera nga forcat serbe gjatë viteve 1998-1999.

Secila fotografi është dëshmi e krimeve që i kishin parë me sytë e tyre. Do të ktheheshin dëshmitarë të së vërtetës së dhimbshme.

“Rrugëtimi drejt lirisë” mban titullin ekspozita e Bujarit, që është hapur të enjten në hollin e Ministrisë së Drejtësisë, e cila e ka përkrahur fotoreporterin.

“Vlera e tyre është e madhe, qysh ka qenë edhe atëherë, edhe tash është shumë e madhe, në mënyrë që faktikisht po na akuzojnë sot. Tash prej viktimës jemi bërë agresorë, serbët po mbesin të viktimizuar dhe të gjitha këto për masakrat na e qesin edhe një herë ndërmend se kush ka ba masakra dhe kush ka ba terror në Kosovë”, ka thënë Vitia, pjesë e ekipeve të “Kohës Ditore” qysh prej vitit 1997. “Kanë vlerën e madhe, kanë domethënien e madhe, kështu që Albani edhe atëherë, edhe tash, edhe pas luftës, si në momente të vështira, si në momente të lumtura që i ka kaluar Kosovë, ka arritur me fotografitë e tij me njoftu opinionin”.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se fatkeqësisht janë edhe 1.600 persona të pagjetur në varreza masive në Serbi. Ajo ka theksuar se familjet e tyre meritojnë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre. Nagavci ka kërkuar që të ketë angazhim të të gjithëve për t’ia dëshmuar botës të vërtetën e luftës së Kosovës.

Image

“Dëshmitarë jemi të gjithë. Fatmirësisht kemi çfarë të themi në anën e drejtë të historisë, andaj uroj që jo vetëm të kemi sa më shumë aktivitete të tilla, mundësi për të thënë të vërtetën tonë, por edhe në mënyrë institucionale të angazhohemi që ta çojmë në vend secilën brengë dhe secilën të drejtë që na takon edhe si shtet”, ka thënë ajo.

Autori i ekspozitës ka thënë se e ka pasur të vështirë t’i fotografonte bashkëkombësit e masakruar nga forcat e Slobodan Milosheviqit në pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Unë kisha filluar në Prekaz, që ka qenë masakra e parë që unë e kam parë. Nuk ka qenë lehtë edhe për ne me i dokumentu krimet e luftës, që janë bërë prej forcave serbe. Edhe e falënderoj ministrinë e drejtësisë, dhe ministrin Selimi për përkrahjen për ekspozitë”, ka thënë Bujari. “Nuk është vetëm Prekazi, është edhe Krusha, është Reçaku, është Rogova, është Abria, e të tjera. Kështu që ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrje”.

Ministri i Drejtësisë ka theksuar se Kosova duhet t’i kujtojë çdo ditë viktimat e luftës. Ka falënderuar Bujarin për kontributin e tij në luftë e në paqe. Sipas tij, hapja e kësaj ekspozite risjell dëshmitë më të trishtueshme të mizorive të shtetit serb ndaj civilëve shqiptarë. “Edhe pse trazon plagën tonë të hapur, na shërben për të dëshmuar krimet e vazhdueshme dhe terrorizmin shtetëror serb, por edhe vë në pah sakrificën dhe të vërtetën e Kosovës”, ka thënë ministri Selimi.

Vitia e Bujari u kanë rrëfyer miqve e mysafirëve të ekspozitës histori me keqtrajtime e kërcënimeve të forcave serbe gjatë punës së tyre për të faktuar dhunën e masakrat ndaj shqiptarëve të pafajshëm.

{gallery}