Të shtunën, në 35-vjetorin e themelimit, “Hani i Dy Robertëve” është konstatuar se kjo hapësirë s’është më veç një restorant e galeri. Por është dëshmi e frymës së dikurshme. Është dëshmi e mbi të gjitha qëndresës kulturore. Në ekspozitën festive muret janë të mbushura me shumë fotografi të personaliteteve të njohura shqiptare, prej Ismail Kadaresë e me radhë. Në këtë ceremoni jubilare, përtej gotave të ngritura dhe bisedave të shumta, është ndier një frymë krenarie dhe nostalgjie. Është hapësirë ku kujtohen shpresat, guximi kulturor e takimet e shumta. Tash aty qëndrojnë edhe mbi 30 piktura të artistëve të ndryshëm që ndër vite kanë ekspozuar në “Hanin...” që ka ndërruar disa lokacione në kryeqytet
Fotografitë u takojnë ditëve kur shqiptarët e Kosovës s’kishin vend në institucionet publike pasi ato i takonin regjimit të Serbisë. Artistë të ndryshëm, politikanë, shkrimtarë e njerëz të profesioneve të tjera në fotografi duken si në qejf pasi takoheshin për ngjarje kulturore. Por kur imazhet vështrohen më thellë del në pah se bëhej fjalë për rezistencë. E “Hani i 2 Robertëve” në periudhën e aparteidit në Kosovë do të shndërrohej në hapësirë me rol të shumëfishtë. Aty zinin vend ekspozita, diskutohej për artin, kulturën, reagimin publik e çka jo tjetër. ishte një nga oazat e revoltës së asaj kohe.
Të shtunën, në 35-vjetorin e themelimit, “Hani i Dy Robertëve” është konstatuar se kjo hapësirë s’është më veç një restorant e galeri. Por është dëshmi e frymës së dikurshme. Është dëshmi e mbi të gjitha qëndresës kulturore. Në ekspozitën festive muret janë të mbushura me shumë fotografi të personaliteteve të njohura shqiptare, prej Ismail Kadaresë e me radhë.
Në këtë ceremoni jubilare, përtej gotave të ngritura dhe bisedave të shumta, është ndier një frymë krenarie dhe nostalgjie. Është hapësirë ku kujtohen shpresat, guximi kulturor e takimet e shumta. Tash aty qëndrojnë edhe mbi 30 piktura të artistëve të ndryshëm që ndër vite kanë ekspozuar në “Hanin...” që ka ndërruar disa lokacione në kryeqytet.
“Në kohën e themelimit si kafiteri te ‘Kurrizi’, ‘Hani...’ pretendonte rol modest të alternativës subkulturore. Në vitet ‘90 ‘Hani...’ shndërrohet në qendër të ekzistencës kulturore, por edhe në qendër informative. Ishte vendtakim i liderëve politikë, diplomatëve, publicistëve dhe gazetarëve elitarë botërorë. Nga ‘Hani’ janë përhapur lajmet dhe të vërtetat mbi rezistencën e Kosovës ndaj pushtimit serb. Edhe pas çlirimit ‘Hani...’ gjen moduse për gërshetim të rafinuar të gastronomisë me kulturën, duke ruajtur traditën e institucionit kulturor të pavarur”, shkruhet në fletushkën e përgatitur për përvjetor.
Shkëlzen Maliqi në librin e tij “Arti në rezistencë” shkruan se: “Me restorantin ‘Hani...’ u ngrit niveli i prezantimit të artit në publik, pasi që u ekspozuan Agim Çavdarbasha, Gjelosh Gjokaj, Muslim Mulliqi, Rexhp Ferri e të tjerë. Këta ishin akademikë dhe klasikë të artit kosovar, dhe krahas tyre u afirmua edhe arti i brezit të ri, që sollën paradigmën kontemporane dhe konceptuale”.
Fadil Dragaj, pronar i lokalit galeri, ka thënë se hapja e restorantit ka ardhur si ide kur kanë mbetur pa punë në fundit të viteve ’80.
“Presioni na ka detyruar ta hapim për të ekzistuar. E kemi hapur me Migjen Kelmendin në ‘Kurriz’. Më pastaj Migjeni ka vazhduar me aktivitetin e tij e unë kam vazhduar ta mbaj lokalin duke bërë edhe ekspozita deri më sot. Ka qenë një kafiteri, një galeri e cila ka rezistuar në kohë pa kohë. Ka filluar punën si Galeri kur nuk ka pasur vend për artistët të cilët nuk kanë mundur t’i ekspozojnë veprat e tyre sepse ishte mbyllur Galeria Kombëtare dhe të gjitha vendet”, ka thënë ai.
Sipas tij, biznesi u bë një restorant që hap dyert për artistë dhe nisi të shërbejë si galeri.
“Pa pikë modestie po them se është një ndër institucionet e para private, ndër të parat ka qenë dhe ekziston qe 35 vjet me imazh të njëjtë. Gjatë kësaj periudhe janë organizuar mbi 250 ekspozita si grupore edhe individuale, ku kanë defiluar ndoshta edhe rreth 300 artistë”, ka thënë Dragaj.
Ka treguar se ndër vite ambienti ka qenë i hapur për zhanre të ndryshme artistike, ku pos artit pamor janë mbajtur edhe promovime të librave, promovimi i filmave dokumentarë, drama, duke e bërë atë si vend të shumë zhvillimeve. Ka kujtuar se ideja e emrit ka lindur nga libri i Ismail Kadares “Ura me tri harqe”, pasi aty përmendet “Hani i 2 Robertëve”.
“Në këtë kafe-galeri përveç artistëve kanë qenë edhe emrat më të mëdhenj të politikës dhe publicistikës së atëhershme, gazetarë, reporterë të luftës, jo vetëm vendorë por edhe ndërkombëtarë. Ka pasur edhe lokale të tjera, ka qenë ‘Koha’, edhe ata kanë ekspozuar, lokali ‘Evergreen’ edhe shumë lokale të tjera që tash nuk po më kujtohen me emra”, ka thënë Dragaj.
Filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se “Hani i 2 Robertëve” përveçqë ka ofruar shërbime nga gastronomia ka qenë edhe vend që ka shërbyer edhe si galeri, një lloj qendre kulturore për kohën. Sipas tij, “Hani” i ka kompensuar hapësirat e uzurpuara nga Serbia.
“Krahas ‘Dodonës’ që ka qenë edhe akademi e arteve, ‘Hani i Dy Robertëve’ u ka ofruar shumë artistëve mundësi për të treguar punën e tyre përmes veprave të artit në përgjithësi. Mund të them lirisht se është institucioni i parë i pavarur në Kosovë që punon në vazhdimësi. Tashmë këtu jemi në një hapësirë të re, por pavarësisht lokacionit gjithmonë ka luajtur rol të madh. ‘Hani...’ ka qenë vendtakim edhe për diplomatë, gazetarë”, ka thënë Maliqi.
Sipas tij, përveçqë ka qenë një vend për të mbajtur gjallë shpirtin, gjithashtu ka shërbyer edhe për të ndihmuar kreativitetin.
Ai ka treguar se funksionimi i galerisë kohëve të fundit ndihmohet edhe nga Qeveria, por ky institucion meriton shumë më shumë.
“Duke pasur parasysh se sa e ka shtyrë kreativitetin duhet të shpallet trashëgimi kulturore. Në një takim me një atashe të kulturës nga Austria ai pati propozuar se duhet ta marrë statutin e trashëgimisë kulturore duke e krahasuar me vendet e tjera në Evropë ku kanë filluar lëvizjet e para të rinisë për ndryshime politike dhe sot janë vende që vizitohen”, ka thënë ai.
Pikturat e ekspozuara në përvjetor paraqesin tema e teknika të ndryshme. Janë një mozaik i një pjese të skenës artistike në vend, por edhe njëfarë kronologjie e stileve.
Artisti Burim Berisha ka thënë se “Hani i 2 Robertëve” qe adrese edhe e shumë emrave që sot janë të njohur në artin bashkëkohor.
“Këto lloje të institucioneve edhe pse janë bërë atëherë për shkak të vështirësive, edhe në këtë kohë funksionojnë shumë mirë, për shkak se këto janë forma interaktive të ekspozimeve. Njerëzit gjithqysh kanë interaksion me vepra, për shkak se është edhe kafiteri, edhe restorant, e këto forma duken shumë të mira, dhe tashmë me hapësirën e re që e ka marrë ‘Hani...’ do të jetë më prezent në skenën e artit. Ndoshta me pak më shumë ndihmesë edhe të institucioneve të tjera” ka thënë Berisha
Ai në këtë rast ka shtuar se duke pasur parasysh gjithë këtë kontribut që e ka dhënë “Hani...” do të duhej të ketë përkrahje shumë më të madhe si prej Komunës ashtu edhe prej Ministrisë së Kulturës.
“Edhe vetë Fadili ka kaluar vështirësi të mëdha, për vetë faktin që ka ndërruar shumë hapësira, ka pasur edhe vështirësi ekonomike në faza të ndryshme, por e gjithë kjo e ka bërë të jetë më i fortë dhe të mos ndalet. Këtu shihet edhe vullneti i tij i madh së bashku me bashkëshorten që nuk janë ndalur asnjëherë për ta mbajtur këtë hapësirë, dhe gjithmonë ka mbetur në këtë formë. Edhe në këtë rast duhet të njihet si institucion për të funksionuar dhe për të vazhduar me punë, ku dihet se ekziston tash e 35 vjet”, ka thënë ai
Sipas tij, duke parë zhvillimet në skenën artistike ndërkombëtare dhe krahasimin me këto anë, rezulton se arti në Kosovë ka trend pozitiv.
“Për mua personalisht është tepër kënaqësi me qenë pjesë e kësaj ekspozite me rastin e 35-vjetorit të hapjes. Gjithashtu kam pasur fatin të hap një ekspozitë personale më herët në ‘Han’, edhe faktikisht unë atë e mbaj në CV më shumë puna e si një ekspozite të veçantë”, ka thënë Berisha. Ekspozita e përvjetorit të 35-të të “Hanit...” pos fotografive të ngjarjeve të ndodhura ndër vite e pikturave ka bashkuar edhe shumë njerëz e ide.