Plagët e thella që lufta e fundit vragoi mbi fate njerëzish nuk janë më historia që vetëm ne e dimë. Ajo është edhe histori që bota jo vetëm po e njeh, por edhe po kondenson si frymëzim për mbijetesë. Duke e vazhduar suksesin në fillim të këtij viti kur në “Sundance Film Festival” u shpërblye në mënyrë të trefishtë, filmi “Zgjoi”, nën regjinë e Blerta Bashollit, po vazhdon rrugëtimin e tij duke trokitur në dyer eventesh të njohura kineaste.
Edicioni i sivjetmë i festivalit “Karlovy Vary” (KVIFF), në Republikën Çeke, është adresa e radhës ku filmi i metrazhit të gjatë do të shfaqet.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i suspenduar i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, i cili nëpërmjet një afishimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka bashkëndarë njoftimin nga faqja zyrtare e festivalit të njohur të Evropës Qendrore.
Kështu, “Zgjoi” i shumë çmimeve do të jetë në mesin e 68 filmave që do të shfaqen në kategorinë “Horizons”, e cila nga organizatorët e festivalit njihet si kategori me “përzgjedhje të filmave më të mahnitshëm bashkëkohorë”.
Siç bëhet e ditur në agjendën e KVIFF, filmi i Bashollit do ta ketë premierën më 20 gusht në “Congress Hall”, e pas kësaj do të ketë rishfaqje edhe në datat 23, 25 dhe 26 gusht.
E ky nuk është eventi i vetëm kineast ku filmi nga Kosova premierohet. Në edicionin e 27-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, “Zgjoi” është përfshirë në kategorinë “In Focus programme”, që sjell të arriturat më të mira të kinemasë rajonale sivjet dhe vjet. Kjo kategori shpalos një vistër filmash të larmishëm që të përbashkët kanë suksesin e treguar gjatë vitit të kaluar nëpër festivale si Venecia, Sundnace, Berlinale apo Cannes.
“Këta nuk janë vetëm filma rajonalë, por edhe globalë”, citohet të ketë thënë Elma Tatargiq nga programi “In Focus”.
Gushti i premierave të “Zgjoit” do të ketë edhe premierën në kuadër të Jerusalem Film Festival, që do të ketë premierën e vet më datën 26 të këtij muaji në “Lev Smadar”.
Pa u dehur nga suksesi i treguar në “Sundance” në fillim të këtij viti, ekipi i filmit i ka qendërzuar përpjekjet në shitje dhe distribuim të filmit. Dhe rezultatet ngjajnë të jenë goxha mbresëlënëse: filmi do të shfaqet në kinematë e më shumë se 50 vendeve të ndryshme anekënd botës, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara ku shfaqja do të fillojë në vjeshtë.
“Edhe pse fokusi ynë ka qenë shitja dhe distribuimi, ashtu që filmi të shihet nga një audiencë sa më e madhe, ne nuk i kemi lënë anash as festivalet”, ka thënë për KOHËN producenti i filmit, Yll Uka.
Teksa ka paralajmëruar se së shpejti do të bëhen të ditura edhe emrat e festivaleve të tjera, ai e ka përshkruar si kënaqësi të madhe faktin që brenda një jave filmi do të shfaqet në tri festivale të njohura si ai në Karlovy Vary, në Sarajevë si dhe në Jerusalem.
“Sigurisht se këto pjesëmarrje do të na ndihmojnë në promovimin e filmit”, ka vlerësuar Uka, teksa ka shtuar që ekipi i filmit po përgatitjet për një fushatë serioze për çmimet kryesore që janë në fund të këtij viti në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Producenti Uka ka thënë se pajtohet me vlerësimin që kinemaja e Kosovës po shpërthen me një “new wave”, të cilin, sipas tij, e kanë thënë edhe emra të njohur të kinemasë botërore.
Me këtë rast, ai ka përkujtuar se komuniteti i filmit në Kosovë ka punuar qe gjatë kohë në kushte shumë të vështira për t’i arritur këto suksese, por “nuk mund të vazhdojmë edhe më gjatë me këto kushte”.
“Përfundimisht kjo është koha e fundit që të kemi një mbështetje serioze, prej së cilës do të përfitonte më së shumti shteti i Kosovës”, ka thënë Uka. “Promovimi që nuk po bëhet dot me rrugë diplomatike apo të tjera të ngjashme është dëshmuar për vite me radhë se mund të bëhet vetëm me kulturë dhe sport”.
“Zgjoi” është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK.
Ky film shtjellon artistikisht historinë e vërtetë të një gruaje nga fshati Krushë e Madhe, Fahrije Hoti, e cila në film portretizohet nga aktorja e njohur, Yllka Gashi. Zhdukja e burrit të saj në luftë është fillimi i një kalvari vuajtjesh e vështirësish, përballë të cilave heroina nuk dorëzohet. Në kastin e filmit janë edhe aktorët Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami.