Gjithandej botës qytetet identifikohen me më së paku një objekt arkitektonik. Askush s’mund ta imagjinojë Parisin pa Kullën e Eiffelit dhe as New Yorkun pa Statujën e Lirisë.
Nëse gjithçka shkon sipas një plani të prezantuar në publik të martën, bartësit e projektit kanë goxha ambicie se edhe Prishtina do ta ketë një objekt të tillë arkitektonik, që do të bëhet pikë referimi për vendasit e vizitorët. Në përpjekje për ta ndërtuar identitetin kulturor dhe arkitektural të kryeqytetit, një grup arkitektësh e ka iniciuar ndërtimin e “Green Queen”. Projekti për shndërrimin e oxhakut të “Termokosit” në simbol të vetëdijes mjedisore u prezantua publikisht të martën, në ambiente të Komunës së Prishtinës.
I realizuar nga studioja “1010”, ky projekt parasheh mbështjelljen e oxhakut të “Termokosit” me një gjethe çeliku, duke e transformuar në tërësi objektin industrial. Bimët të cilat do ta mbështjellin oxhakun do të shërbejnë si filtra për pastrim të ajrit.
“Do të jetë Kulla e Eiffelit e Prishtinës”, ka thënë arkitekti Visar Geci, i cili i prin ekipit që e ka hartuar projektin. Kjo ide kishte zënë fill para një viti e gjysmë. Qysh atëherë, plani iu shpalos kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Pjesa kryesore kur fillon të projektosh është hulumtimi. Ne kemi hulumtuar, e kemi parë si oxhak betoni pa funksion – se ka dalë prej funksionit qysh kur Prishtina nuk ngrohet me mazut – dhe kemi thënë është kosto ta rrëzosh. Pse të rrëzosh diçka, kur mund ta krijosh një ikonë të Prishtinës”, ka thënë Geci, duke shtuar se ky objekt ndodhet në një prej pjesëve më të bukura të kryeqytetit.
“Do ta trajtojmë jo vetëm oxhakun, por edhe përreth. Do të jetë shëtitore, park, por e gjitha është menduar të jetë me energji të ripërtërishme. Kjo që të mbahet prej vetes dhe të mos ketë nevojë të shpenzohet as erë – është me panele solare, ku është ‘Termokisi’, të reshurat kur bien të grumbullohet uji dhe të ujitet parku”, ka shtuar ai.
Prishtina viteve të fundit është radhitur në krye të listës së “Indeksit Botëror të Cilësisë së Ajrit”, duke lënë pas ndotësit më famëkeq. “Green Queen” është konceptuar në formën e një objekti simbol për vetëdije mjedisore.
“Nga vetë fakti që ky oxhak ka prodhuar dyoksid karboni, ne kemi dashur ta bëjmë të kundërtën. Dhe është shumë aktuale në të gjithë botën ndotja e mjedisit. E sidomos për Prishtinën as që po flasim, që është në top-listë të qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Dhe kjo jo që do ta pastrojë ajrin – se sado që prodhon oksigjen nuk mund ta pastrojë ajrin – por është simbolikë që të nisë vetëdijesimi për ndryshime”, ka thënë Geci.