Kulturë

“Gratë udhëheqëse në fokus” kthjellojnë portrete frymëzimi e aktivizmi

Ekspozita “Gratë udhëheqëse në fokus”

Si pishtarë kanë qenë dhjetë ekranet e vendosur nëpër muret e hapësirës së “Barabar” në hotelin “Grand”. Prej larg si një siluetë duken portretet. Ndriçohen me t’u afruar dhe qartësohen imazhet. Është një formë e ilustrimit për rëndësinë e të qëndruarit pranë grave dhe të kuptuarit e rolit të tyre në shoqëri

Portrete figurash të shquara në fusha të ndryshme, vijnë si frymëzim e shembull aktivizmi në ekspozitën “Gratë udhëheqëse në fokus”, me fotografi të Arben Llapashticës, kuruar prej Eliza Hoxhës, e hapur në “Barabar”. Prej së largu, fotot duken të turbullta, zënë të kthjellohen me t’u afruar tok me mesazhet që lënë ato dhe ekspozita si tërësi

Janë më shumë se imazhe të profileve të dhjetë grave. Secila prej tyre bart rrëfimet e sfidave deri në rrugën që i bën ato të jenë disa prej figurave të dalluara në shoqëri. Në ekspozitën “Gratë udhëheqëse në fokus” zënë vend si portrete grash novatore që shprehin kreativitetin e mendimet jashtë kutisë.

Jashtë patriarkatit të shoqërisë, në rastin e Kosovës. Janë po ato që veprimtaria e tyre në karrierë i bën të futen nën strehën e lidershipit të verdhë, nën të cilin koncept është zhvilluar ekspozita e organizatës “Integra” me fotografi të Arben Llapashticës dhe e kuruar nga Eliza Hoxha.

Janë figura të njohura në fusha të ndryshme në vend. Lidere të profileve të ndryshme mblidhen në një platformë. Vëmendja shkon te shikimet e tyre plot vetëbesim e optimizëm. Janë vlerësuar si frymëzim e shembull në hapje të ekspozitës në qendrën kulturore “Barabar” në kryeqytet, të enjten pasdite.  

Si pishtarë kanë qenë dhjetë ekranet e vendosur nëpër muret e hapësirës së “Barabar” në hotelin “Grand”. Prej larg si një siluetë duken portretet. Ndriçohen me t’u afruar dhe qartësohen imazhet. Është një formë e ilustrimit për rëndësinë e të qëndruarit pranë grave dhe të kuptuarit e rolit të tyre në shoqëri.

“Së pari i sheh, duken të zymta nga larg, si në mjegull, sikur i lëmë ne, në harresë diku. Kur afrohesh, ndizen. Ideja është të njihen ato, sepse edhe ne ndriçohemi kur i njohim më mirë dhe më shumë.

Është fantastike të dëgjohen rrëfimet e tyre, të kuptojmë se sa mund të mësojmë prej tyre dhe të krenohemi me to”, ka thënë Eliza Hoxha, kuratore e ekspozitës. 

Lidere të profileve të ndryshme mblidhen në një platformë. Vëmendja shkon te shikimet e tyre plot vetëbesim e optimizëm

Nga një shirit i verdhë theksohet secila fotografi duke e pozicionuar si sfond krejt atë që paraqitet në formë bardhezi. Vështirësitë, paragjykimet dhe gjithçka tjetër lihet anash. Është vetëm pozicionimi i tyre si gra lidere, i përcaktuar si lidership i verdhë. Ky shirit virtual qëndron pranë atij fizik në të cilin sillet një pjesë rrëfimi, frymëzimi a mesazhi nga secila protagoniste. 

Ky lidership është një stil udhëheqësie inovative që vlerëson mendimet përtej. Këta liderë janë vizionarë, sipërmarrës dhe pjesëmarrës përkundër rrethanave të rrezikshme. Kërkojnë përherë të përmirësojnë rrjedhën e situatave. 

Për këto tipare i ka vlerësuar kuratorja e ekspozitës. Ka thënë se ato kanë qenë inovative për t’u mbijetuar rrethanave patriarkale.

“Nga rrëfimet e gjithë grave këtu ka qenë një koncept i lidershipit që e kam konsideruar të përshtatshëm t’i sjellë këtu bashkë, e që është lidershipi i verdhë, që flet më shumë për akterët që kanë empati ndaj kategorive të tjera, akterë që mendojnë jashtë kutisë, të cilët janë më kreativë, më inovativë dhe që guxojnë t’u prijnë ndryshimeve”, ka thënë ajo për KOHËN. 

Ish-diplomatja Teuta Sahatqija që tani punon me gratë që merren me teknologji, u bën thirrje të bëhen gati për të qenë në ballë të epokës së teknologjive të reja. Artistja Mirjeta Qehaja fton për të punuar me ëndrrat e për të ngjyrosur jetën secila me ngjyrat e saj. Kampionia botërore në xhudo Majlinda Kelmendi tregon se me mund e përkushtim mund të arrihet gjithçka.

Në anën tjetër, diplomatja e politikania Edita Tahiri shprehet se “fuqizimi i grave në politikë është rruga e vetme që siguron barazinë gjinore në vendimmarrje dhe në lidership, për një të ardhme më të mirë për të gjithë”.

Imazhi i portretit të Feride Rushitit, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, duket motivues kur kompletohet instilacioni edhe me fjalët e saj. Ajo thërret për t’i fuqizuar viktimat. Thotë se zëri i tyre është zë i së vërtetës dhe drejtësisë së vonuar. 

Të enjten kur është hapur ekspozita ka thënë se gratë protagoniste në të kanë bagazh në promovimin e barazisë gjinore. 

“Të gjitha këto gra që janë radhitur në këtë ekspozitë, gjatë veprimtarisë së tyre kanë lënë një bagazh prapa në adresimin dhe avokimin e çështjeve të ndjeshme, në veçanti në promovimin e barazisë gjinore. Më ka bërë të ndihem mirë për faktin që 25 vjet këtë vit bëhen që vazhdojmë të punojmë me të mbijetuarat e dhunës seksuale, por edhe me çështje të tjera gjinore që kjo kauzë të avancohet edhe më tej tutje”, ka thënë Rushiti. 

Nga një shirit i verdhë theksohet secila fotografi duke e pozicionuar si sfond krejt atë që paraqitet në formë bardhezi. Vështirësitë, paragjykimet dhe gjithçka tjetër lihet anash. Është vetëm pozicionimi i tyre si gra lidere, i përcaktuar si lidership i verdhë

Gazetarja Jeta Xharra thotë se shoqëria e Kosovës ka “nevojë për çika rebele që e shtyjnë këtë shoqni me shku përpara...”. Mesazhet e aktivistes për të drejtat të njeriut e kontribuueses në shumë kampanja për njerëzit me nevoja të veçanta, Hiljminjeta Apuk, porosisin se “çdo lëvizje e grave duhet t’i përfshijë gratë me aftësi të kufizuara”. 

Analistja politike Mimoza Gavrani i udhëzon gratë të jenë të guximshme e të punojnë fort. Politikania e inxhinierja e ndërtimtarisë, Kaqusha Jashari, me fjalët e saj të vendosura në shiritin e verdhë i fton të arsimohen. “Një grua e arsimuar është e nevojshme për familjen e gjithashtu edhe për shoqërinë. Fitojnë besimin dhe pavarësinë ekonomike”, shkruhet aty. 

“Të dashurat e mija, merreni jetën tuaja me duart tuaja. Shkelni guximshëm në shtegun e realizimit të qëllimeve tuaja. Çdo gjë varet nga ju”, shkruhet në mesazhin e ekonomistes Gordana Doriq, në shiritin e verdhë pranë ekranit që mban fotografinë e saj. Shkrimet kanë qenë të përkthyera në gjuhën angleze dhe serbe. 

Fotografi Arben Llapashtica ka thënë se përzgjedhjen e personazheve e ka bërë organizata “Integra”. Ka thënë se ato janë gra të dëshmuara dhe shembull i mirë i aktivizmit.

“Unë kam bërë më shumë punën teknike, përzgjedhja e personazheve ka qenë e ‘Integrës’. Lista ka qenë e gjatë, por kemi pasur mundësi vetëm për dhjetë personazhe. Këto gra i kemi fotografuar në vendet e tyre të punës. Janë gra të dëshmuara dhe shembull i mirë i aktivizmit. Ka qëlluar me një moment ndoshta jo shumë të mirë, por në një formë edhe ekspozita është një lloj mesazhi që duhet përkrahur gratë, vajzat, motrat tona”, ka thënë Llapashtica. 

Ekspozita ishte paraparë të hapej të mërkurën. Është shtyrë për një ditë më vonë për shkak të shpalljes ditë zie pas vrasjes së 21-vjeçares Erona Cokli nga ish-bashkëshorti i saj, të premten e kaluar. 

Këshilltarja për çështje gjinore në zyrën e Bashkimit Evropian, Reyes Charle, ka thënë se gratë në Kosovë janë të forta dhe për këtë gjë ato kritikohen. 

“Është privilegj të jem këtu me gjithë këto gra të mrekullueshme lidere në Kosovë. Shumë nga ju jeni miket e mia, kam qenë këtu gjatë dhe kam pasur privilegjin t’ju takoj. Kur po mundohesha të krijoja një fjalim për kapacitetin, lidershipin dhe resiliencën, mendova se nuk i dua asnjë nga këto fjalë. Por shpejt kuptova se këto fjalë janë në vendin e duhur këtu”, ka thënë ajo para të pranishmëve. 
Zëvendëspërfaqësuesja e sekretarit të përgjithshëm të misionit të UNMIK-ut në Kosovë, Barrie Lynne Freeman, ka thënë se ky institucion i shfrytëzon burimet e tij që t’i mbështesë gratë dhe t’i fuqizojë ato. 

“UNMIK-u është shumë i lumtur ta përkrahë këtë ngjarje dhe do të vazhdojë të shfrytëzojë burimet e saj t’i mbështesë gratë dhe t’i fuqizojë ato. Gratë që janë të ekspozuara në këto fotografi kanë lënë shenja në shoqëri, të guximshme dhe dominuese që kanë sfiduar normat e patriarkatit dhe kanë dhënë shembullin e grave të fuqishme në publik. Jeni inspirim për të gjithë ne këtu”, ka thënë ajo. E ka vlerësuar qendrën “Barabar” si hapësirë të sigurt për të ngritur tema të ndjeshme. 

Ekspozita “Gratë udhëheqëse në fokus” do të qëndrojë e hapur një javë.