Nëse para njëqind vjetësh, siç dëshmohet edhe në historiografi, gruaja zor depërtonte në art, tash skena e artit është pushtuar prej saj. E pesë artiste nga Greqia kanë “pushtuar” “Shtëpinë e Evropës” në Prishtinë me ekspozitën “Woman, the power of Creation” (Gratë, fuqia e krijimit) ku shpalosen kujtime, porosi e imagjinatë. Secila vepër është inspirim
Janë dizajne e vepra të tjera arti në materiale të ndryshme e të punuara në teknika të ndryshme. I bashkon qëllimi: shpalosja e kujtimeve, ideve e imagjinatës.
Pesë artiste greke i kanë sjellë Prishtinës pak nga arti i tyre. Midis fotografive, ndërhyrjeve në to, tekstilit e instalacioneve me ushqim, veprat e Maria Kompatsiarit, Spiridoula Politit, Ioanna Terlidout, Eleni Theofilaktout e Zefi Tiftiktsoglout janë bashkuar në “Shtëpinë e Evropës”. Nën organizimin e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ekspozita sjell një tjetër perspektivë për gratë dhe kujtesën e tyre.
“Woman, the power of Creation” (Gratë, fuqia e krijimit) në bodrumin e “Shtëpisë së Evropës” bashkon rrëfime të ndryshme. Dizajnet në rroba sikur i bëjnë këto veshje të flasin për përjetime jo veç të autoreve, por edhe të paraardhëseve të tyre gra. Intalacioni me ushqim paraqet një kontribut tjetër të grave që zakonisht nuk përmendet. Në këtë rast ushqimi vjen veç estetikisht pa mundësi për t’u konsumuar.
Shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Heleni Vakali, ka thënë se gratë janë shpesh viktima të dhunës me baza gjinore.
“Në këtë ekspozitë vjen fuqia krijuese e grave. Nuk mund të injorojmë se në të kaluarën gratë artiste kanë luftuar për njohjen e punës së tyre e tash është ndryshe, pasi gratë kanë tjetër perspektivë”, ka thënë ajo.
Kuratorja e ekspozitës, Stavroula Mavrogeni, ka thënë se gratë e kanë okupuar artin krejtësisht.
“Në këtë ekspozitë vijnë punime që shpërfaqin eksperiencat e grave gjatë shekujve dhe gjejnë rrugën e grave në shoqëritë e këtij shekulli. Punimet kanë karakteristikë të përbashkët prezantimin e kujtimeve”, ka thënë ajo.

Sipas kuratores, secila prezanton kujtime të vetat e të familjarëve si nënave e gjysheve.
“Janë vepra inspiruese që mundësojnë shprehjen e lirë të vetes. Kanë të bëjnë me kujtime të ndryshme, edhe me ato të heshtura. Këto kujtime sjellin perspektiva të ndryshme personale. Ne jemi kujtime dhe me ato ne mendojmë, planifikojmë e krijojmë. Kapaciteti që të kujtomë ndikon vendimet e personalitetin tonë”, ka thënë, midis të tjerash, kuratorja Mavrogeni.
Artistja e njohur vendore, njëherësh profesorëshë universitare, Zake Prelvukaj, ka thënë se arti gjithmonë ka forcë të jashtëzakonshme për të gjetur dhe krijuar bashkëpunim shumë të domosdoshëm dhe shumëdimensional për rrethanat e kohës së tashme. Sipas saj, politika e bashkëpunimit nëpërmjet artit ofron vendet e popujt në çdo aspekt sidomos për të krijuar lidhje të forta midis shteteve dhe popujve, në këtë rast midis Kosovës dhe Greqisë.
“Të jetosh si grua në hapësirat tona dhe më gjerë nuk është e lehtë, por të jesh grua artiste është shumë më e ndërlikuar dhe e vështirë”, ka thënë ajo.
Sipas Prelvukjat, duke u kthyer prapa në kohë shohim se vetëm para 100 vjetëve grave u është lejuar të studiojnë për artin.
“Madje artisti gjerman Georg Baselitz shprehet se gratë ‘nuk mund të pikturojnë mirë dhe për këtë arsye nuk mund të marrin çmime’- që për mua është absurd dhe fatmirësisht sot meshkujt nuk mendojnë ashtu”, ka thënë Prelvukaj.
Sipas saj, shumë herë gratë janë ndalur së punuari duke qenë të diskriminuara nga egoja mashkullore. Në këtë rast ka shtuar se fatmirësisht artistet në këtë kohë bashkëkohore frymojnë ndryshe dhe koha ua ka mundësuar realizimin e planeve të veta.
“Në Fakultetin tonë të Arteve të Bukura në Prishtinë numri i përgjithshëm i studenteve të pranuara është 45 veta. Prej tyre 41 janë femra, kurse në klasën time prej 6 vetave të gjitha janë femra. Por unë vazhdimisht them se arti flet pa gjini”, ka thënë ajo.
Veprat e ekspozuara në institucionin evropian në Prishtinë janë veç të një gjinie. Vijnë si dëshmi e fuqisë së grave, por njëherësh edhe si thirrje për të drejta të barabarta në praktikë. Si vepra arti hapin shumë horizonte, por pos kujtimet i bashkojnë edhe mesazhet. Janë aso mesazhesh që dalin prej artisteve që jetojnë në realitet ballkanik. E në këto anë turbulencat shoqërore s’janë fort të rralla. Por kohëve të fundit as arti i grave s’është i tillë. Ka shpeshtuar praninë në hapësira publike.