Artistët e grafiteve në Prishtinë i kanë zbërthyer ngjyrat në murale nën temën “Educate to Elevate”. Festivali ndërkombëtar i grafitit “Meeting of Styles”, muret e kryeqytetit për tetë edicione i ka veshur me art. Sivjet është rikthyer në lagjen “Arbëria” përgjatë rrugës hekurudhore. Në 2 mijë e 835 metra katrorë, gjithsej 130 artistë kanë projektuar veprat e “street-artit”. “Meeting…” ia ka freskuar pas pesë vjetësh ngjyrat në dy anët e mureve të betonit në rrugën “Tirana”. Aty janë bashkuar stilet e grafitit
Artistë nga vendi dhe vende të ndryshme të botës në Prishtinë i kanë zbërthyer ngjyrat në murale nën temën “Educate to Elevate”. Festivali ndërkombëtar i grafitit “Meeting of Styles”, muret e kryeqytetit për tetë edicione i ka veshur me art. Sivjet është rikthyer në lagjen “Arbëria” përgjatë rrugës hekurudhore. Në 2 mijë e 835 metra katrorë, gjithsej 130 artistë kanë projektuar veprat e “street-artit”.
Ndryshe prej edicioneve të fundit, kur datat e festivalit vendoseshin në fundkorrik e fillimgusht, sivjet edicioni është zhvilluar më herët. Më 28, 29 e 30 qershor, “MOS Kosova” me murale dhe jo vetëm, i ka sjellë kryeqytetit frymën e artit të rrugës.
Përderisa në shumë vende grafiti ndalohet me ligj, qoftë në hapësira publike a private, midis Prishtine shfaqen vlerat e këtij arti. Tanimë një tjetër hapësirë, pas “Rrugës B”, rrethrrotullimit në hyrje të qytetit dhe jo vetëm, “Meeting…” ia ka freskuar pas pesë vjetësh ngjyrat në dy anët e mureve të betonit në rrugën “Tirana”. Aty janë bashkuar stilet e grafitit.
Më 2019, 188 artistë kishin veshur muret me vepra dhe ishin realizuar njëqind murale për tri ditë, aq sa tradicionalisht zgjat ky edicion.
Nga rruga kryesore vërehet atmosfera e mahnitshme. Pos ritmeve të muzikës, që janë përgatitjet për një tjetër mbrëmje elektrizuese muzikore, ngjyrat janë të parat që bien në sy. Ende pa u përfunduar, projektohen imazhet e një hapësire tejet atraktive. Jo shumë prej muraleve janë të përfunduara në mesditë, pasi kryesisht janë më shumë se punime abstrakte, për çka njihet më së miri arti i grafitit. Janë më shumë se një emër i artistit në mur.
Hekurudha është bërë hapësirë pune për artistë, në të dyja anët e mureve është punuar pa ndalur. Edhe në një ditë me diell të fortë. Artistët mesazhin e përcjellin nëpërmjet kulturave të ndryshme në artin e grafiteve.
Kjo pjesë e kryeqytetit është kthyer në hapësirë argëtimi e loje, me shtandet e “Urban Bazzarit” të “Meeting of Styles” e skenës për muzikë. Për tri ditë është finalizuar puna e muraleve që do të qëndrojnë aty për disa vjet. Ani pse organizatorët vitin e kaluar kishin paralajmëruar se për këtë edicion synojnë një lagje të paprekur prej veprave të tilla.
Anea Kuçi, koordinatore e aktiviteteve ka thënë se një prej qëllimeve të “MOS Kosova” është t’i japë ngjyra qytetit.
“Një prej qëllimeve të ‘Meeting of Styles’ është të lihet një hapësirë e shfrytëzueshme si një lloj parku i muraleve dhe të bëhet hapësirë për qytetarët e Prishtinës. Një mënyrë për ta zbukuruar hapësirën dhe për t’i dhënë ngjyra qytetit”, ka thënë ajo derisa ka bërë të ditur se shumica e artistëve pjesëmarrës janë ata që kanë marrë pjesë edhe në edicionin e kaluar të festivalit.
“Normalisht çdo vit zgjidhet tema e cila përfillet gjatë ditëve të festivalit. Secili artist e ka bërë skicën sipas temës e cila sivjet është ‘Educate and elevate’. Ky vit është i teti që mbahet dhe është një prej edicioneve më të lezetshme. Në këtë lokacion është hera e dytë që ‘MOS’ mbahet, domethënë në rrugën ‘Tirana’ ndërmjet Stacionit të Trenit dhe rrethit të Arbërisë. Në 2019-n ka qenë hera e parë kur është ndërhyrë këtu. Ka shumë artistë që kanë qenë në këtë lokacion dhe tash janë kthyer këtu”, ka thënë Kuçi.
Në edicionin e kaluar, “Meeting…” ishte vendosur në “Rrugën B” nën temën “Critical mass”. Kishte synuar të përqendrojë masën për ndihmë botës së varfër materialisht e shpirtërisht. Artistët vinin nga 28 vende të botës. Ishin afro 700 metra mur anësor në dispozicion për edicionin në të cilin artistikisht kishin ndërhyrë për të dytën herë.
Sivjet Chiara Frei nga Zvicra ka sjellë një portret shumëngjyrësh në profil të një vajze. Kjo është praktika e saj të cilën e ka shpalosur edhe në Prishtinë për herë të parë.
“Unë kryesisht punoj portrete. Punimet e mia janë të frymëzuara nga momentet e jetës dhe gjërat që i jetoj. Çdo person që sheh punën time mund ta vendos veten në atë portret. Është një vend i bukur, njerëzit janë shumë të sjellshëm. Edhe ky lokacion është shumë i bukur, nuk e prisja kështu. Është mundësi e mirë të takojmë miq të vjetër, artistë që kemi takuar më parë dhe miq të rinj”, ka thënë ajo derisa e ka cilësuar grafitin mënyrë për t’u shprehur.
“Grafiti dhe çdo lloj arti është fuqi e vërtetë për ne, sepse mund të shprehesh dhe të dërgosh mesazhe te njerëzit që e shohin atë punim”, ka thënë Chiara Frei me emrin artistik “Kler”.
Artisti “Dice London” nga Anglia që nuk ka dashur të identifikohet, ka sjellë një mural abstrakt. Ai ka qenë në edicionin e kaluar në këtë festival.
“Është një vepër negative në fakt. Ka errësirën e jetës. Unë punoj letrat e grafitit tradicional të inspiruar nga New Yorku. Është festivali më i mirë që kam qenë gjithandej”, ka thënë ai.
Edhe për italianin Michele Sollitto është hera e dytë që merr pjesë në “Meeting of Styles” në Prishtinë. Edhe ai ka qenë në edicionin e kaluar, ku ka lënë shenjën e tij në “Rrugën B”.
“Zakonisht fillova duke bërë skica për disa muaj, por nuk më pëlqen të ndiqem nga skicat. Preferoj të bëj atë që ndjej në moment. Aty mëson diçka dhe asnjëherë nuk humb. Për këtë punim kam zgjedhur ngjyra plotësuese krahasuar me sfondin. Është një kontrast i bukur”, ka thënë ai derisa e ka konsideruar festivalin mundësi për shumë më shumë sesa për të projektuar vepra.
“Ne të gjithë vijmë për të pikturuar, por para kësaj jemi njerëz. Është mundësi për t’u shoqëruar, për të shkëmbyer përvoja, për të njohur komunitetin lokal, të rritemi, pse jo edhe të këndojmë së bashku, të shijojmë muzikën”, ka thënë Sollitto, i cili ka qenë edhe pjesë e “line up-it” muzikor. Ka kënduar hip-hop.
Pos programit qendror që është paraqitja e artit të grafiteve në mure, Festivali paralelisht ka mbajtur edhe aktivitete të tjera. Janë gjithashtu punëtoritë e grafitit për të gjithë pjesëmarrësit e interesuar pa dallim moshe.
“Aktivitete të ndryshme mbahen gjatë ditëve të ‘Meeting of Styles’ ku janë muralet që po punohen prej 130 artistëve. Për tri ditë ka muzikë me rreth 30 artistë. Ditën e parë ka pasur hip-hop, të dytën më elektronike ndërsa sot është me bende lokale dhe të rrethinës. Është edhe punëtoria ku ka mundësi që të rinjtë të kuptojnë teknika të ndryshme të pikturimit. Po ashtu edhe urban bazaar, ku dizajnerë nga vendi e rrethina kanë ardhur t’i shfaqin punimet e tyre dhe t’i shesin ato”, ka shpjeguar Anea Kuçi nga “Q’Art” që e organizon festivalin në Kosovë.
“Meeting of Styles” është rrjet ndërkombëtar me qendrën kryesore në Wiesbaden të Gjermanisë. Krejt Festivali kishte nisur me organizimin e ngjarjes atje në vitin 1997 dhe në vitin 2002 ishte përhapur në vendet e botës. Në Kosovë që në edicionin e parë mori titullin “Best First Edition”. Festivali përfshin Kosovën ndër 32 shtete si Anglia, Spanja, Italia, Franca, Holanda e shtete të tjera evropiane, ndërsa nga ato në botë është Brazili, Argjentina, Tajlanda, ShBA-ja, Filipinet e të tjera. Në ueb-faqen e tyre veçse janë publikuar datat e rezervuara për vendet përkatëse, në mesin e tyre edhe Prishtina.
“I bashkuar dhe i frymëzuar nga pasioni për grafitin, ‘MOS’ synon të krijojë një forum për komunitetin ndërkombëtar të artit për të komunikuar, mbledhur dhe shkëmbyer ide, vepra dhe aftësi, por edhe për të mbështetur shkëmbimin ndërkulturor”, thuhet në prezantimin e “MOS”.
Organizimi i Festivalit parasheh shprehjen e lirë të artistëve, por ku ndalohet aplikimi i artit me elemente të fyerjes fetare, nënçmim të komuniteteve dhe çfarëdo vepre që promovon terrorizëm dhe prek barazinë.
“Meeting of Styles” vjen në kryeqytet si vlerë artistike e artistëve nga kultura të ndryshme, por që bëhen një me artin e rrugës.