Simbolikat e parabolat janë të fuqishme. “God Bless America” me tekst e regji të Fatos Berishës godet fort. Mbi të gjitha, një soj kapitalizmi të egër, një botë tepër konsumeriste ku njeriu e harron veten. Aty egërsia e botës, ku njeriu është në garë të përditshme për të fituar sa më shumë apo edhe për të mbijetuar, përplaset me goditjet e mëdha emocionale që marrin ata, të cilët s’llogaritin gjë pos parasë e ku në pazar janë edhe Bibla e feja
Loja që në njëfarë forme nis bashkë me hyrjen e publikut në sallë është goxha treguese. Aktorët bëjnë manovrime me karroca marketesh. Krijohet njëfarë ideje se rekuizitat e tilla çojnë te ndonjë shfaqje ku konsumi është në rend të parë. Asi konsumi modern ku individët me karrocën e ngarkuar mal pajisen me ushqime për disa ditë. Por veç mallra ushqimore ato karroca nuk bartin. Simbolizojnë botën e konsumit tek e çojnë këtë ide nderi në limite të egra.
“God Bless America” (Zoti e bekoftë Amerikën) me tekst e regji të Fatos Berishës ka mbushur sallën plot në premierën e së mërkurës. Janë katër zotërinj, kush me kollare të kuqe e kush të kaltër, që bartin lojën prej fillimit deri në fund. Prapa kanë një alamet flamuri amerikan që varësisht prej asaj që trajtohet në skenë, merr simbolika të ndryshme. Berisha, si autor i tekstit dhe regjisë, qëndron brenda botës së vet teatrore, ku shfaqja shëtit në zhanre e subzhanre. Prek komedinë, vjen si tragjedi, kalon nëpër mjuzikëll dhe ruan njëfarë estetike që anon nga minimalizmi. Duke qenë edhe autor i tekstit, ka pasur rastin që ta vërë në skenë teatrin e vet.
Aurita Agashi në rolin e saj mban një fjalim iluminues. Asi të flaktë për t’ua ngjallur secilën qelizë shitësve. Janë shitës të një prej librave të shenjtë që njeh bota: Biblës. Në një krahasim me rrethanat vendore mundohen ta shesin këtë libër sikur ta zëmë ata reklamuesit e fshesave elektrike që futen në banesë, nisin t’i tregojnë “mrekullitë” e produktit, ofrojnë dhjetëra mundësi të mënyrës së pagesës dhe nuk dalin jashtë pa ua hapur derën me atë çehren e përzënies. Katërshja ka metoda të tilla.
Identifikohen lagjet katolike, merren adresat nga kishat lokale në mësymje të shitjes për të mbetur gjallë. Mjafton të shihet një rast i tentimit të shitjes dhe merret vesh se bota është bërë më e egër sesa që shpesh mendohet. Nuk i shkoqen blerësve potencialë qofshin ata të feve të tjera. Joshjet me përfitim të diçkaje shtesë në rast të blerjes janë tipike të atyre agjentëve të bezdisshëm. Paraqiten asi shpirtrash të butë, saqë mund të mendohet se çdo natë në ëndërr bëhen muhabete me Jezusin. Por në ambientet hoteliere ku bashkohen në mbrëmje s’lënë kënd pa komentuar. Imagjinojnë duke kryer marrëdhënie seksuale me ndonjë grua që e kanë parë gjatë ditës dhe shajnë dynjanë. Loja e aktorëve në skenë pas një muaji e gjysmë prova duket tejet e mirë dhe shfaqja e kompletuar pa i lënë gjë rastësisë. Këtu bëjnë përjashtim disa batuta të shkreta të para afro dy dekadave që u ka dalë boja.

Duket se s’kanë pasur vend në tekst, por i janë bashkuar rrugës së punimit të shfaqjes. Është e vërtetë që publiku ende qeshet me to, por në një shfaqje të pasur s’do të duhej të kishin vend.
“Make America Good Again” është slogani që simbolikisht prek një tjetër. Atë të presidentit aktual të superfuqisë botërore që krejt vendimet i merr me kalkulator në dorë dhe s’do t’ia dijë për ndonjë vlerë pos me të hyrat financiare të vendit që e udhëheq. Sot në botë flitet për një rend të ri që derivon nga mendësia e tillë. Edhe në shfaqje nuk e ka kush hallin e Biblës por të parave që fiton nga ajo në xhunglën e konsumit e kapitalizmit të egër. Veç një mirëmbajtëse e një aeroporti është e interesuar të blejë këtë libër dhe atë derisa Patricku (Avni Shkodra) po kthehej në Irlandë pasi merr lajmin se i ka vdekur e ëma. Në këtë rast vihet në pah se vrapimi që vjen si detyrim nga bota e egër e mbijetesës e ka lënë në hije anën njerëzore. Veçmas asaj emocionale. Njeriu s’ka pikë vlere dhe qortimi që ia bën shefi Patrickut është prej vulave të egërsisë.
Autori i shfaqjes, Fatos Berisha, ka treguar se tekstin e ka shkruar gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 dhe s’ka menduar aq për inskenim. Konteksti i sotëm amerikan i shfaqjes s’kishte qenë deri në këtë dimension në tekstin fillestar.
“Ka goxha simbolikë. Flitet për Amerikën, por besoj që flitet për ne, për botën tonë, botën konsumeriste ku çdo gjë është mall. Edhe libri. Është lufta për mbijetesë e njerëzve të thjeshtë në xhunglën e mbijetesës. Janë hallexhinjtë që duan të mbijetojnë duke shitur librin e shenjtë”, ka thënë Berisha. Ka treguar se s’ka pasur ku t’i ikë aktualitetit me metafora, parabola e simbole.
Ka thënë se slogani “Make America Good Again” është metaforë e një slogani tjetër që është aktual në Amerikë.
“Ne ndodhemi në një botë ku çdo gjë po shkon në ekstreme. Çdo ideologji, majtas apo djathtas, po shkon në ekstremet e veta. Kapitalizmi brenda këtyre ekstremeve i shndërron njerëzit në disa kafshë të mbijetesës. Sikurse kafshët në xhungël, të fortët mbijetojnë. E pastaj ata nuk zgjedhin për të mbijetuar, sot është libri i shenjtë, nesër diçka tjetër...”, ka thënë Berisha. Sipas tij, Amerika është metaforë e madhe. “Është metaforë e shumëçkaje, e ëndrrës amerikane, e rendit të ri botëror, e kapitalizmit e miqësisë, e njëfarë patronit tonë”, ka thënë Berisha.
Drejtori i Teatrit të Qytetit në Gjilan, Erson Zymberi, ka thënë se si udhëheqës por edhe si regjisor mendon se shfaqja është një produkt shumë i mirë jo veç në nivelin e Teatrit të Gjilanit, por që pritet të ketë jetë të gjatë edhe përtej qytetit.
“Fatosi me energjinë që e ka sjellë dhe me finesat e edukatën që e ka në raport me aktorët e qasjen e tij regjisoriale ku u pa një minimalizëm estetik dhe një thjeshtësi e cila në dukje të parë duket e thjeshtë, por në përmbushjen e saj nga ana estetike thotë shumë më shumë sesa në nivel të asaj që dikush mund ta mendojë”, ka thënë ai për shfaqjen ku luajnë edhe: Kushtrim Qerimi, Gani Rrahmani, Ali Demi, Alban Shahiqi, Artan Selimi, Bashkim Nexhipi, Safete Mustafa-Baftiu, Mejreme Berisha, Tringa Hasani dhe Florent Salihu. Zymberi ka thënë se bëhet fjalë për një shfaqje që i flet shoqërisë së sotme.
“Në një botë të kapitalizmit njerëzit janë të preokupuar me ëndrrën e pasurimit dhe idesë së mbijetesës. Shpesh nuk ia dalin në këto ekstreme dhe vetë përpjekja e tyre që paketohet me ëndrrën amerikane flet shumë edhe për realitetin në Kosovë”, ka thënë ai.
Ka sqaruar se gjatë punës autori s’ka qenë krejt besnik ndaj tekstit, por bashkë me aktorët kanë krijuar një produkt që i flet kohës.
Skenografia e punuar nga Bekim Korça e muzika nga Memli Kelmendi kanë ashpërsinë e temës, duke plotësuar mozaikun e idesë dhe mesazheve që dalin nga ky produksion. Shitja e Biblave bëhet në brigjet perëndimore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Andej nga këto ditë ka pasur lajme se tregu ofron gjithçka. Dhe një banor i atyre viseve – sikurse ngjan gjithandej – për afro 2 milionë ka blerë edhe virgjëri.
Regjisori Besim Ugzmajli ka thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që sa më shumë përmbajtje të autorëve vendorë të inskenohen në teatro. Sipas tij, në raste të veçanta sikurse ky ku regjisori ka mundësi të inskenojë tekstin e tij, është mundësi e mirë pasi është një interpretim i dyfishtë.
“Çështja e Amerikës ka qenë gjithnjë temë, por tash është edhe njëfarë rivendosjeje e një rendi të ri që afekton edhe te ne. Shfaqje e sjellë estetikisht bukur nga ana e Fatosit dhe e luajtur shumë mirë nga aktorët”, ka thënë ai. Ka sqaruar se në leximin e tij shfaqja nga një komedi interesante në fund kalon në diçka tjetër.
“Nga fati i shoqërisë del te fati i individit që është themeltar në përbërjen e shoqërisë dhe rikthen te raportet tona njerëzore familjare. Këto kalime nga zhanri në zhanër apo subzhanër janë interesante dhe e bëjnë publikun që ta rikonsiderojë përshtypjen e krijuar deri në atë moment”, ka thënë Ugzmajli.
“God Bless America” e zhvesh ashpër qenien nga njerëzorja duke e zhytur në ujërat e rrëmbyeshme të konsumit e kapitalizmit. Egërsia e botës ku njeriu është në garë të përditshme për të fituar sa më shumë apo edhe për të mbijetuar përplaset me goditjet e mëdha emocionale që marrin ata të cilët s’llogaritin gjë pos parasë. Me a pa metafora, në shfaqje paraja është Zot. E fundi i saj tregon se individët brenda shoqërive të tilla goditen rëndë. Sikurse ata marinarët që s’u përfundon përplasja nga dallgët e s’mund ta arrijë bregun pasi kanë harruar busullën në mësymjen për të tregtuar përtej oqeanit.