Maestro Bujar Llapaj, drejtori artistik i “Ambleside Orchestra” në Vancouver, njëherësh dhe dirigjenti i saj ka zgjedhur që krahas veprave të kompozitorëve si Sibelius dhe Rossini, t’i bëjë vend edhe “Gocës së Kaçanikut” të Rauf Dhomit për koncertin e 7 qershorit në qytetin kanadez. Ka disa arsye për këtë. Njërën e lidh edhe me kontributin e madh të intelektualëve, shkrimtarëve, poetëve, kompozitorëve të Kosovës që, gjatë pushtimit dhe represionit shtetëror serb, me krijimet e tyre mbajtën gjallë shpresën dhe frymëzuan lirinë. Tjetra ka edhe një vjegëz personale
“Goca e Kaçanikut”, opera e parë e Kosovës kompozuar prej Rauf Dhomi, do të shërbejë si uverturë e koncertit para audiencës kanadeze. Të premten e parë të qershorit publiku në Vancouver të Kanadasë do të ketë mundësinë të ndjekë koncertin me muzikë klasike nën titullin “Music from the Old Country”, të luajtur nga “Ambleside Orchestra”.
Maestro Bujar Llapaj, drejtori artistik i kësaj orkestre, njëherësh dhe dirigjenti i saj ka zgjedhur që krahas veprave të kompozitorëve si Sibelius dhe Rossini, vend t’u bëjë edhe atyre shqiptare.
Repertori i koncertit të 7 qershorit nën dirigjimin e tij ishte menduar me hollësi. Inkuadrimi i uverturës së veprës “Goca e Kaçanikut” e ka simbolikën e vet për të.
“Në këtë program do të luhet ‘Simfonia nr. 1’ e kompozitorit finlandez J. Sibelius, muzika e të cilit është e mbështetur thellësisht në motivet dhe legjendat e popullit të vet, duke u kthyer në simbol dhe frymëzues i rezistencës për pavarësinë e Finlandës (1917) nga pushtuesi rus. Po kështu, duke njohur dhe vlerësuar kontributin e madh të intelektualëve, shkrimtarëve, poetëve, kompozitorëve të Kosovës që, gjatë pushtimit dhe represionit shtetëror serb, me krijimet e tyre mbajtën gjallë shpresën dhe frymëzuan lirinë, mendova se në këtë përvjetor uvertura ‘Goca e Kaçanikut’ do të ishte më e përshtatshmja për orkestrën dhe publikun, aq më tepër që ‘Goca e Kaçanikut’ është opera e parë në historinë e muzikës të Kosovës”, ka thënë Llapaj në një prononcim për KOHË-n. Prapa gjithë kësaj iniciative fshihet edhe një simbolikë dhe një rrëfim personal i dirigjentit Llapaj.
Më 6 qershor të vitit 1981, ai do të diplomonte me Orkestrën e Operës në Tiranë dhe uvertura e këtij koncerti qe pikërisht “Goca e Kaçanikut”. Ndërkaq tash 43 vjet më vonë, do ta sjellë atë për publikun kanadez “si simbol falënderimi për Kanadanë dhe miqtë e mirë kanadezë”. Muzika shqiptare klasike, por pa anashkaluar edhe folklorin, për Llapajn janë pjesë të pandashme të rrugëtimit të tij profesional.
“Përveç Mozartit, Beethovenit, Brahmsit e klasikëve të tjerë, unë jam rritur me muzikën e Zadesë, Harapit, Ibrahimit, Gaqit, Dizdarit, Antonit etj. dhe nuk mund të mos e konsideroj atë në aktivitetet me orkestrat simfonike apo ato kamertale me të cilat punoj këtu në Kanada. Dëshira ime, ashtu si e shumë muzikantëve shqiptarë që performojnë jashtë territoreve shqiptare, është që të mundim të luajmë pa kompleks inferioriteti sa më tepër nga krijimtaria jonë e larmishme muzikore”, ka shtuar Llapaj, duke theksuar vështirësitë me të cilat ndeshen iniciativat e tilla sikur orkestrat e vetëfinancuara që rëndom përqendrohen më tepër në repertorin klasik, larg autorëve të “panjohur”, me qëllimin që të tërheqin audiencë.
Ka evidentuar edhe rolin e muzikës në promovimin e kulturës shqiptare nëpër botë. Ani pse vetë ai, por dhe kolegë të tij përpëliten kaherë që ta ndajnë krijimtarinë artistike me të huajt, rolin që kanë iniciativat shtetërore në promovimin e kulturës e sheh si parësor.
“Me dy orkestrat që drejtoj në Vankuver kam luajtur vepra simfonike dhe kamertale nga Zadeja, Gaqi, Ibrahimi, Dizdari, Simoni, Gaci, Paparisto, Dhomi, Aliçkaj, Mulliqi etj. Po kështu si unë ka bërë edhe Qazim Kallushi në Toronto, dhe dhjetëra muzikantë shqiptarë nëpër botë. Por këto janë ndërmarrje private, individuale dhe nuk mund të zëvendësojnë rolin që duhet të luajnë qeveritë në eksportimin e kulturës kombëtare. Edhe shoqatat e shqiptarëve mund të kenë më shumë vëmendje në promovimin e krijimtarisë dhe interpretuesve të muzikës”, ka thënë Llapaj.
I lindur dhe i rritur në Shqipëri, Llapaj ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe në Konservatorin Kombëtar të Rueil-Malmaison në Paris. Fitues i çmimeve të shumta, ai është figurë e spikatur në skenën e muzikës klasike të trevave të Ballkanit dhe jo vetëm. Por, rrugëtimi i tij në Kanada do të fillonte në vitin 2002, ndërkaq pesë vjet më vonë do të bëhej dirigjenti kryesor i Orkestrës Simfonike të Bregut Perëndimor (West Coast Symphony). Ishte dirigjenti themelues dhe drejtori artistik i Orkestrës së Re Filarmonike, një grup jofitimprurës i muzikantëve më të mirë të Tiranës, koncerti i parë i të cilit përkujtoi viktimat e 11 shtatorit. Drejtoi edhe departamentin e dirigjimit dhe kantos në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku zhvilloi programe të reja në dirigjim dhe pedagogji.
Ka dirigjuar edhe Filharmoninë e Kosovës, ndër të tjera edhe në organizimin madhështor të shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan në fillimshtator të 2016-s tok me Baki Jasharin.
Gati dy javë më parë, Llapaj me “Greater Toronto Philarmonic Orchestra“, dirigjoi koncertin e muzikës klasike për nder të 25-vjetorit të ardhjes së refugjatëve të Kosovës në Kanada dhe 15-vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë, ku kishte performuar tenori Ramë Lahaj. Repertori, sërish i përbërë nga kompozitorë të muzikës kaliske shqiptare, si: Çesk Zadeja, Rexho Mulliqi, Thoma Gaqi, e Lorenc Antoni.