Thirrja që titullohet “Angazhimi i stafit për nevojat e MKRS-së dhe Institucioneve në vartësi – Ritenderim” mban vlerë të parashikuar 593 mijë euro, ku kërkohen 37 veta për pozita si: zyrtar për etnologji, asistent administrativ, zyrtar ligjor, zyrtar financiar, arkitekt, arkeolog, ndërtimtar, ciceron, mjeshtër guri e të tjerë. Bëhet fjalë për zyrtarë për Ministrinë e Kulturës dhe institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore. Është reprizë praktikash të mëhershme të kritikuara kaherë
Ministria e Kulturës është “shndërruar” në një zyrë prokurimi. Prej aty, nëpërmjet tenderëve kryen punët e krejt institucioneve vartëse. Muhabetet për pavarësi institucionale e decentralizim, mbesin premtime. Nëse Institutit Arkeologjik të Kosovës i duhet një lopatë, Ministria ia blen nëpërmjet prokurimit. Por edhe nëse u duhet një arkeolog për një projekt të caktuar, po ashtu atë e gjen Ministria e Kulturës nëpërmjet tenderit. Dhe këtë jo veç për të angazhuar për dy a tre muaj, por edhe për staf për tre vjet.
Kësisoj, kishte vepruar nëpërmjet një tenderi të hapur në janar të këtij viti. Tash vjen tenderi tjetër.
Thirrja që titullohet “Angazhimi i stafit për nevojat e MKRS-së dhe Institucioneve në vartësi – Ritenderim”, mban vlerë të parashikuar 593 mijë euro. Kërkohen 37 veta për pozita si: zyrtar për etnologji, asistent administrativ, zyrtar ligjor, zyrtar financiar, arkitekt, arkeolog, ndërtimtar, ciceron, mjeshtër guri e të tjerë. Bëhet fjalë për zyrtarë për Ministrinë e Kulturës dhe institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore.
Cilido prej tyre duhet të hyjë në ueb-faqe të paraqesë edhe ofertë financiare se për sa para në muaj mund të kryejë një punë. Pra edhe mjeshtri i gurit, duhet të aplikojë në tender sikurse ta zëmë një kompani që aplikon për ta furnizuar Ministrinë e Kulturës me tepihë.
Në rastin e arkeologëve ku kërkohen tre, bëhet fjalë për punë të përkohshme deri në tre muaj në projekte të lokaliteteve arkeologjike. E te zyrtarët e administratës është muhabet tjetër.
Ministria e Kulturës, qysh prej shkurtit të këtij viti, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHË-s se përse angazhon punonjës nëpërmjet tenderëve që zakonisht përdoren për të blerë mall, apo edhe për të restauruar a rindërtuar monumente.
Në rastet e mëparshme, anëtarë të shoqërisë civile i kishin thënë KOHË-s se bëhet fjalë për një praktikë aspak të mirë të angazhimit të stafit për nevojat e MKRS-së.
Për tenderin e radhës, dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se konsideron që kjo praktikë e rekrutimit të stafit artistik e administrativ, nëpërmjet tenderit, si të ishte mall për shitje, është e mbrapshtë dhe “dëshmon bizaritetin se si është menduar e organizuar administrata e shtetit”.
“I kuptoj kufizimet ligjore dhe faktin që hapja e pozitave dhe vendeve të reja të punës është shpesh e pamundur, për shkak të kësaj apo asaj arsye, megjithatë, edhe këto vrima ligjore – si kjo e rekrutimin të stafit nëpërmjet tenderit – janë tërësisht të pakuptimta. Janë praktika që përsëriten e reprizohen tash e 25 vjet. Sepse, pyetja legjitime është: çka të bëhet me këta të punësuar pas dy vjetësh, kur u skadon kontrata? Të lihen në rrugë? Prandaj, mendoj që duhet të insistohet në zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme”, ka thënë Neziraj.
Me tenderin e janarit kërkoheshin 50 veta. Institucioni më i lartë kulturor në vend, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, numëron fiks 816 punonjës së bashku me institucionet vartëse. Me tenderin e fillimvitit ishin parashikuar 1.3 milion euro për 50 veta për tre vjet, në pozita pak a shumë të njëjta sikurse me tenderin e ri. Por MKRS-ja nuk ia kishte dalë që të angazhonte krejt ata që i kërkonte.
Asokohe, Diana Metushi-Krasniqi, që është udhëheqëse e projekteve për transparencë e prokurim publik në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), kishte thënë se tashmë kontratat mbi vepër janë bartur brenda tenderimit. Sipas saj, thirrja e MKRS-së në këtë formë ka telashe.
“Nuk mund t’i fusësh edhe arkeologun edhe zyrtarin administrativ në të njëjtën kategori, pasi nuk janë ashtu. Kjo është hajt ta bëjmë një zgjidhje të shpejtë sa për sy e faqe, duke mos u marrë me problemin në bazë. Duhet angazhim që arkeologu të jetë aty gjithmonë. Kombinimi i krejt pozitave e rrezikon që të dështojë tenderi”, kishte thënë ajo. Sipas saj, në raste të tilla duhet gjetur zgjidhje afatgjatë. Kishte përmendur edhe një tjetër telashe.
“Politikisht nuk është korrekt, pasi jemi thuajse në vit zgjedhor. Pasi ka pasur nevojë përse nuk ka nisur kjo procedurë para disa vjetëve”, kishte thënë Metushi-Krasniqi.
Ministria e Kulturës vazhdimisht ka pasur telashe për angazhim të punonjësve. Madje i ka rrezikuar duke i lënë pa mirëmbajtje e roja edhe lokalitete arkeologjike e kala ku ka investuar miliona euro.
Në fund të vitit 2022 dhe në fillim të atij 2023 shteti kishte lënë pa rojë e mirëmbajtje edhe asete si lokaliteti arkeologjik i Ulpianës, një pjesë Park Arkeologjik e Kalanë e Prizrenit. Në të dyja janë investuar më shumë se 2 milionë euro. Mirëmbajtja kishte ekzistuar të paktën 6 muaj. Arsyeja: mosvazhdimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta.
Edhe asokohe MKRS-ja kishte gjetur zgjidhje nëpërmjet procedurave të prokurimit.
“Aktualisht në procedurë të prokurimit është shpallur thirrja për plotësim të pozitave që mungojnë për disa institucione vartëse të MKRS-së, kurse pritet që të shpallen edhe pozitat e tjera që vlerësohen të nevojshme”, shkruhej në përgjigjet e MKRS-së. Po nëpërmjet këtyre procedurave edhe ishte bërë zgjidhja, prapë e përkohshme. Shumë institucione kishin mbetur në vullnet të ish-të angazhuarve. Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit punonjësit dilnin vullnetarisht. Njëjtë edhe te “Hidroelektrana” në Prizren e Muzeu Kombëtar i Kosovës. Madje edhe rojtarët që ruajnë thesarin e trashëgimisë së luajtshme të vendit.