“Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita” nga artistët shqiptarë Endi Tupja dhe Klodiana Millona ndërthur këndimin polifonik me rrëfime personale në veprën e përbashkët të artistëve. Si pjesë e ekspozitës “Ajo që ia thotë këngës…”, në veprën e dyshes Tupja dhe Millona, këngës ia thonë gratë nga minoriteti grek në fshatin Dervican, pranë kufirit të Shqipërisë me Greqinë. Juria e ka vlerësuar me çmimin “Gjon Mili”
Vepra që himnizon traditën shqiptare ka fituar çmimin e edicionit të 17-të të ekspozitës ndërkombëtare të fotografisë dhe imazhit lëvizës “Gjon Mili”. “Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita” nga artistët shqiptarë, Endi Tupja dhe Klodiana Millona, ndërthur këndimin polifonik me rrëfime personale në veprën e përbashkët të artistëve.
Si pjesë e ekspozitës “Ajo që ia thotë këngës…”, në veprën e dyshes Tupja dhe Millona, këngës ia thonë gratë nga minoriteti grek në fshatin Dervican, pranë kufirit të Shqipërisë me Greqinë.
Juria vlerësuese e përbërë nga filozofja e artistja sllovene, Marina Grzhiniq, historiani i artit e kuratori grek, Stamatis Schizakis, dhe profesori i historisë së artit dhe i pikturës, Zef Paci, nga Shqipëria, e ka ndarë Çmimin për veprën e cila konsiderohet se mishëron tensionet midis gjuhës dhe etnicitetit, dhe jo vetëm.
“Kjo vepër sintetizon elementet më kritike të temës së ekspozitës, duke zgjeruar dhe forcuar idenë e fuqisë dhe dukshmërisë. Vepra mishëron tensionet midis përkatësisë dhe mospërkatësisë, midis gjuhës dhe etnicitetit – çështje thellësisht karakteristike për rajonin e Ballkanit. Juria u prek nga mënyra se si vepra i trajton këto tema në një mënyrë të angazhuar dhe të ndjeshme. Duke kombinuar elemente dokumentare me performancën evokuese të subjekteve të saj, vepra tejkalon kufijtë tradicionalë, duke ofruar një narrativë të fuqishme të qëndresës dhe identitetit”, shkruhet në komunikatën e Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Vepra e punuar në vitin 2023 konsiderohet me perspektivë të fuqishme feministe.
“Kërkimi i kujdesshëm dhe ekzekutimi kreativ i punës theksojnë një perspektivë të fuqishme feministe, duke ndërthurur historitë personale krahas një komentimi më të gjerë socio-politik”, shkruhet në komunikatë.
Në imazhet që vijnë nga video e dyshes transmetohet ruajtja e traditës e kulturës. E dyshja që e ka kuruar ekspozitën “Ajo që ia thotë këngës…” me të cilën është shënuar ngjarja tradicionale “Gjon Mili” nga Galeria Kombëtare e Kosovës – Valentine Umansky dhe Hana Halilaj – e vlerësojnë si akt i ruajtjes së traditave dhe si testament të qëndrueshmërisë.
“Në prag të një ndryshimi të përhershëm, emigrantët përjetojnë atë që sociologu algjeriano-francez Abdelmalek Sayad e quan një jetë të ‘mungesës së dyfishtë’, një gjendje e ndërmjetme. Çështja e përkatësisë kristalizon një përvojë paqëndrueshmërie. Në film, trupat e interpretuesve shihen si ruajtësit e kujtesës kulturore dhe si kanale që e transmetojnë atë, duke reflektuar një histori trajektoresh të ndërprera, por edhe të qëndrueshme. Akti i vazhdueshëm i ruajtjes dhe riaktivizimit të këtyre traditave bëhet një testament i qëndrueshmërisë dhe përshtatjes, duke lejuar forma të reja të përbashkësisë”, shkruhet në konceptin kuratorial të veprës së artistëve Tupja dhe Millona.
Aty shpjegohet se tingulli është esencialja e veprës “Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita”.
“Duke përdorur zërat e grave nga minoriteti grek në Dervican, një fshat pranë kufirit jugor të Shqipërisë me Greqinë, artistët gjurmojnë zërin si një medium përmes topografisë dhe materialitetit të tingullit. Nëpërmjet xhirimeve të tyre, intervistave, transkriptimit dhe përkthimit të kujdesshëm të teksteve të kënduara, vepra heton se si muzika dhe gjuha janë të ngulitura thellë në një vend, në migrim dhe në tensionin midis lëvizjes dhe rrënjosjes”, shkruhet për veprën.
Qëllimisht kuratorja ukrainase, Umansky, kishte vendosur që fituesi të mos bëhet i ditur në të njëjtën ditë kur ekspozita hapet. Kjo, në mënyrë që publiku ta shijojë ekspozitën atë ditë në mënyrë të barabartë, siç ka bërë të ditur GKK-ja të enjten kur u hap ekspozita e parë e institucionit për këtë vit.
E vlerësimi i veprave është konsideruar tejet sfidues.
“Procesi i përzgjedhjes filloi me vlerësimin e portfoliove dhe përshkrimeve të dorëzuara përmes thirrjes së hapur. Më pas, juria pati mundësinë të përjetojë veprat në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ky proces ishte veçanërisht sfidues për shkak të cilësisë së jashtëzakonshme të veprave të menduara, të bukura dhe unike që janë të paraqitura në ekspozitë”, ka bërë të ditur Galeria Kombëtare e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.
“Ajo që ia thotë këngës...” shfaq punën e 23 artistëve nga skena vendore e ndërkombëtare. Koncepti i saj, kuruar nga Valentine Umansky nga “Tate Modern” e Londrës – në bashkëpunim me kuratoren e GKK-së, Hana Halilaj – ka frymëzim tepsinë si praktikë muzikore tradicionale. Me të e thellon publikun në historitë e paraardhësve, por rrëfen edhe përpjekjet e pandalshme të grave për të gjetur forma për të shoqëruar këndimin e tyre me instrumentet në të cilat qasje dikur kishin vetëm burrat.
Ekspozita është e frymëzuar nga vepra “Poçimalja” e artistes boshnjake, Lala Rashqiq, së cilës Galeria i referohet si “skulpturë kinetike” e punuar nga bakri, druri dhe materiali elektronik që mundëson rrotullimin e saj. Tingulli i këtij rrotullimi të tepsisë është edhe “kolona zanore” e ekspozitës, ndërsa vetë fjala me të cilën emërtohet ekspozita si tërësi është emërtimi për nismëtaren e këndimit të këngës.
Ekspozita ndërkombëtare “Gjon Mili” sivjet ka ardhur e riformatuar – pos si ngjarje që i dedikohet fotografisë – edhe imazhit lëvizës. Ndryshim tjetër sivjet ka qenë edhe ndërkombëtarizimi i ngjarjes. Ky ka qenë edicioni i parë ku thirrja për artistë ka qenë edhe për ata të huaj.
Ekspozita si tërësi, me veprën fituese të çmimit “Gjon Mili” - “Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita” e artistëve Endi Tupja dhe Klodiana Millona – mund të shihen në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 30 mars.