Kulturë

Gjendet valsi i Chopinit i panjohur për 200 vjet

Chopin

Dorëshkrimi datohet ndërmjet viteve 1830 dhe 1835, kur Chopini ishte në fillim të të njëzetave dhe ka disa veçori.

Valsi i panjohur i Frédéric Chopinit është gjetur në Bibliotekën e New Yorkut dhe një zbulim i tillë e ka mahnitur botën e muzikës klasike. 

Sipas “The New York Times”, Robinson McClellan po gjurmonte një koleksion me relikte kulturore në kasafortën e Bibliotekës dhe Muzeut Morgan në Manhattan, kur gjeti një dorëshkrim në madhësinë e një kartoteke me emrin dallues të shkruar në këndin e sipërm: Chopin.

Ia dërgoi në fotografi të veprës Jeffrey Kallbergut, ekspertit të studimeve të krijimtarisë së Chopinit në Universitetin e Pensilvanisë, shkruan “Classic FM”. 

“U shtanga. Isha i bindur se këtë s’e kam parë kurrë më parë”, ka thënë Kallberg për “The New York Times”. 

Pas një analize të hollësishme të letrës, bojës, shkrimit të dorës dhe stilit muzikor, Muzeu arriti në përfundimin se vepra është me të vërtetë një vals i panjohur nga kompozitori i madh polak. Ky zbulim domethënës është i pari i këtij lloji në më shumë se gjysmë shekulli.

Dorëshkrimi datohet ndërmjet viteve 1830 dhe 1835, kur Chopini ishte në fillim të të njëzetave dhe ka disa veçori.

Edhe pse besohet se është e përfunduar, vepra është më e shkurtër se valset e tjera të Chopinit –  vetëm 48 takte me një përsëritje, ose rreth 80 sekonda. Vepra në A-mol, ka shenja të pazakonta dinamike, duke përfshirë një forte të trefishtë, që tregon volumin maksimal, afër fillimit.

“Nuk është muzika më e ndërlikuar e Chopinit, por është një nga stilet më autentike të Chopinit që mund të imagjinoni”, ka thënë pianisti Lang Lang, i cili e ka interpretuar veprën.

VIDEO: