Besim Morina, Ermir Bunjaku, Ismail Gagica, Sadik Krasniqi, Shukrije Rama dhe Vjollca Aliu janë kandidatët që kanë kandiduar dhe e kanë kaluar verifikimin paraprak për pozitën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Pas gati dy vjetësh prej kur Ministria e Kulturës vendosi që nëpërmjet një marrëveshjeje verbale të largojë nga pozita e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës Ajet Lecin, qe hapur konkurs për këtë pozitë
Gjashtë kandidatë ia kanë mësyrë pozitës së drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Që të gjashtit, sipas Ministrisë së Kulturës, i plotësojnë kriteret për t’iu nënshtruar procesit të rekrutimit për këtë pozitë. Duket se institucioni më i lartë muzeor në vend pas gati dy vjetësh do të bëhet me udhëheqës. Besim Morina, Ermir Bunjaku, Ismail Gagica, Sadik Krasniqi, Shukrije Rama dhe Vjollca Aliu janë kandidatët që kanë kandiduar dhe e kanë kaluar verifikimin paraprak.
Aktualisht ushtruese e detyrës së drejtorit është Vjollca Aliu, me pozitë të përhershme, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS.
Pas gati dy vjetësh prej kur Ministria e Kulturës vendosi që nëpërmjet një marrëveshjeje verbale të largojë nga pozita e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës Ajet Lecin, qe hapur konkurs për këtë pozitë. Deri në ditën e 5-të të nëntorit, krejt ata që kishin synime për të udhëhequr institucionin kanë pasur mundësi për të konkurruar.
Sipas konkursit, drejtori është udhëheqës dhe organi më i lartë ekzekutiv i MKK-së me mandat katërvjeçar.
“Drejtori mbështet dhe ofron këshilla të nivelit të lartë për titullarin e institucionit dhe sekretarin e përgjithshëm lidhur me fushëveprimtarinë e MKK-së; Drejton, organizon, koordinon dhe mbikëqyr të gjitha aktivitetet e institucionit dhe siguron funksionim efikas të saj, si dhe menaxhon nëpunësit publikë dhe punonjësit e tjerë të MKK-së; I propozon dhe i raporton Këshillit Drejtues planin vjetor te punës dhe planin vjetor financiar; Merr pjesë kur ftohet në mbledhjet e Këshillit Drejtues, pa të drejtë vote; Siguron zbatimin e planit vjetor të punës dhe planit vjetor financiar sipas legjislacionit për menaxhimin e financave publike...”, shkruhet në konkurs.
Prej marsit të vitit 2023, MKK-ja është pa drejtor. KOHA pati mësuar se menaxhmenti aktual i MKRS-së kishte arritur një marrëveshje verbale me Ajet Lecin që ai ta lërë detyrën e drejtorit të MKK-së. Më pas i ishte gjetur mënyra se si të zhvillohej zyrtarisht procesi. Në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ishte identifikuar si pozitë e lirë ajo e drejtorit të Departamentit për Arkiva Komunale.
Udhëheqësi i fondacionit kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, Sali Shoshi, muajin e kaluar kishte thënë se është shumë e rëndësishme që në cilindo rast si me ushtrues detyre e si me drejtor menaxheri, të ketë aftësi menaxhuese e të bëjë një transformim rrënjësor.
“Duhet që këto institucione të kthehen kah publiku dhe të ketë kuptim ekzistenca e tyre. Nëse ky është qëllimi, atëherë nuk është me rëndësi a do të qëndrojë dikush si drejtor apo si ushtrues detyre. Me rëndësi është që institucionet të kenë program për publikun dhe ky duhet të jetë qëllimi”, kishte thënë Shoshi.
Muzeu Kombëtar i Kosovës ka nisur praktikisht përgatitjet për procesin më të madh ndërhyrës: restaurimin e tërësishëm, që do të peshojë 3 milionë euro. Për këtë institucioni më i lartë muzeor në vend ka njoftuar se për një vit do t’i ketë hapësirat të mbyllura për publikun. Me fiks 2 milionë e 946 mijë e 757 euro, MKRS-ja ka vendosur që grupi i operatorëve ekonomikë “Froni 1 ShPK” dhe “Çeta-General Invest Group” ta marrin përsipër zbatimin e projektit më kompleks të punuar deri më tash për këtë monument që ruan thesarin e trashëgimisë kulturore të luajtshme të vendit. Aktualisht po bëhet trajtimi i eksponateve në këtë institucion.
Historia me drejtorët e Muzeut ka qenë sfidë për MKRS-në. Në mbrëmjen e 21 gushtit të vitit 2019, Ajet Leci kishte dalë nga intervista duke u vlerësuar me më së shumti pikë nga përbërja e atëhershme e Këshillit Drejtues.
KOHA të nesërmen pati raportuar se ai ishte anëtar i Kryesisë së PDK-së në Drenas. Një ditë pas zgjedhjes së Lecit, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, në kuadër të trumbetimit se do t’i luftojnë korrupsionin e nepotizmin, i kishin dhënë vetes të drejta që nuk i gëzonin ligjërisht. Veseli e Gashi ishin shndërruar në vlerësues të procedurave të rekrutimit në shërbimin civil të Kosovës. Pa kurrfarë kompetence ligjore kishin thënë se kanë anuluar procedurën nëpërmjet së cilës Ajet Leci ishte zgjedhur drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës. Por Leci do të bënte një ankesë dhe vetë MKRS-ja do ta gjente atë si të bazuar, duke bërë që më 12 nëntor të atij viti ai të merrte drejtimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.