Kulturë

Gjashtë kandidatë për katër vende – tregues për skenën e baletit në Kosovë

Me prurjet e reja Baleti Kombëtar i Kosovës ka 25 balerinë

Me prurjet e reja Baleti Kombëtar i Kosovës ka 25 balerinë, përderisa ky institucion vlerëson se aktualisht i duhen edhe së paku 10 pjesëtarë (Foto: Driton Paçarada)

Baleti Kombëtar i Kosovës ka marrë katër balerinë të rinj, por për këto vende kishin konkurruar jo më shumë se gjashtë kandidatë. Për institucionin ky numër është larg kërkesave, ndërsa vetë numri i aplikimeve vlerësohet tregues për skenën e baletit në vend. Unë nuk e di çfarë janë duke bërë ata pedagogë që marrin rroga çdo muaj, ndërkohë që në audicionet e Baletit Kombëtar nuk ka balerinë. Kjo është trishtuese”, ka thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi

Prej mbylljes së objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës për rinovim, edhe me atë trupë që e ka, Baleti Kombëtar i Kosovës koreografitë e shfaqjeve që i prodhon i përshtat sipas skenës ku interpreton. Por, për produksionet e tij të veçanta numri i balerinëve rezidentë është larg atij që kërkohet. Për këtë arsye, nëpërmjet konkursit, i janë bashkuar edhe katër anëtarë. Për institucionin ky numër është larg kërkesave ndërsa vetë konkursi vlerësohet tregues për skenën e baletit në vend. Me prurjet e reja BBK-ja ka 25 balerinë.

Kanë qenë vetëm gjashtë konkurrentë për katër pozita në konkursin e Ministrisë së Kulturës për balerinë në Baletin Kombëtar. Isa Gjocaj, Blerta Fanaj, Rigon Krasniqi dhe Erza Limani tashmë kanë kontratë të rregullt me institucionin. I pari ka qenë pjesë e produksioneve si bashkëpunëtor i jashtëm ndërsa për tri balerinat, drejtori i Baletit, Sinan Kajtazi, ka bërë të ditur se janë angazhuar në vitet e fundit.

“Isa Gjocaj si balerin është rritur me Baletin Kombëtar të Kosovës – është diku prej vitit 2010 nëse nuk gabohem – ka marrë pjesë në shfaqje të Baletit edhe si fëmijë. Do të thotë është një talent që premton shumë e që për fat të mirë ka pasur mundësi që tek tash t’i bashkohet trupës edhe me kontratë të rregullt, megjithëse ka qenë pjesë e të gjitha produksioneve si i angazhuar i jashtëm në BKK. Ndërsa Blerta, Rigoni dhe Erza janë balerinë që kanë qenë pjesë e produksioneve në vitet e fundit. Sigurisht se ne e kemi njohur kapacitetin e tyre”, ka thënë Kajtazi në një përgjigje për KOHËN.

Eliza Vitija dhe Nisa Krasniqi kanë qenë dy konkurrentet e tjera. Ato kanë qenë pjesë e shfaqjes së fundit të Baletit – “Arrëthyesi” –  në koreografi të Ilir Kernit.

Numri i aplikimeve, sipas Kajtazit, është tregues se në vend ka pak kuadro dhe se shkollat e baletit në Kosovë nuk janë duke kryer punë në këtë drejtim.

“Për fat të keq kjo e tregon më së miri se shkolla e baletit nuk është duke funksionuar, më saktë degët e baletit në Kosovë. Kemi pak kuadro. Nga vitet ’90 kemi tri-katër kuadro që mund të them se kanë dalë nga këto shkolla. Unë nuk e di çfarë janë duke bërë ata pedagogë që marrin rroga çdo muaj, ndërkohë që në audicionet e Baletit Kombëtar nuk ka balerinë. Kjo është trishtuese”, është shprehur drejtori i BKK-së.

Sipas tij, nuk ka as profesionistë që zhvillojnë kuadro baleti.

“Interesim sigurisht se ka prej balerinëve, por nuk ka shkolla, ato nuk janë duke funksionuar. Pedagogët, kushdo që është duke dhënë mësim në degën e Baletit, nuk janë të gatshëm për ta kryer atë punë, as nuk dinë ta kryejnë dhe as nuk janë të gatshëm të zhvillojnë kuadro të baletit, artistë”, ka shtuar Kajtazi më tej.

Duke e parë këtë mungesë të balerinëve profesionistë në vend, vetë trupa e institucionit në gjysmën e parë të vitit 2023 pati organizuar falas klasa baleti. Balerinët Jeta Musolli dhe Fatmir Smani ishin në krye të këtyre klasave që ishin hapur për të rinjtë nga mosha 14 deri 18 vjeç. Ishte thirrja e radhës për shkollë baleti, kërkesa të kahershme të institucionit shtetëror të baletit.

Premtimet ishin dhënë prej disa qeverive. Qysh prej marsit të vitit 2017 ishte paralajmëruar nisja e realizimit të projektit për objektin e saj. Ministri i atëhershëm i Arsimit, Arsim Bajrami, e kishte premtuar një gjë të tillë atëkohë e në shtator të po atij viti ishte deklaruar se ishte e pamundur. Fillimisht premtimet ishin që punimet të nisnin në pjesën e dytë të vitit 2016. Projekti i shkollës së baletit nuk kishte ekzistuar as në Ligjin për buxhetin e vitit 2017. Por në nëntor të 2016-s ish-ministri Bajrami i kishte thënë “Kohës Ditore” se pavarësisht kësaj ndërtimi do të nisë.

Ndërtimi i shkollës së baletit ishte rikthyer edhe në dhjetor të vitit 2018, kur ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i ishte drejtuar me një letër për këtë çështje ish-ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili e kishte vlerësuar të nevojshme themelimin e shkollës. Do të paralajmëronte edhe formimin e një komisioni ekspertësh. Me Bytyqin po atë muaj ishin takuar ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, tashmë i ndjerë, dhe balerini Sinan Kajtazi, që asokohe ishte edhe kryetar i Këshillit Drejtues i këtij institucioni e tash drejtor.

Edhe në gusht të 2022-tës ishte hapur konkurs për balerinë të rinj në trupën rezidente të institucionit. Ndërsa me raste kur Baleti ka pasur produksione më madhore se zakonisht është hapur konkurs për pjesëmarrës në projekte të veçanta. Kështu pati ngjarë edhe me “Arrëthyesin”. Në tetorin e 2023-tës qe hapur konkursi për shtatë balerinë profesionistë dhe joprofesionistë (fëmijë). Prapë Baletit iu desh të ftonte solistë nga jashtë vendit si Julind Dërvishin nga Tirana e dyshen hungareze Nikola Hadjitanev dhe Marta Petkova.

Sipas Kajtazit, me katër anëtarë të rinj rezidentë nuk është plotësuar numri i nevojshëm i balerinëve.

“Këta balerinë e plotësojnë numrin. Ne sigurisht kemi nevojë, të paktën edhe për pesë çifte, apo dhjetë balerinë në këto momente, sepse dihet se jemi zgjeruar në projekte të mëdha si ‘Arrëthyesi’. Këtë vit e kemi po ashtu edhe një projekt të përmasave shumë të mëdha ku duhet numër shumë i madh i balerinëve. Pra, ne aktualisht në Baletin Kombëtar të Kosovës kemi nevojë për të paktën edhe dhjetë balerinë”, ka thënë ai.

Konkursi ka ardhur si rrjedhojë e nevojës për balerinë, por bëhet e ditur se një nga balerinat i është shkëputur institucionit pasi është zhvendosur për të jetuar jashtë vendit.

Drejtori i Baletit, Sinan Kajtazi, ka thënë se kërkesa për ta rritur trupën ka qenë që prej kur e ka marrë pozitën.

“Konkursi për hapjen e pozitave të reja për balerinë ka qenë një kërkesë e imja e vazhdueshme prej marsit të vitit 2022, kur e kam marrë detyrën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Gjatë vitit 2022 janë hapur dy herë konkurse për balerinë, për fat të keq nuk është plotësuar numri, për shkak të mungesës së balerinëve. Për fat të mirë, tani kemi arritur t’i marrim katër balerinë nga gjashtë sa kishin konkurruar”, ka thënë ai.

Konkursi ishte i hapur prej 8 nëntorit deri më 7 dhjetor. Kriteret e këtij konkursi ishin që kandidati të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, të ketë zotësi të plotë veprimi, sipas legjislacionit në fuqi, të zotërojë të paktën njërën nga gjuhët zyrtare në pajtim me Ligjin për Gjuhët,  të jetë e/i aftë për të kryer detyrën përkatëse, të mos jetë e/i dënuar për kryerjen e veprës penale me dashje, të mos ketë në fuqi masë disiplinore për shkelje të rëndë në institucion publik, të ketë arsimin, përvojën e punës profesionale dhe/apo aftësitë e kërkuara për pozitën, kategorinë, klasën apo grupin përkatës; dhe të kalojë me sukses procedurat e pranimit të përcaktuara në këtë ligj. Paga e pjesëtarit të trupës së BKK-së është 682.5 euro bruto.

Projekti i parë për këtë vit i Baletit do të jetë shfaqja me të cilën, siç bëhet e ditur, institucioni i bashkohet “fushatës për ndërgjegjësimin dhe luftën ndaj stigmatizimit që ndërlidhet me sëmundjet duke adresuar edhe çështje të rëndësishme të shëndetit publik”. Përgatitjet për shfaqjen janë nën koreografinë e balerinit dhe koreografit Sead Vuniqi. Sipas njoftimit, premierën do ta ketë më 4 shkurt, në Ditën Botërore Kundër Kancerit, në bashkëpunim me organizatën “Action for Health”.

Baleti Kombëtar i Kosovës e ka nisur vitin me prezantim jashtë vendit. Në Berlin më 4 e 5 janar është dhënë shfaqja “Rebounds: A BasketBallet” me koreografi të dyshes gjermane Friederike Lampert dhe Jochen Roller. Në kuadër të festivalit “Raven” balerinët interpretuan në skenën e ndërtesës historike “HAU – Hebbel am Ufer”, që daton prej vitit 1908. E Baleti ka bërë të ditur se për sivjet ka një projekt madhor në repertor.