Fiks 101 ditë prejse “Anibari” dhe Ambasada e Francës në Kosovë nënshkruan marrëveshjen e cila sjell në Kosovë 480 mijë euro dhe hap shtigje për animatorë të rinj, është lansuar projekti “Génesis” që do të implementohet nga “Anibari” dhe Instituti i Francës në Kosovë. Projekti cilësohet ambicioz dhe ka për synim të mbështesë deri në 65 të rinj kosovarë në trajnime intensive dhe të krijojë kushte për zhvillimin e sektorit të filmit të animuar në Kosovë. Në ceremoninë solemne të premten pasdite në kino “Armata”, pos dyshes – Vullnet Sanaja, drejtor ekzekutiv i “Anibarit” dhe Olivier Guérot, ambasador i Francës në Kosovë – e cila më 16 korrik në ditën e dytë të Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar firmosi marrëveshjen – kanë qenë të pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Programi “Génesis” mbështetur nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës do të zgjasë mbi tetë muaj, duke përfshirë, trajnime në animacion 2D dhe 3D, kurse në gjuhën frënge, trajnime të specializuara për fusha si shkrimi i skenarit, dizajni i zërit për animacion, postproduksioni, dhe të tjera.
“Përveç kësaj, disa nga studentët e përzgjedhur do të kenë mundësinë për të bërë një ose dy udhëtime studimore në Francë, ku do të punojnë me profesionistë të njohur të industrisë. Ky bashkëpunim do t'u ofrojë atyre ekspertizë dhe njohuri nga të dy vendet, Franca dhe Kosova, për të nxitur zhvillimin e projekteve të tyre personale dhe për të kontribuuar në fuqizimin e industrisë kreative në Kosovë”, precizohet në përshkrimin e projektit. Te fuqizimi i industrisë kreative është ndalur edhe kryeministri Albin Kurti.
Sipas komunikatës për media të Kryeministrisë, ai citohet të ketë thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron e përkushtuar “për ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e artit të pavarur në vendin tonë, duke përmendur këtu masat konkrete, si miratimi i Ligjit të ri për Kulturën dhe rritjen e buxhetit për skenën e pavarur nga një milion euro sa ishte në vitin 2019, në nëntë milionë euro tash kur po flasim”.
“Projekti ‘Génesis’, me fokusin e tij në edukimin dhe fuqizimin e të rinjve, është një dëshmi e qartë se kultura jonë po shkon edhe drejt pavarësisë edhe drejt inovacionit. Ky projekt përforcon edhe më tej lidhjen me skenën e pavarur dhe partnerët ndërkombëtarë, si Franca, duke krijuar ura të reja ndërveprimi dhe duke sjellë edhe përvoja të vlefshme për rininë tonë”, citohet të ketë thënë ai duke u zotuar se Qeveria do të vazhdojë punën për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, si një pjesë e rëndësishme e rritjes kulturore dhe ekonomike.
Kur ishte nënshkruar marrëveshja që i prin lansimit të “Génesis”, drejtori ekzekutiv i “Anibarit” Vullent Sanaja, kishte thënë se organizata që ai udhëheq ofron një platformë që bashkon njerëzit përreth filmit të animuar.
“Me Akademinë e Animacionit ne kemi krijuar gjeneratë të re të animatorëve. Tash po nis një rrugëtim i ri bashkë me partnerët tanë. Qëllimi është që të fuqizohen animatorët e rinj dhe që ata të shkëmbejnë përvoja me kolegët e tyre francezë. Bashkë po ndërtojmë ura për të rinjtë e vendeve tona”, kishte thënë ai.
Kurse ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, kishte thënë se industria audiovizive në Francë luan një rol shumë të rëndësishëm në identitet, kulturë dhe ekonomi. Kishte treguar se më shumë se 250 mijë veta janë të punësuar në rreth 13 mijë kompani në të gjithë Francën.
Për projektin kishte thënë se është rezultat i partneritetit afatgjatë dhe i njohjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare të industrisë kulturore dhe krijuese. Kishte përmendur festivalet prestigjioze, përfshirë atë të Cannes, ku filmat nga Kosova kanë marrë pjesë. Po ashtu, kishte përmendur edhe Marrëveshjen midis Francës e Kosovës për bashkëprodhim filmash.
LEXO EDHE: