Kulturë

Gati një vit prej tenderit ndërkombëtar, s’ka projekt për Teatër të Operës

Projekti ideor per teatrin, operan dhe baletin

Projekti ideor për Teatrin e Operës dhe Baletit i konsorciumit “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect”, i cili në janarin e vitit të kaluar u anulua

Në 15-vjetorin e “performancës” për gurin themeltar të teatrit të operës dhe baletit “dr. Ibrahim Rugova” te Fakulteti Teknik dhe në njëvjetorin e tentativës së dytë të Qeverisë aktuale për ta bërë me projekt, një “festë” e tillë për nisje punimesh duket ende larg. Teatri i Operës dhe Baletit ende nuk ka as projekt. “Në Baletin Kombëtar të Kosovës do të ishte përtej një lajmi nisja e një projekti të tillë. Ne kemi performuar në vënien e një guri themeltar në vitin 2009, por fatkeqësisht ai projekt nuk eci para. Shpresojmë që së shpejti të performojnë për një gur themeli tjetër”, ka thënë të martën Sinan Kajtazi, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës

Ritenderim, përzgjedhje e një projekti, ankesë, pranim e përmirësim i gabimit nga Ministria e Kulturës dhe ankesë tjetër në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik është kronologjia e deritashme e synimit të dytë të MKRS-së për të pasur projekt për Teatrin e Operës dhe Baletit. Por në shkurt bëhet një vit prej kur ka nisur procedura dhe ende s’ka kurrfarë rezultati. 

Paraprakisht nëpërmjet një procesi të nisur më 2023 e që kishte zgjatur gati një vit, kishte dështuar shkaku i shkeljeve ligjore të Ministrisë së Kulturës. E tenderi aktual mbetet pezull. Pritet verdikti i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Baleti Kombëtar i Kosovës numëron dy vjet e gjysmë që është “institucion në qira”. Provat mbahen në ambientet e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” e shfaqjet herë në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit e edhe në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq, siç ngjau fundvitin e kaluar. Kurse institucioni i ri i Operës së Kosovës – që funksion si agjenci që angazhon njerëz me projekte – është qiraxhi kur jep shfaqje. E qiratë i ka të larta, përderisa në total produksionet prekin 300 mijë euro. 

Prej vitit 2021 e deri më tash MKRS-ja ia ka dalë që të sigurojë veç vendin  e ri për të ndërtuar Teatrin e Operës, por jo edhe dokumentin bazik për këtë –  një projekt në letër. 

Tenderit ndërkombëtar “Zhvillimi i projektit ideor dhe të hollësishëm, të arkitekturës dhe të inxhinierisë, për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës – Ritenderim” ia kishin mësyrë katër kompani. Por prej shkurtit, kur ishte hapur, deri në shtator MKRS-ja nuk ia kishte dalë që të merrte vendim për kompaninë që ka zënë vendin e parë në vlerësim. 

Në fazën e parë, sipas dokumentacionit të lëndës, ishin kualifikuar tri kompani, kurse një nuk i kishte plotësuar kushtet për të vazhduar më tej procesin. Më pas, pos vlerësimit të projektit ideor ishte vlerësuar edhe oferta financiare. Konsorciumi “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect” qe vlerësuar me më së shumti pikë, 83.11 gjithsej, duke zënë vendin e parë. MKRS-ja kishte vendosur që për 2 milionë e 480 mijë euro t’ia jepte këtij konsorciumi tenderin për të vazhduar më tej me projektimin e ndërtesës. Kompania gjermane që e udhëheq këtë konsorcium ka fituar edhe tenderin për masterplanin për kompleksin “Adem Jashari”. Do të paguhet me 7 milionë e 890 mijë euro veç për projektim. E njëjta kompani ishte bërë shkaktare që MKRS-ja të bëjë shkelje ligjore dhe të tentojë t’ia japë edhe projektin për Teatër të Operës, gjë që e ndaloi Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. 

Sipas vlerësimit, “Big Partners Ltd & ALB Architect” ka marrë 66.87 pikë dhe ka zënë vendin e dytë. Kurse “MVRD & OUD ARCHITECT” është eliminuar. Në dokumentacion figuron se nuk e kanë kaluar vlerësimin e ofertës financiare. 

Por “Big Partners Ltd & ALB Architect” kishte bërë kërkesë për rishqyrtim të lëndës. Dhe vetë MKRS-ja i ka dhënë të drejtë. Ky institucion ka anuluar vendimin e shpalljes së rezultateve të thirrjes. 
“Mbështetur në dokumentacionin e paraqitur nga kompania ankuese, Autoriteti Kontraktues ka vendosur ta trajtojë edhe një herë lëndën (vlerësimin administrativ) dhe në këtë formë e kthen lëndën në rivlerësim”, shkruhej në vendimin e MKRS-së. Më pas MKRS-ja ka përzgjedhur projektin e “Big Partners Ltd & ALB Architect”. Menjëherë “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect” ishte ankuar. Pasi ky konsorcium kishte marrë përgjigje negative nga MKRS-ja, kompanitë bashkëpunuese i ishin drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Kanë katër pretendime për shkelje të procedurave. Lënda ka shkuar deri te faza e ekspertizës. Eksperti Ilir Halili ka nxjerrë një konkluzion. 

“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet si pjesërisht e bazuar, ndërsa të mbetet në fuqi vendimi i autoritetit kontraktues”, shkruhet në rekomandimin e ekspertit shqyrtues. Ai i ka dhënë të drejtë ankesës në disa raste, por ka rekomanduar se vendimi i MKRS-së është i drejtë. Tash pritet që paneli shqyrtues i OSHP-së të dalë me vendim. Rekomandimi i ekspertit nuk është obligativ për panelin. 
MKRS-ja kësaj radhe kishte qartësuar se i duhet projekt për teatër që do të kushtojë 50 milionë euro. Për projekt qenë paraparë 2.5 milionë euro.  

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë të martën se fatkeqësisht janë me vonesa tash e dy dekada.

“Shpresat i kemi te projekti i Teatrit të Operës dhe Baletit si zgjidhje e përhershme”, ka thënë ai. Shpresojnë që ky projekt jetik të nisë ndërtimin sa më shpejt. 

“Në Baletin Kombëtar të Kosovës do të ishte përtej një lajmi nisja e një projekti të tillë. Ne kemi performuar në vënien e një guri themeltar në vitin 2009, por fatkeqësisht ai projekt nuk eci para. Shpresojmë që së shpejti të performojnë për një gur themeli tjetër, por kësaj radhe në një projekt që do të realizohet”, ka thënë ai. 

Paraprakisht në janar të vitit të kaluar, pas më shumë se një viti procedurë, shkaku i shkeljeve ligjore të Ministrisë së Kulturës, ky institucion nuk ia kishte dalë që ta bënte hapin e parë për këtë projekt, të cilin shteti synon tash e dy dekada. Nëpërmjet vendimit paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik kishte anuluar procesin e nisur në tetor të vitit 2022. Shpejt, në shkurt, kishte pasuar ritenderimi. 

“Paneli shqyrtues pas diskutimeve të palëve në këtë seancë dëgjimore dhe pas shtjellimit të provave dhe argumenteve të paraqitura ka ardhur te konstatimi se në këtë aktivitet të prokurimit, me rastin e hapjes dhe vlerësimit të ofertave tenderuese të operatorëve ekonomikë, ka pasur elemente identifikuese që kanë zbuluar identitetin e ofertuesve dhe ky fakt është në kundërshtim me kërkesat e dosjes së tenderit dhe Ligjit për Prokurim Publik”, shkruhet në arsyetim të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit nëpërmjet të cilit u anulua krejt procesi. 

Kanë qenë tri kompani në garë për projekt ideor: “Gerber Architektekten International GmbH” nga Dortmundi, “Consortium MVRDV” & ‘O.U.D.-ARCHITECTS’ SH.P.K”, kompani holandeze me arkitektin nga Kosova, Bekim Ramku, dhe “Big Partners LTd” me seli në Londër. Kompania gjermane mori më së shumti pikë në vlerësim e në rivlerësim. Por, pikërisht asaj i ishte zbuluar identiteti gjatë procesit. 
Paraprakisht më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar, por procesi nuk pati epilog. Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emër: teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.

Kuvendi i Kosovës në gushtin e vitit 2021 themeloi institucionin e Operës, i cili ende mbetet në konsolidim.

Në prill të vitit 2022 shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për Teatrin e Operës dhe Baletit.