Kulturë

Gara për një vend në Teatër midis profesionalizmit e patetikës

Ismet Ramadani

Ismet Ramadani, aktor e së fundmi i emëruar drejtor i Teatrit Shqiptar në Shkup, këngëtarja italiane Serena Abrami, udhëheqësi artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, aktori italian e drejtori i Teatrit të Ravenas, Alessandro Argnani, regjisori e profesori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Bekteshi, qysh në mëngjes janë ulur në një prej sallave të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Si ndihmës i këngëtares Abrami, aty është ulur edhe basisti Enrico Vitali

Maratonike ka qenë dita e parë e audicionit për katër aktorë në ansamblin rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Prej mëngjesit deri vonë, 15 prej 31 kandidatëve që synojnë t’i bashkohen institucionit, kanë pasur 30 minuta kohë që ta bindin jurinë. Sot (e shtunë), në audicion janë aktorët e radhës. Juria ka qenë përballë kandidatëve që e kanë impresionuar sikurse edhe disave që janë zhytur në interpretime patetike e amatore

Janë 30 minuta, në të cilët zhvillohet një bisedë e shkurtër, interpretohet një poezi, një monolog e varësisht nga vullneti edhe këndohet. Janë minutat e atyre që mundohen të bindin jurinë se e kanë vendin në ansamblin e aktorëve rezidentë të institucionit më të lartë teatror në vend. Të shtunën, 15 nga 31 konkurrentë të moshave të ndryshme e kanë treguar veten para jurisë. Është sfidë e madhe edhe për ata që numërojnë goxha role në teatër, qoftë edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës si aktorë të angazhuar nga jashtë.

Maratona është hapur me kandidaten Blerta Syla-Surroi, pasuar nga Anita Muriqi, Artan Geca, Afrim Muçaj, Fiona Gllavica, Edlir Gashi, Sunaj Raça, Uratë Shabani, Avdi Gërvalla, Adelina Zekolli, Vigan Nuza, Tristan Halilaj, Shpëtim Selmani, Qëndresa Jashari, Qëndresa Loki. Kandidatë janë edhe: Alban Goranci, Allmir Suhodolli, Flamur Vranja, Zhaneta Xhemajli, Nëntor Fetiu, Donikë Ahmeti, Verona Koxha, Anisa lsmaili, Valina Muçolli, Valmir Krasniqi, Rajmonda Ahmetaj, Rabije Kryeziu, Arta Muçaj-Berisha, Armend Ballazhi, Kreshnik Malushaj dhe Fatlume Bunjaku. Do të hyjnë në audicion të shtunën (sot).

Ismet Ramadani, aktor e së fundmi i emëruar drejtor i Teatrit Shqiptar në Shkup, këngëtarja italiane Serena Abrami, udhëheqësi artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, aktori italian e drejtori i Teatrit të Ravenas, Alessandro Argnani, regjisori e profesori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Bekteshi, qysh në mëngjes janë ulur në një prej sallave të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Si ndihmës i këngëtares Abrami aty është ulur edhe basisti Enrico Vitali.

Secilit kandidat i është prezantuar juria nga udhëheqësi artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, i janë sqaruar rregullat dhe i është ofruar mundësia që të nisë prezantimin siç ka dëshiruar. Paradite kanë preferuar me monologë e pasdite prezantimet kanë nisur kryesisht me një lloj interviste. Pyetjet se si e sheh përbërjen aktuale të ansamblit rezident të TKK-së dhe si do ta shihte veten në atë mes, pastaj ato se përse kanë dëshirë që të jenë në TKK e jo në ndonjë teatër tjetër, kanë qenë të shpeshta. Secili konkurrent e ka lëvduar ansamblin aktual, gjë që s’e thonë bash ashtu në muhabetet e përditshmërisë. TKK-ja kësaj radhe e ka hapur mundësinë që të monitorohet procesi nga palët e interesuara edhe nga vetë anëtarët e ansamblit rezident.

Aktorët pretendentë, varësisht prej shijeve, kanë paraqitur monologë e poezi. Te këngët, disa kanë kënduar edhe në anglisht. Madje edhe interpretime me kërkesa mjaft të larta. Juria zakonisht ka kërkuar që monologët t’i përshtatin edhe për rrethana të tjera. Nëse kanë qenë shumë të qetë, është kërkuar që me të njëjtin monolog t’i drejtohen kinse një mase që duan ta zgjojnë në protestë ose e kundërta. Ose ka pasur raste kur me monologë shumë seriozë u është kërkuar që të jenë ironikë e edhe qesharakë. Rrallë është kërkuar që ta interpretojnë monologun në gjendje të dehur apo edhe duke vallëzuar me muzikë tekno. Nganjëherë te ndonjë kandidat që është parë se s’ka aq vlera, kanë pasur edhe ndonjë kërkesë që ka ngjarë se e kanë veç sa për t’u përmbushur koha prej 30 minutash. Shpesh është dashur ta mbajnë të qeshurën përballë ndonjë patetizmi të nivelit të lartë. Ose me ata që kanë thënë se alamet emrash të aktrimit botëror u kanë thënë se e meritojnë të jenë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Për disa aktorë është e vështirë që të jenë përballë jurisë, pasi janë të zbehtë në punën e tyre, e për disa që janë emra tashmë të njohur po ashtu nuk është e lehtë pasi numërojnë shumë shfaqje e suksese, kurse në 30-minutëshin e ofruar mund të mos ndihen mirë.

“Gjithë ato shfaqje e tash këtu për gjysmë ore t’ua mbushim mendjen është pak e rëndë...”, ka thënë një prej emrave të njohur jo veç në aktrim. Në disa raste s’ka pasur nevojë që të kërkohen rrethana të reja për monolog pasi ka pasur prej atyre që brenda monologut kanë pasur goxha rrethana, duke treguar shkathtësi. Sidomos te të rinjtë vërehet shumë se edhe studentë të kujt kanë qenë në Fakultetin e Arteve. Shkolla që kanë marrë nga profesorët bartet para jurisë. Por bartet edhe dhënia e provimeve për të pasur një diplomë. Përzgjedhja e monologut e poezisë shpërfaq shumë nga përkushtimi, talenti e puna që bëjnë kandidatët. Biografia po ashtu ka vlerë, pasi bie në sy të jurisë për role në teatër.

Procesi si pamje është dukur goxha korrekt. Për përmbajtjen dhe rezultatet mbetet të shihet.

Në fund të ditës së parë, udhëheqësi artistik i Tetarit Kombëtar të Kosovës, Kushtrimi Mehmeti, ka thënë se nga ajo që ka parë duket se si anëtarë jurie mendimet i kanë aty-aty sa u përket kandidatëve.

“Sikur të kishim për t’i zgjedhur dhjetë veta ndoshta do të ishin shumë në bazë të asaj që kemi parë sot, por duhet të shohim edhe nesër”, ka thënë ai në fund të ditës së parë të audicionit.

Regjisori Kushtrim Bekteshi e njeh goxha skenën artistike në Kosovë. Madje në këtë audicion i rastis të ketë përballë edhe aktorë, me të cilët ka punuar. Në ditën e parë të audicioneve ka qenë prej më kërkuesve në shumë raste.

“Ka shumë të mirë. Disa janë shumë të mirë. Ka material në këtë audicion”, ka thënë ai.

E aktori Ismet Ramadani ka thënë se në disa raste është befasuar për të mirë.

“Për shembull unë nuk kam pritur shumë nga disa, por më kanë befasuar”, ka thënë ai.

Këngëtarja Serena Abrami e aktori Alessandro Argnani kanë qenë më të heshtur sa u përket kërkesave ndaj konkurrentëve. Por gjatë gjithë kohës kanë pasur koncentrim të thellë në paraqitjet skenike që janë bërë.

“Niveli është i lartë. Sot për shembull kanë qenë nja dy-tre veta shumë të mirë. Ka prej atyre që impresionojnë”, ka thënë Serena Abrami. Në perspektivën e saj, dallimi është i dukshëm.

“Në përgjithësi shoh dy lloje aktorësh: ata që janë më shumë për film dhe ata që janë për teatër. Ata që duket se janë për film, nuk më duket se e marrin teatrin seriozisht”, ka thënë ajo. Ka vlerësuar se ka prej kandidatëve që do t’ua sugjeronte të merren me këndim.

TKK-ja ka nevojë për tetë aktorë.

Institucioni sipas Ligjit për teatro e Statutit duhet të ketë së paku 30 aktorë në ansambël rezident. Aktualisht numëron 22. Udhëheqësit ka kohë që i janë drejtuar MKRS-së me kërkesa për konkurs për t’i plotësuar vendet boshe. Sivjet, MKRS-ja ka mundësuar konkurs për katër pozita. Për të tjerat, s’ka vende të lira në listë të pagave.

Procesi i përzgjedhjes së aktorëve të ansamblit rezident është krejtësisht në dorë të udhëheqësit artistik. Kushtrim Mehmeti, që mban këtë pozitë, sipas Rregullores për themelimin dhe funksionimin e ansamblit rezident, është ai që kryeson jurinë. Njëkohësisht ai edhe ka propozuar tetë emra para Këshillit Drejtues. Prej tyre janë zgjedhur katër. Emrat me insistimin e Mehmetit nuk janë ditur deri në audicion. Paraprakisht gjatë javës kishte treguar se në juri janë dy emra ndërkombëtarë dhe dy shqiptarë.

“Nuk ka qenë ky vullneti im, por kam komunikuar me mbi 35 veta, përfshirë profesorë e artistë që kanë refuzuar të jenë pjesë e jurisë”, kishte thënë Mehmeti. Ishte zotuar për proces të drejtë e po ashtu sa më transparent në raport me publikun.

“Procesi do të jetë shumë korrekt dhe shumë i pastër. Nëse vërej parregullsi, do të reagoj vetë. Jemi të interesuar që të vijnë katër aktorët më të mirë që janë në listë. Dhe kështu besoj se do të jetë”, kishte thënë ai.

Aktorët që do të pranohen me këtë konkurs do të kenë koeficient page 6.5. Shkaku i rangimit të koeficienteve, aktorët aktualë të ansamblit rezident janë në grevë. Por ata do t’i gjejnë kolegët e TKK-së në prag të muajit të parë të grevës.

Në ditën e shpalljes së grevës, më 17 nëntor, aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”. Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para 19 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11.