Kulturë

Galerisë Kombëtare të Arteve do t’i dhjetëfishohet hapësira

Galeria Kombëtare e Arteve

“Sipërfaqja e aktiviteteve nga projekti është dhjetëfishuar me çfarë ka pasur mundësi të bënte Galeria e Arteve dikur. Sipërfaqja ekspozuese gati është trefishuar. Sipërfaqja arkiva, konservim katër-pesëfishuar”, ka thënë ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja

Derisa po punohet në konservimin dhe restaurimin veprave nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë, po vijojnë edhe punimet edhe në objektin të këtij institucioni. 

Punimet në kantierin e Galerisë Kombëtare të Arteve synojnë shtim hapësirash 

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, të dielën kanë inspektuar punimet në kantierin e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve në kryeqytetin shqiptar.

Në terren, kryeministri Rama është interesuar për detajet teknike të projektit i cili parashikon komunikim mes dy objekteve: të vjetrit dhe të riut.

Ministri Gonxhja ka thënë se punimet janë në faza të avancuara. 

“Është kryer rreth 40 për qind e punimeve, por është pjesa më komplekse që është kryer dhe pjesa që në preventiv ka zënë një vend më të vogël. Pjesa që vjen tani, montohet më shpejt dhe zë një vend më të madh në preventiv. Jemi në një moment të kënaqshëm të ecurisë së punimeve. Po punohet në të dyja objektet, në objektin e vjetër dhe objektin e ri. Kanë mbaruar gjithë përforcimet. Godina ka pasur probleme të rënda strukturore, ndërtim i viteve ‘70, por me të vërtetë ndërtuar shumë pa cilësi. Shumë punë për riforcimin”, ka thënë ai. 

Ka përmendur se objekti i Galerisë së Arteve tani vjen me hapësirë dhjetëfish më të gjerë.

“Sipërfaqja e aktiviteteve nga projekti është dhjetëfishuar me çfarë ka pasur mundësi të bënte Galeria e Arteve dikur. Sipërfaqja ekspozuese gati është trefishuar. Sipërfaqja arkiva, konservim katër-pesëfishuar”, ka thënë ministri Gonxhja, teksa ka theksuar se po punohet me konservimin dhe restaurimin e veprave të artit që janë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. 

“Deri tani janë kryer 784 restaurime veprash. Paralel punohet me gjithë inventarin në mënyrë që të jemi gati që dhe me grupin këshillimor që e diskutuam për muzeumin, linjën muzeale dhe për gjithë planin e menaxhimit të gjithë galerisë”, ka shtuar Gonxhja.

Nga studioja projektuese që ka punuar projektin e objektit të Galerisë ka thënë se do të rikthehet elementet e dikurshme të objektit të vjetër. 

“Objekti i ri u shtua duke respektuar objektin e vjetër dhe duke mbajtur këtë galerinë e xhamit. Vizita fillon që nga objekti ekzistues dhe pastaj nëpërmjet urave kalojnë paralel sipas kateve drejt objektit tjetër, ku ka hapësira të tjera të shtuara. Dallohen disa tipologji ndërhyrjesh këtu, duke filluar që nga përforcimi dhe pastaj gjithë instalimet me radhë. Do rikthejmë ‘skylight-et’ të cilat me kalimin e kohës kanë qenë të improvizuara dhe të mbyllura”, ka shpjeguar përfaqësuesi i studios projektuese. 

Në kantierin e Galerisë Kombëtare të Arteve, në kryeqytet, punimet janë tashmë në një fazë të avancuar. Objekti i vjetër, ndërtim i viteve ’70, kishte probleme të rënda strukturore, dhe nuk përmbushte më asnjë lloj standardi për ekspozimin dhe ruajtjen e veprave të artit, apo për zhvillimin e ngjarjeve kulturore.

Me punimet e realizuara deri më tani, të konceptuara nga studioja projektuese “Atelier 4”, janë shumëfishuar në sipërfaqe, hapësira të rëndësishme si; salla e ekspozimit, e cila është dyfishuar; hapësira e ruajtjes së veprave dhe digjitalizimit, që është trefishuar apo hapësira për aktivitete social-kulturore, e dhjetëfishuar. Veç tyre janë shtuar edhe salla të veçanta për skulpturë, pikturë, vizatime, qeramike etj., si edhe dhoma restaurimi me akses direkt nga ashensorët për vepra me përmasa të mëdha.

Punimet e objektit të Galerisë Kombëtare të Arteve parashikohet të finalizohen në fund të këtij viti.
Ndërtesa e Galerisë Kombëtare të Arteve, e cila ndodhet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u inaugurua më 29 nëntor të vitit 1974. Aty gjenden disa salla ekspozimi si: ajo e Artit të Rilindjes, e Artit Bizantin, salla e Grafikës dhe ajo e punimeve të bëra pas viteve 50’. Ajo strehon rreth katër mijë e njëqind vepra arti të autorëve shqiptare dhe të huaj, të cilat përfshijnë një periudhë kohore që fillon nga shekulli XIII e vazhdon deri në ditët e sotme.

Aty ruhet edhe busti i parë shqiptar, ai i Skënderbeut, i punuar në vitin 1908 nga Murat Toptani. Që prej vitit 1999 është hapur për publikun edhe  biblioteka e Galerisë, ku mund të shfrytëzohen albume, revista dhe literaturë e ndryshme mbi artet figurative. 

Galeria Kombëtare e Arteve është institucioni më i rëndësishëm i arteve pamore në Shqipëri. Koleksioni i këtij institucioni përbëhet nga vepra të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë. Është një koleksion ikonash që i përket periudhës prej shekullit  XIII deri XIX, koleksioni më i madh i pikturës dhe skulpturës së periudhës së Realizmit Socialist, pavijoni i artistëve të huaj, si dhe një koleksion i artit bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në katin e parë dhe të dytë ekspozoheshin vepra nga fondi kombëtar, të ndara sipas periudhave historike, ose në bazë të koncepteve artistike që synojnë rivlerësimin në kohë të vlerave që bart ky institucion. Në katin e parë organizoheshin gjithashtu ekspozita të përkohshme, kryesisht të artit bashkëkohor.