Ajo që tash e dy dekada njihej si Galeria e Ministrisë së Kulturës, ose galeria “Qafa”, nuk do të jetë më e tillë. Me vendim të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, i është dhënë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe quhet “Galeria e Vogël. Kjo do të jetë edhe selia e përkohshme e GKK-së kur objekti kryesor do t’i nënshtrohet restaurimit për të cilin vetëm sivjet janë paraparë gjysmë milioni euro
Galeria e Ministrisë së Kulturës e njohur edhe si galeria “Qafa” , është mbyllur pas më shumë se dy dekadash funksionimi. Hapësira që asnjëherë s’kishte status institucioni, por funksiononte në kuadër të Departamentit të Kulturës në MKRS ka qenë ambient ku kryesisht kanë ekspozuar artistët e rinj, pa përjashtuar as rastet kur aty janë paraqitur edhe vepra të artistëve me nam, vendorë e ndërkombëtarë. Galeria e Ministrisë së Kulturës do të jetë ambient i Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe ka marrë emrin “Galeria e Vogël”.
Me vendim të Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, është shpërbërë funksioni i Galerisë së Ministrisë së Kulturës. Ministri Çeku ka shfuqizuar vendimin për mënyrën e funksionimit si dhe kriteret e procedurat e ekspozimit në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.
“Materialet arkivore të Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të gjitha pasuritë e tjera institucionale duhet të akomodohen në kuadër të Galerisë Kombëtare të Kosovës...”, shkruhet në vendim. Për të marrë këtë vendim, ministri Çeku është thirrur në Ligjin për artin dhe kulturën, i cili ka hyrë në fuqi në janarin e vitit 2024. Sipas këtij ligji, institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës janë Teatri Kombëtar i Kosovës, Opera, Baleti dhe Ansambli Kombëtar, Filharmonia e Kosovës, Galeria Kombëtare e Kosovës, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës.
“Lista e institucioneve qendrore të artit dhe kulturës është shteruese dhe nuk parasheh operimin e njësive të tjera paralele brenda të njëjtit fushëveprim. Rrjedhimisht, Galeria e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk mund të ketë status ligjor, dhe si e tillë nuk mund të ushtrojë veprimtarinë”, shkruhet në vendim.
Galeria Kombëtare e Kosovës ka nisur ta quajë ish-Galerinë e Ministrisë së Kulturës si Galeria e Vogël. GKK-ja sivjet pritet të shkojë në restaurim të përgjithshëm dhe veprimtarinë do ta zhvendosë në Galerinë e Vogël.
Sipas Galerisë Kombëtare të Kosovës, Galeria e Vogël do të mbetet njësi përbërëse e GKK-së dhe do të funksionojë në kuadër të statutit të GKK-së për të zgjeruar programin shtetëror për promovimin e artit pamor në Republikën e Kosovës.
“Misioni i kësaj galerie do të jetë mbështetja e artistëve të rinj dhe kryesisht komisionimi i veprave, duke u siguruar që prezantimi i tyre është i pasur dhe krijon mundësi për zhvillim të praktikës së tyre artistike”, shkruhet në përgjigjet e Alisa Gojanit, ushtruese e detyrës së drejtorit të GKK-së.
Sipas saj, po ashtu kjo qasje i jep hapësirë institucionit që të zhvillojë një program më të gjerë duke u fokusuar në artin bashkëkohor.
“Njëkohësisht krijon mundësi që në ndërtesën e rinovuar të ketë kapacitet më të madh për organizim të ekspozitave me logjistikë të prodhimit më të avancuar, duke përfshirë një program ndërkombëtar, fokus më të madh në veprat e koleksionit dhe ekspozita retrospektive”, shkruhet në përgjigje. Ne uebfaqen e MKRS-së, Galeria e Ministrisë së Kulturës ende është aktive.
Sipas të dhënave në uebfaqe, Galeria e Ministrisë së Kulturës ‘funksionon si një “zyrë” e drejtpërdrejtë e MKRS-së në kuadër të Departamentit të Kulturës.
“Për programin e saj është përgjegjës ‘Këshilli Vlerësues dhe Përzgjedhës’ i përbërë nga tre anëtarë të jashtëm.
GMK-ja ka filluar punën në shtator të vitit 2000 si Galeri e Departamentit të Kulturës dhe me rastin e shpalljes së Këshillit të Ministrave ajo është emërtuar ‘Galeri e Ministrisë së Kulturës’. Që nga fillimi i saj e deri më sot, janë organizuar mbi 200 ekspozita individuale e kolektive të autorëve vendorë dhe ndërkombëtarë”, shkruhet në të dhënat e MKRS-së.
Programi i GKK-së sivjet është paralajmëruar të zhvillohet në “Galerinë e Vogël”.
Programi do të përfshijë ekspozitën personale të fotografit Blerim Rracaj, si projekt i bartur nga Galeria e Ministrisë së Kulturës, pastaj ekspozitën e Valdrin Thaqit me titull “Asgjë e re nën diell”, atë të Kemil Bektešit me titull “Ngadalë dhe i pandalshëm” dhe po ashtu do të rikthehet ekspozita “Artistët e Rinj”, e cila mbështet artistët në hulumtim dhe komisionim të veprave të reja.
Ish-dekani i Fakultetit të Artit, artisti Adem Rusinovci ka thëne se e sheh të jetë e arsyeshme që Galeria e Ministrisë së Kulturës të jetë nën ombrellën e GKK-së në vend se të jetë Galeri e Ministrisë.
“GKK-ja tash mund të ketë hapësirë pak më të madhe që të funksionojë. Të jetë Galeri e Ministrisë tingëllon pak keq. Aty kanë ekspozuar edhe emra të njohur. Aty për ekspozita të vogla mund të ekspozojnë të rinjtë, por edhe emrat e njohur”, ka thënë ai.
GKK-ja tashmë do të ketë dy hapësira ekspozuese. Galeria Kombëtare e Kosovës e themeluar më 1979, prej vitit 1999 funksionon në ndërtesën ku institucioni gjendet aktualisht. Prej kohësh, zyrtarët e këtij institucioni kanë pasur kërkesa për ndërhyrje sidomos sa u përket hapësirave ku mbahen veprat e koleksionit të përhershëm të institucionit.
Në fillim të këtij viti, KOHA ka raportuar se planet e Ministrisë së Kulturës për renovimet e restaurimet e ndërtesave kulturore kanë mospërputhje midis çmimeve, me të cilat tenderohen dhe planeve që i ka bërë vetë ky institucion në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për këtë vit.
Mospërputhjet janë të vërejtshme në shumë projekte. Përderisa janë veç 500 mijë euro të parapara për këtë vit për kinematë e Prishtinës, Pejës e Prizrenit, Ministria e Kulturës synon që ta kalojë disa herë këtë shumë veç në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren. Për këtë projekt është në procedurë të prokurimit, e për “Jusuf Gërvallën” në Pejë pritet të nisë procesi. Te renovimi i Galerisë Kombëtare të Kosovës situata është e njëjtë.
Nëpërmjet thirrjes së hapur, Ministria e Kulturës ka kërkuar kompani për të kryer punët që me tender titullohen “Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe të inxhinierisë për renovimin e ‘Galerisë Kombëtare të Kosovës’ në Prishtinë dhe punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe të inxhinierisë për rivitalizimin e kinemasë ‘Lumbardhi’ në Prizren”. Vlera e parashikuar për këto ndërhyrje është fiks 2.7 milionë euro.
Por me Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, si projekt kapital figuron “Renovimi i Galerisë Kombëtare” me 500 mijë euro. Kurse nga 700 mijë janë paraparë për dy vjetët pasues.
Ministria e Kulturës nuk ka ofruar sqarime se si do të mbulohen shpenzimet e parapara, të cilat nuk korrespondojnë me planifikimet e bëra sa i përket buxhetit.