Kulturë

“Galeria Dodona 1997-1999” – për hapësirën e rezistencës artistike

“Dodona”, Galeria

Me emrin e teatrit të qytetit, “Dodona”, Galeria, njashtu sikurse Teatri, do të ishin pika të asaj që qe rezistenca artistike kundër regjimit serb. Vepra “Galeria Dodona 1997-1999” e autores Alisa Canaj-Maliqi përmbledh ekspozitat e mbajtura në ata tre vjet, tekste për ato ngjarje e rrëfimin e themeluesve

Në kohë represioni, arti u zhvendos nëpër kafene. Por në pikën e vlimit të tensioneve, guximi u rrit aq sa për të hapur edhe galeri. Më 1997, me iniciativë të disa artistëve, në krye me Alisa Canaj-Maliqin, hapën “Galerinë Dodona”. U shndërrua në objekt kult të rezistencës artistike tok me teatrin me të njëjtin emër. Canaj-Maliqi i rikthehet galerisë duke dokumentuar veprimtarinë dyvjeçare të këtij institucioni, i cili ka peshë jo vetëm në kujtesën kolektive, por edhe në vazhdimësinë e artit pamor në këto anë

Në vitet ’90, kur shumica shqiptare në Kosovë bënte jetë paralele nën masat e dhunshme të regjimit të Slobodan Milosheviqit, artistët ishin bërë pjesë e rezistencës. Kafe-galeritë si “Hani i 2 Robertëve” qenë hapësirat ku zhvillohej jeta kulturore. 

Por më 1997 me iniciativën e disa artistëve, me në krye arkitekten Alisa Canaj-Maliqi, do të themelohej galeria “Dodona”, e cila funksionoi deri në marsin e vitit 1999. Artistë të artit pamor, ndër më të njohurit e kohës, bashkë me krijues të rinj e studentë do të ekspozonin në atë që nuk ishte veç galeri. Me emrin e teatrit të qytetit, “Dodona”, Galeria njashtu sikurse Teatri do të ishin pika të asaj që qe rezistenca artistike kundër pushtetit të asaj që ende ishte Jugosllavi. 

Por qe edhe njëfarë mendimi ndryshe në raport me institucionet paralele shqiptare të kohës. 

Vepra “Galeria Dodona 1997-1999” e autores Alisa Canaj-Maliqi, e promovuar të martën mbrëma në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, përmbledh ekspozitat e mbajtura në ata tre vjet, tekste për ato ngjarje e rrëfimin e themeluesve. Kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, artisti e profesori universitar, Mehmet Behluli, dhe aktori, njëherësh profesor universitar, Faruk Begolli, ishin anëtarët e Këshillit Artistik të Galerisë. Prej vitit 1993, Begolli udhëhiqte edhe teatrin “Dodona”. 

Mbështetës financiar i hapjes së Galerisë do të bëhej Fondacioni për Shoqëri të Hapur. Sipas asaj që ka shkruar udhëheqësja e Galerisë, orientimi i “Dodonës” që nga fillimi ishte prezantimi i krijimtarisë së arteve pamore me kritere të përcaktuara, si qendër suportuese e artit cilësor dhe e tendencave të reja në artin e Kosovës. Galeria do të përurohej me ekspozitën personale të skulptorit të njohur, Agim Çavdarbasha, në shkurt të vitit 1997, përderisa aty do të ekspozonin artistë të njohur. 

Libri bazohet në botimin e vitit 2002, “Dekada e Dodonës”. Ekspozita të shumta do ta shndërronin hapësirën në qendër të shumë gjeneratave dhe aty do të diskutoheshin tema të ndryshme. 

Krijuesi i artit pamor, Mehmet Behluli, në përurim të librit ka thënë se vitet ‘90 kanë qenë shumë të vështira. 

“Ne disi i kemi sfiduar veten, kohën, ambientin, pushtetin e besa edhe pushtetin tonë paralel që provonte të na tregonte çka të bëjmë e si të bëjmë. Kemi provuar të sjellin një tjetër frymë”, ka thënë ai. Ka treguar se Galeria si ide e Alisa Canaj-Maliqit ishte bërë me shumë mund, por pjesa më e madhe e artistëve e kishte përkrahur këtë ide. 

“Për ne ka qenë shumë më shumë se Galeri. Duke u zhvilluar ideja, ajo Galeri u pranua nga artistët tonë të rëndësishëm. Ne, prej kafeve dolëm në një galeri. ‘Dodona’ ishte qendra ku filluam të mblidhemi e të debatojmë. Ka pasur promovime të librave e ekspozita. Vërtet e kemi pasur atë vend si xhami, si kishë”, ka thënë Behluli. 

Historiania e artit e kuratorja Vesa Sahatçiu ka thënë se ky botim e mbush sadopak një hendek të madh të mungesës së informatave të asaj që ka ndodhur në art në Kosovën e viteve ‘90. 

“Është një risi e domosdoshme. Ka shumë informata të vlefshme për ekspozita të ndryshme, ekspozitat kolektive e ekspozitat perspektive, që janë një ndër shenjat e para të fillimit të artit konceptual në Kosovë si një rrugëtim i ri në skenën e artit”, ka thënë ajo. 

Kritikja letrare e shkrimtarja, Lura Limani, ka thënë se Galeria ishte pjesë e pandashme e rezistencës kulturore në Kosovën e asaj kohe. Sipas saj, përmes intervistave dhe shkrimeve të publikuara në libër është dokumentuar njëfarë tensioni shoqëror. 

“Artistët e prezantuar në galerinë ‘Dodona’ kanë qenë frymë e re e trend i asaj që ka ndodhur në Evropë. Shkrimet e juaja e kontekstualizojnë shumë mirë atë periudhë”, ka thënë ajo. 

Vetë autorja e librit, Alisa Canaj-Maliqi, ka thënë se materiali është mbledhur gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit. Ka shpjeguar se ka pasur shumë probleme për të hapur një galeri në atë kohë. 

“Galeria ka qenë e vizituar nga shumë personalitete si Vanessa Redgrave dhe ka shkuar edhe jashtë kufijve të Kosovës”, ka thënë ajo. Ka kujtuar se ekspozita e Rudina Xhaferit kishte çuar shumë pluhur te disa profesorë që pyesnin se “çfarë janë këto bizhuteri?”. 

“Ajo ka qenë ekspozita më e vizituar. Pastaj ka qenë ideja për të ofruar studentët e rinj”, ka thënë Canaj-Maliqi, e cila asokohe ishte edhe skenografe e kostumografe në teatrin “Dodona”. Galeria bashkë me Teatrin në vitet ’90 kanë funksionuar në emër të një entiteti apo ndërmarrjeje private të kohës që ishte në emër të Faruk Begollit. “Film, teatër, dizajn” (FTD) quhej ndërmarrja e Begollit e regjistruar në Beograd. Teatri “Dodona” funksiononte falë kontratës që kjo ndërmarrje kishte me drejtorinë e dhunshme serbe të ndërtesës. Teatri “Dodona” ishte themeluar më 12 nëntor 1986, me vendim të Bashkësisë Punuese të Kuvendit të Komunës së Prishtinës. E një vit më vonë do të emërohej si teatri i të rinjve, fëmijëve dhe i kukullave “Dodona”. Por Teatri e më vonë edhe Galeria do të ishin një entitet privat. Teatri e edhe galeria, që ishte në shtëpi private, do të funksiononin deri në pranverën e vitit 1999, kur forcat serbe shkaku i bombardimeve të NATO-s do të dëbonin nga Kosova rreth një milion banorë. Në vitet ’90 iniciativat si kafe-galeritë bashkë me galerinë “Dodona” ishin institucionet ose hapësirat e vetme për të zhvilluar jetë kulturore shqiptarët në kryeqytet.