Kulturë

Futurizmi që lartësoi luftën, rrezikun, shpejtësinë dhe teknologjinë

Skulpturë e Renato Bertellit e vitit 1933, “Head of Mussolini (Continuous profile)” e vendosur në ekspozitën “The Age of Futurism” në Galerinë Kombëtare të Artit Modern dhe Bashkëkohor në Romë

Skulpturë e Renato Bertellit e vitit 1933, “Head of Mussolini (Continuous profile)” e vendosur në ekspozitën “The Age of Futurism” në Galerinë Kombëtare të Artit Modern dhe Bashkëkohor në Romë

Foto: Associated Press

Ekspozita e titulluar “The Age of Futurism - Il Tempo del Futurismo”, në Galerinë Kombëtare të Artit Modern dhe Bashkëkohor në Romë, e rishikon futurizmin. Një nga karakteristikat përcaktuese të kësaj lëvizjeje ishte theksimi në konceptin e “dinamizmit”, përfaqësimi i lëvizjes dhe shpejtësisë përmes artit.

Lëvizja artistike dhe shoqërore e njohur si futurizëm lulëzoi në fillim të shekullit XX në pikturë, skulpturë dhe letërsi, me artistët si Giacomo Balla, Umberto Boccioni dhe Filippo Tommaso Marinetti. 

Futurizmi lindi në vitin 1909, vit kur poeti dhe redaktori italian, Filippo Tomaso Marinetti, publikoi manifestin e tij të famshëm mbi futurizmin, i cili lartësonte teknologjinë dhe makinat, konfliktin dhe dhunën, si dhe kërkonte ndryshime të thella në shoqëri, përfshirë shkatërrimin e institucioneve të vjetra kulturore si, muzetë dhe bibliotekat.

Futurizmi përfshinte artin, letërsinë, teatrin dhe muzikën. Megjithëse ishte një nga lëvizjet më të gjera artistike të shekullit XX, më vonë u njollos nga lidhja e kësaj lëvizjeje me fashizmin.

Tani një ekspozitë e re e titulluar “The Age of Futurism - Il Tempo del Futurismo”, në Galerinë Kombëtare të Artit Modern dhe Bashkëkohor në Romë, po e rishikon këtë lëvizje.

Një nga karakteristikat përcaktuese të futurizmit ishte theksimi në konceptin e “dinamizmit”, përfaqësimi i lëvizjes dhe shpejtësisë përmes artit.

Vepër e Alberto Burrit e vitit 1958, “Grande Sacco” në ekspozitën “The Age of Futurism”, e cila qëndron e hapur për publikun deri më 28 shkurt 2025 (Foto: AP)

Futuristët adoptuan teknika novatore si mjegullimi, fragmentimi dhe mbivendosja, për të kapur thelbin e lëvizjes dhe modernitetit në veprat e tyre artistike, të cilat shpesh përshkruanin skena urbane, peizazhe industriale dhe figura në lëvizje.

Kuratori i ekspozitës, Gabriele Simongini, thotë se Marinetti i parashikoi shumë zhvillime teknologjike, të cilat sot ne i marrim si të mirëqena. 

“Pa dyshim, Filippo Tommaso Marinetti mund të konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të shekullit XX. Ajo që është edhe më befasuese është fakti se sa më shumë që kalon koha, aq më shumë Marinetti është më i kuptueshëm në parashikimet e tij. Ai parashikoi telefonin mobil, kompjuterin, madje edhe kondicionerët e ajrit dhe, mbi të gjitha, Marinetti kuptoi diçka themelore që sot është një pikë kyç në mënyrën tonë të jetesës: që është raporti midis qenies njerëzore dhe makinerisë. Kjo është arsyeja pse në ekspozitë ka një instalacion me inteligjencë artificiale. Marinetti kuptoi se e ardhmja do të kishte një problem themelor: ‘Çfarë do të bëhej njeriu në raport me makinën?’”

Ekspozita tregon faza dhe interesa të ndryshme që lëvizja futuriste trajtoi gjatë dekadave të aktivitetit të saj, përfshirë raportin midis artit dhe shkencës e teknologjisë.

Instalacion i Pino Pascalit i vitit 1967 me titull, “32 sqm of sea circa”, është ekspozuar poshtë veprës së Piero Dorazio të vitit 1988, “GIN RULL” (Foto: AP)

Simongini thotë se sfida e realizimit të ekspozitës ishte ta bënte futurizmin relevant për ditët e sotme.

“Kjo ekspozitë përfaqëson një kapitull të ri në interpretimin e futurizmit. Pas të gjitha ekspozitave të mëdha të së kaluarës, ishte e vështirë të gjendej një qasje më ndryshme. Kjo është ekspozita e parë që e lidh vërtet futurizmin me kohët tona”.

Futuristët ishin rebelë dhe provokues, që sfidonin traditat sociale dhe kulturore të kohës së tyre dhe përpiqeshin të tundnin themelet e institucionit borgjez. Revolucioni vizual i realizuar nga artistë si, Giacomo Balla dhe Umberto Boccioni, u fokusua në kremtimin e forcës, lëvizjes dhe dinamizmit.
Rreth 350 vepra përfshihen në ekspozitën e re të hapur më 3 dhjetor, përfshirë piktura, skulptura, projekte, vizatime, orendi, filma, motoçikleta, automobila, instrumente shkencore si dhe rreth njëqind libra dhe posterë.

“The Age of Futurism” qëndron e hapur në Galerinë Kombëtare të Artit Modern dhe Bashkëkohor në Romë deri më 28 shkurt të vitit të ardhshëm.