Kulturë

“Future Virtuoso” me yllin e violinës që tashmë shndrit në skenë

Sibora Resyli (12) ka një elegancë për mënyrën se si e zotëron skenën. Mjeshtërinë në lojë veprash e përzgjedhjet në repertor, tregojnë për sfidat që i vë vetes për të avancuar çdo herë e më shumë.

Sibora Resyli (12) ka një elegancë për mënyrën se si e zotëron skenën. Mjeshtërinë në lojë veprash e përzgjedhjet në repertor, tregojnë për sfidat që i vë vetes për të avancuar çdo herë e më shumë.

Krejt përkufizimet për gjeni në muzikë apo ata që quhen “prodigy” në një fushë, duket sikur përshkruajnë një violiniste si Sibora Resyli, 12-vjeçaren për të cilën nuk vlen përshkrimi se premton shumë, por është tashmë aty. Dëshmia finale e mjeshtërisë dhe përkushtimit në rrugën drejt pushtimit të skenës muzikore, ka qenë koncerti recital në Festivalin “KamerFest”, i titulluar “Future Virtuoso”. Koncerti i saj është vlerësuar si ngjarje që vendos standard të ri në skenën muzikore në vend

Imazhi i violinistes 12-vjeçare Sibora Resyli në skenë është madhështor. Koncerti i saj i parë recital në skenën e Festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest” është dëshmia e mjeshtërisë së saj që në moshë të re. Aty, në zbërthim të një programi goxha të avancuar dhe që tejkalon moshën e saj, është projektuar fotografia e një talenteje për të cilën nuk vlen më ajo se premton shumë, por është tashmë aty.

Në fund të këtij qershori, Sibora Resyli do të dilte e para midis 130 garuesish në garën ndërkombëtare të muzikantëve të rinj “ArsKosova”. Në garën tradicionale, Resyli pos këtij çmimi, mori edhe çmimin e parë në violinë e në solfezh. U shpërblye edhe me çmimin “Akil Koci”.

Dëshmia finale e përkushtimit të saj në instrumentin harkor dhe në rrugën drejt pushtimit të skenës muzikore, ka qenë koncerti recital të enjten mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Koncerti me titull “Future Virtuoso”, jo veç për të ardhmen e saj në skenë si virtuoze, por edhe në koncert e ka dëshmuar veten si të tillë.

Ka një elegancë për mënyrën se si e zotëron skenën. Mjeshtërinë në lojë veprash e përzgjedhjet e saj me repertor tregojnë për sfidat që ia vë vetes për të avancuar çdo herë e më shumë.

Në përcjellje në piano nga Melos Buza, Sibora Resyli në kuadër të edicionit të 23-të të Festivalit “KamerFest” e ka hapur koncertin me “Partita no.2 ‘Allemande’ për soloviolinë BWV 1004”. Ka qenë momenti i saj për të thurur rrëfime me tingujt e violinës së saj.

Kapitull më vete ka qenë pjesa tjetër e programit ku veprat janë sjellë si lloje duetesh me piano. Tingëllojnë bukur, por ngjan si një lloj sfide që ia jep vetvetes për të shfaqur një tjetër anë të këtij zanati që është esencial: koordinimi në lojë dyshe.

Në këtë rend vijnë edhe veprat “Meditation” e Jules Massenet, “Vera” nga “Katër stinët” e Vivaldit dhe koha e parë e “Concerto in e-mol, K.1” e Felix Mendelssohn.

Për Sibora Resylin, veprat sa më të vështira, aq më të bukura janë. Kësisoj, më e dashura për të në program ka qenë ajo e Mendelssohn.

“Jam e kënaqur me veten për këtë koncert. Jemi përgatitur për tre muaj dhe kam mbajtur mësime intensive. Pesë orë në ditë kam mbajtur mësime vetëm me mësuesen Shqipe dhe e falënderoj shumë për këtë përkushtim të saj”, ka thënë Sibora Resyli

“Ka qenë e vështirë në fillim pasi ka qenë programi i avancuar. Por pastaj fillova të punoj edhe më shumë dhe pastaj u mësova. Veprat e vështira më pëlqejnë më shumë. Sa më e vështirë, më e bukur, normalisht. Veprën që më së shumti e kam për zemër është ‘Koncerti në e-mol’ i Felix Mendelssohn pasi një vit më parë e kam dëgjuar shumë duke u luajtur nëpër ngjarje. Nuk e kam menduar që do ta luaj këtë vit. Prandaj jam shumë e gëzuar”, është shprehur ajo pas koncertit.

E ka vlerësuar si përvojë të bukur të cilën do ta mbajë mend për gjithë jetën.

“Jam e kënaqur me veten për këtë koncert. Jemi përgatitur për tre muaj dhe kam mbajtur mësime intensive. Pesë orë në ditë kam mbajtur mësime vetëm me mësuesen Shqipe dhe e falënderoj shumë për këtë përkushtim të saj”, ka thënë ajo.

Sibora Resyli, 12 vjeçe, mësimet e para në violinë i filloi në moshën 7-vjeçare në klasën e profesoreshës Shqipe Bajraktari në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Duke filluar nga viti 2021 e deri më tash, ka marrë pjesë në gara kombëtare e ndërkombëtare me rëndësi ku edhe është shpërblyer.

Në garën ndërkombëtare për muzikantë të rinj “Ohrid I love you” më 2021 ka fituar çmimin e parë sikurse edhe në “Opus Artis Paris Music Competition”, “21st Century Talent Concerto Competition në Kanada e në “Medici International Music Competition” po atë vit.

Midis të tjerave çmime, më 2022 ka zënë vendin e dytë në “London International Music Competition” e në vitin pasues ka fituar çmimin e parë në “Viva Violin” në Bullgari. Këtë vit ka dalë e para në “Viva Violin”, në festivalin “Polyhymnia” në Shkup, në “International Gloria Artis Music Competition” në Vjenë, në garën “Pjetër Gaci” në Shkodër, në “Gjiroclassica” në Gjirokastër dhe shumë suksese të tjera, vetëm sivjet.

Nga profesionistë të fushës programi është vlerësuar goxha i vështirë dhe për muzikantë me më shumë përvojë.

Koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës, violinisti Visar Kuçi, ka thënë se Sibora ka vendosur standard të ri në skenën muzikore në vend.

“Sibora sonte me këtë koncert e ka vendosur një standard të ri në Kosovë që nuk ka ekzistuar deri sot kështu që jam shumë i lumtur që gjeneratat e reja dhe mësuesit sikur Shqipe Bajraktari po bëjnë ndryshime në shkolla dhe po e ngrenë shkollën e violinës në Kosovë. Është me të vërtetë kënaqësi të ulesh në publik dhe të dëgjosh vepra kaq të mëdha dhe të luajtura me mjeshtëri nga një vajzë që mund të konsiderohet ende fëmijë”, ka thënë ai derisa ka thënë se ka qenë dëshmitar i një koncerti ku çdo gjë ka shkuar mirë.

“Koncerti ka shkuar mjaft mirë. Duke e njohur Siborën e di që ajo do gjithmonë më shumë prej vetes. Unë i uroj shumë sukses dhe besoj se ajo do të ketë një të ardhme shumë të ndritshme”, ka thënë Kuçi më tej, punëtori të të cilit ka ndjekur edhe violinistja e re.

Mentorja e Resylit, Shqipe Bajraktari, ka thënë se sukseset e saj vijnë si rezultat i punës dhe përkushtimit të madh drejt ëndrrës së saj.

“Sibora ka fituar çmime shumë të mëdha, vitin e kaluar ka fituar në Vjenë, në Shqipëri në tri ngjarje, të gjitha i ka fituar çmimet absolute. Edhe ky koncert është bërë si rezultat i çmimit ‘Grand Prix’ në ‘ArsKosova’. Profesoresha ime Sihana Badivuku ia ka organizuar këtë koncert recital. Sibora më është dukur sot fantastike. Është nxënëse imja, një fëmijë 12-vjeçar që me orë të tëra ushtron, deri në gjashtë orë në ditë. Ky është program që luhet në nivelin master. Sibora për vetëm dy muaj e gjysmë e ka punuar që ndoshta studentët e punojnë për rreth gjashtë muaj”, ka thënë Bajraktari.

Ka bërë të ditur se programin e ka zgjedhur duke i njohur shkathtësitë dhe kapacitetin e violinistes 12-vjeçare.

“Sibora është fëmijë i jashtëzakonshëm, punëtor, me shpirt të bardhë me edukatë të jashtëzakonshme. Natyrisht se është satisfaksion shumë i madh për mua. Është fëmijë që i motivon edhe nxënësit e mi të tjerë. Nuk janë të gjithë si ajo. Janë vetëm disa nxënës në rrugën e Siborës”, ka thënë ajo më tej.

Midis 130 garuesve, violinistja e re Sibora Resyli qe laureatja e sivjetme e çmimit absolut “Grand Prix” të garave ndërkombëtare të muzikantëve të rinj “Ars Kosova”. Në “Solfeggio” kishte marrë pikët maksimale, ndërsa kishte dalë e para edhe në një garë më të gjerë, midis kategorish të ndryshme.