“Future is Here” tashmë ka vulën në hapjen e rrugës për talente të reja në botën e filmit. Ka trajnuar 111 studentë e ka prodhuar 80 filma dhe organizatorët e bartësit e kësaj shkolle joformale, kanë të drejtë kur konstatojnë se “Future...” ka forcuar reputacionin e vet si “platforma kryesore në Kosovë për promovimin e regjisorëve të rinj dhe në zhvillim, si dhe për nxitjen e një komuniteti krijues dhe të gjallë”. Gjithçka nisi këtu e 13 vjet më parë. Të mërkurën, nëpërmjet komunikatës për medie, “DokuFesti” – i cili ka lansuar “Future...” si shtyllën kryesore të trajnimit në kuadër të programit të vet edukativ – ka përmbledhur pikat kryesore të vitit, por edhe të rrugëtimit të deritanishëm të kësaj platforme. Është një rrëfim suksesi.
“Edicioni i këtij viti mblodhi së bashku 10 regjisorë të rinj nga qytetet e ndryshme për një kamp intensiv shtatëditor përplot ligjërata, punëtori dhe përvoja praktike të realizimit të filmave. Të udhëhequr prej regjisorëve më të njohur të Kosovës dhe ekspertëve të industrisë, pjesëmarrësit u zhytën thellë në artin e filmbërjes, duke krijuar storie personale që rezonojnë si në nivel lokal ashtu edhe universal”, shkruhet ndër të tjera në komunikatën përmbledhëse. Aty janë shpalosur edhe disa prej përvojave të pjesëmarrësve. Njëra prej tyre, Erlisa Buzhala, nxënëse e shkollës së mesme nga Prishtina.
“Ishte një hapësirë ku kreativiteti, ndjeshmëria dhe pasioni u bashkuan. Të ndaja historinë time për të jetuar me aftësi të kufizuar ishte shumë personale, por mbështetja e palëkundur që mora e shndërroi atë në një kujtim kuptimplotë. Mentorët tanë nuk dëgjuan thjesht—ata besuan në idetë tona dhe na ndihmuan t’i sjellim në jetë”, citohet të ketë thënë ajo.
Sukseset vjetore të “Future...” janë të prekshme. Sivjet, kampi i parë, siç shkruhet në komunikatë, hodhi themelet për shtatë filma dokumentarë, të cilët do të përfundojnë në shkurt të këtij viti gjatë një sesioni të dytë. Këta filma do të kenë premierën e tyre në edicionin e 24-t të DokuFestit, në gusht, duke treguar përkushtimin dhe rritjen krijuese të studentëve.
Regjisori Leart Rama, para një dekade ka qenë alumn i programit “Future is Here”. Tash është i angazhuar edhe si mentor. Sipas tij, “Future...” nuk është thjesht një shkollë.
“Është një shtëpi e përhershme për rritje krijuese, inovacion dhe lidhje kuptimplota. Është një thesar për këdo që fillon udhëtimin e tij në rrëfimin e historive, kinematografi dhe eksplorimin e potencialit krijues. Si mentor, tani shoh evolucionin e jashtëzakonshëm në mënyrën se si brezat e rinj i qasen artit, jetës dhe fuqisë së rrëfimit vizual”, citohet të ketë thënë ai.
Programi është një shtyllë e angazhimit të “DokuFestit për edukimin, zhvillimin kulturor dhe transformimin shoqëror.
“Duke vazhduar të fuqizojë zërat e rinj, thekson rolin jetësor që ka rrëfimi i historive në ndërtimin e urave sociale, nxitjen e dialogut dhe frymëzimin e shprehjes krijuese ndër breza. Me çdo film, ‘Future is Here’ rikonfirmon misionin e tij: t’u japë të rinjve të Kosovës mjetet, besimin dhe platformën për të rrëfyer tregimet e tyre, duke bërë kështu, të formësojë narrativën në evoluim të shtetit tonë të ri dhe dinamik”, shkruhet në komunikatën e “DokuFestit”.
Drejtuesi i programit “DokuLab” në “DokuFest”, Eroll Bilibani, në prag të edicionit të vitit 2023 kishte thënë se kur kanë filluar programin “Future is Here”, ishte mbjellja e një fare të vogël me ëndrra për të ushqyer pasionet e talenteve të reja të filmit në Kosovë.
“Sot ajo farë është rritur në një pemë të lulëzuar, e rrënjosur në 12 vjet angazhim të përzemërt ndaj kinemasë. Ky program nuk ka të bëjë vetëm me realizimin e filmave. Ka të bëjë me dhënien e një hapësire për shprehje të lirë rinisë sonë, duke i lejuar ata të shprehin botëkuptimet e tyre, sfidat e tyre, shpresat dhe ëndrrat e tyre përmes magjisë së filmit”, kishte thënë ai, duke shtuar se çdo tregim që kanë ndihmuar të vihet në jetë, nga udhëtimet personale dhe vëzhgimet shoqërore e eksplorimet e nënkulturave të ndryshme, ka qenë një dëshmi e shpirtit të rinisë vendore.
“Filmat e tyre kanë arritur në cepa të botës, duke hedhur dritë mbi përvojat dhe perspektivat e tyre unike”, kishte thënë ai. Por, sipas tij, nuk bëhej fjalë vetëm për të bërë filma, pasi programi shërben gjithashtu si një platformë për këta talentë të rinj për të diskutuar, debatuar dhe zhytur thellë në çështje të rëndësishme që prekin zemrat e tyre, qofshin ato identiteti, të drejtat e njeriut, barazia gjinore, ndryshimet klimatike ose moria e kulturave që formojnë botën.
E, siç e cilëson “DokuFesti” të mërkurën, suksesi i qëndrueshëm i “Future is Here” thekson fuqinë transformuese të filmave dokumentarë.
“Përderisa peizazhi kulturor i Kosovës evoluon, programe të tilla sigurojnë jo vetëm një të ardhme të qëndrueshme, por edhe të mbushur me krijimtari dhe autenticitet. Për regjisorët e rinj, udhëtimi fillon këtu—dhe për audiencën, rrëfimet që ata tregojnë, do të rezonojnë për vite me radhë”, shkruhet në komunikatë.