Kulturë

“Fuqia e dëshirës” negocion të drejtat dhe identitetin

Shumë prej fotografive janë thjesht dokumentare. Sjellin

Shumë prej fotografive janë thjesht dokumentare. Sjellin kulturën “queer” duke shpalosur aktet e rezistencës. Protesta e revolta janë në kulm, ndërsa performancat artistike e intime vijnë si manifeste dëshire, siç edhe vjen nga titulli. Fuqia e dëshirës bëhet kauzë për ndërgjegjësim dhe mbrojtje lirie

Mënyra se si shfaqen protagonistët në ekspozitën “Fuqia e dëshirës” të Jetmir Idrizit, duket si përmbysje totale e krejt shtypjes, paragjykimeve e sulmeve. Por realiteti jashtë fotografive është i zymtë. Nëpërmjet imazheve bardhezi ai sjell një copë nga Brazili, por rrëfimi që fshehin prapa imazhet është një kapitull universal për të drejtat e komunitetit LGBT+.

Dhjetëra vepra bardhezi sjellin jo vetëm Brazilin e largët, por një kauzë globale. Një komunitet të vetëm që qëndron stoik përballë pushtetit, shoqërisë, botës. Aktivitetet që shfaqin fotografitë e artistit Jetmir Idrizi në ekspozitën “Fuqia e dëshirës”, janë vetë rezistenca e personave LGBT+.

Në Galerinë Kombëtare, kuruar nga francezja Camille Cousin, imazhet shfaqin se si festa e protesta bashkohen në një mision.

Janë skena të shkrepura dhjetë e më shumë vjet më parë në São Paulo e në Rio de Janeiro nga Jetmir Idrizi. Nga rrugët me karnavale, festa, parada dhe jo vetëm, te klubet e natës ku shpërthen liria, artisti i kap momentet në format bardhezi duke e lënë në qendër subjektin. Pikërisht një qasje si kjo ka rëndësi në secilën fotografi që ndodhet në kornizë a jashtë saj. Objektet janë të turbullta, veçmas në fotografitë artistike.

Vetë praktika e Idrizit është e bazuar në fotografitë bardhezi dhe e tillë ngjan edhe në ekspozitën e parë të tij në Prishtinë.

“Mendoj se përmes fotografisë bardhezi e kam shumë më lehtë të kap shpirtin e një njeriu apo subjektit që e fotografoj. Ngjyrat, sipas meje, kanë shumë prezencë dhe për atë arsye fokusohem të fotografoj bardhezi”, ka thënë Idrizi.

Dhjetë vjet më parë nisi të shkrepte e të koleksiononte imazhe të këtij soji. Dhjetë vjet pas, ai shprehet se janë bërë shumë ndryshime në këtë drejtim, përfshirë edhe Kosovën.

“Kur e kam filluar këtë në vitin 2015, në Rio de Janiero, kam shkuar për diçka krejt tjetër, por kam përfunduar duke e dashur atë vend, të cilin me shumë mburrje e quaj shtëpia ime e dytë. Në ato vite shumë pak është folur për identitetin gjinor dhe seksualitetin në Kosovë. Mendoj se këta dhjetë vjetët e fundit, Kosova ka bërë shumë ndryshime rreth kësaj kauze. Kemi paradën, bare, është bërë shumë, por mendoj se ende ka shumë hapësirë për dialog rreth kësaj kauze dhe të drejtave të komunitetit LGBTIQ+”, ka konsideruar ai.

Fotografitë intime vijnë si dëshmi se dëshira dhe identiteti nuk negociohen

Mënyra se si shfaqen protagonistët në këto fotografi duket si përmbysje totale e krejt shtypjes, paragjykimeve e sulmeve. Por realiteti jashtë fotografive është i zymtë.

“Nëse i shohim këto fotografi duket se në Brazil të drejtat e tyre janë shumë më të mëdha dhe na duket se kanë shumë më shumë liri se te ne, por fatkeqësisht Brazili vazhdon të jetë një prej vendeve që më së shumti i vret personat transgjinorë. Kështu për mua ka qenë shumë me rëndësi ta bëj këtë projekt dhe të dokumentoj këtë kauzë në Brazil”, ka thënë Idrizi.

Edhe pse transfobia në ligjin e Brazilit është krim që nga viti 2019, në këtë vend ende është numri më i madh në botë i vrasjes së personave trans dhe ‘queer’. Për 13 vjet radhazi, sipas raportit të “Transgender Europe”, Brazili ka kryesuar listën. Ky fakt e bën më kuptimplotë ekspozitën që shfaq të rinj e të reja sypatrembur që qëndrojnë stoik për të drejtat e tyre. Që ngrenë zërin e rebelohen për të drejta, ndonëse mund t’u kushtojë me jetë.

Me dhjetë prej fotografive që shfaqen në Galerinë Kombëtare të Kosovës, fotografi Idrizi mori pjesë në “Sony World Photography Awards”, në vitin 2016, në organizatën prestigjioze botërore të fotografisë. Pati marrë edhe çmim.

Qe projekti “TransBrasil”, me të cilin trajtohej çështja e identitetit gjinor duke iu qasur shprehjeve të ndryshme sociale dhe kulturore. Idrizi është shprehur se çmimi pati “bërë që kjo punë të shihet më shumë ndërkombëtarisht dhe të ngrejë ndërgjegjësimin e njerëzve për këtë komunitet”.

Fotografitë, siç bëhet e ditur, janë të realizuara gjatë dy periudhave të ndryshme politike në Brazil. Fotografi Idrizi është shprehur se pushteti ka rol kyç në aspektin e të drejtave të njeriut.

“Tash kemi shembull se sa shumë po shtypen të drejtat e personave transgjinorë në botë, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Projektin e kam filluar pak më herët para se të bjerë partia e presidentes Dilma Rousseff, e cila ka qenë goxha pro të drejtave të njeriut. Ka hyrë Bolsonaro dhe gjatë atyre viteve të tij, të drejtat e personave të komunitetit janë shkelur jashtëzakonisht shumë”, ka thënë ai, por ka thënë se ka shpresë përderisa po në Brazil zgjidhen dy transgjinorë për të qenë pjesë e Parlamentit të shtetit.

“Unë jam kthyer për të jetuar në Brazil në vitin 2013 deri vitin e kaluar, ku si qeveri ka qenë në krye Lula (da Silva), president i jashtëzakonshëm që lufton për të drejtat e njeriut, madje diçka që kurrë nuk mund të imagjinohej në vitet 2015-2017, tash në qeverinë e re të Brazilit janë edhe dy femra transgjinore që janë pjesë e Parlamentit të Brazilit, gjë që nuk ndodh në botë”, ka vazhduar ai më tej.

Shumë prej fotografive janë thjesht dokumentare. Sjellin kulturën ‘queer’ duke shpalosur aktet e rezistencës. Protesta e revolta është në kulm, ndërsa performancat artistike e intime vijnë si manifeste dëshire, siç edhe vjen nga titulli. Fuqia e dëshirës bëhet kauzë për ndërgjegjësim dhe mbrojtje lirie.

Kuratorja e ekspozitës “Fuqia e dëshirës”, Camille Cousin, ka thënë se veprat janë koleksionuar duke u ndarë në dhoma të ndryshme të katit të sipërm të Galerisë.

“Vendosëm të punojmë me këto vepra që janë punuar në Brazil midis dy periudhave të ndryshme. Ideja ishte të krijonim dhoma të ndryshme. Kur hyni, në fillim janë jeta e natës, klubet, vallëzime. Në dhomën ku jemi është jeta e rrugës, siç janë demonstratat, sikurse edhe jeta e rrugës gjatë natës. Gjithashtu është një dhomë me ‘drag-divat’, gjithashtu edhe një vepër që Jetmiri e ka punuar gjatë viteve të fundit, një skenë në dhomë balloje në São Paolo, kështu që ka shumë vepra”, ka shpjeguar ajo.

Fotografitë intime vijnë si dëshmi se dëshira dhe identiteti nuk negociohen. Vijnë pa censurë. Kjo, sipas kuratores Cousin, për të vënë komunitetin sa më në pah.

“Në fund mund të shihni edhe skena intime si gjatë festave ashtu edhe gjatë demonstratave. Ata janë afër njeri-tjetrit dhe e kanë lejuar fotografin të shkrepë këto imazhe. Ideja ka qenë të shfaqet gjithçka, përfshirë edhe lakuriqësi. Nuk donim të censuronim asgjë për ta bërë sa më të dukshëm komunitetin”, është shprehur ajo.

Ekspozita “Fuqia e dëshirës” në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të qëndrojë e hapur deri më 11 maj. Ajo qëndron si hapësirë e rezistencës për të qëndruar të pandryshueshëm dhe për të dashur pa u ndikuar.