Rasti i shumëkatëshes afër Kishës së Shën Katerinës në Pejë hedh dritë te një varg ngecjesh e mosrespektim të procedurave nga institucionet e trashëgimisë kulturore lokale e qendrore. I pari institucion që ka thyer heshtjen për këtë çështje është Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Pejë. Përmend “fundjavën” si arsye e vonesës së përcjelljes së lëndës, por pikërisht “vonesa” e institucionit tjetër dhe një ankesë, i hapën rrugë nisjes së punimeve për objektin i cili tashmë është ngritur në tre kate. Institucionet e tjera ende heshtin
Fundjava është arsyetimi që jep Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Pejë që brenda pesë ditësh të mos ketë arritur ta përcjellë kërkesën e investitorit për miratim të projektit për shumëkatëshe afër Kishës së Shën Katerinës që mbrohet si monument. Kishte arritur në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pas shtatë ditësh. Më pas IKMM-ja ka vonuar përgjigjen ndaj palës. Ka pasuar ankesa dhe kësisoj shteti i ka hapur rrugë ndërtimit të shumëkatëshes afër monumentit, megjithëse IKMM-ja projektin e ka kualifikuar si plan që është në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore.
Objekti po ndërtohet dhe përgjigjja e QRTK-së është e vetmja prej institucioneve që heshtin.
Megjithëse monumenti Kisha e Shën Katerinës bashkë me të gjitha ndërtesat përcjellëse është nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore, ndërtesa, që zë vend në anën perëndimore dhe jugperëndimore të saj, ka arritur të ndërtohet deri në katin e tretë. Për të katërtin shtyllat tashmë janë vënë. Kompleksi, që sipas projektit do të ketë gjithsej gjashtë kate, gjendet në zonën mbrojtëse të monumentit. Është ngjitur me parcelën e monumentit. Institucionet me vonesa në përgjigje ndaj investitorit kanë legjitimuar nisjen e ndërtimit.
Vonesat kanë nisur në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Pejë.
“Intern Investment Group SH.P.K.”, me pronar Rahmon Shalën, ishte pajisur me leje për ndërtim nga Drejtoria e Urbanizmit në Pejë, që udhëhiqet nga Arta Nallbani. Leja ishte lëshuar pa qenë pala e pajisur me pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore edhe pse parcela ku zhvillohet ndërtimi është në zonën e mbrojtur të monumentit. Rrënimi i ndërtesave paraprake ishte bërë po ashtu pa pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Pasi Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore kishte evidentuar zhvillimet në atë pjesë, kishte kërkuar pezullim të lejes nga Komuna e Pejës dhe kishte udhëzuar ndërtuesin që të pajiset me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Procedura kërkon që pala t’i drejtohet IKMM-së me kërkesë për pajisje me leje nëpërmjet Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Në këtë rast, asaj të Pejës. Në bazë të shkresave të kësaj lënde, QRTK-ja kishte protokolluar kërkesën më 28 maj të vitit 2024. Sipas Procedurës Standarde Operative, kërkesat brenda 24 orësh i përcillen IKMM-së nëpërmjet postës elektronike, kurse brenda pesë ditësh në kopje fizike. Në këtë rast nuk ishte vepruar kësisoj. Sipas protokollit, QRKT-ja e ka përcjellë lëndën në IKMM më 3 qershor të vitit 2024, shtatë ditë pasi e ka pranuar atë.
Në këtë shkresë të përcjellë nga drejtoresha e QRTK-së, Shpresa Gjonbalaj, nuk është cekur data e pranimit të lëndës.
Në përgjigjet e QRTK-së së Pejës që i janë përcjellë KOHËS të enjten, në ditën kur është botuar teksti i parë për këtë rast, shkruhet se duke marrë për bazë Procedurën Standarde Operative, qendrat përkatëse rajonale kanë për detyrë që brenda afatit prej 5 ditësh, pas pranimit të aplikimit, të shqyrtojnë dhe verifikojnë nëse i njëjti (projekti v.j.) përmban dokumentacionin e kërkuar, gjegjësisht nëse i plotëson ose jo kushtet për shqyrtim përmbajtjesor në Komisionin Profesional Shqyrtues. Përgjigja është me gjuhë krejtësisht teknike.
Sipas QRTK-së, Procedura Standarde Operative përcakton se afati për përfundimin e shqyrtimit dhe vendosjes mbi një kërkesë a projekt për ndërhyrje restauruese konservuese në një aset të mbrojtur, është afati i përcaktuar sipas Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, gjersa afati për përfundimin e shqyrtimit të vendosjes mbi një kërkesë a projekt për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtarive të tjera brenda zonës mbrojtëse të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon në mjedisin e një ansambli ose te një vendi të trashëgimisë arkeologjike, nuk mund të kalojë afatin prej 15 ditëve të punës në të dy nivelet e shqyrtimit, përkatësisht atë administrativ dhe përmbajtjesor.
“Rrjedhimisht kërkesa e palës në QRTK Pejë ka ardhur më 28.5.2024. Ndërsa QRTK-Pejë të njëjtën e ka përcjellë në IKMM më dt. 3.6.2024. Përkitazi me këtë, kërkesa e palës është adresuar brenda afatit ligjor, meqenëse PSO afatin për aplikim e ka të përcaktuar me ditë, andaj referuar dispozitave të Ligjit nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, neni 81 (paragrafi 2) sqaron se: Kur afati përcaktohet në ditë, në llogaritjen e tij përjashtohet dita kur ka ndodhur ngjarja nga e cila fillon të ecë afati, sqarojmë se rrjedhimisht afati ka filluar të ecë nga data 29.5.2024, po ashtu sipas paragrafit 4.të nenit 81, të shtunat, të dielat dhe ditët e festave zyrtare nuk do të pengojnë fillimin dhe ecjen e afateve. Kur dita e fundit e një afati bie të shtunën, të dielën apo një ditë feste zyrtare, afati mbaron në ditën e punës që vjen menjëherë pas saj, ndërlidhur me këtë QRTK-Pejë, ka përcjellë lëndën më datë 3.6.2024 (ditë e hënë)”, shkruhet në përgjigje.
Sa i përket mospërmendjes në kërkesë të ditës së pranimit të kërkesës, QRTK-ja ka sqaruar se Procedura Standarde Operative e as shtojcat e saj nuk e përcaktojnë që brenda tekstit të shkresës të caktohet dita e pranimit, “meqë shkresa ka datën, vulën e protokollimit”.
“Përndryshe KPSH kërkesat e pakompletuara i kthen në plotësim, gjë që nuk ka ndodhur për rastin në fjalë”, shkruhet në përgjigje. Por QRTK-ja nuk është përgjigjur në pyetjen se përse për këtë lëndë nuk e ka njoftuar me shkresë elektronike IKMM-në brenda afatit 24 orësh, siç kërkon Procedura Standarde Operative.
“Me pranimin e kërkesës QRTK përkatëse pa vonesë e më së largu brenda 24 orëve lajmëron sekretarin e Komisionit Profesional për kërkesën, si dhe kërkesën së bashku me dosjen e kërkesës e vendos në bazë elektronike të kërkesës, ndërsa kopjen fizike të kërkesës e dorëzon në IKMM në mundësinë e parë”, shkruhet në Procedurën Standarde Operative. Këtë veprim në këtë rast QRK-ja nuk e ka bërë.
Komisioni për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e projekteve dhe kërkesave restauruese e konservuese të trashëgimisë kulturore në IKMM nuk e ka miratuar projektin.
“Refuzohet kërkesa për ndërtimin e objektit banesor B+P+5K në parcelën kadastrale nr. 06337-0, rr. ‘Nëna Terezë’, me investitor ‘Intern Investment Group Sh.P.K.’, pasi që parcela ku planifikohet ndërtimi gjendet brenda zonës mbrojtëse të monumentit...”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të protokolluar më 3 korrik. Sipas vendimit, refuzimi është bërë pasi “krijohet vëllim i madh duke penguar në masë të madhe vizurat në raport me asetin e trashëgimisë kulturore, Kisha e Shën Katerinës në Pejë, duke qenë në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”.
Projekti që është në zhvillim e sipër parasheh ndërtim me dy blloqe dhe merr formën e shkronjës T. Blloku “A” shtrihet në dimensione 22.6 metra me 17.7 metra. Kurse blloku “B” mban dimensione 20.9 metra me 50 metra. Sipas projektit, nga ana perëndimore do t’i zihet pamja në tërësi asetit të trashëgimisë kulturore, që është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
Ndërmarrësi në këtë rast ka shfrytëzuar të drejtën që të ankohet për këtë vendim. Ankesat drejtohen në atë që njihet si shkalla e dytë në Ministrinë e Kulturës. Në këtë rast komisioni ka nxjerrë vendim, nëpërmjet të cilit e ka aprovuar si të bazuar ankesën e investitorit. Po nëpërmjet këtij vendimi, ky komision ka shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Investitori në ankesë kishte tri pretendime. Prej tyre, dy i janë hedhur poshtë, kurse atij për mosmarrje të përgjigjes brenda afatit i është dhënë të drejtë. Në arsyetim të këtij vendimi shkruhet se sipas Ligjit për trashëgimi kulturore afati për vendosje për leje, për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural nga ana e institucionit kompetent është 15 ditë nga data e pranimit të kërkesës.
“Komisioni pas analizimit të dokumentacionit të dorëzuar nga IKMM dhe provave që posedon, konstaton se edhe vendimi për shtyrjen e afatit, por edhe vendimi final është nxjerrë me vonesë”, shkruhet në arsyetimin e vendimit të shkallës së dytë. Pasi nëpërmjet dispozitivit të vendimit në njëfarë forme i hap rrugë ndërtimit, ky komision tregon se IKMM-ja ka veto mbi dhënien e lejes së ndërtimit për ndërtesa ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti.
Ndërtesa me dy blloqe, që bashkë kanë gjatësi mbi 70 metra, e mbulon pamjen e kompleksit kishtar fund e krye nga ana perëndimore. Distanca midis Shtëpisë së Motrave brenda kompleksit kishtar dhe objektit në ndërtim është rreth 10 metra. Ligji për trashëgimi kulturore përcakton krejt të tjera rregulla.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, shkruhet në nenin 4 të këtij ligji. Në ligj përcaktohen edhe zonat e mbrojtura.
“Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për planifikim hapësinor”, shkruhet në nenin 6.
Pas këtyre zhvillimeve kanë nisur punimet.
QRTK-ja e Pejës në përgjigje ka sqaruar se ka dërguar raport “lidhur me ndërhyrjet e paautorizuara adresuar Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore”.
“Në referencë të rekomandimit të ITK-së është dërguar kërkesa e QRTK-Pejë, adresuar Inspektoratit të MMPHI, për inspektim lidhur me punimet në afërsi të Kishës së Shën Katarinës në Pejë, si dhe nga QRTK Pejë është parashtruar kërkesa që të angazhohet Departamenti Ligjor në MKRS për të përgatitur dhe parashtruar ankesë kundër lejes ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit të Komunës së Pejës, bazuar në dokumentacionin e ofruar nga QRTK-Pejë”, shkruhet në përgjigje.
Të enjten ekipi i KOHËS ka kërkuar përgjigje nga ministri i Kulturës pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve për teatër. Ministri Hajrulla Çeku ka refuzuar të përgjigjet me arsyetimin se nuk e njeh lëndën dhe se do të përgjigjet MKRS-ja. Por, MKRS-ja vetëm ia ka përcjellë KOHËS përgjigjet e QRTK-së. Përgjigje për këtë rast s’kanë kthyer as drejtoresha e Urbanizmit në Pejë, Arta Nallbani, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. KOHA ka marrë vesh se institucionet e kanë vënë në dijeni investitorin për pyetjet që kanë pranuar. Vetë investitori Rahmon Shala të mërkurën pas disa sqarimeve të dhëna është tërhequr nga deklarata.
Lexo edhe: