Shkrimtari i librave për fëmijë dhe skenaristi i njohur britanik, Frank Cottrell-Boyce, është shpallur laureati i ri për fëmijë, një lloj titulli si shkrimtar zyrtar në promovimin e librit për fëmijë. Prej këtij viti e deri më 2026 ai do ta marrë këtë rol që përfshin mbrojtjen e leximit dhe librave për fëmijë.
Medalja e laureatit iu prezantua nga paraardhësi i tij në këtë detyrë Joseph Coelho në një ceremoni në Leeds.
Cottrell-Boyce është zotuar se gjatë mandatit të tij dyvjeçar do ta trajtojë “privilegjin dhe pabarazinë e padukshme” në lidhje me librat dhe leximin.
Ai deklaroi se mandati i tij “do të ketë lumturinë në zemër”, por gjithashtu do të fokusohet në urgjencën për ndihmë dhe numrin në rritje të fëmijëve në varfëri që mbesin gjithnjë e më shumë prapa. Fushatën e tij e ka emëruar – “Të drejtat e leximit: Librat ndërtojnë një të ardhme më të ndritshme”.
“Do të ketë në fokus thirrjen për furnizim kombëtar në mënyrë që çdo fëmijë – që nga vitet e hershme – të ketë qasje në libra, lexim dhe mënyra transformuese në të cilat ata përmirësojnë shanset e jetës afatgjatë”.
Disa prej librave më të shquar të shkrimtarit janë, “Millions” – për të cilin e mori “Carnegie” – “Cosmic”, “Framed”, “The Astounding Broccoli Boy”, “Sputnik’s Guide to Life on Earth”, “Runaway Robot”, “Noah’s Gold” dhe “The Wonder Brothers”. Si skenarist, ka punuar në serialin e popullarizuar “Doctor Who”, në filmat “Butterfly Kiss”, “Welcome to Sarajevo”, “The Claim”, “Code 46”, “Goodbye Christopher Robin” dhe të tjerë. Kurse skenari i tij për filmin e Michael Morpurgos, “Kensuke’s Kingdom”, e mori çmimin “British Animation”.
“Emërimi i Cottrell-Boyce na jep një përkrahës të fuqishëm për fëmijët e pafavorizuar dhe të cenueshëm. Ai e kupton rëndësinë e efektit transformues që leximi mund të ketë në jetën e tyre”, ka thënë Diana Gerald, kryeshefe ekzekutive e organizatës bamirëse “BookTrust”, e cila menaxhon rolin e laureatit.
Si shkrimtar zyrtar, Cottrell-Boyce planifikon të mbajë një samit kombëtar me ekspertë në të gjithë sektorët e politikës, arsimit, shkrim-leximit dhe të tjerë.
“Fëmijët tanë po përjetojnë pasojat e një sërë krizash si pandemia, disa luftëra dhe një krizë mjedisore që po shpaloset. Askush prej nesh nuk e ka idenë më të vogël se çfarë i pret e ardhmja – por e vetmja gjë që dimë është se ata do të duhet të dinë si të jenë të lumtur”, deklaroi Cottrell-Boyce.
Kate Edwards, kryetare e jurisë për laureat të fëmijëve për periudhën 2024-2026, ka thënë se Cottrell-Boyce “ka qenë prej kohësh një zë pasionant në fushatën që librave për fëmijë t’u jepet vlera dhe njohja që meritojnë”.
Joseph Coelho, poet dhe autor për fëmijë, i cili u shpall si laureati i 12 në korrik të vitit 2022, drejtoi disa projekte gjatë mandatit të tij, duke përfshirë “Poetry Prompts” me të cilin krijoi një seri videosh edukative rreth teknikave të poezisë.
Ky vit shënon 25-vjetorin e përzgjedhjes së laureatit të fëmijëve. Quentin Blake ishte i pari që mori rolin në vitin 1999. Laureatë të tjerë të kaluar përfshijnë: Michael Morpurgo, Jacqueline Wilson, Michael Rosen, Julia Donaldson, Malorie Blackman, Lauren Child dhe Cressida Cowell.
Marrë nga “The Guardian”