Forumi i Filmit të Shkurtër për tri ditë jo veç se do t’i pasurojë edicionet e “DokuFest”, por synon zhvillimin e industrisë së filmit, me theks në filmat e shkurtër. Është i vetmi i tillë në Ballkan dhe u dedikohet filmbërësve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Organizatorët kanë bërë të ditur se aplikimet për pjesëmarrje në Forum hapen më 1 mars deri në fund të muajit maj dhe se vetëm kineastët e vendeve të lartpërmendura mund të marrin pjesë. Me të synohet mbështetja dhe fuqizimi i tyre.
Festivalit ndërkombëtar të filmave të shkurtër dhe atyre dokumentarë “DokuFest” i bashkohet edhe një segment në programin e tij. Por ka shumë më shumë peshë se kaq. Forumi i Filmit të Shkurtër për tri ditë jo veç se do t’i pasurojë edicionet e tij, por synon zhvillimin e industrisë së filmit, me theks në filmat e shkurtër. Është i vetmi i tillë në Ballkan dhe u dedikohet filmbërësve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Organizatorët kanë bërë të ditur se aplikimet për pjesëmarrje në Forum hapen më 1 mars deri në fund të muajit maj dhe se vetëm kineastët e vendeve të lartpërmendura mund të marrin pjesë.
Me të synohet mbështetja dhe fuqizimi i tyre. Eroll Bilibani, udhëheqës i “DokuLab” në “DokuFest” ka zbuluar agjendën e tri ditëve të edicionit të parë të Forumit.
“Forumi do të zgjasë tri ditë. Një ditë është e dedikuar për punëtori, për zhvillimin e projekteve dhe për mundësinë e bashkëprodhimeve, një ditë do të mbahet një trajnim, që është ‘pitching training’ ku do të mësojmë se si t’i prezantojmë projektet, është në formën e punëtorisë. Ditën e tretë do të prezantohen para një komisioni vlerësues profesionist, e që përbëhet nga partnerët e Forumit", ka thënë Bilibani për KOHË-n.
Forumi është hapësirë për prezantimin e projekteve filmike para një audience më specifike. Bilibani ka thënë se publiku do të jetë i përbërë prej producentësh, programuesish festivalesh, partnerët medialë dhe jo vetëm.
“Është platformë e dedikuar për filmbërës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, pra në shtetet që Kosova ka marrëveshje bilaterale për bashkëprodhim, duke iu ofruar atyre mundësi për të propozuar projektet e tyre filmike dhe mundësinë për të bashkëprodhuar. Pra kultura e bashkëprodhimit të filmave të gjatë të jetë edhe për bashkëprodhim të filmave të shkurtër. Filmat e shkurtër në rajon kryesisht financohen vetëm nga një burim, që janë fondet e filmit”, ka thënë Bilibani.
Ka treguar se nëpërmjet Forumit synojnë të ofrojnë mundësi që kineastët të mund t’i prezantojnë projektet e tyre, të marrin këshilla nga profesionistë të filmit, të krijojnë lidhje të reja dhe për të gjetur edhe burime të tjera për financimin e filmave të tyre.
Për tri ditë, Forumi që mbahet në Prizren synon të jetë adresë kryesore e filmit të shkurtër në rajon.
“Përfituesit do të jetë komuniteti i filmit, kineastët. Ne dëshirojmë të jemi adresa kryesore e filmit të shkurtër në rajon. Përveç filmit dokumentar mendoj se kemi ekspertizë të mjaftueshme dhe kemi bagazh të mirë që mund ta zhvillojmë më tej filmin e shkurtër e veçanërisht talentët nga Kosova, të cilëve besoj se këto lehtësime do t’u ndihmojnë shumë në zhvillimin e tyre personal dhe profesional”, është shprehur Eroll Bilibani i “DokuFestit”.
Partnerët e Forumit të Filmit të Shkurtër janë Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut, televizioni “Yle”, “Italian Short Film Center”, “ShorTo Film Market”, “Documentary Association of Europe”, “Square Eyes”, si dhe Instituti skocez i dokumentarëve.
Mbështetet përmes Programit “Forca Kreative” financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim e Ambasadës Suedeze në Kosovë dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Bilibani ka thënë se Forumi ka ardhur si rrjedhojë e mbështetjes, gati pesëvjeçare Ambasadës dhe i asaj trevjeçare të Ministrisë.
“Ne gjithmonë kemi pasur dëshirë ta nisim por nuk kemi pasur fonde të qëndrueshme sepse forumet nuk bëhen vetëm për një vjet kur ke fonde. Tash pas kësaj mbështetje dhe granti trevjeçar i Ministrisë na ka dhënë mundësinë të fillojmë të zhvillojmë idenë që e kemi pasur. E kemi buçetuar për tri vitet e ardhshme dhe për dy vjetët e ardhshëm është plani”, është shprehur ai.
Filmat e shkurtër i vlerëson si trampolinë për kineastët.
“Për filma të shkurtër është një mundësi për herë të parë pasi filmat e shkurtër janë një trampolinë e mirë për kineastët, qoftë për të kaluar në film të gjatë, qoftë për ta zgjeruar rrjetin e tyre profesionist, për të qenë më të njohur në rrjetin ndërkombëtar, por mbi të gjitha është aspekti i bashkëprodhimit, pra nxitja e produksioneve për të bashkëprodhuar. Por edhe për të gjetur fonde të tjera”, ka thënë Eroll Bilibani.
Ka thënë se prezentë do të jenë Televizioni Kombëtar i Finlandës dhe rrjeti televiziv “Arte”. Një pjesë e veçantë e Forumit i kushtohet edhe distribuimit të filmit.
“Përveç kësaj do të ofrojë edhe takime me ekspertë të industrisë të cilët do të ndajnë njohuritë e tyre mbi financimin si dhe mënyrat e bashkëpunimit me shtetet tjera pasi që Kosova ka nënshkruar marrëveshje bashkëprodhimi. Si dhe është një element ku Kosova është e mangët për nga ekspertiza e distribuimit të filmave të shkurtër. E kemi një distributor, agjent të filmave të shkurtër i cili do ta japë një çmim në formë të distribuimit”, ka bërë të ditur Eroll Bilibani.
Forumi u promovua në festivalin prestigjioz të filmave të shkurtër “Clermont-Ferrand” në Francë, që u mbajt prej 31 janarit deri më 8 shkurt. E promovimi i ngjarjes do të vazhdojë edhe në Berlinale e në Festivalin e Cannes, siç ka bërë të ditur Bilibani.
“Së fundi është promovuar në ‘Clermont Ferrand’ në Francë, pasi Kosova ka marrëveshje bilaterale për bashkëprodhim me Francës. Përmes QKK-së do të promovohet në Berlinale përmes QKK-së dhe Qendrës së Filmit të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Promovimi do të ndodhë edhe në Cannes pasi që edhe këtë vit do të jetë partner në ‘Cannes Docs’ dhe në ‘Short Film Corner’. Këto do të jenë mundësi të mira për promovim", ka thënë ai.
Projektet e përzgjedhura përfitojnë nga seminaret, mentorimet dhe nga mundësitë për të marrë çmime monetare dhe ato në formën e shpërndarjes së filmit apo tjetër. Po më 1 mars, kur hapet thirrja për kineastë, lansohen edhe çmimet e Forumit, bashkë me detajet më të hollësishme.
Forumi mbahet në kuadër të programit të edicionit të 24-t të Festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër "DokuFest" që sivjet mbahet prej 1 deri më 9 gusht. Festivali është në fazën e vlerësimit të filmave për përzgjedhje ndërsa thirrja për filma vazhdon të jetë e hapur.