Nisma për bashkëpunim teatror midis Kosovës dhe Shqipërisë është ngritur në nivel ministrish, pritet të konkretizohet me themelimin e fondit të përbashkët me një ceremoni më 27 korrik në Prizren e akterë të jetës teatrore në Kosovë e shohin si hap pozitiv. “Iniciativa të tilla ka pasur dhe më herët, por jo shpeshherë janë realizuar, andaj uroj dhe dëshiroj që kjo iniciativë të konkretizohet e të jetësohet në vazhdimësi, pa shkëputje, pa pengesa e pa telashe”, ka thënë të premten dramaturgu Arian Krasniqi. “Jemi në pritje për themelimin e fondit për shkak se bashkëpunimi mes teatrove e artistëve është i domosdoshëm”, ka thënë Kushtrim Sheremeti, drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës
Sivjet është bërë një dekadë prejse Kosova e Shqipëria nënshkruan të parin kalendar të përbashkët kulturore. Nënshkrimet si këto u reprizuan ndër vite tok me marrëveshje, memorandume e zotime, e që thjesht kanë mbetur në letër pa ndonjë rezultat konkret.
Por tash themelimi i fondit të përbashkët teatror midis Kosovës dhe Shqipërisë, paralajmërohet si kthesë në këtë drejtim e shans për fuqizimin e teatrit shqiptar.
Një ditë pasi Adrian Morina si drejtor artistik i Festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur “Prizren Fest” ka shpalosur detaje të një fondi të tillë që do të konkretizohet me ceremoni të shtunën e 27 korrikut, akterë të jetës teatrore në Kosovë e shohin si një nismë pozitive.
Dramaturgu Arian Krasniqi ka thënë se pret që kjo të konkretizohet, e më optimist është Kushtrim Sheremeti, drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, njërit prej institucioneve nismëtare të këtij fondi.
Fondi, siç e prezanton edhe “Prizren Festi”, e ka fillin në qershorin e vitit 2023, kur ishte nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim teatror midis ministrave të Kulturës të dy shteteve. Veç hapjes së mundësive të reja të bashkëpunimit në mes të teatrove dhe artistëve nga të dyja anët, rrugët do t’u hapen dhe bashkëprodhimeve, shkëmbimit të produksioneve, ndërkombëtarizimit të teatrit shqiptar në përgjithësi, e mbi të gjitha shkëmbimit të eksperiencave midis palëve.
Dramaturgu Arian Krasniqi, ka thënë të premten se çdo iniciativë për bashkëpunime kulturore, e posaçërisht ato teatrore midis Kosovës e Shqipërisë duhen përshëndetur, sidomos kur vijnë nga niveli qendror.
“Iniciativa të tilla ka pasur dhe më herët, por jo shpeshherë janë realizuar, andaj uroj dhe dëshiroj që kjo iniciativë të konkretizohet e të jetësohet në vazhdimësi, pa shkëputje, pa pengesa e pa telashe në kuptimin që t’i shohim në praktikë frytet e saj”, ka thënë ai në një prononcim për KOHË-n, duke shtuar se shpreson që kjo mos të mbetët vetëm në letër.
Sipas tij, skena teatrore e Kosovës e ajo e Shqipërisë e meritojnë që kjo gjë të ndodhë.
Por bashkëpunime e përpjekje të kësaj natyre ka pasur vazhdimisht, e iniciatore kanë qenë institucionet e Kosovës.
“Bashkëpunimet e mëhershme kanë ekzistuar si nisma, ka të tilla që janë konkretizuar e të tilla që nuk janë konkretizuar, mendoj se më shumë angazhim e gatishmëri, e më shumë përpjekje konkrete të bashkëpunimit teatror ka pasur nga ana e Kosovës sesa nga Shqipëria”, ka thënë Krasniqi. Ka numëruar fakte për këtë.
“Shumë më shumë shfaqje tona ka pasur atje sesa të Shqipërisë në Kosovë, shumë më shumë regjisorë kanë ardhur nga Shqipëria në Kosovë në këto njëzet vjet, sesa që kanë shkuar regjisorë të Kosovës në Shqipëri, shumë më shumë dramaturgë dhe artistë ka pasur nga Shqipëria në Kosovë se sa anasjelltas. Por unë mendoj që ky bashkëpunim duhet të jetë i ndërsjellë dhe reciprok në kuptimin e një baraspeshimi të aktiviteteve. Sido që të jetë unë vazhdoj t’i mbes besnik i idesë që duhet të bëhet me shumë në bashkëpunimin teatror midis Kosovës e Shqipërisë”, ka shtuar Krasniqi.
Iniciativa për këtë hap, sipas drejtorit te përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, kishte nisur nga dy teatrot respektive, e që pastaj ishte kurorëzuar si marrëveshje mes dy Ministrive të Kulturës.
“U jemi shumë mirënjohës të dyja ministrive që kanë nënshkruar, dhe tani jemi në pritje për themelimin e fondit, për shkak se bashkëpunimi mes teatrove e artistëve është i domosdoshëm jo vetëm në bashkëpunim, por edhe në aspektet e tjera, dhe kjo ka qenë ndër të tjera një ambicie e kamotshme e cila do të kurorëzohet tashmë”, ka thënë Sheremeti.
Por ky bashkëpunim nuk kishte nisur këtu, e fondi i përbashkët nuk do të jetë i vetmi aspekt që do të trajtohet në konferencën e 27 korrikut.
“Para dy vjetësh e kemi nisur bashkëpunimin me dy teatrot Tiranës, Shkupit dhe i Prishtinës me themelimin e festivalit “Moisiu” dhe për fat të mirë kemi gjetur gjuhë të përbashkët edhe me kabinete ministrore. Po presim që marrëveshja të implementohet shumë shpejt. Fondi është vetëm njëra nga pikat e kësaj marrëveshjeje. E në konferencë kemi ftuar ministrat dhe zyrtarë nga Prishtina e Tirana që të vijnë e të diskutojnë bashkë me produksionet teatrore për rëndësinë e kësaj”, ka thënë Sheremeti.
Sheremeti i është referuar marrëveshjes së shtatorit të vitit 2022 të nënshkruar prej Teatrit Kombëtar të Kosovës së bashku me Teatrin Shqiptar në Shkup, Teatrin Kombëtar të Shqipërisë si dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” të Tiranës, kur u dakorduan për bashkorganizimin e “Festivalit të Teatrit Shqiptar – MOISIU”, i cili në vitin parë u mbajt në Shkup më pas në Tiranë. Sipas marrëveshjes, mbahet me rotacion në tre kryeqytete dhe sivjet nikoqire i bie të jetë Prishtina.
“Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në mes të teatrove shqiptare u dakorduan për bashkorganizimin e ‘Festivalit të Teatrit Shqiptar – MOISIU’ i cili këtë vit do të mbahet në Shkup dhe do të vazhdojë çdo vit në rotacion në tre kryeqytetet, si dhe për bashkëprodhimin e përvitshëm të një shfaqjeje me karakter kombëtar në mes të tre teatrove kryesore shqiptare – nga viti 2023”, thuhej në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Tash, nisma për themelimin e fondit cilësohet si “platformë e mirë dhe e munguar për hapjen e mundësive të bashkëpunimit në mes të teatrove dhe artistëve nga të dyja shtetet, duke përfshirë këtu bashkëprodhimet, shkëmbimet e produksioneve, ndërkombëtarizimin e teatrit shqiptar në përgjithësi, si dhe shkëmbimin e eksperiencave. Marrëveshja në fjalë ka filluar të zbatohet në segmente të caktuara dhe është në fazën përfundimtare edhe të realizimit të fondit të përbashkët teatror në mes të të dy vendeve”, shkruhet në programin e “Prizren Festit”, që sivjet vjen me edicionin e tretë prej 21 deri më 28 korrik, sjell 22 shfaqje nga vende të ndryshme të botës dhe do të jetë edhe nikoqir i konkretizimit të fondit. Të enjten, drejtori artistik i festivalit, Adrian Morina, kur kishte folur për të kishte thënë se “mendon që kjo e shënon një kthesë të madhe në jetën e teatrit në Kosovë dhe Shqipëri dhe për shqiptarët kudo, sepse është diçka që është dashur të ndodhë para shumë vjetësh”.
Kushtrim Sheremeti, drejtor i TKK-së, është optimist për funksionimin e fondit.
“Besoj që fillimi do të jetë i vështirë, por pastaj rrugën do ta gjejë vetë”, ka thënë ai.