Fotografia e maestros Hazir Reka është rrëfim. E kur ato bashkohen, kapin një kapitull historie. Kësaj radhe një periudhë kohore prej vitit 1988 deri më 2008 dhe krejt kanë një emërues të përbashkët: flamurin kombëtar. “Flatrat e n’grira” lidhet pikërisht me flamurit, por s’e ka vetëm një kuptim. Imazhet që ndajnë epokat, Reka i ka ngrirë tamam sikurse vetë titulli i ekspozitës
Se secila fotografi e shkrepur mund të shndërrohet në film e thotë vetë autori. Por fotografitë e dy dekadave që qenë periudhë vendimtare e mëvetësisë së Kosovës kanë më shumë vlerë sesa nga një projekt filmik i realizuar për secilën prej tyre.
Përballë imazheve secili vizitor mund ta shohë jo veç një ngjarje të ngrirë. Por të imagjinojë çfarë ka ndodhur prapa e para asaj shkrepjeje. Kësaj radhe të ekspozuara janë veç ato ku gjendet edhe flamuri kuqezi, simboli i Shqipërisë por edhe i krejt shqiptarëve. Është simboli që shqiptarët e përdorën në ditët më të gëzueshme dhe në ato më tragjiket.
E Hazir Reka ato momente i ka ngrirë, tamam sikurse vetë titulli i ekspozitës, “Flatrat e n’grira”.
Shkolla e arteve “Çesk Zadeja” të enjten, në datën kur shënohet njëra nga dy ditët më të mëdha të shqiptarëve, qe nikoqire e artit të fotografisë. Më 1988, kohë kjo kur edhe zënë fill fotografitë e kësaj ekspozite, Kosova ishte nën Jugosllavi. Një vit më vonë do t’i suprimohej autonomia në mënyrë që pushteti serb të kishte kontroll të plotë. Prej asaj kohe protestat e demonstratat qenë të përhershme. Reka – fotografitë e të cilit kanë bërë xhiron e botës nëpërmjet mediumeve më prestigjioze – s’iu nda dokumentimit të zhvillimeve. Kontrastet e kohës zënë vend në fotografitë e tij. Janë imazhe që shpërfaqin pakënaqësitë qytetare, vrullin për të kërkuar të drejta, deri diku besimin në Jugosllavinë që ishte në prag të shkatërrimit e ëndrrën për një shtet më vete e edhe për bashkim me Shqipërinë. Kjo lexohet në fotografitë ku përthekohen flamuri kombëtar shqiptar, ai i ish-Jugosllavisë e edhe portreti i mareshalit Josip Broz Tito. Qenë kohë kur po ndaheshin epokat.

I ulur para shkollës “Çesk Zadeja”, monument i njohur si Shkolla e Parë Shqipe “Ismail Qemali”, Reka në një bisedë për KOHËN tregon se bëhet fjalë për një ekspozitë që është një kronologji prej vitit 1988 deri në shpallje të Pavarësisë së Kosovës.
“Kemi të bëjmë me ngjarje si ato të minatorëve, është një protestë shumë e madhe në Prishtinë, në të cilën disa protestues e mbajnë flamurin kombëtar. Por atëkohë flamuri ka qenë me një yll shumë të madh për shkak se na e ka ndërruar sistemi i asaj kohe, edhe njëkohësisht është i bashkëngjitur flamuri jugosllav”, përshkruan Reka. Sqaron se flamurin jugosllav protestuesit e kanë mbajtur si mburojë për shkak të intervenimit të policisë në protesta.
“Ka fotografi të tjera që ata mbajnë flamurin kombëtar dhe fotografitë e Titos, të cilat i kanë mbajtur vetëm si mburojë nga policia”, vazhdon të sqarojë Reka. Me modestinë që e karakterizon shpesh duket sikur s’ka fort dëshirë të flasë për fotografitë e realizuara. Thjesht, i flet puna. Pritjeve të delegacioneve të huaja në kohën kur bota po merrte vesh për atë që po ndodhte në Kosovë, Reka u ka qëndruar gati duke ngrirë kohët e vështira e njëkohësisht të shpresës. Në prag të shpërthimit të luftës e gjatë saj, Reka ishte fotoreporter i vendeve që duhej të mbeteshin dëshmi.
Fotografia e Sheremet Sejdiut nga fshati Qirez i Skenderajt, ku shihet i ulur midis katër arkivoleve të të bijve të tij, është prej më dramatikeve. Sa herë shikohet, mund të interpretohet më ndryshe. Arkivolet e mbuluara me flamurin kombëtar janë të katër vëllezërve civilë, dy prej tyre binjakë.
“Fotografitë janë kryesisht të rënda dhe aty përshkruhet ngjarja si ajo e plakut që qëndron i ulur mes katër djemve të tij të vrarë. Aty flamuri është i ngrirë mbi ata trupa”, ka sqaruar Reka.
E mbulimi i arkivoleve me flamurin dyngjyrësh në shkrepjet e Rekës është i shpeshtë.
“Vetë titulli i ekspozitës do të thotë në shumicën e fotografive që kam me flamuj, për shembull po flasim për varrezat e Reçakut, sa e sa arkivole janë të mbuluara me flamuj. Por ka edhe fotografi të tjera me flamuj që janë të festave të ndryshme. Por kryesisht ka qenë kjo arsyeja, sepse përmes flamujve i përshkruaj edhe ngjarjet që kanë qenë shumë të vështira dhe që kanë ndodhur në Kosovë”, ka treguar Reka. Shpejt ka shtuar edhe diçka.
“Faktikisht me fol për atë ngjarje duhet shumë kohë, për gjithçka që ka ndodhur dhe si ka ndodhur, por unë e kam marrë vetëm si fotografi dhe krejt qëllimi im ka qenë që secila fotografi ta përfaqësojë historinë që ka prapa saj”, ka thënë ai. Imazhet e Rekës nuk paraqesin thjesht histori. Por e tregojnë atë me ngjyrat më të plota.
Fotografitë e Masakrës së Reçakut – ngjarje që alarmoi botën demokratike – ato të masakrave të tjera e plotësojnë mozaikun e shkrepjeve në kohë lufte. I pa bota nëpërmjet agjencisë “Reuters” dhe mediumeve të tjera të nivelit global, ku historitë e shqiptarëve të Kosovës u ngrinë edhe në ballinat e gazetave prestigjioze.

Për gazetarin, publicistin e shkrimtarin Halil Matoshi, maestro Reka nuk flet për flijimet e shqiptarëve për të mbrojtur lirinë dhe për të krijuar shtetin e tyre, por ai e ndal kohën midis dy rrahjeve të flatrave të shkabës dykrenore dhe në atë interval kohe shihen dhuna, vdekja, lotët e zia.
“Tregimi i Hazir Rekës me flamurin e shqiptarëve âsht të folunit e tyne pa zâ, me dritëhije, si reflektim i mësymjeve, dhimbjes dhe trishtimit. Por edhe triumfit. Gëzimit. Në liri”, ka shkruar publicisti e shkrimtari Halil Matoshi në katalogun e ekspozitës. Matoshi, që ka kohë që shkruan për fotografitë e Rekës, ka thënë se “në tablotë e tina ajri bâhet i dokshëm – si flamur, flakët na shfaqen ma t’bukura si pemët, terri na difton se mas tina mëshehet drita”. Sipas tij, flamujt në shkrepjet e Rekës mbulojnë zjarrin e lirisë për ta mbajtur atë gjallë.
“Pamjet me flamur janë kohnat e shqiptarëve t’fotografueme, janë gjyshat dhe breznitë e humbuna, janë ândrrat! A fotografohet koha? Reka na e bân t’dokshme”, ka shkruar Matoshi.
Çlirimi i Kosovës me hyrjen e forcave të NATO-s është episod më vete i ekspozitës.
“Kur përmendet flamuri, më bien në mend ceremonitë e ndryshme që kanë qenë. Për shembull e ekspozuar këtu është një fotografi e një ushtarit amerikan, i cili e ka mbrapa flamurin kombëtar, me një ngjarje shumë të rëndësishme, por aty e përshkruaj hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë”, ka thënë Reka. Veprat e tij tregojnë se ai ishte mëse koshient në atë që po bënte e njëkohësisht besimplotë në punën e tij.
“Nëpërmjet një portreti mund të tregohet një ngjarje shumë e madhe, sepse njerëzit pyesnin vazhdimisht për ngjarjen prapa tyre dhe ti duhet t’ua rrëfesh atë”, ka thënë Reka. Dëshmitë e tij me imazhe në këtë ekspozitë ecin me kohë deri te dita kur Kosova u shpall shtet i pavarur, më 17 shkurt 2008. E aty objektivi tij bashkoi flamurin kombëtar me atë të shtetit që vazhdon të jetë më i riu në Evropë. Gëzimi i qytetarëve shesheve të vendit në atë ditë është i atyre që shtetin e kishin ëndërr ndër shekuj.
“Jemi munduar të punojmë me mish e shpirt për të treguar se diçka po ndodh në këtë vend, por fatmirësisht ka ndodhur e mira”, ka thënë Reka. Të keqen e të mirën Reka i ka bërë të dukshme për ata që interesohen për historinë e kësaj ane. Dhe këtë e ka bërë me mjeshtri. Aso mjeshtrie që i flet puna.