Në një kapitull të cilit i ka humbur ritmi, “Flas me gjethen” nga Endrit Krasniqi, ka marrë “Diamantin blu” të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Ka pasur edhe çmime të tjera, e finalja është ngjallur edhe me më shumë shikues, sikurse edhe yje si mysafirë. Stanajka qenë njëri prej tyre në skenën e Festivalit që ende s’e ka gjetur rrugën drejt “Eurovisionit” ku synon
“Flas me gjethen” nga Endrit Krasniqi ka marrë “Diamantin blu”, çmimin kryesor të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, i cili të shtunën mbrëma, me natën finale ka përmbyllur edicionin e dytë.
Të dytin e ka marrë “Verës” nga Greta Azizi, e të tretin Dea Strica me “N’Shqipni".
Ky ka qenë vendimi i jurisë në përbërje të kryetares Minire Fetahu, redaktore e muzikës në RTK dhe anëtarëve Jane Sugarman, muzikologe, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e portalit për art dhe kulturë “KultPlus”, Valbona Selimllari, prezantuese dhe Blerta Zeqiri, regjisore.
Çmimin e Orkestrës e ka marrë Arnitë Kastrati për këngën “Blla, blla, blla”. E ka ndarë drejtori artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku.
Ka pasur edhe çmime të Kryeqytetit dhe të Pallatit të Rinisë të cilët i ka marrë Besmir Shishko për këngën “Unë – Ajo”.
Kapitulli i ndarjes së çmimeve është çakorduar me skenar dhe është dashur që në skenë të rikthehet Adi Krasta, drejtor i Festivalit, për ta “zbërthyer” skenarin. Megjithatë, festiv ka qenë epilogu ani pse i ka rënë ritmi. Ka qenë natë mysafirësh të njohur, në mesin e tyre ylli me prejardhje shqiptare, Stanaj.
Më i gjallë ka qenë edhe publiku. Ende pa nisur nata finale, numër i madh i njerëzve ka qenë duke pritur para hyrjes në sallën e djegur të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve edhe pasi ka nisur ngjarja. Salla është mbushur plot.
Ritmet e vargjet e para të kësaj mbrëmjeje kanë qenë ato për këngën “Kur dielli perëndon”, të cilën e kanë kënduar dy prezantuesit e Festivalit sivjet, Drita Kabashi dhe Genc Salihu.
“Një të vetme ka në jetë” nga Bledi Kaso ka qenë kënga e parë konkurrente që është prezantuar në Festivalin e Këngës. “Flas me gjethen” nga Endrit Krasniqi e “Verës” nga Greta Azizi kanë qenë këngët që janë prezantuar më pas.
Nëntë këngëtarët prej 16 konkurrentëve janë paraqitur për të tretën herë në skenën e edicionit të dytë të Festivalit. Për “Diamantin blu” kanë garuar: Arnitë Kastrati me “Bllabllablla”, Besmir Shishko me “Unë-ajo”, Rei Bezhani me “Zonja tradhti”, Endrit Krasniqi me “Flas me gjethe”, Ardit Stafai me “Faji”, Greta Azizi me “Verës” , Dea Strica me “N’Shqipni”, Agim Poshka – “Ndarja erdhi” dhe Bledi Kaso me “Një të vetme ka në jetë”.
“N’Shqipni” nga Dea Strica “Zonja tradhti” nga Rej Bezhani kanë sjellë ritëm në skenë, pasuar nga Agim Poshka me “Ndarja erdhi” e Arnitë Kastrati me “Blla, blla”. Një rrëfim të hidhur të një historie dashurie e ka sjellë Ardit Stafai me “Faji”. Kënga e fundit konkurruese që është prezantuar ka qenë “Unë – Ajo” që trajton dhunën ndaj grave, e interpretuar nga Besmir Shishko e cila në fund është shpërblyer me çmim të dyfishtë.
Në natën finale befasia e parë për publikun e Festivalit ka qenë këngëtari shqiptar me emrin skenik Stanaj që po bën karrierë në skenën amerikane.
“Po kënaqem që jam këtu, faleminderit për mikpritjen”, kanë qenë fjalët e para të tij në skenë. Derisa ka përmendur shkurt rrugëtimin e tij muzikor, ka thënë se këngët folklorike ishin të parat që këndonte.
“Kur kam qenë i vogël kam kënduar këngë folklorike”, ka thënë ai. Disa vargje të një kënge edhe i ka interpretuar. Më pas ka interpretuar këngën e tij më të re “Glory” e lansuar të premten.
Këngët e tij në zhanrin ‘soulful pop’, të cilit edhe i takon krijimtaria e tij, i ka sjellë edhe në skenën e Festivalit.
Kantautori Albert Stanaj, i njohur me emrin skenik sipas mbiemrit të tij, u lind në Shkodër dhe u rrit në NewYork. Artisti 30-vjeçar nisi karrierën profesionale muzikore me këngën e tij debutuese “Ain’tlovestrange” e publikuar në vitin 2016. Pos kësaj, disa prej këngëve të tij të njohura janë “Romantic”, “This is the way i loveher”, “Bedofroses” me Afrojack e “Dirty Mind” me artistin Ty Dolla $ign. Deri me tash ka lansuar dy albume: “The Preview” në vitin 2016 dhe “From a Distance” vetëm një vit më pas.
Drejtori i përgjithshëm i Festivalit, Adi Krasta, është shfaqur në skenë enkas për të falënderuar sponsorët. Më pas ka prezantuar pikën tjetër artistike të Festivalit. Skena është kthyer në atë të një teatri të improvizuar. Mbase skena më ideale për formën më madhore klasike, por me akustikë shumë të dobët. Ka qenë aria “Casta diva” nga opera “Norma” e Bellinit të cilën e ka interpretuar sopranoja e shquar, Besa Llugiqi nën përcjelljen e Korit të Filharmonisë së Kosovës. Në Orkestër, në shumicë janë instrumentistët e këtij institucioni.
Vendim i guximshëm është vlerësuar ai për të sjellë muzikë klasike në skenën e një festivali me rryma të reja muzikore.
Aktori Bujar Ahmeti është ngjitur në skenë me një mesazh – ruajtjen e gjuhës.
“Jemi i vetmi popull qe e flet gjuhën shqipe. Gjeneratat e reja duhet ta mësojnë gjuhën shqipe dhe të tregojnë se jemi të vjetër në këtë botë”, ka thënë aktori Ahmeti pasi ka interpretuar poezinë “Gjuha shqipe” të Gjergj Fishtës.
Violinisti i shquar shqiptar në skenën ndërkombëtare Olen Çezari ka qenë solisti tjetër i cili me orkestrën e Festivalit kanë sjellë një vepër bashkëkohore instrumentale.
“Nuk ka një ditë të vetme që nuk e kam mbajtur pas vete këtë instrument”, është shprehur ai në skenë.Aikonsiderohet një nga violinistët më të shquar gjeneratës së tij.
Tjetër emër i njohur, por sa i përket këngës argëtuese, ka qenë Alban Skënderaj.
“E kam nisur karrierën paralelisht në Kosovë dhe Shqipëri. Më kanë ndihmuar, më kanë rritur shumë të dy vendet si artist dhe kam mësuar shumë nga miqtë e dy vendeve”, ka thënë Skënderaj në skenë.
Ka kënduar këngën e tij hit “Vetëm ty”, një prej të parave në karrierën e tij.
E, jo pak konkurrentë karrierën e nisin pikërisht në skenën e Festivalit me të cilin synohet promovimi i vlerave muzikore dhe rruga drejt “Eurosongut”.
Emrat e dëshmuar ende nuk ia mësyjnë në shumicë – përbërja e jurisë pa asnjë kompozitor është evidentuar si shkaktar i mundshëm i kësaj – sjell këngë të reja, por të vjetra janë kushtet e sfidat.
Buxheti prej 350 mijë eurosh është konsideruar i pamjaftueshëm për një ngjarje të madhe.
Salla dikur e djegur në Pallatin e Rinisë tash parking, është shndërruar sërish në skenë, zhbërja e saj sikurse vjet ka koston e vet, pasi prej edicionit të parë nuk ka mbetur gjë pos skeletit. Gara evropiane e këngës mbetet synim. “Do të mundohemi të sjellim diçka të bukur edhe sivjet”, kishte thënë drejtori artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku, një muaj më parë e për “Eurosongun”, shpresonte. “Le të shpresojmë se diçka do të ndryshojë, por për momentin, përgjigjja është jo”, kishte thënë ai.
As sivjet “Flas me gjethen” nuk e çon Kosovën përtej vendit ku u këndua.
