Mexosopranoja e shquar në skenën ndërkombëtare, edhe koncertet ku e prezanton veprën e gruas kompozitore i emërton sipas albumit. Listës së vendeve ku e shtrin programin i shtohet edhe Spanja. Është moment i veçantë edhe për vetë karrierën e Gorancit, e cila në shtetin iberik debuton si këngëtare lirike. Pas Vjenës, Luksemburgut e Tiranës, “La Femme” (Gruaja) rrugëton për në qytetet Alicante dhe në Valencia. Duke filluar në të parin në ditën e 9-të të marsit nga ora 12:00 e mesditës, te qyteti i dytë në orën 20:00, mexosopranoja Flaka Goranci do të shpalosë shkathtësitë e saj te publiku me kulturë të vjetër të muzikës klasike
Si udhëtim muzikor, me të cilin dëgjuesi ëndërron, lutet, qan, reflekton, dashuron, brohorit e kërcen, vlerësohet albumi “La Femme” nga Flaka Goranci. Mexosopranoja e shquar në skenën ndërkombëtare, edhe koncertet ku e prezanton veprën e gruas kompozitore i emërton sipas albumit. Listës së vendeve ku e shtrin programin i shtohet edhe Spanja. Është moment i veçantë edhe për vetë karrierën e Gorancit, e cila në shtetin iberik debuton si këngëtare lirike.
Pas Vjenës, Luksemburgut e Tiranës, “La Femme” (Gruaja) rrugëton për në qytetet Alicante dhe në Valencia. Duke filluar në të parin në ditën e 9-të të marsit nga ora 12:00 e mesditës, te qyteti i dytë në orën 20:00, mexosopranoja Flaka Goranci do të shpalosë shkathtësitë e saj te publiku me kulturë të vjetër të muzikës klasike. Ajo do të interpretojë me ansamblin “Casa Mediterráneo” dhe organizohet nga institucioni shtetëror me të njëjtin emër.
Goranci ka thënë se këtë moment të karrierës së saj e bën të veçantë edhe historia muzikore e këtij vendi.
“Prezantimi i ‘La Femme’ në Spanjë është një moment i veçantë për mua, jo vetëm sepse është debutimi im në këtë vend me një traditë të pasur të muzikës klasike, por edhe sepse Spanja ka një histori të jashtëzakonshme të artistëve dhe kompozitorëve që kanë ndikuar në këtë zhanër. Përveç kësaj, publiku spanjoll ka një ndjenjë të veçantë për interpretimet e fuqishme dhe ekspresive, gjë që më motivon të jap maksimumin në këtë debutim”, është shprehur Goranci nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN.
Albumi që do të jehojë në Spanjë përfshin vepra të kompozitoreve nga Lindja e Mesme, Evropa, Ballkani dhe Afrika e Jugut midis tjerash. Pjesë e tij janë 21 vepra që nëpërmjet muzikës sjellin tregime frymëzuese të 21 kompozitoreve.
Pos këngëve, përfshihen edhe vepra solo në piano, violinë, violonçel e ansamble më të vogla.
“’La Femme’' është një projekt që ndërton ura midis kulturave të ndryshme, thyen kufijtë politikë dhe bashkon veprat reflektuese që flasin për paqen, përkushtimin, pasionin dhe dashurinë. Një grup prej 21 grash kompozitore nga Lindja e Mesme, Evropa Perëndimore dhe Lindore, Ballkani, Afrika e Jugut, Kanadaja, SHBA-ja dhe Amerika Latine janë bashkuar në këtë projekt për të treguar vlera të barabarta përmes prejardhjeve të tyre të ndryshme”, shkruhet në përshkrimin e albumit.
Siç ka ngjarë në vendet ku është shpalosur muzika që përfshihet aty, edhe në Spanjë përmbyset rrëfimi i pjesës më të madhe të historisë muzikore të treguar përmes burrave.
Derisa ka folur për programin që shpaloset atje, mexosopranoja Goranci e ka konsideruar si “rrëfim artistik që shpalos fuqinë, ndjeshmërinë dhe transformimin e gruas në muzikë dhe art”.
“Përmes këtij koncerti përcillen mesazhe të identitetit, lirisë dhe sfidave që gratë kanë përjetuar në histori, si dhe fuqia e tyre për të krijuar dhe frymëzuar. Repertori i përzgjedhur sjell një udhëtim emocional që thekson diversitetin e zërit femëror në muzikë, duke kaluar nga delikatesa te pasioni, nga dhimbja te triumfi. Ky koncert nuk është vetëm një performancë, por një reflektim mbi rolin e gruas si artiste, muzë dhe zë i ndryshimit”, është shprehur ajo.
Koncerti mbahet në selinë e “Casa Mediterráneo” në Alicante, ndërsa në Valencia në ndërtesën historike “Lonja de la Seda”, monument i trashëgimisë botërore nga UNESCO, i cili vlerësohet si kryevepër e stilit gotik valencian.
E themeluar në vitin 2009, “Casa Mediterráneo”, sipas të dhënave të tyre, përshkruhet si “instrument i diplomacisë publike” objektivi themelor i të cilit është të promovojë mirëkuptim dhe afrim reciprok midis Spanjës dhe vendeve të tjera, në fusha të ndryshme si në kulturë, ekonomi, ndryshime klimatike, barazi gjinore dhe inovacion shkencor e teknologjik.
Me “La Femme”, Goranci do të bënte bashkë emra artistesh: nga Kassia, si poetja e vetme, e cila figuron në veprat liturgjike të kohës së Bizantit e deri te kompozitorja e re iraniane Niloufar Nourbakhsh.
Mes emrave që ka bërë bashkë është edhe jordanezo-kanadezja Suad Bushnaq e njohur për kompozime për filmat si “Al Munataf”, “Twice Upon a Time” dhe “Tight Spot”, kompozitorja nga Maqedonia, Valentina Trajanovska, kompozitorja dhe dirigjentja serbe Isidora Zebeljan, kompozitorja shqiptare Eriona Rushiti, kompozitorja franceze e njohur veçanërisht në shekullin e 19-të, Pauline Viardot, kompozitorja bizantine Kassia, që konsiderohet si nismëtare e simfonive moderne në Kroaci, Dora Pejacevic, kompozitorja turke Nazife Aral Güran, midis të tjerash.
Këta emra, ndër të tjera, në krijimtarinë e tyre ndajnë një të përbashkët: vullnetin për të kundërshtuar padrejtësitë karshi pozicionit të tyre si gra. Goranci me këtë projekt solli një CD-album me idenë për të bërë bashkë veprat me historitë e kompozitorëve e muzikantë nga e tërë bota me sfonde të ndryshme.
E ky projekt i saji, i lansuar tre vjet më parë, krahas vlerësimeve të larta nga kritika ndërkombëtare, u nominua dhe në tri kategori nga “Opus Klassik” në Berlin, çmim i dhënë për arritje të larta në fushën e muzikës klasike. U nominua në kategoritë “Këngëtarja më e mirë e vitit”, “Klasik pa kufij” si dhe “Videoklipi më i mirë”.
“’La Femme’ sjell një kombinim unik të veprave që ndriçojnë rolin e gruas në muzikë, duke përfshirë arie operistike, këngë tradicionale dhe pjesë nga repertori klasik e bashkëkohor. Dhe kryesorja e gjithë kësaj është programi i tërë me vepra nga gra kompozitore nga e gjithë bota”, është shprehur mexosopranoja Flaka Goranci.
Dy javë më parë Goranci qe soliste në koncertin solemn të Filharmonisë së Kosovës, të organizuar për nder të përvjetorit të 17-të të pavarësisë së Kosovës. Në “Sallën e kuqe” ajo i dha zë veprës “I miri i motrës” të Korab Shaqirit, që ka qenë premierë, midis veprave të tjera të kompozitorëve vendorë. Në veprën për soliste, kor dhe orkestër, mexosopranoja Flaka Goranci i ka dhënë emocion të veçantë rrëfimit të saj. Me tekst të Ilir Shaqirit, vepra trajton tragjedinë në një dasmë shqiptare.