“Dikush vdes pa hi n`dhe!”, ka qenë njëra prej fjalëve të urta të Xhemajl Abrisë. Me trashëgiminë që ka lënë pas, “Pleqnari i Kosovës” është i pavdekshëm. E seriali i Kohavisionit që për titull ka thjesht emrin e tij e dëshmon këtë. Episodi i parë jepet premierë sonte (e premte) prej orës 21:30. Krejt ky projekt artistik sjell fjalën dhe veprën e tij si trashëgimi ndër breza e porosi për të sotmen. “Qëllimi ka qenë ta kthejmë trashëgiminë e lënë pas nga figura e Xhemajl Abrisë, që ta vizuelizojmë atë dhe ta sjellim para publikut të ri”, ka thënë Rea Surroi, producente ekzekutive e KTV-së, njëherësh producente e serialit me skenar dhe regji të Gëzim Hasanit, produksion i “BlinkTV”. Rrëfimi nga sheshi i xhirimeve shpalos profesionalizimin e përkushtimin në realizimin e këtij projekti
Më shumë se dy dekada prej kur Kohavisioni nisi trendin e serialeve televizive në vend, një tjetër produksion e pasuron jo vetëm skemën programore, duke gjurmuar trashëgiminë shpirtërore të vendit.
Xhemajl Abria personifikon plakun e urtë që zgjidhte problemet në kohë pa ligj e sisteme të drejtësisë. Portreti i tij vjen në dimensionin e pajtuesit të gjaqeve e të kontribuuesit të çështjeve kombëtare.
E, seriali në KTV – që nis transmetimin sonte (e premte) prej orës 21:30 me premierën e episodit të parë – shkon përtej portretizimit të kësaj figure. Përjetëson atë dhe fjalën e tij tok me një kapitull unik të historisë së vendit që gjëllin këtu e më shumë se një shekull më parë kur rroi kjo figurë e shquar popullore. Seriali që vjen si projekt artistik me frakturë dokumentare, titullohet thjesht “Xhemajl Abria”. Në ekranin televiziv përcillen në kohë moderne mesazhet e tij si një lloj retrospektive. Veçmas si reflektim mbi narrativën e funksionimit të vendit kur fjala ishte ligj. Personazhi kryesor është figura erudite e “Pleqnarit të Kosovës”.

Një kapitull historie që shpaloset për gjeneratën e re
Në një kullë në fshatin Ujmirë jetësohen të bëmat kuptimplote të Xhemajl Abrisë. Mbi një shekull pas vdekjes së tij, aty rikthehet imazhi i tij bazuar në historinë gojore si thesar që e ka lënë pas. Ai fliste në kullë dhe fjala e tij kishte peshë. Ishte personalitet i respektuar me autoritet. Shembulli i tij pasohej ndër breza.
Produksion i “BlinkTV” me skenar dhe regji të Gëzim Hasanit dhe me producente Rea Surroin, njëherësh producente ekzekutive e KTV-së, sjell shkëndijat e traditës në kohë moderne.
Kulla e Bekë Sylë Millakut ka qenë streha e sheshxhirimeve për serinë pesepisodeshe. Objekti unik e autentik, bashkë me të tjera objekte përcjellëse të jetesës së mëparshme te shqiptarët, ka qenë përshtatja e ambientit që ekipi ka bërë me tematikën e serialit televiziv, idenë për realizimin e të cilit e kishte dhënë Eris Kërçeli, asistent i rrjeteve sociale në Grupin KOHA.
Sheshxhirimet për serialin kanë zënë vend edhe në fshatin Abri të Skenderajt, në Kullën e Xhemajl Abrisë. Për shkak të gjendjes së rëndë të enterierit të kullës, ajo në fshatin Ujmirë të Klinës e ilustron pjesën e xhirimeve brenda objektit.

Producentja Rea Surroi ka thënë se qëllimi i këtij projekti ka qenë që urtësia e figurës së Xhemajl Abrisë të bartet e të konsumohet tek audienca e vendit, veçmas tek ajo e moshës së re.
“Qëllimi ka qenë ta kthejmë trashëgiminë e lënë pas nga figura e Xhemajl Abrisë, që ta vizuelizojmë atë dhe ta sjellim para publikut të ri. Ne si Kohavision mendojmë që gjenerata e re ka nevojë më shumë të dijë për historinë tonë. Pa dyshim se Xhemajl Abria është pjesë e historisë së Kosovës. Pas suksesit që ne kemi pasur me shitjen e librit të botuar nga Botimet KOHA – ‘Xhemajl Abria – Pleqnar i Kosovës’ kemi vendosur ta heqim kureshtjen e publikut dhe ta bëjmë serialin dedikuar figurës së tij”, ka thënë producentja Surroi.
Sipas saj, ky projekt televiziv i kontribuon trashëgimisë shpirtërore e arkitekturore.
“Nuk mund të bëhej seriali dedikuar Xhemajl Abrisë pa e përshtatur në ato rrethana të cilat ishin para gati njëqind vjetësh. Jemi munduar që edhe hapësira t’i përkasë asaj kohe, në këtë rast kulla, një odë e kultivuar mjaft mirë, e ruajtur, dhe i kemi përfunduar me sukses xhirimet aty. Sa i përket trashëgimisë shpirtërore, Xhemajl Abria ka lënë mjaft thënie të mençura që mund të hyjnë në përdorim edhe në ditët e sotme. Në atë kohë ishte i njohur si gjeniu i popullit”, ka thënë Surroi.
Pesë episodet që tashmë janë realizuar do të transmetohen në Kohavision gjatë pesë javëve. Surroi ka bërë të ditur se kanë planifikuar të vazhdojnë edhe me pesë episode të tjera, por që planet me këtë projekt janë edhe më të mëdha.

Seriali me shumë ngjarje sikurse jeta e kryepersonazhit
Një armatë profesionistësh të KTV-së janë bërë bashkë në produksion të “BlinkTV” për “Xhemajl Abrinë”, që krijon standard të ri në realizime televizive.
Regjisori e skenaristi Gëzim Hasani ka thënë se krejt rrëfimi vjen i inskenuar në version dramatik.
“Këtë e kemi bërë nëpërmjet një pjese narrative të Xhemajl Abrisë, ku në të njëjtin episod i kemi narrativën dhe inskenimin e asaj çfarë ka ndodhur. Si format është jokronologjik, ku aktorët luajnë role të ndryshme në episode të ndryshme”, ka thënë ai, duke treguar se janë munduar t’i sjellin ngjarjet e ndodhura duke i rikrijuar ato.
Ka bërë të ditur se skenari i serialit është bazuar në monografinë “Xhemajl Abria – Pleqnar i Kosovës” të Xhemajl Bajramit, i botuar nga Botimet KOHA në fund të vitit 2008.

Në mesprill është xhiruar episodi i pestë dhe i fundit i serialit. Regjisori Hasani ka thënë se është e hapur mundësia për vazhdim të xhirimeve të serialit.
“Minutazhi është përafërsisht njëzet minuta, ndërsa pjesën tjetër të episodeve po mendojmë ta vazhdojmë pasi deri tash ka shkuar gjithçka në rregull. Po shpresojmë se, pasi që kemi material dhe hapësirë, të vazhdojmë me më shumë se një sezon, pasi jeta e Xhemajl Abrisë ka qenë shumë e frytshme, me shumë ndodhi, ngjarje dhe mençuri, saqë mendoj se mund të arrijmë shumë episode”, ka thënë Hasani, duke bërë të ditur edhe veprat e Xhemajl Abrisë që janë veç një pjesë e rrëfimit.
“Kemi filluar nga ato më bazike, disa situata të zakonshme në jetën e tij, në odën e tij, ku mbizotërojnë këshillat mbi ndodhitë. Por ka gjithashtu edhe histori, siç janë Lidhja e Prizrenit, ndikimi i tij në shoqëri, jo vetëm në pjesën e Drenicës, në fshatin Abri ku ka jetuar, por edhe në gjithë Kosovën, madje edhe në Shqipëri. Ndikimi i tij në situatat dhe në pjesën më të rëndësishme të historisë së Kosovës prej Lidhjes dhe ngjarjeve ku ai ka bërë pajtime”, ka shpjeguar Hasani, i cili e ka kompozuar edhe muzikën e serialit. Ajo gërsheton ritmin tradicional me atë bashkëkohor.
Njëra prej pjesëve të xhirimeve të kryera ka qenë skena e katërt e episodit të katërt.
Xhemajl Abria hyn në një odë, ku viziton dy të rinj për ngushëllime. Fjalët e tij e afirmojnë të mirën. Aty tregohet karakteri i tij prej burri të urtë. Pa fjalë e shpreh indinjatën për kthimin e shpinës e mosqëndrimin afër të familjarëve të gjerë në momentin e rëndë të tyre.

Portreti i figurës unike i veprimtarit të çështjes kombëtare
Karakterin e Xhemajl Abrisë e luan aktori Adem Zhitopotoku. Në pauzë xhirimesh ai e ka vlerësuar rolin si një prej më të dashurve për të. Ka thënë se është përgjegjësi që ta sjellë rolin e plakut që në popull ka mbetur në mendje për fjalë të urta e vepra të mira. Ka thënë se ndihet i nderuar për rolin.
“Por ajo çfarë e para më bie ndërmend është që Xhemajl Abria është lindur dhe ka jetuar në një kohë kur ne shqiptarët nuk kemi pasur alfabet tonin dhe dituria e dijenia janë përcjellë prej gojës në vesh e në këtë formë të zinxhirit. Është një njeri që me maturinë e tij, porositë që i ka dhënë, ka mbërritur t’i pushojë shumë ngatërresa, bela. Ka mbërritur të kryejë punë edhe në rrafshin kombëtar”, ka thënë aktori Zhitopotoku.
Ka thënë se sikurse ishte në jetë, edhe në serial, figura e tij vjen në disa dimensione.
“Atë e kemi në telashe që kanë ndodhur, në zgjidhjen e ngatërresave, por edhe në pjesën kombëtare, patriotike, në të cilën ka kontribuar shumë. Në veçanti në pjesën e Drenicës. Të gjithë e dimë se vërtet kjo zonë ka qenë gjithmonë viktimë e planeve të fshehura që janë bërë për asimilimin e shqiptarëve në sllavë të jugut”, ka thënë ai, duke treguar se bashkë me regjisorin janë fokusuar për ta trajtuar përpjekjen e madhe për krijimin e shtetit shqiptar e forcimin e kombit.
Xhemajl Abria u lind në vitin 1830. Edhe pse asnjëherë nuk ndoqi shkollim formal, sipas biografisë së tij, ai kishte ndjekur me interesim të thellë mësimet e “shkollës” dhe edukatës popullore. Ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Junikut më 1877, ku edhe u njoh Pleqnar i Kosovës. Gjithashtu kishte marrë pjesë edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 1878, gjë që do të ndikonte në rritjen e autoritetit të tij. Ishte prezent në kuvendet e pajtimeve të gjaqeve.

Aktori Xhavit Tafolli luan si Ramadan Shabani, një prej figurave të shquara në historinë shqiptare për zgjidhjen e ngatërresave e të gjaqeve.
“Xhemajl Abria dhe Ramadan Shabani kanë qenë dy personazhe që kanë shkuar shumë herë bashkë dhe kanë bërë shumë gjëra të përbashkëta, si pleqni të ndryshme që kanë bërë, kanë qenë nëpër oda së bashku, kanë bërë pajtime gjaqesh, gjëra shumë të mira”, ka thënë Tafolli derisa e ka konsideruar të rëndësishëm rrëfimin për brezat e rinj.
“Jemi shumë të kënaqur që brezave tanë do t’ua përcjellim traditën shqiptare, gjërat që kanë ndodhur, që të mos e harrojmë kulturën e gjërat tona të së kaluarës”, është shprehur ai.
Aktori Alban Gashi ka thënë se është nismë e duhur realizimi i serialit për një prej pleqnarëve të mëdhenj të shekullit XIX. Ai luan njërin prej burrave që i qëndrojnë përherë pranë kryepersonazhit.
“Jam pjesë e burrave që i kanë qëndruar krah Xhemajl Abrisë kur ai ka qenë nëpër oda, kur ka rrëfyer, në ngjarje të ndryshme. Besoj se do të ketë shumë interes nga publiku për të parë këtë ngjarje të Xhemajl Abrisë dhe që ajo të ruhet si trashëgimi e vlefshme dhe e historisë sonë shpirtërore”, ka thënë Gashi.
Duke qenë se episodet janë rrëfime më vete dhe nuk janë vazhdimësi e ngjarjes, Ilmi Hajzeri është njëri prej aktorëve që luan role të ndryshme në serial. Miku i Abrisë e bariu, janë dy prej roleve.
“Me ekipin dhe regjisorin po bëhet shumë lehtë. Vendi i xhirimit është perfekt. Mirë po shkojnë, sot kam ardhur nga Zvicra e direkt në set, është dita e tretë e xhirimeve për mua, pasi kam qenë edhe para dy javësh për dy ditë”, kishte thënë Hajzeri në sheshxhirim të shtunën e 13 prillit kur ishte xhiruar episodi i katërt.
Rrëfimi shpalos tentativat për shtrirjen e ndikimit edhe në gjeneratat e reja të asaj kohe.
Kryepersonazhi Xhemajl Abria synon të trashëgojë tek ta tiparet e burrave shqiptarë dhe porosinë për të ruajtur traditën e paraardhësve.
Aktori i ri Mujë Xhekaj ka thënë se tregimet e Xhemajl Abrisë sillen nëpërmjet ekranit televiziv që njerëzit e kësaj kohe t’i dëgjojnë dhe të mësojnë prej tyre.
“Në përgjithësi, ky produkt ka shumë benefite edhe në aspektin e traditës, por edhe të artit, pasi është duke ardhur në mënyrë profesionale te shikuesi. Aty përfshihen shumë tema dhe të gjitha gjeneratat: të vjetrën, të mesmen dhe të renë. Mendoj se do të jetë diçka shumë tërheqëse dhe që do t’iu pëlqejë shikueseve”, ka thënë ai.
“Dikush vdes pa hi n`dhe!”, ka qenë njëra prej fjalëve të urta të Xhemajl Abrisë. Me trashëgiminë që ka lënë pas, “Pleqnari i Kosovës” është i pavdekshëm. E seriali i Kohavisionit e dëshmon këtë.