Përveçse “DokuFesti” sjell në Prizren botën nëpërmjet dokumentarit, është adresë e rëndësishme edhe për filmat vendorë. Gara Kombëtare është goxha konkurrencë sivjet dhe për këtë dëshmojnë emrat e kinematografëve që prezantohen në njërën nga tetë kategoritë. Edhe organizatorët e kanë pohuar këtë. Ekrani në platenë e “DokuKinos” ka sjellë filma që portretizojnë çështjet e identitetit, origjinën e lidhjet me vendin.
Derisa bie muzgu, publiku mbush ulëset e drejtuara kah ekrani në ambient të hapur. Atraktive ka qenë atmosfera që shfaq një pjesë të peizazhit të qytetit e që shfaqjen e filmave e shoqëron gjallëria e tij. I pari film ka qenë “Those sweet murky waters” i Driant Zenelit, që në mënyrë artistike portretizon shkencëtaren e parë në Shqipëri, Sabiha Kasimati.
Siç bëhet e ditur në filmin 13-minutësh, ajo u arrestua nga regjimi komunist më 20 shkurt 1951 dhe pak ditë më vonë u ekzekutua pa gjyq dhe u hodh në një gropë të përbashkët së bashku me 21 intelektualë të tjerë. Aty përmendet edhe monografia e saj shkencore “Peshqit e Shqipërisë”, për të cilën regjisori Zeneli ka thënë se është zhdukur me zhdukjen e saj.
“Ajo ka bërë hulumtimet më të rëndësishme sa i përket biodiversitetit dhe gjithë peshqve që jetojnë në ujërat e ëmbla në Shqipëri dhe rreth e rrotull në Ballkan. Ajo botoi një libër që u zhduk bashkë me zhdukjen e saj dhe njëzet intelektualë të tjerë që u ndanë brenda një nate në vitin 1951 nga regjimi komunist pasi ishin ata që kundërshtonin në mënyrë direkte komunizmin”, ka thënë Zeneli.
Ka thënë se fati i një peshku ndërtohet si një lloj fabule që kërkon të shpëtojë peshqit që jetojnë në ujëra të turbullta. Për katër vjet ka punuar në film.
“Jam njohur me figurën e Sabiha Kasimatit para katër vjetëve dhe është një figurë që edhe në Shqipëri nuk njihet shumë, por sikur të ishte në një vend tjetër evropian, do të ishte në librat e shkencës”, ka thënë ai.
Filmi hapet me peizazhin e bukur të ujërave e narracionin poetik që më pas ndiqet edhe me tinguj të harkorëve. Peshqit aty janë të shtangur dhe disi të ndalur në kohë ndërsa një seri e tyre rri pezull në qiell duke e ilustruar narrativën.
“How long will you stay” e Arnit Likaj dhe Jasmin Singh Rai nga India është rrëfimi i përbashkët i dyshes për jetën jashtë vendit. Identiteti është thelbi. Ata janë imigrantë dhe nuk ndihen se i përkasin plotësisht as vendit të tyre, as Gjermanisë ku jetojnë.
Janë pyetjet e zakonshme që Likajt i bëhen kur vjen në Kosovë në pushime. Kur folësja tjetër përfshihet komunikimi dhe rrëfimi zhvillohet në dy kahe. Imazhet që e përcjellin narracionin janë ato të përpunimit të patateve. Duke u nisur nga detajet e imëta ilustrohet ndryshimi në vendlindje secilën herë që aty kthehen.
Likaj ka thënë se ideja ka qenë të shfaqen komplekset e njerëzve për identitetin e përkatësinë e tyre.
“Unë dhe Jasmin jemi duke studiuar bashkë dhe kemi pasur plan të bëjmë një film të shkurtër. Ka qenë tema e inspirimit dhe pastaj më ka rënë në mend të bëjmë diçka për çështjen e identiteteve dhe kulturës. E kemi pasur në mend edhe më parë, jo vetëm tash, kemi qenë të vegjël e thoshim se si këtu jemi të jashtit dhe atje të jashtit. Gjithkund të jashtit. Pastaj edhe Jasmin më ka treguar që e do këtë temë”, ka thënë ai.
“Shemortelle” ka qenë në radhë. Regjisorja Shelbatra Jashari në formë artistike sjell zgjedhjet e njeriut. Është një i tillë që duket se zhbëhet e vuan. Duken njerëz të shkëputur nga bota e që i përkasin një tjetër universi.
Jashari ka thënë se filmi është një lloj komplimenti ndaj jetës.
“Filmin e kam bërë me shumë mendime të mia për origjinën dhe për atë se çfarë do të thotë të rritesh shqiptar në Berlin, por e kam zhvilluar në një koncept eksperimental. Kam filluar nga ideja që unë jam e lindur femër dhe në shumë teori feministe flasim gjithë kundër patriarkatit, por rrallë e japim një zgjidhje. E kam imagjinuar atë patriarkat që jep zgjidhje fiksionale, siç është një vampire, një qenie që nuk vdes në kinema, por në konceptin e këtij punimi i jepet një mundësi për të dalë nga jeta e të pavdekshmit”, ka thënë ajo.
Kapitull tjetër e atraktiv ka qenë “N’rreth” i Bekim Gurit. Pamjet nisin me pamjet ku Guri, aktor në film, hyn në një taksi. Vozitës është aktori Agron Shala. I kërkohet të ndalojë te barnatorja pasi ndien dhimbje. Merr barna. Shoferit të cilit i kërkohet ta dërgojë në lagjen “Kodra e Diellit”, synon të përfitojë nga pasagjeri që është në gjumë, por shpejt e kupton se pulsi i tij ka pushuar dhe pagesa për shërbimin e tij është më e ulët se ajo që shfaqet në taksimetër.
“Ndjesi e mirë pasi është shfaqur këtu për herë të parë. Ka qenë si premierë kombëtare, ndoshta edhe botërore pasi kemi synuar ta shfaqim nëpër festivale të mëdha, por nuk ka pasur fat dhe na ka lënë dyer të hapura për filma të tjerë. Kënaqësi, sepse është një film që e kemi bërë më shumë për kondicion”, ka thënë regjisori Bekim Guri, i cili ka bërë të ditur se rastësisht kishin nisur xhirimet e filmit dhjetë minutash.
Këtë e ka përmendur edhe aktori Agron Shala.
“Unë si aktor, më tha, e kam një ide. Thashë t’ia bëj qejfin para filmit të gjatë. Tingëllonte si një ëndërr e frikshme”, ka thënë ai.
“Fran and Verka: or a usual day in abandoned village”, i Sovran Nrecaj ka sjellë përditshmërinë e dy personazheve që janë banorë të vetëm të fshatit Vernakollë të Vitisë. Bëhet e ditur se ai është vendi ku u takuan për herë të parë, u martuan dhe që atëherë jetojnë aty. Pas luftës së fundit veç Frani dhe Verka mbetën në fshat.
Përditshmëria e tyre flet për një jetë të vështirë të çiftit në fshat. Ata merren me bujqësi dhe kujdesen për bagëti. Në peizazhin e fshatit të mbuluar me botë e në shtëpinë pa kushte të duhura detyrohen të bartin ujë nga larg. Sekuencat i shfaqin ata secili duke bërë punë, por kur festa i bashkon, aty shfaqet imazhi i dashurisë dhe ngushëllimit që gjejnë tek njëri-tjetri.
Regjisori Sovran Nrecaj ka thënë se qëllimi i asaj çfarë shfaqet në ekran ka qenë rezistenca e tyre për të mos e lëshuar vendin edhe pse në kushtet e vështira në të cilat jetojnë.
“Për mua ka qenë interesante kur kam dëgjuar fillimisht për ta pasi kam menduar se e kanë një jetë të vetmuar, larg shoqërisë, e cila është edhe një prej elementeve në film. Çfarë kam gjetur aty ka qenë një lloj përkatësie e atij fshati, asaj shtëpie ku ajo më ka inspiruar dhe për mua ka qenë e rëndësishme të shfaq se si dy njerëz zgjedhin të jetojnë në një vend të harruar në një formë dhe të rezistojnë të mos largohen e ta vazhdojnë jetën edhe pse jo në kushte të mira”, ka thënë ai.
Producentja Aurelë Kadriu ka treguar se para se të nisnin xhirimet ata kanë vizituar shpesh dyshen. Ka thënë se ishin pritur jashtëzakonisht mirë dhe diçka që jo shpesh ngjan zakonisht.
“Vernakolla është boshatisur krejtësisht pas luftës në Kosovë. Si fshat ka qenë i banuar prej komunitetit kroat. Ata të gjithë janë larguar prej aty dhe kanë shkuar në Kroaci. Frani dhe Verka kanë vendosur të qëndrojnë sepse, siç na kanë thënë, aty e kanë shtëpinë dhe nuk kanë dashur të shkonin në një vend ku nuk e njohin askënd”, ka thënë ajo dhe shton se atyre u bëhet padrejtësi me telashet që u bëhen dhe ua bëjnë jetën më të vështirë.
“Ajo çfarë është problematike, është që ne si shoqëri nuk u kemi lënë ujë të pijshëm dy qytetarëve të Kosovës dhe shpeshherë ua ndalim rrymën. Kjo është e padrejtë për shkak se ata megjithatë janë dy qytetarë të Kosovës që kanë zgjedhur të jetojnë. Ky shtet e kjo shoqëri duhet t’i shërbejë secilit”, ka thënë Kadriu.