Lufta për liri është tema e filmave dokumentarë dhe ajo vazhdon me një grup grash shumë të reja ballkanike që luftojnë fashizmin e Luftës së Dytë Botërore e deri te një artist i ri serb që refuzon të vijë në Kosovë të ndihmojë gjenocidin. Nga një periudhë në tjetrën, filmat janë lloj retrospektive e asaj që sot lidhet me rastin e Ukrainës e Palestinës. Promovimi i trashëgimisë muzikore të kësaj të fundit ka qenë një tjetër kapitull i Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër
Rrëfimet personale në filmat e garës kryesore të Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, marrin kahe më universale. Lufta për liri është tema e tyre dhe ajo vazhdon me një grup grash shumë të reja ballkanike që luftojnë fashizmin e Luftës së Dytë Botërore, e deri te një artist i ri serb që refuzon të vijë në Kosovë të ndihmojë gjenocidin. Nga një periudhë në tjetrën, filmat janë lloj retrospektive e asaj që sot lidhet me rastin e Ukrainës e Palestinës. Promovimi i trashëgimisë muzikore të kësaj të fundit ka qenë një tjetër kapitull i Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër.
Ekrani i kinemasë “DokuKino” në Prizren, paradite ka ndezur projektorin për filma dokumentarë që sjellin ëndrrat e luftën për liri në njërën anë, e makthin dhe sakrificën për t’u shmangur nga lufta. Kjo e fundit nëpërmjet filmit të shkurtër dokumentar “Exit through the chuckoo’s nest”. Në 20 minuta, dokumentari autobiografik i regjisorit serb, Nikolla Iliq sjell krisjen e luftës në Kosovë nga një tjetër kënd.
Nis me vitet e tij të adoleshencës nëpërmjet pamjeve arkivore. Më pas do të rekrutohej në luftë . Ishte 21 vjeç. Por në Beograd ishte i shkëputur nga kaosi dhe trazirat. Me plot ëndrra, një prej tyre regjia. Lufta nuk ishte e përshtatshme për të, siç thuhet në dokumentar.
Narracioni i tij shpjegon se nuk do të lëndonte kurrë një qenie njerëzore. Por se pjesa tjetër e njerëzve do ta quanin qyqarllëk në vendin e tij. Kishte refuzuar të pranonte armën dhe kishte përfunduar në burg ushtarak. Nuk ka shumë materiale arkivore, por ato të përgjithshme e përcjellin narracionin. Kamera termike ka qenë alternativa për ta prekur edhe anën artistike.
Për të ikur nga lufta, ai në dokumentar thotë se “do të dilte nga foleja e qyqes”. Kështu spitali në Beograd u bë zgjidhja. U shtir si i çmendur. Ai tregon se aty kishte kontroll të rreptë dhe shumë dyshime për secilin. Ai madje tregon se edhe para familjes nuk guxonte të shprehej teksa ata ndienin dhimbje për të. Më i vogli detaj nga ai do të rezultonte me kthimin e tij në zonë të luftës.
Në Beogradin e viteve ’90 shfaqen gjithandej grafite provokuese me mesazhe: “Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë…”. Në fakt filmi dokumentar gjatë narracionit lë mëdyshje nëse Iliq më shumë kishte frikë të vriste apo të vritej.
Filmi tjetër dokumentar “Woods that sing” i regjisores kroate, Renata Poljak, formohet prej katër rrëfimeve të grave. Nanica, e cila vdiq në moshën 18 vjeçe gjatë luftës sjell narracionin nëpërmjet ditarit që la pas. Marija, 87 vjeçe vjen nëpërmjet një regjistrimi zëri, ndërsa dy janë personazhet fizike të dokumentarit. Hilda, 105-vjeçare dhe Zdenka, 96-vjeçare me pasion flasin për eksperiencat e tyre në luftë dhe pas saj.
Regjisorja e këtij filmi dokumentar ka thënë se ka qenë sfidë gjetja e personazheve pasi kanë kaluar dekada të tëra prej kohës së Luftës së Dytë Botërore.
“Ishte e vështirë sepse e largët është Lufta e Dytë Botërore, kështu që duhej hulumtim, të gjenim se kush kishte qenë në luftën e asaj kohe si dhe dikë që ishte mjaft e vjetër dhe gjallë në të njëjtën kohë. Por gjetëm tri që janë 98 vjeç, 106 tjetra të cilat edhe tani janë në formë të mirë. Ishte e vështirë t’i gjejmë, por ishin shumë bashkëpunuese dhe ishte shumë gjë e bukur t’i takoj e të kaloj kohë me to sikur edhe të mësojmë nga to. Sa ishte e mrekullueshme, procesi ishte edhe shumë prekës”, ka thënë regjisorja kroate, Renata Poljak derisa e ka veçuar edhe anën edukative të filmit.
“Ky ishte qëllimi që nga fillimi, ana edukative. Mendoj se secili dokumentar është edukativ, gjithmonë mëson diçka’, ka thënë ajo.
Dokumentari e kishte premierën sivjet në festivalin “Zagreb Docs”. Për bashkëproducenten Vesna Terseliq e veçantë është shfaqja e filmit në “DokuFest”.
“Gjithmonë dëshiroja të sillja një film këtu sepse isha vitin e kaluar me rastin e prezantimit të një projekti të Qendrës Humanitare në Prishtinë dhe ndërmjet atij në Beograd. Ishte shumë gjë me vlerë të dëgjosh rrëfime të familjeve që ende kërkojnë të dashurit që mungojnë. Ne fokusohemi në vuajtjet por edhe në rezistencë, kështu që edhe dokumentari është gjetja e një lloj mënyre për të rezistuar dhe për të parë se sa e rëndësishme është në aspektin e të drejtave të njeriut të luftosh për liri’, ka thënë ajo.
Ndonëse të shtyra në moshë, ngjarjet i kujtojnë dhe i ilustrojnë qartë për publikun. Shumë prej tyre ngjallin të qeshura.
“Ato kishin sens të jashtëzakonshëm humori dhe shpirtin e rezistencës dhe kemi qeshur shumë. Ato janë munduar të gjejnë mënyrën të shikojnë nga perspektiva që është e fuqishme për to”, ka thënë kroatja Terseliq.
Nofka e Hildës ishte Boris, një emër mashkulli. Aty rrëfen se pas lufte ajo shërbente si kuratore e një muzeu në Gjermani dhe se nuk ndihej e rrezikuar sepse sipas saj, gjermanët kishin respekt për institucionin në të cilin ishte e angazhuar. Marija në anën tjetër tregon se ëndërronte të ishte luftarake e vërtetë. Por ishte vetëm 12 vjeç kështu që komandanti i kishte caktuar detyrë të këndonte kur ushtarët lodheshin. Ashtu edhe bënte. Ka treguar se me gjithë ëndrrën për të veshur uniformën, ajo nuk e kishte mundësinë të shkrepte as edhe një plumb të vetëm.
Rrëfimi nis nga ditari i Nanicas i shkruar në vitin 1943 dhe zhvendoset në kujtimet e atyre pak njerëzve që jetojnë edhe sot. Flet për dashurinë e saj .
Imazhet shfaqin një memorial për nder të partizanëve të rënë në betejë. Quhet “26 partizanët e ngrirë”. “Nacionalizmi është për njerëz të kalbur”, thotë Marija derisa e konsideron Goli Otokun si gabimin më të madh të asaj kohe. Kjo derisa dokumentari bëhet më gjithëpërfshirës duke trajtuar edhe rrethanat politike të asaj kohen ë Ballkan.
Regjisorja suedeze, Anna Klara Ahren, derisa ka folur për të dy filmat ka thënë se tema të tilla janë të rëndësishme të përcillen te publiku dhe se audienca e “DokuFest” është e veçantë.
“Nuk jam shumë e njoftuar me këtë rrëfimet që janë shfaqur, por ishte fantastike të kem dy anët e rrëfimeve nga tema të ndryshme. Ishte shumë interesante të shoh filma të këtij lloji por është shumë disi audienca e këtij festivali është e veçantë. Nuk janë filma që do të pëlqeheshin nëse të shfaqeshin në Suedi”, ka thënë ajo duke e ndërlidhur temën e fashizmit në film me gjendjen sot.
“Ishte interesante të shoh këto luftëtare për liri të 70 vjetëve më parë dhe se si ato e kanë bërë të mundur mundjen e rrëzimin e fashizmit që është i pranishëm edhe sot. Është e rëndësishme t’u hidhet dritë këtyre rrëfimeve pasi jo vetëm burrat janë gjithmonë atë që janë në zonë lufte”, ka thënë ajo.
Filmat “Exit through the chuckoo’s nest” dhe “Woods that sing” lidhin kaosin e dy botëve. Atë të Luftës së Dytë Botërore me vitet e fundshekullit të kaluar. Korrespondojnë edhe me imazhin e të sotmes nga këndvështrimi i së kaluarës nën temën “New Order” të “DokuFest”.