Kulturë

Filigrani i Prizrenit në pritje të muzeut të premtuar kaherë

Zeja e filigranit

Zejes së filigranit, e cila nuk kufizohet vetëm me Prizrenin – shtrihet në Pejë, Gjakovë e Prishtinë – institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ende t’i japin trajtimin e merituar. Një adresë e cila e bën memorializimin e kësaj trashëgimie shpirtërore e materiale, nëpërmjet një trajtimi muzeal, tash e sa vjet ka mbetur vetëm si pjesë e një diskursi premtues

Një muze i filigranit ka vite që është konsideruar si domosdoshmëri, figuron në planifikime buxhetore por assesi premtimet nuk e lidhin fijen me konkretizimin e tij. Njëri prej premtimeve të fundit kthehet edhe në vitin 2020, në Ligjin e buxhetit figuron projekti “Muzeu i Filigranit në Prizren”, autoritetet lokale kanë thënë se muzeu ka mbetur në statusin e propozimit e ata që e mbajnë gjallë këtë zanat, janë jo pak të zhgënjyer. “Është iniciativë e kamotshme që s’u realizua”, ka thënë mjeshtri prizrenas i filigranit, Bashkim Tejeci

Filigrani nuk është vetëm edhe një zeje tjetër kur përmendet Prizreni dhe trashëgimia e pasur kulturore e tij. Në fakt është një detaj i cili është kthyer me kohë dhe në një element emblematik me të cilin identifikohet ky qytet. Historia e kësaj zejeje aty shkruhet qysh nga mesjeta, por përgjatë historisë ka pasur stacione të ndryshme të cilat njësoj siç ndodh te formësimi me fije argjendi të një stolie filigrani, është formësuar dhe udhëtimi i kësaj zejeje. 

Veç qindra familjeve të cilat janë marrë ndër breza me mjeshtërinë e filigranit, pas Luftës së Dytë Botërore në Prizren u themelua dhe kooperativa e argjendarëve “Filigrani”, e tash, dekada pas, krejt çka ka ngelur nga ajo kooperativë është një punëtori dukshëm më modeste, me po të njëjtin emër bashkë me një grusht mjeshtërish. Por namin e kësaj zejeje e cila nuk kufizohet vetëm me Prizrenin – shtrihet në Pejë, Gjakovë e Prishtinë – institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ende t’i japin trajtimin e merituar. Një adresë e cila e bën memorializimin e kësaj trashëgimie shpirtërore e materiale, nëpërmjet një trajtimi muzeal, tash e sa vjet ka mbetur vetëm si pjesë e një diskursi premtues pa ndonjë iniciativë konkrete. 

Historia e një premtimi të tillë, kthehet pas edhe vitin 2020. Atëkohë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një prononcim për mediat kishte ndarë disa detaje rreth projektit të Muzeut të Filigranit. Në përgjigjen e tij ai kishte folur për procesin e identifikimin e artefakteve që do të bëheshin pjesë e fondit si dhe objektin për vetë muzeun. 

“Ne kemi identifikuar një objekt që është i Komunës dhe tani aty është një njësi e Ministrisë së Kulturës dhe së bashku me MKRS-në kemi nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për restaurimin dhe rregullimin e saj që të kthehet në muze të filigranit. Së shpejti presim që të na kalojnë mjetet dhe pastaj ne do të bëjmë procedurat e nevojshme për rregullimin objektit që gjendet në qendrën e vjetër të qytetit”, kishte thënë Haskuka në qershor të 2020-s.

Por siç ndodh tradicionalisht në praktikë tek institucionet publike të vendit, me të ndërruar pushteti – në këtë rast ai lokal – lihen përgjysmë iniciativat pararendëse për të nisur gjithçka nga e para. Këtë fat e pati dhe projekti për Muzeun e Filigranit. 

Në ligjin nr. 08/l-260 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës sё Kosovës pёr vitin 2024, të miratuar nga Kuvendi, në kuadër të Projekteve Kapitale për Nivelin Qendror ishte përfshirë dhe projekti me emrin “Muzeu i Filigranit në Prizren”. Aty paraqitet se në vitin 2023 janë ndarë 50 mijë euro për këtë projekt. Të njëjtat mjete barten dhe në këtë vit, ndërkaq deri në 2027-n vlera totale e këtij projekti arrin shumën prej 200 mijë eurosh. 

KOHA më shumë se një javë ka pritur përgjigje nga MKRS-ja rreth statusit të këtij projekti. 
As mesi i këtij viti nuk premton që ky projekt së paku të nisë hapat e parë të implementimit. Duke marrë parasysh rëndësinë që ka kjo praktikë zejtare në Prizren, rrjedhimisht shërben dhe si joshje për turistët e huaj. 

E Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Prizren e ka përfshirë atë dhe në strategjinë e turizmit të qytetit, por në horizont nuk shihet ende as projekti ideor. 
E kontaktuar nga KOHA, kjo drejtori ka bërë të ditur se fati i këtij muzeu momentalisht ka statusin e një “propozimi”. 

“Muzeun e Filigranit ne e kemi pasur në kuadër të strategjisë të turizmit dhe duhet që gjatë vitit tjetër ta gjejmë një lokacion të përshtatshëm për të bërë një hartim të projektit dhe të fillojmë vitin tjetër. E sivjet nuk kemi asgjë, vetëm e kemi dhënë si propozim në buxhet që të kemi buxhet të ndarë për këtë, të kemi një hap të sigurt. Ne nuk jemi njoftuar për asgjë as nga MKRS-ja, e nëse aprovohet si buxhet do të fillojmë ta gjejmë hapësirën për muzeun e pastaj ta bëjmë planin, projektin ideor”, ka qenë përgjigja që ka marrë KOHA nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Prizren, nga zyrtarja Fatime Uka.

“Nëse Prizreni ka me çfarë të mburret atëherë ajo është zeja e filigranit!”, ka thënë Bashkim Tejeci, mjeshtër i filigranit. Krejt gjithë këtë zvarritje të këtij projekti ai e sheh si rrezik për vetë zejen dhe kujtimin për të. Përveç mungesës së muzeut, Tejeci si fatkeqësi e sheh dhe mungesën e mjeshtërve të filigranit dhe angazhimin në këtë fushë nga gjeneratat e reja, përkundër përpjekjeve me trajnime të ndryshme që ofron ai dhe ndërmarrja “Filigrani” në Prizren. 

Në vitin 2006 pas privatizimit të ndërmarrjes “Filigrani” të Prizrenit, punëtorët kishin mbetur në rrugë. Në këtë situatë disa kolegë qenë mbledhur dhe patën vendosur që ta vazhdojmë traditën e punës. Pas konsultimeve, në vitin 2007, disa punonjës e kanë regjistruar “Filigranin” si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar. Qëllimi i këtij grupi të artizanëve – në mesin e të cilëve edhe Tejeci – ka qenë që ta ruajnë traditën e filigranit në Prizren. Përpos që kanë siguruar vetëqëndrueshmërinë, këta artizanë janë shndërruar edhe në pikë referimi e destinimi të vizitorëve të huaj të Prizrenit, por edhe gazetarëve të mediave ndërkombëtare. Ndërkohë prej disa vjetësh organizojnë kursin e filigranit për dhjetëra pjesëmarrës.

“Prishtina, Gjakova e krejt Kosova është e mbushur me prodhime ari e argjendi, por asnjë prej tyre nuk janë mjeshtër, por janë tregtarë. E tash dita-ditës kjo zeje po tkurret, e pas dhjetë vjetësh kur të përmendet që filigrani ka ekzistuar si zeje, mjeshtrit e filigranit nuk do të jenë. Por me kokë në mur nuk po shkon, ne po mundohemi me mish e me shpirt me e mbajtë gjallë këtë zeje, e patjetër që një muze është shumë me rëndësi kur flasim për filigranin. Ishte përfol kohë ma parë që ka me u ndërtu ky muze te Shkolla e Muzikës, te pjesa historike e qytetit por është iniciativë e kamotshme që s’u realizua”, ka thënë Tejeci. 

Hapjen e një muzeu të tillë e sheh si shumë të nevojshëm dhe etnologu Valon Shkodra, i cili në vitin 2021 kishte botuar edhe katalogun me titullin “Zejet tradicionale të Kosovës”, ku ndër të tjera, shpaloset edhe historiku e rëndësia e zejes së filigranit. 

“Punimet e filigranit dhe në përgjithësi zeja e argjendarisë është një praktikë e hershme në kulturën shqiptare, andaj hapja e një muzeu të tillë do ta begatonte edhe më shumë Prizrenin tonë të bukur. Ideja për të hapur këtë lloj muzeu në Prizren është e nevojshme. Ne kemi çka të prezantojmë për këtë zeje, ende kemi zejtarë, burra e gra që e njohin punën e filigranit me detaje, e me hapjen e këtij muzeu do të prezantohet edhe më shumë trashëgimia jonë kulturore”, ka thënë ai.

Në raste të këtilla vjen në shprehje përkushtimi i institucioneve në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Evidentohet mjegullia qe shpesh zë vend sa herë që detyra e institucioneve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore kalon kufijtë e restaurimeve të objekteve. Trajtim me po aq seriozitet kërkon edhe trashëgimia kulturore shpirtërore, aq më shumë kur ajo cenohet nga rrethanorë të ndryshëm.


Zanati që daton prej shekullit XIII

Sipas historianit, Abib Ahmeti të dhënat e para për argjendarët e Prizrenit ndeshen në shekullin XIII. Mirëpo, shënime më të strukturuara sipas tij, hasen në shekullin XVI, meqë në defterin kadastral të Sanxhakut të Prizrenit bëhet e ditur se kjo zeje në Prizren në vitin 1591 ushtrohej nga katër zejtarë të krishterë dhe një mysliman.

“Shkallën më të lartë të zhvillimit të saj argjendaria e arriti në shekullin XIX. Sipas të dhënave të konsullit francez në Shkodër, E. Vit, në Prizren më 1866 kishte 47 punishte të veçanta të argjendarisë. Përveç këtyre kishte edhe 15 punishte në të cilat zbukuroheshin armët dhe 7 të tjera në të cilat zbukuroheshin ekskluzivisht gërshërët dhe thikat”, ka shkruar Ahmeti në librin e tij “Theranda-Prizreni ndër shekuj”.

Në bazë të të dhënave të historianëve dhe kujtimeve të mjeshtërve të këtij zanati, punëtoritë e argjendarëve kanë qenë të përqendruara në qendrën e qytetit, afër Shatërvanit, në kuartin e veçantë që njihej si Çarshia e Kujunxhinjve. Aty ka qenë e vendosur edhe Çarshia e Armëpunuesve, me të cilët sipas Ahmetit argjendarët kanë bashkëpunuar ngushtë në zbukurimin e armëve dhe pajisjeve tjera të luftës.