Kulturë

Filharmonia me ngjyra moderne për frymorë e violonçel

Filharmonina e Kosovës

Folegj: Filharmonia, si përherë, është goxha aktive me koncerte duke sjellë te publiku veprat madhore të literaturës së muzikës klasike (Foto: Arben Llapashtica)

Vepra moderne,  romantike, solemne e avangarde sa i përket zhanrit klasik, kanë qenë pjesë e repertorit të rrëfimit muzikor të radhës të Filharmonisë së Kosovës. Orkestra Harkore me solistin Konstantin Manaev në violonçel dhe dirigjentin Dario Salvi kanë sjellë programin me vepra delikate të cilat konsiderohet se i ngrenë më tej kapacitetet profesionale të instrumentistëve të saj.

Në koncertin e së shtunës mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë, jo veç programi, por edhe formacioni ka qenë i veçantë. Fillimisht si ansambël më i vogël frymor në interpretimin e “Simfonisë për ansambël frymor në G-mol, A 509” të italianit Gaetano Donizetti. Vepra me ritme harmonike në një lëvizje të vetme është shkruar për flaut, dy oboa, dy klarineta, dy korno dhe dy fagotë. Vjen në një stil të lehtë dhe argëtues.

Pjesa tjetër e instrumentistëve frymorë i janë bashkuar ansamblit për veprën “Koncert për violonçel dhe orkestër frymore” të kompozitorit austriak Friedrich Gulda. Vepra me ritme moderne e kompozuar më 1989 tingëllon simpatike. Është një lloj mjegullimi i zhanreve muzikore brenda veprës madhore me pesë kohë.

Nis me bateritë e violonçelim në lojë paralele që sjellin ritmet e një lloj rocku të lehtë. Veçanti është prezenca e kitarës dhe saksofonave në formacion. Nga ritmi modern shkrihet në atë klasik, por bashkëkohoren e gjen prapë në pjesën e parë “Ouverture”. Ritmi i violonçelit të Manaevit është i dallueshëm si i vetmi harkor në formacion, bashkë me dy kontrabasë që qëndrojnë në hije me tingullin dhe e përziejnë atë me frymorë. Tingujt dominues të violonçelit sikur zbërthejnë një temë të vrazhdë.

“Idylle” nis me një lloj si kori instrumentesh e më pas përcillet nga violonçeli. Është një hyrje e gjatë me instrumentin harkor ku e gjithë barra i bie atij. Është interpretim delikat me tinguj që vështirë dëgjohen derisa vepra zhvillohet, por kontrastet janë në ardhje.

“Cadenza” vjen si improvizuese shpesh si një lloj valle tradicionale bashkë me dajren në përcjellje me përplot melodi të bukura. Ngjashëm vjen “Menuett”, ndërsa “Final alla Marcia” vjen si një lloj marshi me nota të larta ku trumbetat dominojnë me notat e tyre të larta ndërsa mbyllja është drithëruese.

Janë të dallueshme teknikat jashtëzakonisht të vështira me një lloj ritmi agresiv që duhet esencial në mënyrë që të zotërohet vepra.

Këtë Manaev e kapërcen lehtë në koncertin e tretë të tij në Prishtinë.

“Isha shumë i lumtur kur mora një thirrje telefonike nga Dardani dhe më tha se a mundem ta luaj këtë vepër me Orkestrën. Kur më tregoi se cila ishte vepra, thashë se është një prej më të pëlqyerave për mua. Është më moderne. Është shkruar në pesë kohë. E para tingëllon si rock, pastaj e dyta më çon mendjen tek Richard Wagner si një kadencë bashkëkohore, ndërsa e fundit pjesë shumë e hareshme”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar ai ka interpretuar në kuadër të festivalit “Chopin Piano Fest”  dhe po vitin e kaluar më 29 tetor me orkestrën e drejtuar nga dirigjenti Gregory Charette luajti “Koncerti për violonçel No. 1” nga Shostakovich.

Ka thënë se në Prishtinë ka qenë momenti fantastik për ta luajtur këtë vepër, njëra nga më të preferuarat e tij.

“Ka qenë shumë kënaqësi të interpretoj këtu. Prishtina, që vitin e kaluar është shtëpia ime e dytë. Vij secilën herë me shumë kënaqësi dhe shpresoj të kem rastin të vij më shpesh. Prishtina është në zemrën time. Procesi ka shkuar shumë mirë. Një ditë pata prova me ta për një orë. Instrumentistët janë shumë fleksibil, shumë sensitivë dhe e dinin menjëherë se çfarë donim të bënim unë dhe dirigjenti. Ishte proces shumë produktiv puna bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës”, ka thënë violonçelisti Manaev.

Ai është violonçelist i njohur ndërkombëtarisht, i nominuar për  Çmimi Ndërkombëtar i Muzikës Klasike 2023 dhe çmimin “Opus Klassik 2022”. Ai mahnit audiencën në mbarë botën dhe është vlerësuar për performancat e tij në qendrat kryesore si: Nju-Jork, Los Anxhelos, Moskë, Paris, Berlin, Cyrih, Vjenë, Milano dhe Tokio. U lind në një familje muzikantësh në Yekaterinburg (Rusi) dhe filloi studimet në shkollën speciale të muzikës në Konservatorin e Moskës me Kyrill Rodinin.

Ka fituar mbi 15 konkurse ndërkombëtare, duke përfshirë konkursin e violonçelit "Willkomirski" në Poznan, Garën e 6-të të violonçelit “ADAM” në Christchurch dhe Audicionin Evropian të Artistëve të Rinj Koncertalë në Leipzig. Si solist, Manaev ka performuar me orkestra prestigjioze në sallat e koncerteve në të gjithë Evropën, duke përfshirë Filharmoninë e Berlinit, Tonhalle në Cyrih, Filharmoninë e Këlnit dhe jo vetëm.

Publiku e ka duartrokitur gjatë. Ai është kthyer disa herë në skenë. Për të tretën herë është ulur në stolin e tij dhe ka luajtur veprën “Nana” të kompozitorit spanjoll Manuel de Falla nën përcjelljen e kitarës.

Uvertura e baletit “Joko” të gjermanit Peter Josef von Lindpaintner ka qenë tjetër rrëfim bashkë me Suitën me këngë popullore angleze.

Orkestra ka interpretuar “March – Seventeen Come Sunday” në fillim të kësaj serie. Kjo, bashkë me “Intermezzo – My Bonny Boy” dhe “March – Folk Song from Somerset” kanë qenë më solemne.

Tashmë dihet se në koncertet ku orkestra përgatit programin nën udhëheqjen e skocezit Dario Salvi, kujdeset të sjellë përherë traditën britanike të muzikës klasike. Për të katërtën herë e ka bërë këtë.

“Simfonia e Donizettit është muzikë sfiduese, me këtë rast kemi sfiduar edhe Orkestrën në mënyrë që të rritet përherë profesionalisht. Më pas patëm Koncertin për violonçel nga Gulda. Është mjaft sfiduese edhe kjo, pasi është atmosferë shumë më ndryshe nga ajo që jemi mësuar me muzikën klasike. Më pas edhe uverturën ‘Joko’ në stil romantik. Aranzhim shumë i vështirë dhe formë e vështirë muzikore. E përfunduam me muzikë folklorike angleze me vallëzime angleze që janë shumë atraktive për t’u luajtur”, ka thënë dirigjenti Salvi.

Sipas tij, muzika klasike në Kosovë po lulëzon secilën herë.

“E kam shijuar shumë gjithë procesin dhe mendoj se do të bëjmë shumë gjëra të bukura së bashku. Ka qenë atmosferë e mahnitshme, është shumë bukur të shohësh gjithë këtë publik edhe pse me një orkestër më të vogël sonte. Muzika klasike po lulëzon në Kosovë”, ka thënë ai.

Dario Salvi është dirigjent i respektuar me një repertor të gjerë dhe eklektik. Salvi është laureat i Çmimit të Globit të Artë “Riccardo Drigo” për muzikë baleti në vitin 2023 dhe i nominuar për Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike për incizimin premierë të “Waldmeister” nga Johann Strauss për labelin Naxos në vitin 2022. Salvi ka një diskografi me rreth 25 regjistrime në Naxos Records dhe mesatarisht një milion dëgjues në vit në Spotify dhe gjysmë milioni në Apple Music.

Ai është dirigjent i ftuar kryesor në Winter Opera St. Louis (SHBA) dhe Metamorphosis Chamber Orchestra (Nju-Jork), si dhe është i angazhuar në shumë projekte me shtëpinë diskografike “Naxos”. Salvi ka dirigjuar shumë orkestra në të gjithë botën, duke përfshirë Orkestrën Filharmonike te Maltës, Orkestrën Filharmonike Janáček, Orkestrën Kamerale Çeke, Operën e Malmö-s, Operën Shtetërore të Ruses (Bullgari), Orkestrën dhe Korin e Filharmonisë së Sofjes, Filharmoninë Karlsbad, Filharmoninë e Pragës PKF, Filharmoninë Preussische Neue Berlin, Orkestrën Filharmonike të Maltës e Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, midis të tjerash.

Kompozitori e dirigjenti Baki Jashari e ka konsideruar të veçantë programin e koncertit të këtij sezoni të Filharmonisë së Kosovës që zhvillohet nën moton “Çdo notë, një rrëfim”.

“Programi ka qenë më i veçantë për faktin që formacioni vetëm me frymorë ka qenë më i veçantë se herëve të tjera. Zakonisht frymorët e Filharmonisë janë të ekspozuar brenda orkestrës simfonike së bashku me harkorë, ndërsa sonte patëm rastin t’i dëgjojmë në një formacion krejtësisht solistik me vepra shumë delikate për instrumentistët. Natyrisht me dirigjentin Dario Salvi është punuar jashtëzakonisht shumë këto ditë dhe unë jam tejet i kënaqur dhe i befasuar me nivelin që kanë treguar”, ka thënë Jashari.

Sipas tij, programi ka qenë sfidues për zotëruesit e instrumenteve frymore të Filharmonisë së Kosovës dhe se me sjelljen e tij institucioni ka përfituar në ngritjen e kapaciteteve profesionale.

“Ka qenë program i mrekullueshëm me diversitet, me në qendër solistin Konstantin Manaev, të cilin e dimë që ka qenë më parë në Kosovë, por natyrisht me këtë koncert ka qenë brilant me interpretimin e tij të jashtëzakonshëm edhe teknik, edhe interpretativ. Ka qenë i shumanshëm dhe jashtëzakonisht depërtues në rolin e solistit. Mendoj se ky koncert është jashtëzakonisht i rëndësishëm për seksionin e frymorëve të Filharmonisë të cilët janë ekspozuar solistikisht me një program shumë delikat”, ka thënë Jashari, ish-drejtues i Filharmonisë së Kosovës.

Filharmonia, si përherë, është goxha aktive me koncerte duke sjellë te publiku veprat madhore të literaturës së muzikës klasike. Dhe veçse ka prezantuar koncertin e radhës.

Më 15 tetor (nesër) Kori nën drejtimin e dirigjentit Sasho Tatarchevski me solist violonçelistin Antonio Gashi sjell një tjetër rrëfim nëpërmjet veprave korale.