Kulturë

Filharmonia e Kosovës e solistja Shkreli sjellin virtuozitetin e veprave romantike

Melodive të ndjeshme e emocionale, por edhe dinamike e harmonike të Orkestrës, u ka shtuar sharm loja e Alba Shkrelit në piano (Foto: Arben Llapashtica)

Melodive të ndjeshme e emocionale, por edhe dinamike e harmonike të Orkestrës, u ka shtuar sharm loja e Alba Shkrelit në piano (Foto: Arben Llapashtica)

Filharmonia e Kosovës dhe publiku janë palë që asnjëherë nuk e zhgënjejnë njëra-tjetrën. E para me programin e lojën mjeshtërore në koncerte, tjetra kur i qëndron përherë besnike institucionit shtetëror të muzikës klasike. Orkestra ka evokuar emocione të fuqishme nëpërmjet “Koncertit Nr.1 në e-mol, Op.11” të Frédéric Chopin dhe Simfonisë së 5-të të Felix Mendelssohn, duke sjellë epokën e muzikës romantike nën drejtimin e skocezo-italianit Dario Salvi dhe me soliste pianisten e talentuar Alba Shkreli

Me dy kryevepra të literaturës botërore të muzikës klasike, Filharmonia e Kosovës e ka përthekuar koncertin e dytë dhe të fundit të këtij muaji. Orkestra ka evokuar emocione të fuqishme nëpërmjet “Koncertit Nr.1 në e-mol, Op.11” të Frédéric Chopin dhe Simfonisë së 5-të të Felix Mendelssohn, duke sjellë epokën e muzikës romantike nën drejtimin e skocezo-italianit Dario Salvi dhe me soliste pianisten e talentuar Alba Shkreli. 

Filharmonia e Kosovës dhe publiku janë palë që asnjëherë nuk e zhgënjejnë njëra-tjetrën. E para me programin e lojën mjeshtërore në koncerte, tjetra kur i qëndron përherë besnike institucionit shtetëror të muzikës klasike. Madje ngjan se audienca zgjerohet përherë kur rritet numri i njerëzve që e ndjekin koncertin nga korridoret sipër Ateliesë së Pallatit të Rinisë. Rendet me ulëse në tri anët e sallës kanë qenë të zëna krejtësisht. Edhe kur nuk ka kapacitete për akomodim e kushte të rehatshme për një koncert, meloditë janë parësore për pasionues  të muzikës klasike. 

“Koncerti për piano Nr.1 në e-mol, Op.11” e ka nisur programin e ngjarjes të së shtunës mbrëma. E luajtur në “Allegro maestoso”, “Romanze – Larghetto” dhe “Rondo – Vivace” ka sjell thellësinë emocionale, meloditë lirike e lojën e ndërlikuar të pianos. Aty sillen qindra vjet pas ndjenjat e emocionet e kompozitorit. 

Melodive të ndjeshme e emocionale, por edhe dinamike e harmonike të Orkestrës, u ka shtuar sharm loja e Alba Shkrelit në piano. Ajo e ka vlerësuar intime veprën e polakut Chopin. 

“Vepra është shumë intime. Chopin e ka shkruar kur ka qenë 20 vjeç, pak më i ri se unë tash, ai e përcjell një energji tek unë. Për atë e kam zgjedhur këtë vepër. Koha e dytë mendoj se është më e bukura që e ka”, ka thënë pianistja 23-vjeçare që jeton dhe ka zhvilluar karrierë të bujshme në Zvicër. Ajo është një ndër pianistet më të shquara të gjeneratës së saj në Evropë dhe është fituese e konkursit “Steinway” në Zvicër. Ka nisur shkollimin muzikor që në moshën 6-vjeçare në konservatorin e Zurihut. Është laureate e shumë çmimeve në konkurse për paraqitje si soliste e ato me grupe muzikore.

Shkreli ka thënë se ky kompozim i Chopinit është vepra më e dashur për të. 

“Jam më e lumtur se kurrë, është diçka speciale të jem në Kosovë, ka pesë vjet që nuk kam qenë këtu. U gëzova shumë kur më ftuan të luaj Chopinin, koncertin e tij që më pëlqen më së shumti. Katër ditë që kam qenë këtu kanë shkuar shumë shpejt. Kam qenë shumë e lumtur”, ka thënë ajo. 
Për këtë vepër, dirigjenti skocezo-italian Dario Salvi ka thënë se jep mesazhe të fuqishme.
“Koncerti i Chopinit është një pjesë që më pëlqen shumë. Mendoj që është pjesë përplot lumturi dhe jep mesazhe për ndriçimin e së ardhmes. Mendova se ishte gjë e bukur të filloj bashkëpunimin me Orkestrës me një vepër kaq të fuqishme. Koha e dytë është një vallëzim, një vals gjerman, por e para është shumë magjike dhe pastaj vazhdon pjesa e famshme që luhet në ‘Andante’. Lëvizja e fundit është shumë e bukur”, ka thënë dirigjenti Salvi, për të cilin koncerti i së shtunës ka qenë i dyti që ka drejtuar një ansambël muzikor nga Kosova. 

Një pjesë e instrumentistëve kishin punuar edhe më parë me të. Në shënim të Ditës së Forcës ishte dirigjent në koncertin e përbashkët të Orkestrës Frymore të Filharmonisë  dhe asaj të Forcës së Sigurisë të Kosovës. Nën dirigjimin e tij, formacioni kishte sjellë repertorin botëror të veprave solemne më 27 nëntor. Me to ishin gërshetuar edhe kompozimet shqipe. 

E kishte thyer qasjen e një koncerti serioz duke e bërë koncertin edhe më atraktiv me humorin e tij. Të shtunën këtë energji e ka bartur tek instrumentistët. Ngjarjet që zhvilloheshin nëpër meloditë e muzikës janë përshkruar edhe nëpërmjet shprehjeve në fytyrën e tij. 

Dirigjenti Salvi ka thënë se Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka qenë shumë bashkëpunuese me të. Ka bërë të ditur se do t’i bashkohet edhe në të tjera koncerte. 

“Ishte një javë shumë produktive, Orkestra ishte e gatshme të ndiqte të gjitha udhëzimet, kërkesat e mia. Ishin shumë bashkëpunues dhe kjo më ka lënë përshtypje. Nuk dija çfarë të prisja, erdha mendjehapur dhe mendoj se u prita mjaft mirë. Bashkëpunimi filloi në mënyrën më të mirë dhe do të kthehem prapë ta drejtoj këtë orkestër. Do ta bëjmë atë të rritet deri të arrijë njohjen ndërkombëtare”, ka thënë Salvi, dirigjent me repertor muzikor të gjerë dhe eklektik. 

Kjo bëri që atij t’i akordohej globi i artë “Riccardo Drigo” për muzikë baleti këtë vit, çmimi “Landjuweel” për produksionin më të mirë teatror në Belgjikë dhe u nominua për Çmimin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike për incizimin premierë të veprës “Waldmeister” të austriakut Johann Straus. Diskografia e tij përfshin rreth 25 incizime.

“Simfonia Nr.5 në D-dur/D-mol, Op.107” e kompozitorit gjerman Felix Mendelssohn ka qenë gjysma tjetër e koncertit. Ka ardhur si rrëfim muzikor më vete. Një lloj elegance në ritëm e përcjellë me ekspresivitetin romantik midis tingujsh. Pasuria harmonike e ndjeshmëria krijonin imazhe muzikore. Vepra është sjellë e plotë ku Orkestra e ka luajtur në të katër kohët e saj: “Andante – Allegro con fuoco”, “Allegro vivace”, “Andante” dhe “Andante con moto – Allegro vivace – Allegro maestoso”. 
Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se kjo vepër është rikthyer në repertor pas shumë vjetësh. 

“Simfonia e pestë e Mendelssohn kemi konsideruar që është e nevojshme të rikthehet në këtë kohë pas shumë vjetësh si një prej veprave që ka lënë gjurmë në literaturën e muzikës klasike. Kështu e kemi bërë pjesë të këtij sezoni”, ka thënë Selimaj. 

Ka thënë se edhe vepra e Chopinit ishte luajtur rreth dy dekada më parë. Në vitet e para të institucionit. 

“Janë vepra që janë luajtur shumë kohë më parë. Piano-koncerti i Chopinit mbase ka më shumë se 20 vjet që nuk është luajtur nga Filharmonia për publikun e Prishtinës. Jemi të lumtur që e kemi kthyer me një pianiste që ka qenë një apo dy vjeçe në kohën kur e ka interpretuar Filharmonia e Kosovës këtë vepër për herë të parë. Sot është një nga pianistet më të dalluara të gjeneratës së saj”, ka thënë Selimaj. 

Koncertin e radhës Filharmonia e Kosovës do ta mbajë më 11 maj, ku Orkestrën do ta drejtojë dirigjenti britanik Chris McCraken. 

Filharmonia e Kosovës koncertet e fundit ia ka kushtuar repertorit me muzikë klasike romantike. Është e dallueshme që ajo është e dashur për publikun. Edhe të shtunën ka evokuar emocione tek ta duke i shëtitur në botë të ndryshme përmes melodive.