Pianoja ka qenë shenja kryesore e koncertit. Bashkë me Orkestrën e udhëhequr nga dirigjenti francez Antoine Marguier kanë krijuar atmosferën unike nëpërmjet “Koncertit nr.5 për piano” të Ludwig van Beethoven e “Simfonisë së 4-t” të Franz Schubert në Atelienë e Pallatit të Rinisë. Koncerti i së shtunës mbrëma – i Filharmonisë së Kosovës në bashkëpunim me “Chopin Piano Fest” – ka qenë edhe një dëshmi se audienca e muzikës klasike në vend është e rafinuar dhe besnike përherë ndaj këtij zhanri
Pianoja sjell momentet misterioze, një territor të ri harmonik të çuditshëm në “Koncertin nr.5 për piano” të Ludwig van Beethoven. Në stolin pranë pianos së Filharmonisë së Kosovës ka zënë vend pianisti virtuoz Francois Dumont. Ka dërguar publikun në një botë ëndrrash nëpërmjet tingujve magjepsës. Jo veç si një koncert i radhës së institucionit të muzikës, por edhe si bashkëpunim me “Chopin Piano Fest”.
Pianoja ka qenë shenja kryesore e koncertit. Bashkë me Orkestrën e udhëhequr nga dirigjenti francez Antoine Marguier kanë krijuar atmosferën unike nëpërmjet “Simfonisë së 4-t” të Franz Schubert në pjesën e dytë të koncertit në Atelienë e Pallatit të Rinisë.
Koncerti i së shtunës mbrëma ka qenë edhe një dëshmi se audienca e muzikës klasike në vend është e rafinuar dhe besnike përherë ndaj këtij zhanri. Salla ka qenë plot, përfshirë publikun që ka përcjellë koncertin nga korridoret sipër që rrethojnë Atelienë.
Kaherë në sallë janë bërë improvizime sa i përket akustikës me ndërrim të pozicionimit të Orkestrës e me mjete zërimi. Të shtunën nuk ka pasur të tilla.
Paralajmërimi për nisjen e gjurmimit të kryeveprave të historisë së muzikës klasike vjen kur dirigjenti Marguier me solistin Dumont i bashkohen Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.
E para vepër ka qenë “Koncerti Nr.5 për piano” i kompozitorit gjerman Ludvig van Beethoven. Është me interpretim solo në piano ku Dumont ka sjellë tingujt e lehtë para se të vijojë pjesa më dominuese. Orkestra ndërhyn në të njëjtën temë duke sjellë tingujt në një version më madhështor. Në “Allegro moderato” ngjan se orkestra pohon temat që zhvillon pianoja. Aty ndërthuren zhvillime të ndryshme me përplot dinamika të cilat shpesh reduktohen.
Hyrja me piano ngjan si një uverturë improvizuese duke u përshpejtuar ritmi derisa vëmendja pasohet tek Orkestra.
Në “Andante con moto” ngadalë vijnë zhvillimet në vepër. Harqet dhe pianoja komunikojnë dhe përfundimisht kombinohen në një dialog të fuqishëm dhe lëvizës.
Vepra virtuoze që në dy kohët paraprake ngjan se i mban tingujt në fre, “Rondo (Vivace)” është momenti për lojë harmonike të pianos solo dhe harqet e heshtura. Kur këto të fundit bashkohen, shkëlqim japin edhe frymorët. Ajo vjen si pjesë me ngjyra tradicionale me temë shumë më ritmike.
Historia e pianistit të shquar francez Francois Dumont në festivalin ndërkombëtar të muzikës klasike “Chopin Piano Fest” nuk është e re. Kishte interpretuar dy vjet më parë në edicionin e 12-të.
“Jam shumë i lumtur të kthehem në Prishtinë dhe të kem mundësi të njoh qytetin dhe kulturën. E ndiej energjinë e mirë dhe dinamike. Isha i emocionuar të kthehem në ‘Chopin...’ dhe të luaj për herë të parë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës”, ka thënë Dumont.
Në maj të 2022-s në repertorin e koncertit recital kishte vetëm vepra nga kompozitori Chopin. Të shtunën para publikut është rikthyer me një vepër më madhore.
“Dy vjet më parë ishte një koncert recital në Festival, ndërsa sonte kemi luajtur Beethovenin. Ky koncert është i fundit i kompozitorit. Një prej emërtimeve të tjera për këtë koncert është ‘Emperor Concerto’, edhe pse në atë kohë Beethoven ishte kundër Napolit, por është një karakter i kompozitorit. Ai kishte energjinë më të fuqishme dhe brilante me pasazhe dramatike. Introverse dhe gati një lloj meditimi në pjesët e fundit. Mandej ‘finale’ si një lloj vallëzimi ritmik”, ka thënë pianisti Dumont.
Karriera e tij filloi në gara me çmime si në konkurset “Chopin Queen Elisabeth”, “Clara Haskil” dhe “Monte Carlo Piano Masters”. Studioi në Akademinë Ndërkombëtare të Pianos në Itali. Orkestra e Teatrit Mariinsky në Shën Petersburg, Orkestra e Clevelandit (SHBA), Orkestra Kombëtare e Lionit (Francë), Orkestra e Tokios (Japoni) janë vetëm disa nga adresat ku ka performuar.
Në pjesën e dytë të koncertit është interpretuar Simfonia e katërt e austriakut Franz Schubert. Gjatë gjithë veprës dëgjohen “kore” instrumentesh të frymorëve me harkorët.
Kjo vepër në përgjithësi ka sjellë atmosferë unike. Tingëllon krejt ndryshe nga vepra e Beethovenit. Çon në një univers krejt tjetër. Shpaloset gradualisht me meloditë që marrin kthesa harmonike të papritura. Vepra me kohët e saj “Allegro”, “Andante con moto”, “Menuetto. Allegro molto” dhe “Allegro vivace” ka disa momente melankolike, veçmas në hyrje.
Vepra e luajtur nën dirigjimin e zvicerano-francezit Antoine Marguier në përgjithësi ka pasur po aq gjallëri sa edhe tragjedi në brendi të saj.
Dirigjenti Marguier i ka vlerësuar të dyja kryevepra absolute.
“Janë kryevepra absolute. Ende e luajmë këtë muzikë edhe pas më shumë se dyqind vjet. Nënkuptohet se janë monumentale. Në Francë e quajmë ‘la musique servant’ (muzikë e servuar), muzikë që njihet, e elaboruar, që u vjen njerëzve si një lloj ushqimi”, ka thënë ai.
Për të është hera e katërt që drejton Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës brenda dy vjetëve. Ka thënë se progresi aty vërehet qartë.
“Hera e parë që kam qenë këtu ishte dy vjet më parë, ndërsa kjo është hera e katërt. Mund të shihja progresin, zhvillimin e kësaj orkestre për të cilën unë gjithmonë them se ka potencial të madh. Është emocionuese për mua, sepse vërtet e çmoj këtë gjë”, ka thënë Marguier.
Në edicionin e 14-të të “Chopin Piano Fest”, festivali që vë në qendër pianon e ka provuar instrumentin në disa kombinime në koncertet paraprake. Ai me një orkestër komplete vjen pas gërshetimit të tingujve pianistikë me violinë, violonçel e më pas do të ketë edhe me këndim.
Koncerti i përbashkët ka ardhur si rrjedhojë e bashkëpunimit të institucionit të muzikës me Festivalin.
“Kemi vazhdimin e një bashkëpunimi tejet të suksesshëm, tradicional dhe shumë të vlefshëm për ne me Filharmoninë e Kosovës. Jam shumë e lumtur, sepse ky bashkëpunim na ka sjellë mbi njëzet solistë të cilët kanë interpretuar me Filharmoninë e Kosovës në 14 edicione. Kemi pasur edicione ku kanë interpretuar dy solistë, një nga jashtë vendit dhe një nga Kosova, të cilët kanë luajtur në një mbrëmje”, ka thënë drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula.
Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se ky bashkëpunim është mundësi e mirë për t’i bashkuar forcat me festivalet e skenës së muzikës klasike.
“Bashkëpunimi me ‘Chopin Piano Fest’ është tashmë tradicional, jo vetëm me këtë festival, por edhe me të tjera të cilat organizohen në Kosovë. Kjo ka qenë edhe një mundësi e mirë për t’i bashkuar forcat siç kemi bërë edhe në të kaluarën dhe shpresoj të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Në vitet e fundit nuk kemi pasur mundësi të bashkëpunojmë me secilin festival për shkak të kalendarit të Filharmonisë së Kosovës që nganjëherë nuk përputhet me agjendën e festivaleve. Për aq sa do të kemi mundësi, do ta vazhdojmë si traditë edhe në vitet në vijim”, ka thënë Selimaj.
Vitin e kaluar në kuadër të bashkëpunimit midis Filharmonisë dhe “Chopin Piano Fest” ishte mbajtur koncerti me pianistin anglez Peter Donohoe nën dirigjimin e anglezit Robert Guy.
Koncerti i radhës i festivalit zhvillohet sot (e hënë) me pianisten Iliriana Gjoni dhe sopranon Milica Laloseviq nga Mali i Zi. Ndërkohë Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se do të mbajë koncertet e ardhshme në ambient të hapur.