Kulturë

Festivali i Teatrove në Ferizaj midis traditës e synimit për afërsi me publikun

Festivali i Teatrove ne Ferizaj

Me një numër të madh aktivitetesh të cilat nuk kufizohen vetëm me shfaqje teatrale, ky edicion synon që të shkojë vetë te shikuesi, jo domosdoshmërisht ta presë atë në shtëpinë e vet, teatrin e qytetit të Ferizajt “Adriana”

Njihet si festivali me historinë me të gjatë në Kosovë, Festivali i Teatrove në Ferizaj këtë vit pritet ta nisë edicionin e 54-t prej 1 deri më 6 shtator. Me gjithë këtë histori e me një numër aktivitetesh të cilat nuk kufizohen vetëm me shfaqje teatrale, ky edicion synon që të shkojë vetë te shikuesi, jo domosdoshmërisht ta presë atë në shtëpinë e vet, teatrin e qytetit të Ferizajt “Adriana”. Por mbi të gjitha bëhet fjalë për tetë shfaqje teatrale të cilat vijnë nga Teatri Kombëtar i Kosovës, ai i Tiranës si dhe i Shkupit. Veç repertorit qendror të përbërë nga shfaqjet më të suksesshme të këtyre dy viteve të fundit, që pritet të jetësohen në teatrin “Adriana”, si nikoqir të vazhdueshëm të festivalit, teatrin ky edicion do ta shpjerë edhe nëpër skutat e qytetit të Ferizajt. Aty ku rëndom nuk pritet të zënë vend performancat e tilla, do të vihen dritat te hapësira të ndryshme alternative që në esencë bërtasin për rolin e teatrit. Drejtori artistik i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, regjisori Besim Ugzmajli, në një prononcim për KOHËN, ka përmendur pikërisht këtë përpjekje të vazhdueshme që çdo vit, nëpërmjet festivalit të sillen risi. Njëra ndër to. Një punëtori i vyer për këdo të interesuar të mësojë më tepër.
“Ne çdo vit bëjmë përpjekje maksimalisht që të kemi prurje të reja në festival si nga përmbajtja ashtu edhe për nga temat. Për shembull këtë vit kemi pasur kujdes të veçantë që të sjellim një punëtori që flet për teatrin dhe luftën të cilën e kemi titulluar ‘Lufta e Katërt Botërore’ dhe do të realizohet nga regjisori maqedonas Gjorgji Rizeski”, është shprehur Ugzmajli. 

Kjo punëtori do të jetë mundësi për çdo artist, aktor, regjisor, interpretues, koreograf, a dramaturg që të eksplorojë pyetje të mëdha ekzistencialiste të cilave rëndom përgjigja u kërkohet te arti. Nëpërmjet kësaj punëtorie gjithëpërfshirëse synohet të eksplorohen nuancat e konflikteve, cenueshmërisë së njerëzimit në përgjithësi, por epilogu i saj i cili është i veçantë në llojin e vet synon diçka tjetër. Krijimi i shfaqjeve në rrugë nuk është praktikë e shpeshtë, por këtë e ka për objektiv festivali i cili pas tri ditësh punëtori me  Gjorgji Rizeski  synon të hyjë thellë te publiku, e kjo çarje përkon dhe me objektivat e vetë festivalit. 

“Përmes performancave në kuadër të festivalit ne promovojmë që teatrin ta afrojmë më afër qytetarit dhe që ky teatër i rrugës të ndodhë në qytetin e Ferizajt, nëpër hapësira si nënkalime të ndryshme, nëpër qytet në mënyrë që teatri të udhëtojë tek ata e jo shikuesi te teatri. Edhe teatri të udhëtojë drejt shikuesit që në këtë mënyrë të imponohen tregime e ngjarje teatrore sa më afër qytetarit ferizajas dhe mysafireve përgjatë ditëve të festivalit”, ka shtuar ai. 

Përveç këtyre hapësirave alternative ku do të zhvillohet teatri, në këto ditë të festivalit do të ketë dhe aktivitete të tjera që kalojnë skenën. Në Galerinë e Arteve në qytetin e Ferizajt do të jetë e disponueshme ekspozita “Teatri Ilegal” nga artisti Sovran Nrecaj, ndërkaq pjesë e programit 6 ditorë do të jenë edhe diskutimet që këtë radhë do të përbëhen nga dy panele respektive që trajtojnë luftën dhe teatrin si dhe marrëveshjet e themelimit të fondit të përbashkët teatror midis Kosovës dhe Shqipërisë, hapat e parë të së cilit qenë vendosur në kuadër të “Prizren Festit”, një muaj më parë. 
Teatri Shqiptar nga Shkupi do ta hapë këtë edicion të 54-t me shfaqjen “Mishi i egër” nga Goran Stefanovski, ndërkaq festën pas shfaqjeve, e cila karakterizohet me ndejat tradicionale tashmë, do ta bëjë grupi  “Asgjë sikur dielli”.

Në mes të imponimit të teatrit, përçimit të mesazheve përmes tij, festimit të tij e mundësive për të rinjtë, Festivali i Teatrove të Ferizajt synon që kështu  ta shënojë edhe një vit tjetër në pesë dekadëshin e tij. 

Festivali i Teatrove në Ferizaj kishte nisur në vitin 1970 dhe përgjatë kësaj periudhe u organizua edhe në rrethana të jashtëzakonshme. Është prej festivaleve më të vjetra në vend, por ky nam shkon edhe përtej kufijve e në rajon. E vitin e kaluar, në edicionin e 53-të “Udhëtimi i gjatë drejt natës”, nën regji të Iliriana Arifit, prodhuar prej Teatrit Kombëtar të Kosovës, kishte marrë çmimin kryesor. Shkumbin Istrefi kishte marrë çmimin për aktorin më të mirë, e Aurita Agushi për aktoren më të mirë. Ndërkaq çmimi për regjinë më të mirë i kishte takuar regjisorit Ilir Bokshi për shfaqjen “Gënjeshtari”. Vjet Ministria e Kulturës nuk e kishte përkrahur këtë festival në thirrjen vjetore për përkrahje të projekteve artistike e kulturore. Ky fakt kishte quar shumë pluhur në komunitetin artistik. Më pas MKRS-ja ishte ofruar që përkrahjen ta bënte nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit. Por Festivali i Teatrove në Ferizaj kishte vendosur që ta refuzojë synimin e Ministrisë së Kulturës që ta mbështesë këtë ngjarje nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit. Këtë vendim festivali e kishte marrë si “akt qëndrese e solidariteti”.

Organizatorët e festivalit me traditën më të gjatë në Kosovë dhe jo vetëm, kishin dalë me reagim. “Qasja e zgjidhjeve të problemeve në kulturë, përmes improvizimeve e përmes ‘fiskulturave’ të llojit ‘Deux ex Machina’ jo vetëm që nuk është serioze, por është padyshim edhe e rrezikshme”, shkruhet në reagimin e festivalit. “Deux ex Machina” është një pajisje komploti ku një problem në dukje i pazgjidhshëm në një histori zgjidhet befas nga një dukuri e papritur.

Sipas organizatorëve, në konkursin publik për mbështetje financiare, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me vetëdije të plotë ka refuzuar ta financojë mbajtjen e edicionit të 53-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj.

“Pas secilës fazë refuzimi organizatorët e FTF-së kanë pritur të hutuar, por me durim, një përgjigje zyrtare e një shpjegim logjik e bindës për këtë lëshim si duket të qëllimshëm të MKRS-së. Por, përgjigje nuk ka pasur”, shkruhej në reagimin që shoqërohet me një poster ku Ministria e Kulturës bëhet “Ministria e Fiskulturës”. Paraprakisht Ministrinë e Kulturës e kishin cilësuar si “Ministri të Kuturusë”. 

“Sigurisht që reagimi zyrtar nga FTF-ja ka ndodhur pas një përpjekjeje që përmes ankimimit të gjejë mbështetjen e më se merituar nga MKRS-ja. Por, në vend të përgjigjeve zyrtare, nga MKRS-ja vinin vetëm ca fjalë të thata, në formën e thashethemeve jozyrtare, për një ‘memorandum’, për diçka ‘afatgjate’... Fjalë boshe, të cilat jemi mësuar t’i dëgjojmë kaq shpesh, e më shpesh si forma të sofistikuara presioni e shantazhi. Pra, ‘silluni mirë, mos bëni zhurmë se ne po mendojmë për ju, po mendojmë të gjejmë zgjidhje afatgjate, përmes një memorandum-dum-dum... e kështu ngjashëm’”, shkruhej në reagim. Sivjet këtë festival MKRS-ja e ka mbështetur me 40 mijë euro.