Skena ka marrë formë, është më e madhe sesa vjet, orkestra tashmë është akorduar, krejt hapësirës s’i mungon shkëlqimi, por ai zgjat jo më shumë se tri net, sikurse vitin e kaluar kur zëshëm u premtua se jo vetëm salla e djegur, por i gjithë Pallati i Rinisë, do të ringjallet. Shenjë të premtimeve si këto nuk shihen kund, por ata që e kanë marrë përsipër që për së dyti të sfidojnë kushtet, e dinë realitetin që fshihet prapa shkëlqimit skenik. “Është e jashtëzakonshme çfarë pune është bërë për të mbërritur në këtë pikë, në një sallë që nuk i plotëson kushtet në asnjë mënyrë për çfarëdo manifestimi, lërë më për një festival të karakterit të tillë”, ka thënë Florent Boshnjaku, drejtor i Festivalit të Këngës në RTK, që nis sonte
Kur Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës po numëron së prapthi orët deri në nisje të edicionit të dytë të tij, ngjarja veçse ka marrë formë. Si imazh dhe si përmbajtje. Të mërkurën janë bërë prova në skenë me solistët dhe orkestrën. Është arnuar salla e djegur në Pallatin e Rinisë që mbetet e vetmja që u përafrohet përmasave të një ngjarjeje të tillë. Përgatitjet e fundit bëhen për tri net muzikore të cilat organizatorët kanë premtuar se do të jenë magjepsëse. Mbi të gjitha, imazhi që krijon, është dëshmi e sfidimit të kushteve, në improvizim të shkëlqimit së paku për tri net.
Hapësira është e njëjtë si ajo në edicionin e cilësuar historik të Festivalit të Këngës në RTK. Por sa e ngjashme, aq edhe ndryshe duket. Ajo çfarë bie në sy është skena dukshëm më e madhe sesa vjet.
Imazhi gjigant si fytyrë e Festivalit e cila në tri net vjet qe shenjë e ngjarjes, sivjet është lënë si suvenir në pjesën më të prapme të sallës. Si përkujtim për edicionin e kaluar. Skeleti i skenës është hequr krejtësisht bashkë me kllapat që ishin hapur bashkë me edicionin e parë.
Më shumë se hamonizim midis solistëve dhe orkestrës, provat të mërkurën kanë qenë testime zërimi. Paraprakisht provat janë mbajtur në Atelienë e Pallatit të Rinisë. Një ditë para nisjes, organizatorët janë marrë me finesa.
Dritat LED, sikurse vjet, e ndriçojnë hapësirën shkallë-shkallë aty ku do të zë vend orkestra 40-anëtarëshe. Disa prej instrumenteve që duan më shumë punë për t’u futur në sallë, veçse janë aty. Të tillat janë të vendosura në anën e djathtë të skenës si pianoja, bateritë, perkusionet, bas-kitarat dhe jo vetëm. Në anën tjetër janë harkorët dhe një numër më i vogël i frymorëve.
Drejtori artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku, ka bërë të ditur se sivjet orkestra do të udhëhiqet nga dirigjentët Arbër Dhomi, Alfred Kaçinari dhe Lindita Isufi.
“Ekipi muzikor është pothuajse i njëjti. Shpresojmë se publiku do të kënaqet me tri net të Festivalit. Orkestra është e përbërë prej njerëzve profesionistë ndërsa dirigjentë janë Arbër Dhomi, Alfred Kaçinari dhe Lindita Isufi. Janë shumë të mirë ndërsa sivjet jam i lumtur që e kemi një grua në dirigjim. Ky ka qenë vendim që e kam parë të arsyeshëm”, ka thënë Boshnjaku derisa ka bërë të ditur se sivjet janë 40 instrumentistë në formacion.
Ka thënë se është bërë punë e mrekullueshme në një sallë që nuk i plotëson aspak kushtet.
“Është e jashtëzakonshme çfarë pune është bërë për të mbërritur në këtë pikë, në një sallë që nuk i plotëson kushtet në asnjë mënyrë për çfarëdo manifestimi, lërë më për një festival të karakterit të tillë. Siç duket vullneti dhe mundësitë që jepen nga institucionet, ndihmojnë. Sivjet praktikisht skena është më e madhe se vitin e kaluar. Është skenë gjigande”, ka thënë ai.

Tash skenografia është sjellë në një formë krejt ndryshe. Prapavija e skenës është në fokus si pjesë kryesore. Copëza vezulluese të punuara me dorë do të ilustrojnë krejt çfarë do të shfaqet në ekranet gjigande.
Edhe sivjet skenografia është punuar prej Rudina Xhaferit dhe Shqipe Kamberit.
Skenografja Xhaferi ka thënë se sivjet në dispozicion kanë pasur më pak buxhet për skenën sesa vitin e kaluar.
“Për dallim prej vitit të kaluar ku buxheti ka qenë i lartë, sivjet ka qenë më i ulët dhe kemi qenë të kufizuara që me elementet me të cilat e kemi bërë vjet skenografinë, ato është dashur t’i ritransformojmë për të bërë një koncept komplet të ri”, ka thënë ajo derisa ka shtuar se gjatë punës së tyre janë përcjellë me përplot sfida.
“Ajo na ka marrë pak më shumë kohë rreth elaborimit të idesë. Por kemi arritur ta bëjmë këtë transformim ashtu siç kemi dashur brenda kushteve në të cilat kemi punuar. Sivjet prej një prizmi kemi pasur lehtësira pasi vjet ka qenë procesi i njëjtë por jemi ballafaquar me sfidat që kanë qenë goxha të ashpra por të cilat unë dhe Shqipja jemi shumë këmbëngulëse t’i shkojmë idesë sonë deri në fund, me gjithë mundin”, ka thënë skenografja e artistja Xhaferi.
Ka thënë se procesi i punës ishte delikat. Për këtë arsye kanë ndihmuar edhe disa studente të saj: Ardita Rafuna, Blerta Haliti, Albiona Maksuti dhe Laura Jahiri.
“Sivjet pos psiqikisht jemi dërrmuar jashtëzakonisht shumë fizikisht meqenëse kemi punuar me një material i cili, mënyra sesi e kemi konceptuar është dashur thjesht të futësh rruaza në pe. Prej copëzave shumë të vogla është krijuar e gjithë tërësia. Në gjithë të këtë proces i kemi angazhuar edhe disa studente që i kam pasur në Fakultetin e Arteve, katër vullnetare”, ka thënë Xhaferi e cila bashkë me Shqipe Kamberin e kanë punuar skenografinë e Festivalit të Këngës në RTK për dy edicione.
Kostoja e edicionit të dytë, është 350 mijë euro. Siç ishte bërë e ditur javën e kaluar në konferencë për media, kjo shumë u sigurua me aneks-memorandum nga Ministria e Kulturës me arsyetimin se transmetuesi publik është në situatë shumë të keqe financiare. Ishte paraparë që Ministria të ndante 250 mijë euro, ndërsa 100 mijë RTK-ja por prej saj, sivjet siguron vetëm gjysmën.
Nuk ka shenja të investimeve të zotuara në sallë. Vjet, kur po mbahej Festivali, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte thënë se si kryeqytet bashkë me Pallatin e Rinisë dhe Ndërmarrjen Publike Banesore kanë ndarë 350 mijë euro investim “për ta jetësuar këtë projekt të ringjalljes së ikonës së kryeqytetit”. E kishte fjalën për Pallatin e Rinisë. “Nuk ka kurrfarë arsye të mos i rivitalizojmë gjithë këto ikona, sidomos ikonat e kryeqytetit. Duke filluar me Pallatin e mrekullueshëm të Rinisë”, kishte thënë bindshëm ai.

Ajo çfarë është parë gjatë së mërkurës në skenë, ngjyra e kaltër, sikur vjet do të jetë simbol i prapavijës në skenë. Si një simbol për RTK-në si organizator i ngjarjes.
Pranë skenës rendet e ulëseve janë në dysheme të rrafshët. Ato i ndan në mes korridori i ngushtë dhe i zgjatur që lidhet me skenën kryesore. Në mes salla zgjerohet si një lloj tetëkëndëshi që formon një lloj mini-skene.
Në dysheme është vendosur një lloj platforme. Por një e tillë, sikurse vitin e kaluar, është e ngritur shkallë-shkallë për pamje më të mirë të skenës. Kontribuues i mirë në këtë pjesë duket se janë tribunat në dy anët anash skenës. Shkallët aty janë të mbuluara krejtësisht me tepih. Kur qe zhveshur salla pas Festivalit, kjo pjesë ishte e vetmja e paprekur.
Sërish, edhe sivjet, komplet muret me blozë janë mbuluar me material me ngjyrë të zezë. Në tavan janë instaluar reflektorë, sikurse edhe në pjesën e tribunave bashkë me dritat LAD, në fund të skenës, e shumë të tilla ka në dysheme.
Imazh i njëjtë me edicionin e kaluar është edhe në hapësirën e jashtme. Tepihu i kuq është zgjatur deri në shkallët që çojnë në platenë e Pallatit të Rinisë.
Natyrisht, programi qendror dhe esenca e festivalit janë 16 këngët që do të prezantohen në kuadër të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK. Përgatitjet për tri netët e Festivalit finalizohen me provën gjenerale paraditen e së enjtes (sot), kur edhe nis Festivali që do të prezantohet nga kantautori Genc Salihu, bashkë me aktoren Drita Kabashi. Pjesën e programit, pos prezantimit të 16 këngëve garuese, do ta ndërtojë grupi “Lindja”, këngëtari Alban Skënderaj e artisti shqiptar me emrin skenik Stanaj, por ka edhe të tjera befasi.
Një ditë para Festivalit, secili prej këngëtarëve ka kënduar këngën e vet në përcjellje të orkestrës. Tematikat e tyre, midis tjerash janë për dashurinë, por u kushtohen edhe gjuhës, kombit e identitetit shqiptar. Organizatorët kanë inkurajuar instrumentistët të votojnë për këngën më të mirë, me ç’ rast njëri prej çmimeve që do të ndahet në natën finale do të jetë edhe Çmimi i Orkestrës.
Vitin e kaluar këtë çmim e mori Saranda Alija me këngën “Mendoj ku je”. Sa u përket të tjerëve, fitues i edicionit ishte La Fazani me “Oj Kosovë”. Çmimin e dytë e kishte marrë “Angus Dei” me “Një zemër për dy”, ndërsa të tretin Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”.