Kulturë

Festivali i Këngës – spektakël i guximshëm me pjesën e brishtë muzikore

Festivali i Këngës

Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës ka mbyllur kapitullin e dytë, por e ka lënë hapur atë të debatit për të (Foto: MKRS)

I menjëhershëm ka qenë debati postfestum sapo ka përfunduar edicioni i dytë i Festivalit të Këngës në RTK. Në rrjete sociale qasjet janë midis dy ekstremeve, e profesionistët janë në mes. Bashkohen në një pikë: prurjet muzikore janë të varfra, me përjashtime. “Prurja muzikore duket se është shumë problematike”, ka thënë profesoresha e muzikës, Besa Luzha. Producenti Dardan Selimaj, zëvendësues i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, thotë se Festivali duhet t’i afrojë kompozitorët pranë vetes, por me këtë edicion “ka vazhduar atë që nisi vitin e kaluar: Të jetojë guximshëm”

E qetë ka qenë mesdita e së dielës në sallën e djegur të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Pa u bërë 24 orë prej shkëlqimit skenik e imazhit të hapësirës së mbushur plot, kanë nisur të zhvendosen karriget, skena nuk është ajo që shihet në televizor. Salla i kthehet realitetit, Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës ka mbyllur kapitullin e dytë, por e ka lënë hapur atë të debatit për të. Në rrjete sociale, qasjet janë në dy ekstreme – midis urimeve me “Bravo” dhe kritikave me “Turp” – e profesionistët janë në mes. Bashkohen në një pikë: prurjet muzikore janë të varfra, me përjashtime. Por me rëndësi vlerësohet ftesa që u duhet bërë kompozitorëve që kanë qenë si kolosë të këngës argëtuese shqipe.

Nëntë këngë qenë përzgjedhur për në fazën finale të këtij edicioni që për kryefjalë ka pasur shkëlqimin, skenën madhështore, e kësaj here jo transformimin e sallës, por sfidat për të zhvilluar një produksion të tillë madhor në një hapësirë të tillë të kufizuar.

Për fituesin Endrit Krasniqi – që mori “Diamantin blu” me “Flas me gjethen” – Festivali është një shans i mirë për të dhe artistët e rinj.

Prurja problematike muzikore 

Profesoresha e muzikës, Besa Luzha, një ditë pas finales ka thënë se mosinteresimi i skenës artistike për Festivalin sillet midis nevojës që artistët të krijojnë besim në kapacitetet e RTK-së si organizator si dhe dekurajimit që vjen si rrjedhojë se kënga fituese nuk ka për destinacion “Eurovisionin”.

“Kam një ndjenjë sikur njerëzit ende nuk janë të sigurt. Duke parë, duke bërë. Mund të mos kenë qenë të sigurt në kapacitetin e RTK-së nëse mund ta bëjë një festival të tillë. Pastaj ajo ndoshta ka qenë arsyeja pse nuk e kanë fituar besimin. Tash janë vetëm dy edicione dhe mund të kemi bazë për të parë nëse ka diçka serioze në këtë drejtim. I pashë disa komente shumë të mira dhe komente shumë negative”, ka thënë Luzha.

Ajo ka thënë se ana muzikore bashkë me imazhin e sallës kanë qenë në nivel, por se problematike janë prurjet muzikore.

“Gjithë këto elemente janë mirë, vetëm prurja muzikore duket se është shumë problematike. Se pse, duhet të shqyrtohet. Mund të jetë çështja e besimit, se mungon motivi për shkak se kënga nuk shkon në ‘Eurovision’ ose që artistët janë stabilizuar nëpër festivale të tjera. Megjithatë, në anën tjetër më është dukur se koha për konkursin e dërgimit të këngëve ka qenë shumë e shkurtër. Ndoshta festivali duhet t’i ftojë kompozitorët. Tash nuk e dimë a po vlerësohen kompozitorët apo interpretët”, ka thënë profesoresha Luzha.

Muzika në Festival – reflektim i këngëve të sotme

Producenti Dardan Selimaj, zëvendësues i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, e cila ka rolin e vet edhe në Festival, ka thënë se ajo çfarë Festivali duhet të bëjë, është t’i ftojë kompozitorët të marrin pjesë.

“Sa u përket emrave me përvojë, mendoj se ata do të vijnë me kohë — ajo që duhet të bëjë Festivali është t’i afrojë kompozitorët pranë vetes, dhe këngëtarët pastaj do të vijnë. Edhe në Festivalin e Këngës në RTSH, fillimisht ftohen kompozitorët, pastaj ftohen këngëtarët më të njohur”, ka thënë Selimaj.

Ka qenë e ditur se edhe këtë edicion kënga fituese nuk do të ketë për adresë garën evropiane të këngës “Eurosong”. Në konferencën për media nga organizatorët dhe prezantuesit e Festivalit, ishte thënë se udhëheqësit e Unionit të Transmetuesve Evropianë – institucion që e organizon “Eurosongun” – kanë shprehur interesim për ta ndjekur nga afër ngjarjen. Por asnjëri prej tyre s’e ka bërë këtë.

Sipas Selimajt, pjesëmarrja në këtë garë do ta rriste interesimin në një përqindje, por nuk do të kishte ndikim të madh.

“Muzika që prezantohet në festival është reflektim i këngëve që krijohen sot; nuk shoh ndonjë dallim drastik nga ajo që dëgjojmë nga artistët e mëdhenj në projektet e tyre, përkundrejt disa këngëve të prezantuara në Festival. Aty kishte këngëtarë me vokale të veçanta dhe zëra të bukur, ndoshta pa shumë guxim për të kaluar përtej interpretimit të këngës dhe pa e shfrytëzuar plotësisht mundësinë e një skene të madhe si ajo e Festivalit”, ka thënë ai.

Ka konsideruar se Festivali është përtej asaj që mund të krijohet aktualisht në vend ndërsa është shprehur i shqetësuar me mundësinë e tërheqjes së drejtorit të përgjithshëm të Festivalit, Adi Krasta.

“Prezantuesit kanë qenë një befasi e këndshme — dhe këtë vit, disa aspekte të tollovisë së vitit të kaluar kanë qenë më pak të pranishme. Duhet ta kemi parasysh që prapa Festivalit qëndron një personalitet me përvojë në këtë fushë. Krasta ka krijuar spektakle që janë ndjekur gjatë dhe të cilat kanë vendosur standarde në hapësirën shqiptare. Më shumë shqetësohem për të ardhmen: duke dëgjuar thashetheme se Krasta do të tërhiqet në vitet që vijnë –  kush do ta drejtojë festivalin, a kemi kapacitet për ta tejkaluar atë, nëse ky nuk është i duhuri?”, është shprehur Selimaj në një përgjigje me shkrim.

Sipas tij, një ngjarje e tillë duket të organizohet brenda institucioneve publike për të siguruar vazhdimësinë.

“Festivali ka vazhduar atë që nisi vitin e kaluar: Të jetojë guximshëm. Pas luftës kanë ekzistuar shumë Festivale, por shumica kanë pushuar së ekzistuari, pasi nuk kishin një institucion të qëndrueshëm prapa tyre. Ndryshe nga të tjerët, festivale si ky, sidomos në rrethanat tona, duhet të organizohen brenda institucioneve publike, për të garantuar vazhdimësinë e tyre. Në këto kushte, fakti që festivali zhvillohet, për mua i tejkalon pritjet sidomos në një vend ku nuk ka një shtëpi për organizimin e ngjarjeve si këto”, ka thënë Selimaj.

Në edicionin e dytë të Festivalit të Këngës, kanë qenë dy emra kyç që janë përmendur si sponsorë, duke u thirrur si ata që e kanë bërë të mundur Festivalin dhe “pa të cilët gjithçka që është parë në Festivalin e Këngës, nuk do të bëhej”, siç është shprehur në natën e dytë kantautori Genc Salihu, njëri nga prezantuesit e Festivalit të Këngës për këtë edicion.

Ministria e Kulturës nuk është përmendur fare në asnjërën nga tri netët e ngjarjes.

Sivjet Ministria ka ndarë 300 mijë euro për Festivalin, ndërsa RTK-ja nga buxheti i saj ka dhënë 50 mijë euro. Kjo edhe si rrjedhojë e një aneks-memorandumi që ishte nënshkruar midis dy palëve ditë para nisjes së Festivalit, pasi sipas memorandumit me të cilin Ministria mbështet ngjarjen për tre vjet, për këtë vit parashihej që institucioni të ndante 250 mijë euro ndërsa 100 mijë t’i jepte transmetuesi publik nga buxheti i tij. Parashihej një lloj strategjie për vetaftësimin e RTK-së për ta organizuar Festivalin e Këngës e cila kishte rënë në ujë. Nuk janë përmendur shifrat e sponsorëve.

Drejtori artistik i Festivalit të Këngës, Florent Boshnjaku, i cili këtë pozitë e ka mbajtur për dy edicione, është shprehur optimist se artistët vijnë me rritjen e Festivalit.

“Shpresoj që ndër vite Festivali të rritet dhe sa më shumë njerëz të konkurrojnë dhe të vijnë në Festival”, ka thënë Boshnjaku.

Në finale, në publik ka zënë vend edhe kryeministri i Kosovës. Të nesërmen edhe ai ka uruar fituesit e organizatorët. Impozant e ka cilësuar këtë edicion.

“Në popull thuhet se çdo i dyti person në Kosovë dëshiron të bëhet këngëtar, dhe ashtu është, sepse Kosovës i këndon zemra! Urime për një tjetër edicion impozant të Festivalit të Këngës në RTK, i cili po vazhdon traditën e nisur nga ‘Akordet e Kosovës’ në shekullin XX, tani me një format të ri dhe energji të re”, ka thënë ai.

Energji të re në skenën muzikore sjell edhe fituesi i sivjetmë i “Diamantit blu”, Endrit Krasniqi me “Flas me gjethen”.

Debutimi triumfues i Dhjetorit

Me emrin skenik Dhjetori, midis emocionesh, Endrit Krasniqi e ka vlerësuar Festivalin si mënyrën më të mirë për t’u promovuar si artist.

“Një prej vendeve më të mira për t’u promovuar është një Festival i mrekullueshëm si ky. Çdo artisti të ri ia kisha preferuar të marrë pjesë, ta heqin frikën që e kanë. Është gjithë kjo sallë, pastaj  njerëzit shohin dhe dëgjojnë. Është mrekulli, e hatashme”, ka thënë ai për KOHËN. Ka qenë hera e parë për të në një Festival.

Kënga me titull “Flas me gjethen” me tekst e muzikë të Bekim Këpuskës merr për shkas gjethen për të transmetuar tematikën e saj. Rënia e gjethes është një lloj simboli stilistik i shkëputjes së gruas nga rrjedha e jetës si një lloj sakrifice tradicionale për dashurinë. Falja e dashurisë, vetë botës së saj tek ai, janë temat brenda këngës. Të tillë e ka zbërthyer vetë autori i këngës.

“Teksti e trajton një grua, është tekst dedikuar gruas sime. Kur jemi lidhur ka qenë shumë e re, ka lindur e re. Është gjeth i këputur, siç quhet edhe kënga ‘Flas me gjethen’. Unë jam dashuruar në të dhe nuk kam mundur t’i rezistoj dhe sot e kësaj dite jam me të dhe i dashuruar marrëzisht”, ka thënë Këpuska.

Ka thënë se kënga i ka marrë kohë për “një jetë të tërë”.

“Kënga është fryt i bagazhit tim muzikor, që është mbi 30 vjet, dhe e kam shpërblyer këtë studentin tim të tupanëve me të cilin më pas e kemi bërë këtë këngë dhe jo vetëm këtë këngë, por do të bëjmë album, shumë shpejt”, ka thënë Këpuska, i njohur edhe si baterist i rock-grupit “NA”.

Çmimin e dytë e ka marrë kënga “Verës” nga Greta Azizi me tekst të Ardiana Gashit dhe me muzikë nga Valon e Diell Gashi.

Azizi ka thënë se një festival e skenë e tillë është biletë në karrierën e një këngëtari.

“Njeriu përmbushet shumë në skenë dhe neve artistëve na duhen skena të tilla”, ka thënë ajo.

Çmimin e tretë të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës e ka marrë kënga “N’Shqipni” nga Dea Strica me tekst e muzikë nga vetë ajo. Ajo është shprehur e lumtur dhe e nderuar që ka marrë pjesë në festival. Garën e ka vlerësuar të fortë, ndërsa çmimin që i është dhënë si magji shtesë e përvojës në Festival. Derisa ka folur për këngën e saj ka thënë se është letër dashurie për vendin.

“Kënga është një letër dashurie për vendin tonë. Është një thirrje që të gjithë të rinjtë dhe jo vetëm, profesionistë, t’i kthehen tokës së tyre sado pak dhe të sjellin më të mirën. Ky festival, në fakt, është një shembull konkret sesi njerëzit që e duan vendin e tyre, bëjnë gjëra të bukura dhe i bëjnë ato realitet. Ka nisur nga një sallë bosh dhe të djegur dhe është transformuar në këtë magji. Këto janë gjërat e bukura që ne mund të bëjmë për vendin tonë”, ka thënë Strica.

Këto vlerësime janë bërë nga juria në përbërje prej të kryetares Minire Fetahu, redaktore e muzikës në RTK dhe anëtarëve Jane Sugarman, muzikologe, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e portalit për art dhe kulturë “KultPlus”, Blerta Zeqiri, regjisore dhe Valbona Selimllari, prezantuese.

Kapitulli i ndarjes së çmimeve është çakorduar me skenar dhe është dashur që në skenë të rikthehet Adi Krasta, drejtor i Festivalit, për ta “zbërthyer” skenarin.

Rryma të ndryshme dhe shansi për talente

Drejtori artistik Florent Boshnjaku, ka thënë se në këtë edicion të Festivalit ka pasur rryma të ndryshme muzikore.

“Ka pasur balada, alternative, rock e hip-hop. Jam i lumtur që janë sjellë këto rryma, sepse këto dëshmojnë që ka njerëz të rinj të talentuar dhe që duhet t’u jepet rasti. Ka edhe prej tyre që janë në tregun muzikor apo janë njerëz që krijojnë muzikë”, ka thënë Boshnjaku.

Në natën finale befasia e parë për publikun e Festivalit ka qenë këngëtari shqiptar me emrin skenik Stanaj, që po bën karrierë në skenën amerikane. Ka interpretuar këngën e tij më të re “Glory” e lansuar të premten.  Skena është kthyer në atë të një teatri të improvizuar të muzikës klasike. Ka qenë aria “Casta diva” nga opera “Norma” e Bellinit të cilën e ka interpretuar sopranoja e shquar, Besa Llugiqi nën përcjelljen e Korit të Filharmonisë së Kosovës ndërsa orkestra e Festivalit veçse ka qenë e përbërë nga instrumentistë të institucionit shtetëror muzikor.

Aktori Bujar Ahmeti është ngjitur në skenë me poezi që thërrasin për ruajtjen e gjuhës. Violinisti i shquar shqiptar në skenën ndërkombëtare, Olen Çezari, ka qenë solisti tjetër i cili me orkestrën e Festivalit kanë sjellë një vepër bashkëkohore instrumentale. Tjetër emër i njohur, por sa i përket këngës argëtuese, ka qenë Alban Skënderaj. Ka kënduar këngën e tij hit “Vetëm ty”, një prej të parave në karrierën e tij.

Letrat shpërthyese me ngjyra kanë qenë vezullimi i fundit i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës. E shkëlqimi i përkohshëm, si vitin e kaluar, pritet të zhbëhet e t’i hiqet maska e sallës së shkatërruar që ringjallet në tri net sa zgjat Festivali.