Nëntë finalistët e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK që janë përzgjedhur të premten mbrëma, do të konkurrojnë për “Diamantin blu” siç është pagëzuar çmimi në frymën e shkëlqimit të Festivalit i cili as sivjet nuk arrin t’i bindë emrat e dëshmuar të muzikës që të ngjiten në skenën e tij si garues. Shumica e konkurrentëve janë emra të rinj, skena është zgjeruar por në dy netët e para është zbehur edhe interesimi i publikut në krahasim me të parin edicion, të cilësuar historik. Këngët do të vlerësohen nga juria pa kompozitorë në përbërje, e për kompozitorin Valton Beqiri kjo është arsyeja që Festivalit i mungojnë këngëtarë të karrierës. Kompozitori Reshat Randobrava ka thënë se “dikur nuk ka pasur tepih të kuq, por ka pasur këngë të bukura”
Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës në dy netët e para është dëshmuar si spektakël. Por ky shkëlqim i ngjarjes ngjan se e ka lënë në hije programin kryesor: këngët që Festivali prezanton. Një pjesë e mirë e pjesëmarrësve janë emra të rinj, e as me edicionin e dytë nuk ka tërhequr artistë me karrierë në skenën muzikore. Krejt kësaj i përgjigjet nevoja për të krijuar besim te Festivali sa i përket vlerësimit profesional.
Interesimi për ngjarjen, bazuar në pjesëmarrjen e publikut në sallë, është vërejtur më i zbehtë në krahasim me edicionin e kaluar. Përderisa vjet, madje edhe shkallët e dy tribunave anash skenës kanë qenë të mbushura, këtë edicion këto hapësira kanë akomoduar një numër shumë të vogël njerëzish. Bile, në natën e dytë të premten mbrëma ka pasur edhe më pak shikues. “Skenë gjigante” ka qenë njëra prej frazave që shumë është përdorur. Sikur është zëvendësuar me atë të edicionit të kaluar ku për tri net rresht në nisje të secilës natë u përmendën rrjedhjet e ujit në sallë, heqja e mbeturinave e kaplimi i saj nga zjarri. Bëhet fjalë për sallën e djegur të Pallatit të Rinisë, së cilës Festivali për aq sa zgjat ia maskon pamjen reale.
Juri pa kompozitorë deri te krijimi i besimit
Këngët që garojnë u janë përmbajtur rregullave të festivalit. Trajtojnë tema të ndryshme, u përkasin zhanreve si pop, RnB e rock, përplot ngjyra. Megjithatë, Festivalit të Këngës i mungojnë këngëtarët me karrierë në skenën muzikore.
Kompozitori Valton Beqiri, i cili vitin e kaluar ka qenë pjesë e Festivalit si orkestrues e dirigjent, ka thënë se këngëtarët e karrierës duan të binden në vlerësimet e jurisë. Sipas tij, juritë si ajo e këtij edicioni është e vështirë të tërheqin këngëtarët të jenë pjesë e programit garues.
“Këngëtarët e karrierës ndoshta nuk duan të hyjnë në konkurrencë derisa Festivali të formësohet dhe të shohin që vlerësimi i festivalit është i drejtë. Me këso lloj jurish është vështirë t’i imponosh këngëtarët të garojnë, sepse ata duan të vlerësohen nga një juri më kompetente dhe më e ngushtë e fushës. Derisa të formësohet Festivali ynë ndoshta hezitojnë të jenë pjesë e konkurrencës në kuptimin që edhe në festivalet e tjera, kënga fituese ka qenë gjithmonë e kritikuar nga një pjesë dhe e përkrahur nga një pjesë”, ka thënë Beqiri.
Sivjet juria përbëhet prej Minire Fetahut, redaktore e muzikës në RTK, Jane Sugarman, muzikologe, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e portalit për art dhe kulturë “KultPlus”, Valbona Selimllari, prezantuese dhe Blerta Zeqiri, regjisore.
Sipas Beqirit, gabimi i këtij viti është fakti që në juri nuk ka asnjë kompozitor.
“Për mua një situatë shumë më diskutabile është përbërja e jurisë në kuptimin që nuk ka asnjë kompozitor. Mendoj se juria duhet të ketë laramani në kuptimin e fushave që njerëzit e përbëjnë, nuk them se anëtarët e jurisë nuk do të duhej të ishin në juri, por mendoj se një shumicë e tyre do të duhej të ishin kompozitorë, meqë është festival i këngës dhe në fund gjithmonë kënga vlerësohet. Është pjesë themelore e festivalit dhe në këtë aspekt juria do të duhej të ishte e përbërë prej krijuesve”, ka thënë Beqiri.
Këngët pjesëmarrëse janë tjetër aspekt. Sipas Beqirit, për kredibilitetin e Festivalit, do të duhej të ftoheshin kompozitorë që ndër vite kanë dhënë kontribut në skenën muzikore.
“Unë kam pritur që sivjet do të punohet më shumë në prurjen e, së paku, kompozitorëve më të njohur, sepse festivalet përgjithësisht duhet t’u japin hapësirë interpretuesve të rinj, sepse është një skenë ku ata duhet të promovohen, edhe për faktin që duhet të interpretohet live. Festivalet duhet t’i motivojnë edhe këngëtarët e karrierës, por në rast se nuk mund t’i bindin ata, atëherë në mënyrë kolegiale duhet të ftohen kompozitorët apo autorë këngësh që për një kohë të gjatë kanë dhënë kontributin e tyre”, ka thënë Beqiri duke përmendur emra si Xhevdet Gashi, Naim Krasniqi e Armend Rexhepagiqi.
Prezantuesi i Festivalit të Këngës, kantautori Genc Salihu, ka thënë se çdo vit që mbahet ngjarja, edhe bashkë me pjesëmarrjen në “Eurovision”, pritet të marrin pjesë emra të njohur të muzikës.
“Ky është vetëm edicioni i dytë dhe ky Festival e ka një të ardhme të ndritur. Një ditë do të dërgojë këngën në ‘Eurovision’, kështu që në këtë aspekt presim që çdo vit të jetë mirë e më mirë në kuptimin e pjesëmarrjes së emrave të njohur. Për Festivalin, emrat e njohur janë me rëndësi të jenë pjesë e shout, por kënga është këngë, Festivali është i hapur për të gjithë. Ne jemi të lumtur me pjesëmarrjen dhe me gjithë këta të rinj që e kanë pasur mundësinë të dalin në skenë, disa prej tyre edhe për herë të parë në jetë”, ka thënë ai pas natës së dytë.
Kantautori Petrit Çarkaxhiu, i cili vitin e kaluar kishte marrë pjesë në Festivalin e 61-të të Këngës në RTSH, ka thënë se nuk e ka idenë si duket Festivali i Këngës në RTK.
“Të them të drejtën nuk e kam përcjellë as vitin e kaluar dhe as tash. Nuk e kam idenë si është”, ka thënë Çarkaxhiu, derisa ka bërë të ditur se ishte ftuar për të interpretuar në Festival si mysafir. Si mysafirë sivjet kanë qenë edhe emra të tjerë që aktualisht janë në kulmin e karrierës. Ylli Limani, njëri prej tyre, që ka interpretuar në natën e parë.
Gabimet janë të natyrshme në ngjarje si këto. E kanë shoqëruar edhe natën e parë, por njëri ka qenë i papranueshëm për emra të shquar të muzikës në Kosovë.
“Dikur nuk ka pasur tepih të kuq, por ka pasur këngë të bukura...”
Një moment që ka rënë në sy derisa ngjarja zhvillohej ka qenë reagimi i kompozitorit Reshat Randobrava, duke lëshuar sallën pasi kënga “Mallëngjimi” me tekst e muzikë nga Rashid Krasniqi u prezantua si e Muharrem Qenës. Këngën ikonike e ka interpretuar Drita Kabashi e cila tok me kantautorin Genc Salihu janë prezantuesit e edicionit të sivjetmë.
Kompozitori Reshat Randobrava menjëherë pas këtij momenti është parë duke e lëshuar sallën.
“Turp, turp!”, ka thirrur ai dhe është larguar nga salla. Një ditë pas, të premten, Randobrava është shprehur i zhgënjyer me ngjarjen në një bisedë për KOHËN.
“Pas tridhjetë e sa vjetësh që i kam përcjellë ‘Akordet e Kosovës’ thashë të shkoj të shoh çfarë po bëjnë kompozitorët e rinj. Unë u revoltova mbrëmë, sepse shkova me dëshirë e Festivali nuk ishte askund krahasuar me ‘Akordet...’. Këta po merren me shkëlqimin e festivalit, me tepih të kuq. Dikur nuk ka pasur tepih të kuq, por ka pasur këngë të bukura”, ka thënë ai.
Ka thënë se ai moment e ka kthyer në kohën kur vetë atij i ishte mohuar autorësia a hequr fare.
“Duhet pasur kujdes të mos fyhen njerëzit para një auditori kaq të madh njerëzish. Mua më ka ndodhur disa herë një gjë e tillë dhe është gjë shumë e keqe. Është shumë e rëndë, të tillë e kam përjetuar. Mua më ka ndodhur në ‘Akordet e Kosovës’ që e kam treguar këngën te kolegu dhe ai e ka bërë të njëjtën këngë”, ka kujtuar ai.

Hapja me thirrje për unitet, nostalgji në natën e dytë dhe nëntë finalistë
Festivali i Këngës e ka nisur edicionin e dytë me poezi që thërrasin për unitet, e i kësaj natyre ka qenë edhe interpretimi i kitaristit Valon Gashi me “Për mëmëdhenë” si gheg-rock.
Ngjarja është vlerësuar më shumë si festë sesa garë.
Këngët kanë nisur të prezantohen me “N’Shqipni” me Dea Stricën e më pas ka interpretuar Greta Azizi këngën “Verës”. Agim Poshka ka interpretuar këngën “Ndarja erdhi” me tekst të Ismail Kadaresë. Jehona Lumi ka interpretuar këngën “Shko”. Në natën e dytë, te interpretimi i është ndalur krejtësisht mikrofoni.
Ritmet rock i kanë sjellë “Zonja tradhti” nga Rei Bezhani dhe Inorga me “Seks mashina nga Prishtina”. ”Fundosu në dritë” është kënduar nga Ardita Begu. Këngën “Unë – Ajo” e ka kënduar Besmir Shishko.
Këngë më të ndjera kanë qenë “Një të vetme ka në jetë” nga Bledi Kaso dhe “Flas me gjethen” nga Endrit Krasniqi.
Santino de Bartolo ka kënduar “Unë jam arbëresh” e me “Faji” ka ardhur Ardit Stafai, që është emër i njohur në të tilla ngjarje.
“Pas disa vjetësh rikthimi në skenë ishte emocion i veçantë në një skenë gjigande siç ishte sonte. Aq më shumë kur këndohet live. Ka qenë emocion që më kishte munguar, prandaj për mua si këngëtar sa herë dalim në skenë, duket që ndodh për herë të parë sepse emocioni e bën të veten. Ishte një natë shumë e mirë, kaluam shumë mirë edhe në prapaskenë. Nuk mungoi energjia, entuziazmi, impresionet, komentet e mira ndër kolegë”, ka thënë Stafai.
Derisa ka folur për këngën “Faji” ka thënë se e ka adaptuar tekstin në bazë të natyrës melodike.
“Unë si këngëtar di të motivohem, edhe pse kjo këngë doli më dramatike sesa e kisha menduar. Vëllai im Astrit Stafai, muzicienti gjigant, e kompozoi një këngë dhe kur e dëgjova motivim më pëlqeu shumë. Në bazë të saj fillova ta adaptoj tekstin, natyrisht teksti adaptohet në bazë të natyrës melodike, por që kjo mori një konotacion goxha dramatik dhe në realizim e sipër mori formë me të vërtetë shumë të veçantë”, ka thënë këngëtari Ardit Stafai.
Në pjesën e fundit të programit në natën e parë kanë interpretuar Arnitë Kastrati me këngën “Blla, blla”, “Ti je i pashpirt” nga Bruna Sata, “Dielli të më shohë” nga Luna Çaushollaj dhe Vlona Boshnjaku ka kënduar “Lotët”.
Kjo e fundit ka thënë se përvojën në Festivalin e Këngës në RTK nuk do ta harrojë asnjëherë.
“Të interpretosh në këtë skenë gjigante, me këtë publik, me këtë orkestër e këta drejtues është ndjenjë e jashtëzakonshme. Jam ndier shumë mirë”, ka thënë ajo.
Është shprehur se kënga e saj flet për një lidhje dashurie që sjell dhimbje e lot.
“Kënga ime është e kompozuar nga kompozitori Kledi Bahiti, teksti është nga Rozana Radi, kënga quhet ‘Lotët’. Flet për një dashuri pa kushte që vajza ka ndaj partnerit të vet, por që sado mundohet ta mbajë lidhjen e fundit, në fund ajo lidhje i jep vetëm dhimbje dhe lot dhe kështu e lë atë të shkojë”, ka thënë ajo.
Në skenë ka interpretuar edhe fituesi i kaluar La Fazani këngën “Oj Kosovë” ndërsa sa u përket këngëtarëve mysafirë, surprizat për publikun ka qenë Yll Limani, i cili ka kënduar këngën “Ty”, “Elita 5” me hitet “Faleminderit” dhe “Më fal”. Si mysafire e Festivalit, Aurela Gaçe ka interpretuar këngë e poezi në skenë.
Drejtori artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku, është shprehur i lumtur me natën e parë duke thënë se ka shkuar gjithçka mirë. Ka thënë se ka qenë përgjegjësi e madhe për artistët që për herë të parë janë ngjitur në një skenë.
“Ka pasur këngëtarë që për herë të parë janë ngjitur në një skenë të tillë dhe normalisht emocionet janë vërejtur. Ka mundur të ketë edhe mospërshtatje në skenë, është shumë e madhe, gjigante, si dhe të interpretosh me orkestër live është përgjegjësi dhe nuk është e lehtë, është e kuptueshme”, ka thënë ai derisa ka përmendur sallën e papërshtatshme që tashmë është bërë refren për Festivalin.
“Gjithsesi e kam cekur edhe më herët që kjo sallë është me të vërtetë shumë e vështirë, nuk i plotëson kushtet për një ngjarje kaq të madhe, mirëpo kemi bërë të pamundurën të mbajmë këtë festival në mënyrën më të mirë”, ka thënë ai.
Fillimisht kur qe publikuar lista e këngëve që do të interpretonin, aty ishin gjithsej 18 këngë. Në festival, të enjten në natën e parë, sikurse edhe në të dytën, janë prezantuar gjithsej 16 këngë. Dy janë hequr nga gara: Artea Bajri që do të këndonte “Strong waves” dhe Irma Lepuri me këngën e saj “Të dua”.
Boshnjaku ka thënë se kjo ka ngjarë për shkaqe personale të artisteve.
“Në fillim ka qenë ideja të jenë 18, por pastaj dy janë tërhequr nga gara për shkaqe personale, kështu që kemi vazhduar me listën prej 16 këngësh”, ka thënë ai.
Të 16 këngët kanë qenë edhe përmbajtja kryesore e natës së dytë, të premten mbrëma. U është ndërruar vetëm renditja.
Mysafirë kanë qenë Mjellma e Shkumbin Istrefi dhe rock-grupi “Lindja”.
Dyshja Istrefi është ngjitur në skenë për të interpretuar së bashku. Ka qenë një lloj “zënke” midis tyre sa i përket përzgjedhjes së këngëve. “Pranverë në Prishtinë” dhe “Fever” e Peggy Lee janë bërë një lloj “mashup-i”. Gazetarja Sonila Meço nga Shqipëria është ftuar për të prezantuar një pikë në natën e dytë të Festivalit.
“Ta duash Kosovën do të thotë të presësh kaq gjatë. Që të shkelësh në një skenë të tillë do të ndodhte vetëm në Prishtinë”, ka thënë ajo. “Rocku do të jetojë gjatë”, ka vlerësuar ajo derisa ka rrëfyer historinë e rockut në Prishtinë. Tetë konkurrentë të Festivalit të Këngës kanë kënduar këngë hite si “Kaçurrelja”, “Unë dhe ti” të Pirro Çakos dhe Rovena Dilos, “Heroi i qytetit pa lumë” të “Gjurmëve”. Tjetër pikë artistike ka qenë edhe ajo ku nën tingujt e këngës “Mesnata” të së madhes Vaçe Zela, e balerinët Fatmir Smani dhe Mërgime Morina kanë sjellë baletin e tyre në një vallëzim romantik. E veçanta e këngës ka qenë sesi nis me zërin e Vaçe Zelës dhe shkrihet në atë të Flaka Krelanit.
Dalja në skenë e rock-grupit ikonik “Lindja” përfaqësuar nga dyshja Luan R. Osmani në vokal e kitarë dhe Fatos Berisha në perkusione, ka qenë shpalosje e një kapitulli të artë të muzikës dhe rikthim në vitin 1983, kur u themelua grupi. “Balada e buburrecit” ka qenë përzgjedhje e duhur, e atmosferën e ka elektrizuar “Gol, duam gol!”.
Deri te shpallja e finalistëve, është rikthyer edhe “Koleteralisht” e “Cute Babuljes” që sivjet shënon njëzetvjetorin. E kanë interpretuar dyshja Genc Salihu e Enes Bajramliqi, shoqëruar nga orkestra në krye të detyrës, dirigjuar nga Arbër Dhomi, Alfred Kaçinari dhe Lindita Isufi.
Por festa e jo gara siç e cilësojnë organizatorët, në natën e dytë është mbyllur me shpalljen e nëntë finalistëve: Të shtunën mbrëma, në skenë do të ngjiten: Arnitë Kastrati me “Blla blla blla”, Besmir Shishko me “Unë-ajo”, Rei Bezhani me “Zonja tradhti”, Endrit Krasniqi me “Flas me gjethe”, Ardit Stafai me “Faji”, Greta Azizi me “Verës” , Dea Strica me “N’Shqipni”, Agim Poshka – “Ndarja erdhi” dhe Bledi Kaso me “Një të vetme ka në jetë”. Do të konkurrojnë për “Diamantin blu”, i cili as sivjet nuk siguron vizën për garën evropiane të këngës “Eurosonng”.