Kulturë

Festivali i Këngës hap maratonën e tri netëve me mesazhe për unitet

FEstivali i RTK-se

Ka nisur rrugëtimi trinetësh i Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. I padiskutueshëm është shkëlqimi i skenës dhe i ngjarjes, por sivjet, në krahasim me edicionin e kaluar, është vërejtur më pak interesim për ngjarjen. 

Para intros së Festivalit janë lexuar poezi  të Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Fan Nolit, Atë Zef Pllumit e Ukshin Hotit. Janë poezi për realitetet që i përgjigjen edhe kohës së sotme. Thërrasin për unitet kombëtar. 

“Për mëmëdhenë” ka qenë instrumentali i interpretuar me kitarë elektrike. Në edicionin e kaluar, në vend të kësaj pjese kishte qenë thjesht audioja ku bëhej e ditur se Festivali ishte dedikim për skenën artistike e kontribuuesit e skenës muzikore. 

Pjesa tjetër artistike ka nisur të zbërthehet pas intros së Festivalit. Prezantuesit e Festivalit – kantautori Genc Salihu dhe aktorja Drita Kabashi – e kanë vlerësuar ngjarjen më shumë si ftesë dhe e kanë ftuar publikun për ta përjetuar të tillë, më shumë sesa garë. 

E kanë prezantuar jurinë e përbërë prej: Minire Fetahut, redaktore e muzikës në RTK, Jane Sugarman, muzikologe dhe njohëse e muzikës shqiptare, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e portalit për art dhe kulturë “KultPlus”, Valbona Selimllari, prezantuese dhe Blerta Zeqiri, regjisore.

Është prezantuar edhe trofeu që qysh edicionin e kaluar është emërtuar “Diamanti blu”. 

Këngët kanë nisur të prezantohen me “N'Shqipni” me Dea Stricën e më pas ka interpretuar Greta  Azizi këngën “Verës”. Agim Poshka ka interpretuar këngën “Ndarja erdhi” me tekst të Ismail Kadaresë. 

Në skenë ka interpretuar edhe fituesi i kaluar La Fazani këngën “Oj Kosovë”. 

Ka thënë se skena i sjell shumë emocione. 

“Ndjenja ka qenë shumë pozitive. Kam qenë i rrethuar prej njerëzve shumë të mirë. Jemi ndier që jemi duke bërë diçka shumë të rëndësishme, ndërsa fitorja ka qenë vetëm qershia mbi tortë”, ka thënë ai.

Jehona Lumi ka interpretuar këngën “Shko”. Drita kabashi ka interpretuar këngën ikonike “Mallëngjimi” të kënduar dikur nga Muharrem Qena. E kompozuar nga Reshid Krasniqi kënga është prezantuar si e Muharrem Qenës. Kompozitori Reshat Randobrava menjëherë pas këtij momenti është parë duke e lëshuar sallën. “Turp, turp!”, ka thirruar ai dhe është larguar nga salla. 

Ritmet rock i kanë sjellë “Zonja tradhti” nga Rei Bezhani dhe Inorga me “Seks mashina nga Prishtina”. Vokal i fuqishëm dhe ritme të lehta janë sjellë me “Fundosu në dritë” e kënduar nga Ardita Begu. Probleme teknike janë përcjellë gjatë kësaj performance. 

Tematikë të ndjeshme ka përcjellë kënga “Unë – Ajo” nga Besmir Shishko që flet për dhunën ndaj grave.

Surpriza për publikun ka qenë Yll Limani, i cili ka kënduar këngën “Ty”. Dyshemeja ka qenë e gjitha e mbuluar me mjegull, ndërsa Limani performoi këngën.

Këngë më të ndjera kanë qenë “Një të vetme ka në jetë” nga Bledi Kaso dhe “Flas me gjethen” nga Endrit Krasniqi.

Sponsorët – banka, kompani e biznese – janë përmendur disa herë si përkrahës, por jo institucionet.

Me “Faji” ka ardhur Ardit Stafai e më pas Santino de Bartolo ka kënduar “Unë jam arbëresh”.

Prezantuesve u është kujtuar të theksojnë se kënga “Mallëngjimi” në fakt nuk është e Muharrem Qenës, por e Rashid Krasniqit. Këtë e ka theksuar Genc Salihu derisa e ka përgëzuar Drita Kabashin për performancën. E më pas ka ftuar anëtaren e jurisë, Jane Sugarman.

“Është nder i madh të kem këtu midis jush të shoh sa bukur e kemi bërë festivalin”, ka thënë ajo.

Lideri i bendit “Elita 5” ka qenë mysafiri tjetër i festivalit dhe befasia për publikun. Ka kënduar hitin “Faleminderit” për të vazhduar me “Më fal”.

Si mysafire e Festivalit, Aurela Gaçe ka interpretuar këngë e poezi në skenë.

Në pjesën e fundit të programit kanë interpretuar Arnitë Kastrati me këngën “Blla, blla”, Vlona Boshnjaku me “Lotët”, “Ti je i pashpirt” nga Bruna Sata dhe "Dielli të më shohë" nga Luna Çaushollaj.

Gjashtëmbëdhjetë këngë garojnë në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Këngës në RTK. Edhe në natën e dytë (të premten) do të interpretohen të gjitha këngët garuese, e gjysma prej tyre do të përzgjidhen për natën finale, të shtunën mbrëma. Grupi “Lindja”, këngëtari Alban Skënderaj e artisti shqiptar me emrin skenik Stanaj, janë paralajmëruar si mysafirë të radhës.

Festivali i Këngës në RTK, kaherë ishte premtuar të organizohej si një lloj vazhdimësie e rilidhjeje me “Akordet e Kosovës” me të cilin ka një shkëputje prej gati tri dekadash. “Akordet…” kishte qenë njëri prej festivaleve më të shquara në Kosovë që rrugëtimin e nisi në vitin 1963. Vitet ‘90 qenë kohë sfidash për ngjarjen që përkundër tentativave për ta mbajtur në nivel, më 1995 dështoi. Në edicionin e vjetëm, historik, organizatorët pritën që në edicionin e dytë, këngës fituese t’i hapet rrugë për “Eurosong”, por edhe sivjet mbetet larg tij.