Një muaj e pak ditë kanë mbetur deri te Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, me të cilin synohet promovimi i vlerave muzikore dhe rruga drejt “Eurosongut”. Këngët janë të reja, por të vjetra janë kushtet e sfidat. Salla dikur e djegur në Pallatin e Rinisë tash parking, do të shndërrohet sërish në skenë, zhbërja e saj sikurse vjet ka koston e vet, pasi prej edicionit të parë nuk ka mbetur gjë pos skeletit. Gara evropiane e këngës mbetet synim. “Do të mundohemi të sjellim diçka të bukur edhe sivjet”, ka thënë drejtori artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku e për “Eurosongun”, shpreson. Le të shpresojmë se diçka do të ndryshojë, por për momentin, përgjigjja është jo”, ka thënë ai
Pak ditë pa u mbushur një vit i plotë prej edicionit historik të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, i dyti edicion e shpalos programin artistik të tre netëve. Në hapësirën e njëjtë, i njëjti numër i këngëve e kushte të njëjta e presin edicionin që do të mbahet më 24, 25 dhe 26 tetor. Edhe sivjet pa shtëpi, salla e djegur e Pallatit të Rinisë, siç kishte ngjarë edhe vitin e kaluar – kur fitoi “Oj Kosovë” e artistit Arbër Salihu i njohur si La Fazani – do të jetë hapësira e improvizimeve, por ku organizatorët konsiderojnë se tash problemet janë evidente. Edhe sivjet është larg garës evropiane të këngës “Eurosong”.
Një muaj e pak ditë kanë mbetur deri te ngjarja me të cilën synohet promovimi i vlerave muzikore. Komisioni përzgjedhës i Festivalit të Këngës në RTK veçse ka përzgjedhur këngët konkurruese.
Gjithsej 18 këngë në listë janë ato që do ta ndërtojnë programin kryesor të ngjarjes. Do të interpretojnë Greta Azizi me “Verës”, Inorga me “Seks mashina nga Prishtina”, Besmir Shishko me “Unë – Ajo”, Santino de Bartolo do të këndojë “Unë jam arbëresh” ndërsa Agim Poshka këngën me titull “Ndarja erdhi”. Në listën e publikuar janë edhe këngët “Të dua” e Irma Lepurit, “Fundosu në dritë” nga Ardita Begu, “Flas me gjethen” nga Endrit Krasniqi, “Zonja tradhti” nga Rei Bezhani, “Një të vetme ka në jetë” nga Bledi Kaso, “Strong eaves” nga Artea Bajri. Dea Strica do të këndojë “N’Shqipni”, Jehona Lumi këngën “Shko”, Arnitë Kastrati këngën “Blla Blla”, Ardit Stafai sjell këngën “Faji”, Vlona Boshnjaku sjell “Lotët”, Bruna Sata vjen në festival me “Ti je i pashpirt” ndërsa Luna Çaushollaj me këngën “Dielli të më shohë”.
Florent Bushnjaku, drejtor artistik i Festivalit të Këngës në RTK, ka thënë se këngët në përgjithësi janë të tematikave brenda kornizave të edicionit të kaluar dhe se të gjithë artistët vijnë nga trojet shqiptare.
“Ideja është që kemi artistë të rinj, por edhe artistë të konsoliduar në treg të cilët i kemi parë qe sa kohë. Jam i lumtur për disa emra që i kemi. Është edicioni i dytë dhe duhet mund, kohë dhe investim në secilin aspekt, në mënyrë që të kemi edhe më shumë emra të njohur. Ideja e festivalit është të zhvillohet tregu muzikor dhe të zhvillohet kultura brenda përbrenda dhe jo të sjellim emra të njohur botërorë. Pra, të shtyhet krijimtaria muzikore”, ka thënë Boshnjaku.
Për pjesën tjetër të programit artistik ka thënë se kënga dhe historia e saj janë koncepti kryesor në Festival dhe se pjesa tjetër e detajeve mbetet të shihen si ngjarje televizive.
“Festivali do të mbahet në të njëjtën sallë, pra në sallën e djegur të Pallatit. Këngët janë përzgjedhur dhe janë publike. Është numri i njëjtë i këngëve që do të marrin pjesë sikurse vitin e kaluar derisa orkestra dhe bendi, një pjesë e madhe e ekipit janë të njëjtit, me disa ndryshime të vogla. Vjet ka qenë mjaft sfidë të mbahet festivali në Pallatin e Rinisë, ndoshta sivjet do të jetë pak më e lehtë, jo pse ajo ofron infrastrukturë më të lehtë, por për shkak se tash i dimë problemet më mirë prej fillimit”, ka thënë kompozitori Boshnjaku i cili në pozitën e drejtorit artistik të Festivalit ka qenë edhe vitin e kaluar në edicionin e parë të ngjarjes.
Ka thënë se fakti se i dinë telashet në Sallë që tani do të jetë një lloj ndihmese, derisa ka përsëritur se salla nuk është adekuate për këtë ngjarje.
“Gjithsesi salla nuk është adekuate për festivale dhe është mëkat që Prishtina ende nuk e ka një sallë për koncerte që të organizohet aty një ngjarje e tillë si Festivali i Këngës. Do të mundohemi të sjellim diçka të bukur edhe sivjet. Gradualisht do të fillojmë të krijojmë një standard dhe rrugëtim të ri në mënyrë që kur Kosova të dërgojë këngën në ‘Eurosong’, ne të jemi të gatshëm të kemi një infrastrukturë, festival dhe mundësinë e duhur për ta bërë këtë hap”, ka thënë Boshnjaku.

Ngjarja vitin e kaluar ishte vlerësuar si festë për këngën e mirëfilltë shqipe e si tentativë për të nisur një kapitull të ri. Imazh i shkëlqimit në sallë kishte zgjatur jo më shumë se tri net. Ndonëse pushteti lokal kishte premtuar se ngjarjet kulturore, midis tyre edhe Festivali i Këngës, do të realizoheshin në skenën e krijuar, tri javë pas festivalit, skena u zhbë.
Muret ishin mbuluar krejtësisht me material me ngjyrë të zezë, sikurse ishin shtruar edhe tepihët në pjesën e tribunave të sallës. Jo veç se ishte mbuluar ajo që nuk duhej të shihej, por përgatitje kishte edhe për pjesën e dekorit. Skeleti i skenës, i paguar 90 mijë euro, ka qenë krejt çfarë ka mbetur aty prej asaj kohe, pasi RTK-ja nuk ka hapësirë të mjaftueshme për ta ruajtur skenën. Hapësira ishte kthyer në parking kur iu hoqën pjesë të tjera për të cilat ishte angazhuar një kompani private me kontratë prej 68 mijë eurosh.
Në shkurt të vitit të kaluar nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit Ministria e Kulturës kishte zotuar për RTK-në 750 mijë euro për tre vjet. Për edicionin e kaluar janë dhënë 300 mijë euro, për këtë edicion parashihen 250 mijë e për atë të vitit të vjen, 200 mijë. Në memorandum përmendet edhe themelimi i një kanali televiziv për art dhe kulturë që s’u themelua kurrë.
Boshnjaku, i cili ka qenë drejtor artistik edhe në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, ka thënë se ky buxhet është shumë i paktë për të realizuar një ngjarje të tillë.
“Unë nuk jam përgjegjës për punën e financave, por vetëm po e marr një shembull. Festivali në RTSH ka buxhet dyfishin e kësaj shume, në start e kanë një sallë të gatshme, skenën. Neve vjet na është dashur të investojmë shumë që ajo sallë të improvizohet për të qenë në gjendje të mbahet një ngjarje e tillë. Kështu që ky buxhet absolutisht është shumë i paktë për të realizuar një ngjarje të tillë muzikore”, ka thënë Boshnjaku në një bisedë me KOHËN.
Më tej, ai ka thënë se “pagesat dhe gjithçka që bëhet brenda festivalit, janë shumë më të ulëta. Por ka qenë vullneti i secilit për ta realizuar, institucionet janë munduar ta bëjnë më të mirën me ato kapacitete”.
As fituesi i këtij edicioni nuk do të mund ta përfaqësojë Kosovën në “Eurovision”. Megjithëse menaxhmenti i RTK-së kishte dërguar disa kërkesa që transmetuesi publik të anëtarësohej në Unionin e Transmetuesve Evropianë, që e organizon konkursin e këngës evropiane, ato ishin refuzuar.
“Është bërë kërkesa zyrtare që Kosova të pranohet në ‘Eurosong’, por për fat të keq ende nuk kemi ndonjë përgjigje pozitive. Le të shpresojmë se diçka do të ndryshojë, por për momentin, përgjigjja është Jo”, ka thënë Boshnjaku.
Shenjat e shkatërrimit në sallë vjet ishin arnuar. Një kontrasti të tillë i shkonte për shtat edhe “Oj Kosovë!” me vargjet si kritikë e autokritikë, për shtetin, shoqërinë e për vetë artistin. Brenda një vargu i këndohej hajnisë e dëshirës për shkëlqimin e shtetit. Besohej se me përfundimin e ngjarjes imazhi i shkëlqimit do të reflektohej më gjatë sesa tri net.. Por me sallën çdo gjë do të nis nga e para, ndërsa një tjetër rrëfim muzikor vjen me edicionin e dytë të Festivalit të Këngës më 24, 25 dhe 26 tetor.
LEXO EDHE: