Kulturë

Festivali i jazzit në Mitrovicë vulos edicionin e dytë me emrat ndërkombëtarë

Festivali i jazzit ne Mitrovicë

Melodioze dhe virtuoze në piano, herë pas here me vokalin e saj Tandoi shpalosi shumë këngë nga albumet e saj. Të mirëpritura nga publiku ishin posaçërisht disa nga albumi i saj më i ri, i cili u bën homazh artistëve të ndryshëm. Nga “Bossa nova”, e deri te hitet e muzikës italiane, Tandoi i dha spektakël Mitrovicës me këngët si “Caruzo” nga Lucio Dalla e “Agua de beber” nga Antônio Carlos Jobim dhe Astrud Gilberto. Ndërkaq, publiku në fund të interpretimit të saj ia tha këngës ikonike italiane “l asciatemi cantare” si falënderim për të, e cila e emocionoi dukshëm atë

Si projekt në kuadër të këtij edicioni, në skenën e vendosur në sheshin kryesor të qytetit verior, zbarkoi “Western Balkans Band”. Një ansambël i cili vjen si iniciativë edukativo-kulturore, e cila bëri bashkë të rinj nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Serbia e Maqedonia. Mbrëmja përmbyllëse e “MIJD” kishte rezervuar një program të gjatë me emra ndërkombëtarë e vendorë. Ndërkaq që padyshim se qendra e mbrëmjes duhet konsideruar paraqitja e jazz-artistes italiane, Francesca Tandoi

Muzika jazz si zhanër kërkon njëfarë lloj kultivimi për të arritur në një pikë ku admirohet ky zhanër me tërë kompleksitetin e vet. Por atë mund ta dëgjojnë të gjithë, jo detyrimisht duhet të jesh i kultivuar. E një gjë e tillë vjen në shprehje edhe më, kur artistët që performojnë në skenë arrijnë të përçojnë emocionin e jazzit te publiku e të marrin reagimin nga ai. Ky qe rasti dhe në mbrëmjen e fundit të Festivalit “Mitrovica International Jazz Days”, i cili me edicionin e dytë nga data 22 gusht vëmendjen e drejtoi kah qyteti i Mitrovicës, duke e bërë edhe një herë atë qytet ku parakalojnë yje ndërkombëtare të jazzit. Mbrëmja përmbyllëse e “MIJD” kishte rezervuar një program të gjatë me emra ndërkombëtarë e vendorë, por nata nisi me një ansambël krejt unik. Si projekt në kuadër të këtij edicioni, në skenën e vendosur në sheshin kryesor të qytetit verior, zbarkuan “Western Balkans Band”. Një ansambël i cili vjen si iniciativë edukativo-kulturore e cila bëri bashkë të rinj nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Serbia e Maqedonia. Gjashtë muzikantët, Filip Dinev, Benin Mujkic, Yllka Simnica, Teodor Janevski, Andrej Maksimovic e Ondet Çyrbja interpretuan këngë origjinale të kompozuara ekskluzivisht për festivalin nga Filip Dinev, Benin Mujkic, Katarina Kochetova dhe Ermal Rodi. Freskia dhe entuziazmi i tyre karshi muzikës, e në veçanti asaj jazz, u përkthye  në  plot energji te publiku përballë tyre. Secili botë më vete me instrumentin përkatës zhvillonte interpretimin plot pasion dhe impenjim. 

Bashkimin e artistëve nga këto vende të Ballkanit  e sheh si shumë të rëndësishme mentori i tyre përgjatë kohës sa ishin përgatitur për  këtë paraqitje, profesori universitar i jazz muzikës në Universitetin e Tiranës, Genti Rrushi. 

“Ky produkt vjen si bashkëpunim i asociacionit që unë drejtoj në Shqipëri, ‘Albanian Jazz Society’  me MIJD dhe ‘Jazzert Montenegro’, pra është një projekt ballkanik jo vetëm midis nesh, është më i gjerë dhe pjesëmarrja dhe aplikimet kanë qenë shumë pozitive sepse kanë qenë të gjitha vendet e Ballkanit, dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme. Ne jemi te dedikuar për t’u dhënë hapësirën muzikantëve të rinj, kjo është shumë e rëndësishme, unë e them këtë edhe si profesor i jazzit, dhe krahas karrierës sime personale, kjo është nga fokuset e punës qe ne kemi bërë bashkë me Rona Nishliun dhe gjithë pjesëtarët e tjerë”, ka thënë ai, duke shtuar se e shijoi performancën e ansamblit pas stresit dhe angazhimit të përgatitjeve. 

Ky projekt i cili duket të jetë ngjizur natyrshëm mes pjesëmarrësve vihej re në çdo këngë që ata performonin. Njëra ndër to, e titulluar “Defter” u mirëprit dukshëm nga publiku. E shkruar nga Benin Mujkic, trumpetisti i grupit për KOHË-n ka treguar diçka më tepër rreth procesit të kompozimit. Ka pasur vetëm fjalë të mira për “MIJD”. 

“Ishte një përvojë e mrekullueshme, është hera ime e parë këtu në Mitrovicë, njerëzit këtu janë të mrekullueshëm, nga organizatorët e festivalit e deri te gjithë të tjerët. Pastaj, muzikantët janë gjithashtu shumë të mirë, duke marrë parasysh se është vetëm edicioni i dytë por që duket sikur ky festival vepron qe 15-20 vjet. ‘Defter’ ishte kompozimi im i parë për sektet, pastaj jo çdo këngë duhet të ketë një kuptim specifik por këtë këngë e kam quajtur kështu sepse defter do të thotë fletore, dhe për mua ishte disi interesante ta titulloj ashtu si një fletore, e cila nis për diçka nga e para, për gjithçka që vjen, eksperiencat e reja, dhe kështu është një këngë shumë e mirë dhe muzikantët bënë një punë të mrekullueshme duke e ekzekutuar atë”, është shprehur muzikanti boshnjak, Mujkic. 

Krejt ndryshe dhe unike në paraqitje ishte belgia, Veda Bartinger, me kuartetin e saj e cila për mitrovicasit shpalosi një repertor të ndërtuar nga këngët e shkruara nga vetë ajo. Shumë bashkëkohore në stil, ajo qëndron larg formave tradicionale tek sjell freski si në përmbajtje të këngëve, ngjashëm dhe në interpretim krahas Julien Cuvelier në saksofon, Borsi Schmidt në double bass si dhe Maxime Magotteaux në daulle. 

Ndërkaq që padyshim se qendra e mbrëmjes duhet konsideruar paraqitje e jazz artistet italiane Francesca Tandoi. Në skenë plot elegancë nuk i shqitej pianos, teksa e shoqëronin plot karizëm Stefano Senni në double bass dhe Giovani Campanella në daulle. Tandoi është përshëndetur nga kritikët dhe kolegët si një yll në rritje në muzikën xhaz dhe një nga talentët e rinj më tërheqës në skenën ndërkombëtare të xhazit. Në vetëm pak vjet, ajo ka fituar famë ndërkombëtare si pianiste dhe vokaliste e klasit botëror, e këtë nam, në mos më tepër, ia dëshmoi dhe publikut mitrovicas. Komunikimin me ta e kishte shumë të ngrohtë, fakti se po performonte për herë të parë këtu nuk e stepi fare. Melodioze dhe virtuoze në piano, herë pas here me vokalin e saj Tandoi shpalosi shumë këngë nga albumet e saja. Të mirëpritura nga publiku ishin posaçërisht disa nga to nga albumi i saj më i ri i cili u bën homazh artistëve të ndryshëm. Nga “Bossa nova”, e deri te hitet e muzikës italiane, Tandoi i ofroi spektakël Mitrovicës me këngët si “Caruzo” nga Lucio Dalla e “Agua de beber” nga  Antônio Carlos Jobim dhe Astrud Gilberto. Ndërkaq publiku në fund të interpretimit të saj ia tha  këngës ikonike italiane “l asciatemi cantare” si falënderim për të, e cila e emocionoi dukshëm atë.  
“Ishte një gjë e bukur shumë, audienca duket se është shumë e interesuar në muzikë, ata ishin shume të ngrohtë dhe kjo e bënë këtë koncert të veçantë, sepse kur luan për një audiencë që nuk duhet të blejë bileta për të parë, atëherë vërtet e kupton se a u pëlqen apo jo. Muzika është një gjë e cila është vazhdimisht në evoluim dhe m[ pëlqen që të eksperimentoj, më pëlqen të kthej nganjëherë tradicionalen, dua të bëj diçka moderne por me prekjen e tradicionales, sepse ajo duhet të jetë aty gjithnjë dhe kështu, dua qe njerëzit ta shohin se sa gjë e mirë është ajo”, ka thënë ajo për KOHËN pas performancës. 

KKDV quarteti ishin sinjalizuesi i mbrëmjes së fundit, dhe edicionit të dytë po i vinte fundi. Ky ansambël nga Vjena i formuar rishtazi, solli një dyzim mes traditës dhe bashkëkohores, e cila projektohej nga talenti i të gjithë anëtarëve, si Katarina Kochetova, Kejdi Barbullushi David Dolliner e Valentin Duit. 

Promovimi i kulturës, artit e muzikës, në veçanti jazzit u bë me sukses edhe në këtë edicion. “MIJD” vazhdon furishëm, e pritshmëritë për edicionet e radhës janë të larta për publikun.