Ka udhëtuar gjithandej botës e gati katër vjet pas premierës botërore, “Pa vend” i Samir Karahodës që bëri histori në Cannes, është rikthyer në ekranin e madh në hapjen e njërës prej ngjarjeve më me traditë në Kosovën e pasluftës – Festivali i Filmit Frankofon. “Kinemaja merret me sport”, është tema e sivjetme, “Pa vend” i është përgjigjur mirë, por maratona filmike sapo ka nisur. Festivali në 24 edicione tashmë u jep jehonë paqes, të drejtave të njeriut, sportit e kulturës
Filmi “Pa vend” ndërtohet mbi suksesin e paradoksin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë, duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh. Në 15 minuta, në zhanrit docu-fiction, nën regji të Samir Karahodës, sjell krejt peripecitë e sportistëve që pavarësisht të gjithave, nuk heqin dorë nga rruga që kanë marrë.
Filmi me producent Eroll Bilibanin u dha premierë botërore më 16 korrik të vitit 2021 në Festivalin e Filmit në Cannes si pjesë e konkurrencës zyrtare. Prej aty udhëtoi gjithandej botës.
Me këtë film sivjet është hapur edhe një prej ngjarjeve më të vjetra të artit në Kosovën e pasluftës – Festivali i Filmit Frankofon. Në edicionin e tij të 24-t ky festival sjell një seri filmash që kanë të bëjnë direkt me sportin. Tema e edicionit të sivjetmë është “Kinemaja merret me sport”.
Në emër të organizatorëve sivjet, në hapje të mërkurën mbrëma ka folur ambasadori i Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Gregoire Cuvelier.
“Festivali i Filmit Frankofon është prej ngjarjeve më të mëdha në Kosovë dhe është prej ngjarjeve më të vjetra kulturore në Kosovën e pasluftës. Komuniteti frankofon është i madh dhe ka për bazë vlerat. Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë ka 88 anëtarë nga e mbarë bota. Kjo organizatë po ashtu ka për bazë diversitetin”, ka thënë ai. Sipas ambasadorit Cuvelier, qëllimi i Festivalit e edhe i organizatës është që të përkrahen paqja, të drejtat e njeriut, sporti e kultura.
Sivjet Festivali vjen në bashkëpunim të ngushtë me Komitetin Olimpik të Kosovës.
Përgjegjësi për media i Komitetit, Kushtrim Krasniqi, ka thënë se që nga viti 2020 organizojnë Festivalin e Filmave të Sportit me qëllim që të shpërfaqet historia sportive e Kosovës.
“Sivjet bashkëpunojmë ngushtë me Ambasadën franceze dhe do të kemi katër dokumentarë në fund të Festivalit të Filmit Frankofon”, ka thënë ai.
Të pranishmit në hapje kanë pasur mundësi të shohin se si të rinjtë e entuziastë të pingpongut në Kosovë nuk heqin dorë nga talenti e ëndrrat e tyre. “Pa vend” u bë filmi i parë nga Kosova që Festivali i Filmit të Cannes e kandidoi për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. Qe filmi i parë i Kosovës i nominuar për filmin më të mirë evropian. Filmi rrëfen se si trajnerë e sportistë ndërrojnë disa vende duke bartur tavolinat e tyre të ushtrimeve veç për të ecur përpara. Gjatë ditës punojnë në profesione të ndryshme e në mbrëmje ua mësyjnë garazheve, sallave të hoteleve e ku jo, për të ushtruar. Shpesh diskutimet marrin edhe kontekste të zhvillimit të përgjithshëm në Kosovë. Pikëpyetjet se përse një prej personazheve ka lënë Gjermaninë për t’u kthyer në vendin e tij janë jo të rralla. Aty preket fenomeni i migrimit, por assesi nuk hiqet dorë nga ushtrimet e klubit të pingpongut. Filmi ka shëtitur në festivalet më të njohura në botë duke marrë çmime prestigjioze.
Por rrëfimet për sportin në Kosovë nëpërmjet filmave nuk do të përfundojnë me kaq në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit Frankofon.
“Legjenda e boksit kosovar”, “Rivaliteti hakmarrës mes tifozëve” e “Futbolli i Kosovës gjatë viteve 90-ta”, janë disa prej dokumentarëve që do të jepen në edicionin e sivjetmë të këtij Festivali.
Në organizimin që zgjat deri me 8 tetor, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë disa filma dokumentarë që shpërfaqin punën e sportistëve si “Ev Corps”, “The Road Uphill”, që të dy nën regji të Cedric Klapish. Pastaj, “La vie acrobate” nën regji të Coline Confort, “Slalom” nën regji të Charlene Favier e “Marinette” nën regji të Virginie Verrier.
Sivjet pos “Kino Armatës” Festivali shfaq filma edhe në Kolegjin AAB dhe në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Synohet që të rinjtë e krejt publiku i pranishëm të shohin realizime artistike për përpjekjet e artistëve. Sivjet Lojërat Olimpike janë mbajtur në Paris dhe kinematografia franceze sportin e ka pasur në fokus qysh në krye të herës.
Krahas Festivalit të Filmit Frankofon, Java e Frankofonisë është një tjetër ngjarje me të njëjtën frymë e traditë që organizohet në Kosovë. Në marsin e sivjetmë u mbajt edicionin i 24-t i saj. Do të hapej në “Dodona” me “B+B=BB Si Bardot m’était contée” (Nëse do të më thoshin Bardot), shfaqjen e cila himnizon ikonën franceze Brigitte Bardot. Dyshja Cécile Baudoux dhe Tristan Garnier zbërthente universin e saj. Shpalosja e frankofonisë nuk është tashmë misioni i vetëm i Javës së Frankofonisë në Kosovë. Lidhja e urave të bashkëpunimit ka kohë që është dëshmuar e sivjet u fuqizua edhe me hapjen e Institutit Francez në lagjen “Pejton” në Prishtinë, njëlloj institucioni sikurse Aleanca e dikurshme Franceze. “Ne me Ambasadë jemi në ‘Arbëri’ dhe tash po zbresim më në brendësi të qytetit dhe do të jetë institut në shërbim të krejt qytetarëve”, kishte thënë asokohe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
Krejt bashkë – Java e Frankofonisë, Instituti Francez sikurse edhe Festivali i Filmit Frankofon – tashmë janë dëshmuar si fuqizues urash kulturore.