Puna e jurisë së filmit të shkurtër në Festivalin e Sivjetmë të Cannes nuk ka mbaruar të shtunën. Sado që çmimi kryesor, “Palma e Artë”, iu akordua një filmi nga Hong-Kongu, anëtarët e jurisë kanë vendosur njëzëshëm që filmi nga Kosova të jetë kandidati i Festivalit të Cannes për “European Film Awards”, që në botën e filmit konsiderohet si “Oscar” evropian. Kështu ai bëhet kandidati i 17-të që mësyn kategorinë e “European Short Film” në ceremoninë e përvitshme që organizohet nga Akademia Evropiane e Filmit. Sipas regjisorit 44-vjeçar nga Prizreni, Samir Karahoda, është arritje e madhe që të nominohesh nga një festival i njohur siç është Cannes. “Kjo e dëshmon më së miri cilësinë dhe vlerën e filmit tonë”, ka thënë ai të martën për KOHËN
Synimi për arritje të reja të filmit të shkurtër që përfaqësoi Kosovën në Festivalin e sivjetmë të Cannes, “Pa Vend”, nën regjinë e Samir Karahodës, po bëhet gjithnjë e më i prekshëm. Pa u bërë ende tri ditë nga rikthimi pa trofe nga qyteti francez, atij i ka buzëqeshur lajmi i parë i mirë.
Filmi 15-minutësh që sjell një rrëfim autentik nga Prizreni për pasionin pas sportit të pingpongut është përzgjedhur për të qenë pjesë e “European Film Awards”, ngjarje e përvitshme që njeh ekselencën e arritjeve kinematografike evropiane.
Nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë për media të martën pasdite, Eroll Bilibani, producent i filmit, ka bërë me dije se “Pa Vend” është përzgjedhur si kandidat i Festivalit të Cannes për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit.
“Edhe pse nuk u bë publike gjatë ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve, juria ndërkombëtare e Cinéfondation dhe e filmave të shkurtër e ka përzgjedhur filmin ‘Pa Vend’ si kandidat i Festivalit të Kanës për Çmimin e Akademisë Europiane të Filmit”, është thënë në njoftim.
Lajmi është afishuar edhe në faqen zyrtare të Akademisë Evropiane të Filmit (EFA). Në tekstin që shoqëron këtë njoftim, ky organizim i filmbërësve evropianë ka përgëzuar projektin e Karahodës si “kandidat i Festivalit të Cannes”.
Aty bëhet e ditur se “Displaced”, siç është emërtimi zyrtar i filmit në anglisht, është përzgjedhur nga juria ndërkombëtare e Cinéfondation dhe Filmit të Shkurtër, në përbërje të së cilës kanë qenë: Sameh Alaa (regjisor, producent e shkrimtar, Egjipt), Kaouter Ben Hania (regjisore dhe shkrimtare, Tunizi), Carlos Muguiro (regjisor e mësues, Spanjë), Tuva Novotny (regjisore, shkrimtare dhe aktore, Suedi), Nicolas Pariser (regjisor e skenarist, Spanjë) dhe Alice Winocour (regjisore e shkrimtare, Francë).
Sipas EFA-së, filmi tash është kandidat për nonimim në kategorinë e filmit të shkurtër evropian në “European Film Awards 2021”.
Ndryshe, programi i filmave të shkurtër organizohet nga EFA dhe EFA Productions në bashkëpunim me një varg festivalesh të filmit gjithandej Evropës. Në secilin prej këtyre festivaleve, një juri e pavarur shpalos një prej filmave të shkurtër evropianë në garë me një kandidaturë për kategorinë e filmit të shkurtër të “European Film Awards”.
“Ky është filmi i 17-të i shkurtër për vitin 2021. Kur të përmbyllet cikli vjetor, festivalet pjesëmarrëse do të nominojnë pesë filma të shkurtër nga kjo listë. Më pas, 4 mijë anëtarët e EFA – profesionistë filmi nga e gjithë Evropa – do të votojnë për fituesin e përgjithshëm që do të shpaloset me ceremoninë e 34-t të ‘European Film Awards’”, përfundon njoftimi i EFA-së.
Regjisori Samir Karahoda ka thënë se kjo arritje është fryt i punës së mrekullueshme të të gjithë ekipit.
“Mendoj se është një arritje tjetër e madhe sidomos të nominohesh nga një festival si Kana. Kjo e dëshmon më së miri cilësinë dhe vlerën e filmit tonë”, ka thënë Karahoda për KOHËN, teksa ka falënderuar të gjithë anëtarët e ekipit.
Ndryshe, “European Film Awards” është shpalosur përvitshëm që prej 1988-s nga Akademia Evropiane e Filmit. Çmimet jepen për 19 kategori, më e rëndësishmja prej të cilave është ajo për filmin më të mirë.
Çmimi që jepet në statujëzën në formë femre është i kufizuar veç për kinemanë, regjisorët, aktorët dhe producentët evropianë.
Që prej vitit 1997, EFA është mbajtur në pjesën e parë të muajit dhjetor. Për çdo dy vjet Berlini është nikoqiri i ceremonisë, kurse në vitet ndërmjet “Çmimet” kanë udhëtuar në Londër, Paris, Romë, Barcelonë, Varshavë, Kopenhagë, Talin, Maltë, Rigë, Wroclaw, Sevillë, etj.
E fundit ceremoni e saj është mbajtur virtualisht më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Edicioni i sivjetmë, i 34-ti me radhë, do të shpaloset më 11 dhjetor në Berlin.
Ndryshe, filmi “Pa Vend”, pasi ishte përzgjedhur në mesin e 3500 aplikimeve nga mbarë bota, ka garuar në Cannes në kategorinë e filmave të shkurtër. Ai ishte në garë edhe me nëntë filma të tjerë si: “Severen Pol” nën regjinë e Marija Apcevkas (Maqedonia e Veriut); “Det er i Jorden” nën regjinë e Casper Kjeldsen (Danimarkë), “Orthodontics” nën regjinë e Mohammadreza Mayghani (Iran); “The Right Words” nën regjinë e Adrian Moyse Dullin (Francë); “Noite turva” nën regjinë e Diogo Salgado (Portugali); “Sideral” nën regjinë e Carlos Segundo (Brazil/Francë); “Tian Xia Wu Ya” nën regjinë e Tang Yi (Hong Kong); “Céu de Agosto” nën regjinë e Jasmin Tenucci (Brazil/Islandë) dhe “Xue yun” nën regjinë e Wang Lu (Kinë).
Me premierën e dhënë të premten e kaluar në “Théâtre Claude Debussy”, filmi nga Kosova përftoi duartrokitje e vlerësime nga publiku në sallë.
Megjithëkëtë, kjo nuk ia ndryshoi mendimin jurisë gjashtanëtarëshe e cila të shtunën “Palmën e Artë” ia akordoi filmit “Tian Xia Wu Ya” (Të gjithë korbat në botë) nën regjinë e Tang Yi.
Produksion i shtëpisë filmike “SK Pictures”, filmi “Pa Vend”, që kishte si titull pune “Table Stories”, është përkrahur me 15 mijë euro nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe ajo e Prizrenit, “DokuFest”, si dhe nga disa kompani të tjera vendore.
I titulluar “Déplacé” në gjuhën e vendit nikoqir dhe “Displaced” në anglisht, filmi ia kishte dalë të përzgjidhej në mesin e 3500 aplikimeve nga mbarë bota.
Filmi “docu-fiction” ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që ta mbajnë sportin e pingpongut gjallë, duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh.