Rreth dy mijë tituj kanë qenë kryefjala e Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë në edicionin e dytë, bashkë me aktivitete të tjera argëtuese e edukative. Përtej një panairi, ngjarja është një prej formave për të stimuluar interesimin për librin dhe rritjen e kulturës së leximit. Shtande përplot me botime në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, hapësira rekreative e dekore që ngjajnë në organizimin e një lloj feste, ishte imazhi i përgjithshëm i Festivalit
Për pesë ditë në zemër të kryeqytetit librat e ekspozuar në ambient të hapur kanë qenë në fokus të lexuesve të rinj. Rreth dy mijë tituj kanë qenë kryefjala e Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë në edicionin e dytë, bashkë me aktivitete të tjera argëtuese e edukative. Përtej një panairi, ngjarja është një prej formave për të stimuluar interesimin për librin dhe rritjen e kulturës së leximit.
Shtande përplot me botime në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, hapësira rekreative e dekore që ngjajnë në organizimin e një lloj feste, ishte imazhi i përgjithshëm i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë. Por aty për pesë ditë kishte shumë më shumë. Deri të dielën qe tamam festë e librit. Përplot ngjarje përbrenda, duke përfshirë programe muzikore, bashkëbisedime për artin dhe librat, lojëra, eksplorim i teknologjisë, aktivitete edukative, kulturore, maskota për fëmijë e shumë të tjera.
Nga 2 deri më 6 tetor, sipas organizatorëve, numri i atyre që kanë vizituar Festivalin dhe Panairin ka shkuar deri në 12 mijë.
Agon Ahmeti, drejtor i organizatës ETEA, që e ka organizuar ngjarjen bashkë me bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, ka thënë se edicioni i dytë ka qenë trefish më i suksesshëm se edicioni paraprak i mbajtur vitin e kaluar.
“Edicioni i dytë mund të them se ka qenë trefish më i suksesshëm se edicioni i parë, gjë që është e natyrshme. Kjo, edhe përkundër faktit që ka pasur tri ditë me shi, por që nuk e ka ndërprerë procesin e punës dhe rrjedhën e Festivalit. Të gjitha palët që kanë qenë të përfshira, të gjitha aktivitetet, programi, shtëpitë botuese edhe ne si organizatorë, e kemi implementuar ashtu siç e kemi planifikuar Festivalin. Ka qenë energji shumë e mirë, e jashtëzakonshme është atmosfera që bëhet aty me fëmijë, me aktivitete, argëtim që kanë karakter edukues e kulturor”, ka thënë Ahmeti, derisa ka krahasuar numrat e vizitorëve nga të dy edicionet.
“Të dhënat e sakta janë problem të gjenden pasi ka qenë ambient i hapur dhe vizitorë kanë ardhur vazhdimisht, por në bazë të një observimi dhe komunikimi që kemi pasur, sidomos me shkollat që kanë qenë të interesuara, vitin e kaluar numri ka qenë prej 3 mijë e 500 deri 5 mijë vizitorë, ndërsa këtë vit është 10 deri në 12 mijë vizitorë. Kemi qenë edhe një vit më shumë dhe publiku është informuar më shumë, kemi pasur më shumë promovim të ngjarjes, më shumë bashkëpunëtorë e partnerë që e kanë financuar, krahasuar me vitin e kaluar. Natyrisht, kjo ka ndikuar edhe më shumë”, ka thënë ai në një bisedë me KOHËN.
Ngjarjen e ka konsideruar si një prej organizimeve më të dashura për organizatën ETEA. Ka thënë se që nga viti i kaluar kur nisi si ngjarje e kanë menduar ta bëjnë atë tradicionale. Kësisoj, ka thënë se përgatitjet për edicionin e ardhshëm nisin që këtë javë.
Sivjet ngjarja ka avancuar. I është shtuar epiteti “festival” atij që vjet ishte nisur si Festival i Librit për Fëmijë.
“Edhe në edicionin e parë kur ka qenë veç Panair i Librit për Fëmijë e kemi pasur hapësirën e aktiviteteve dhe kemi realizuar program për fëmijë, jo aq të larmishëm sa ky edicion, dhe si rrjedhojë e saj kemi menduar se i takon epiteti i festivalit dhe kemi punuar edhe më shumë në këtë drejtim. E kemi pasuruar me një program që ka qenë shpirti i krejt ngjarjes”, ka thënë organizatori i ngjarjes, Agon Ahmeti.
Edicioni i kaluar qe mbajtur prej 4 deri më 7 tetor, po në sheshin “Zahir Pajaziti” në hapësirën që njihet si amfiteatër i kësaj pjese.
Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë synon nxitjen e kulturës së leximit te gjeneratat e reja dhe të krijimtarisë letrare për fëmijë.
“Opinioni që është në publik për sa i përket nivelit të lexueshmërisë dhe kulturës së leximit, është verifikuar, për të mos thënë se gjendja përtej të dhënave statistikore është edhe më keq. Ky është një prej projekteve përmes të cilave ETEA synon të ndikojë pozitivisht për të përmirësuar sado pak gjendjen reale në shoqërinë tonë. Ngjarja është një prej projekteve që punon në këtë drejtim dhe synon të adresojë problematikën për të cilën kemi dëshmi faktike objektive përmes raporteve hulumtuese”, ka thënë Ahmeti.
Sivjet dhjetë shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë sjellë botimet e tyre.
Ajo çfarë e mundon letërsinë për fëmijë sot është mungesa e librave të autorëve vendës. Aq sa mungon edhe laureati i një çmimi letrar si ai i Ministrisë së Kulturës që mban emrin e Vehbi Kikajt. “Prurje të varfra” kishte qenë arsyetimi i jurisë që as sivjet të mos ndahet çmimi letrar për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj”.
Në ditën e fundit të ngjarjes fëmijët kishin mundësinë të jenë pjesë e punëtorisë interaktive me “Young Engineers Prishtina”, ku inovacioni dhe kreativiteti ishin në qendër të vëmendjes. Sipas organizatorëve, përmes lojërave interaktive dhe edukative të vegjlit shijuan çdo moment.
Më pas është promovuar libërthi “Rrëfenjëzat” e autoreve Lara Vranoci, Rona Fejzullahu, Hera Arifaj, Riana Fejzullahu, Jara Frangu dhe Rita Fejzullahu. Ky libërth u zhvillua në kuadër të Punëtorive të Shkrimit Kreativ të organizatës ETEA.