Kulturë

Festë e traditë me maratonën festive të KTV-së

Festë e traditë me maratonën festive të KTV-së

Tradita e festës në Kohavision vazhdon edhe këtë ndërrim të motmoteve, duke vazhduar frymën e televizionit me histori prej një çerekshekulli. Edhe kësaj here, ekipi profesional është angazhuar për të sjellë atmosferën e hareshme dhe të ngrohtë për publikun, duke e përcjellë atë te familjet shqiptare. 
Figura qendrore e natës më të gjatë të vitit do të jetë këngëtarja Edona Llalloshi, e cila sjell këngët e saj zbavitëse, por edhe nga thesari popullor. Pjesa tjetër e programit ndërtohet nga emra të shquar të skenës muzikore që sjellin këngë popullore e qytetare, folklorike, argëtuese e rock-grupe të viteve ’70 e ’80 vijnë në Kohavision. Për tri net, programi është ekskluziv. Ai i 31 dhjetorit është vetëm njëri kapitull. 

“Për një çerekshekull jemi me teleshikuesit tanë. Gjithmonë jemi munduar të sjellim këngëtarë, emra, figurat më të njohura në muzikën popullore dhe argëtuese. Kështu që, ndër vite kemi sjellë program kualitativ. Edhe sivjet jemi munduar ta bëjmë të njëjtën gjë”, ka thënë Rea Surroi, producente ekzekutive e KTV-së.

Kapitulli i tri netëve nis më 31 dhjetor...

Programi i natës festive është konceptuar me delikatesë. Këngëtarja Edona Llalloshi ka thënë se repertori i këngëve që interpreton është përzgjedhje shumë e bukur e zhanrit të saj dhe jo vetëm.

“Gëzuar me KOHËN”, nis prej orës 21:30. 

“Ka këngë zbavitëse e këngë të bukura popullore që i këndoj me shumë dashuri. Janë këngë që janë kënduar ndër gjenerata. Mendoj se publiku do të kënaqet me programin festiv të Kohavisionit. Është një punë disajavore me një përkushtim shumë të madh që kjo mbrëmje të jetë shumë e veçantë dhe që energjinë shumë të mirë në sallë ta përcjellim edhe në shtëpitë e të tjerëve”, ka thënë këngëtarja Llalloshi. 

Producentja ekzekutive e Kohavisionit, Rea Surroi, ka thënë se në përgjithësi programi përfshin emra të njohur të muzikës popullore e argëtuese. Ka kujtuar se Llalloshi ishte pjesë e disa prej programeve të para festive që KTV-ja kishte realizuar. 

“Edona Llalloshi ka qenë pjesë e programit festiv në vitin 2002 dhe 2003. Është e vërtetë që Kohavisionin është vështirë ta refuzojnë artistët dhe gjithmonë i mban dyert e hapura për artistë të rinj e ata me emër. Ne gjithmonë e kemi përkrahur muzikën e mirëfilltë. Kemi bërë dallim në këtë aspekt dhe mendoj që e kemi ruajtur një cilësi ndër vite”, ka thënë ajo.

Atmosfera me ngjyrat e Vitit të Ri

Rea Surroi ka paralajmëruar program kualitativ edhe sivjet. E, për një të tillë duhet planifikim shumë më i hershëm si proces që kërkon shumë përgatitje e punë. 

“Nevojitet të jemi shumë herët në kohë. Pa qenë në koordinim me një ekip cilësor e të përgatitur siç e kemi pasur edhe kësaj here, është e pamundur ta realizosh një program të tillë. Prandaj dua ta falënderoj gjithë stafin që është angazhuar për të sjellë këtë program të bukur”, ka thënë ajo gjatë momentit të xhirimeve të programit qendror festiv.

Këtë pjesë e moderojnë Lea Krajkova dhe Lekë Rezniqi. 

Për Rezniqin, programi festiv është i pari i kësaj natyre me të cilin shfaqet në ekran. E konsideron si kurorëzim të një viti të suksesshëm në televizion. 

Lea Krajkova e ka moderuar edhe edicionin e kaluar të programit festiv. Përtej punës, këtë moment e konsideron si kënaqësi për të.

“Jam shumë e lumtur. E pres një atmosferë shumë të mirë. Ekipi është shumë i mirë dhe kur ndodh kështu nuk ka si të shkojë ndryshe. Jam shumë e lumtur që punoj me njerëz kaq profesionistë dhe të përkushtuar që kur duan të bëjnë diçka e arrijnë dhe pikë. Kjo është më e mira”, ka thënë ajo. 

Lekë Rezniqi ka thënë se në këtë periudhë është një mobilizim i gjithë stafit të televizionit në mënyrë që të ofrohet për shikuesit një program festiv, argëtues për ta pritur së bashku Vitin e Ri. 

“Është tjetër dinamikë. Xhirimet zgjasin gjithë natën, megjithatë është kënaqësi, sepse takojmë shumë artistë, bashkëpunëtorë”, ka thënë ai. 

Nata e 31 dhjetor karakterizohet kryesisht me muzikë popullore. Artan Bakija e Fahrush Azemi do të jenë disa prej emrave që do të interpretojnë. 

“Ata që e dinë muzikën që e kultivoj do ta presin një muzikë të bukur, festive, qytetare. Kam përzgjedhur dy këngë, do të cakërrojmë gotat dhe ta festojmë 2025-tën”, ka thënë Azemi derisa ka njoftuar shkurtimisht për atë çfarë do të sjellë në program. 

“Vazhdoj të qëndroj brenda pjesës që më takon mua si artist tash e tridhjetë vjet. Këndoj një potpuri me këngë të Shqipërisë së mesme, këngë qytetare dhe popullore”, ka thënë ai. 

Neki Emra, Korab Shaqiri e Nita Latifi janë emrat e tjerë, të cilët nëpërmjet Kohavisionit e sjellin frymën festive. 

“Gjithmonë është qejf dhe shumë dashuri për t’i takuar kolegët. Atmosfera ka qenë shumë e mirë, jam shumë e lumtur që kam qenë pjesë e KTV-së këtë vit për ta pritur 2025-tën. Kam zgjedhur disa këngë të bukura shqipe që i kam shumë për zemër. Nuk e di nëse i kam kënduar ndonjëherë drejtpërdrejt në televizion. Por i kam zgjedhur me shumë dashuri”, ka thënë këngëtarja Nita Latifi. 

Këngëtari Neki Emra ka thënë se kësaj here interpreton në televizionin që i ka dhënë hapësirë mediale qysh në fillet e karrierës së tij. 

“Është kënaqësi që jam pjesë në një nga televizionet e mia favorite ku edhe kam filluar karrierën time. Natyrisht se ndiej mirënjohje për Kohavisionin dhe kjo është një nga arsyet më të mëdha që unë sonte gjendem këtu, në mesin tuaj”, ka thënë ai në natën e xhirimeve të programit qendror. 

E, Korab Shaqiri ka bërë të ditur se do të interpretojë edhe këngë të babait të tij, këngëtarit të mirënjohur, Ilir Shaqiri. 

“Është këngë e babait dhe flet për të rinjtë që ikin. U thotë se vetëm korbat s’kanë atdhe. Kështu që nëse do të jesh dikushi, duhet të jesh në vendin tënd”, ka thënë ai derisa ka folur për këngën “Këtu kam folenë” të viteve ’90.

Festa vazhdon edhe me retrospektivë...

Në natën e dytë, më 1 janar, prej orës 20:45 me muzikë argëtojnë këngëtarja Merita Bunjaku, “Trix”, Vesa Smolica dhe Rina Ramadani. Gjithashtu secilën natë sillet programi i pasur me filma. 

Në natën e dytë të vitit 2025, KTV-ja do të sjellë një retrospektivë të programeve nga më shumë se 20 vjet më parë, duke kujtuar festat e kaluara dhe si është festuar gjatë viteve. “Viti i Ri retro” nis më 2 janar prej orës 20:10.

Po në këtë datë, prej orës 21:10 do të shfaqet “Lounge Selection” me Albina Kelmendin, Kastriot Grajçevcin, Denik Prizrenin, Fatos Hoxhën dhe jo vetëm. Pjesë e programit do të jetë edhe Ardian Limanmera & “Bohemët Sofra” do të sjellin një potpuri të muzikës popullore bashkë me Hysni Klinakun, Mahmut Feratin e Artan Bakijajn. Por festa nuk mbaron këtu...

Emisione ekskluzive

Si programi qendror, ashtu edhe autorët e emisioneve kanë përgatitur edicionet e veçanta me rastin e festës së Vitit të Ri. Produksioni i televizionit veçse ka formatuar skemën programore. Krejt çfarë i mbetet shikuesit është të shijojë festën me programe sa atraktive e të hareshme, aq edhe informuese. 

Festa nëpërmjet ekranit nis që mëngjesin e 31 dhjetorit me emisionin “SOT”, prej orës 8:00. Mysafirë, muzikë live e materiale nga terreni, pasqyrojnë peizazhet e natyrës e përgatitjet e stafit të Qendrës së Mjekësisë Urgjente në natën e ndërrimit të moteve. Pjesë të tjera të programit do të përfshijnë rrëfime të mërgimtarëve që kanë ardhur për të festuar në Kosovë dhe ide për darkën e Vitit të Ri. 
Krejt këto i ofrohen shikuesit në një ambient të ngrohtë në Brezovicë. Për dallim nga herë të tjera, stafi i emisionit mirëpret emra të shquar të fushave të ndryshme. 

Deputetja Blerta Deliu, modelja Afërdita Paçarada e moderatorja Lea Krajkova, e ndërtojnë një pjesë të emisionit nëpërmjet kësaj bisede. 

Edona Bekteshi-Shala, producente e emisionit “SOT”, njëherësh edhe zëvendësproducente ekzekutive e KTV-së, ka thënë se derisa emisioni reflekton në mbylljen e një viti, vlerëson edhe sfidat e arritjet e tij. 

“Emisioni i mëngjesit mund të vlerësohet edhe si një kurorëzim i një tjetër viti pune, pasi ai pasqyron sfidat dhe arritjet e vitit që po mbyllet, duke ofruar një reflektim mbi sukseset dhe sfidat e kaluara. Në këtë kontekst, emisioni mund të shihet si një mundësi për të kremtuar dhe festuar gjithçka që është arritur gjatë vitit, duke i dhënë një dimension festiv dhe reflektues”, ka thënë Bekteshi-Shala. 

Moderatorët e emisionit “Drive me crazy”, Arsim Limani dhe Fiona Xhema-Troshupa kësaj radhe, në një edicion special më 31 dhjetor prej orës 16:10, do të jenë mysafirë të këngëtarit Xhaner Gashi me shokë. 

E festa nuk ka kuptim pa fëmijët. Programi i veçantë për ta, “PFF”, më 1 janar prej orës 7:30, nën moderimin e Edlirë Malokut do të jetë një moment i paharrueshëm me performancat e balerinave të vogla të “Behie’s Dance” të cilat do të sjellin një atmosferë magjike dhe plot energji. 

Përveç baletit, fëmijët do të kenë mundësinë të dëgjojnë këngët festive nga këngëtarë të rinj që do të performojnë me pasion dhe entuziazëm. Grupi “Mollëkuqet” gjithashtu do të prezantojë disa këngë të bukura për fëmijë të cilat do të krijojnë një atmosfere gëzimi dhe solidariteti për fëmijët dhe familjet e tyre.

“Te Linda” bashkë me recetën nuk do të mungojë festa që do ta sjellë grupi “String String”. Është parapërgatitja” për festën e madhe dhe nis më 31 janar prej orës 20:10. 

Edhe edicioni festiv i emisionit “Express” më datën 1 janar prej orës 19:40, vjen tejet i veçantë kësaj here. Producentja Edona Binaku ka dy mysafiret speciale në këtë edicion – aktoren Ilire Vinca dhe regjisoren, Zana Hoxha. 

“Për rreth një orë, në këtë bashkëbisedim të ngrohtë, ato kujtojnë projektet që ato kanë realizuar gjatë vitit 2024, përfshirë dhe sukseset që nuk u kanë munguar në fushën e artit që ushtrojnë”, ka thënë Binaku, producente e emisionit “Express”.

Në format unik, më 1 janar prej orës 17:45, vjen edhe “Festa me Deskun e KOHËS” me Donika Vocën. Ka të ftuar kolegët e KOHËS, redaktorë e gazetarë që vijnë në një profil krejt tjetër duke ndarë me shikuesit momente të veçanta të punës së tyre. 

Emisioni i veçantë në vend, dedikuar filmit shqiptar dhe të huaj, “Nëpër Film”, ka përgatitur edicionin special për fundvit, më 2 janar prej orës 17:45. Të ftuar në studio në një bashkëbisedë me autoren, Edona Binaku, do të jenë dy aktorë. 

Majlinda Kosumoviq dhe Armend Smajli, rrëfejnë copëza nga rolet dhe përvojat e tyre në filmat që kanë realizuar së fundmi, në disa prej të cilëve edhe luajnë së bashku. Zbulojnë projektet që me padurim presin të lansohen gjatë vitit 2025, rrëfejnë për temat interesante që i trajtojnë ata. Në format festiv vjen edhe “Jeta festive” më 1 janar prej orës 12:30.  Një pako ekskluzive filmash është po ashtu pjesë e maratonës festive. 

E, KOHA tashmë është gati për festë.